BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
FMN-ja arrin një marrëveshje paraprake me autoritetet për rishikimin e tretë të programit

Data e publikimit: 08.05.2007

 

Shqipëria ka arritur një fazë kyçe në zhvillimin e saj ekonomik. Investimet e huaja direkte në rritje dhe zhvillimi i shpejtë i sektorit financiar, i mbështetur nga stabiliteti makroekonomik, tregojnë për një ritëm më të shpejtë konvergjence drejt standarteve të një ekonomie në zhvillim. Megjithatë për t'i shfrytëzuar këto mundësi në mënyrë efiçente duhen menaxhuar me sukses disa rreziqe të konsiderueshme. Përkeqësimi serioz i pozicionit financiar të KESH-it është një pengesë madhore për progesin dhe duhet të zgjidhet shpejt. Paketa afatshkurtër për të cilën është rënë dakord me autoritetet do të stabilizojë përkohësisht pozicionin financiar të kompanisë dhe do të minimizojë ndikimin në buxhet. Megjithatë nevojitet një zgjidhje më afatgjatë. Privatizimi i KESH-it, për të cilin është rënë dakord me Bankën Botërore vitin e kaluar duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në fusha të tjera, dhënia fund e kulturës së shmangies së taksavedhe përmirësimi i dialogut të qeverisë me bizneset dhe shoqërinë civile lidhur me reformat e nevojshme do të jetë i domosdoshëm.

Kriteret sasiore dhe cilësore të performancës për fundin e marsit të 2007 sipas programit të FMN-së janë arritur. Megjithatë rreziqet për stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike janë rritur si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të kreditimit dhe përkeqësimit të pozicionit financiar të KESH-it.

Dobësitë në sektorin e energjisë reflektojnë një kombinim faktorësh. Ka probleme kronike me rezultatet e mbledhjes së faturave dhe të humbjeve, si dhe çmimet e importit në rajon për energjinë elektrike janë rritur shumë dhe janë mjaft mbi nivelin vendas të tarifave të cilat kanë mbetur të pandryshuara që nga viti i kaluar. Korporata po përpiqet tani të përmirësojë nivelin e mbledhjes së faturave dhe të humbjeve dhe në uljen e kostos dhe sjelljen e saj në linjë me planin e ri të veprimit për sektorin. Por masa të tjera me thelbësore nevojiten për të krijuar një kulturë të pagesës dhe për të siguruar që çmimet do të sillen në nivelin e mbulimit të kostos.

Është zhgënjyese që burime buxhetore do të duhet të përdoren këtë vit për të përmirësuar pozicionin financiar të KESH-it, por është ugjentisht e nevojshme një zgjidhje më e qëndrueshme. Autoritetet kanë rënë dakord që jo më shumë se 5 miliardë lekë nga burime buxhetore do të përdoren, para të cilat do të vijnë nga kontigjencat dhe masat e reja të taksave. Por kjo mbështetje buxhetore është e përkohshme dhe mund të sigurojë vetëm një frymëmarrje të kufizuar. Autoritetet duhet të punojnë ngushtë me Bankën Botërore dhe aktorë të tjerë kryesorë në këtë fushë për tu siguruar që strategjia e miratuar e privatizimit do të arrihet me sukses sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë kontekst ne kemi marrë zemër nga mbështetja për një privatizim të shpejtë që shprehet nga të gjitha krahët e spektrit politik.

Buxheti është sipas planit. Ecuria e të ardhurave është në përputhje me parashikimet dhe niveli i kontigjencave i përshtatshëm. Masat shtesë të taksave të parashikuara për 2007 do të forcojnë më shumë të ardhurat. Zbatimi i buxhetit është përmirësuar disi me një përshpejtim të mirëpritur të investimeve të financuara me burime të brendshme. Fillimi i praktikës së rishikimit në mes të vitit të projekteve të investimeve është i rëndësishëm për tu siguruar që planet e shpenzimeve janë shpërndarë dhe zbatuar me efiçencë. Objektivat fiskalë të 2007 të cilat balancojnë nevojën për të reduktuar borxhin me objektivat e zhvillimit ekonomik duhet të ruhen, megjithë kostot që rrjedhin nga KESH. Huamarrja neto e qeverisë mbetet e limituar në 2½ përqind të GDP-së. Megjithatë duke marrë në konsideratë angazhimin e qeverisë për të përdorur gjysmat e të ardhurave nga privatizimet strategjike për të reduktuar borxhin, huamarrja e brendshme mund të jetë me e ulët nëse transaksioni i Albtelekomit përfundohet brenda 2007 sipas planifikimit.

Duhet bërë më tepër për ta bërë administratën tatimore më efiçente dhe më miqësore me biznesin. Roli i Policisë Tatimore është rishikuar dhe një pjesë e stafit tani është rishpërndarë në aktivitete me produktivitet më të lartë si p.sh. kontrolli dhe zbatimi. Në këtë kuadër, ndërsa ne i mbështesim plotësisht masat për të forcuar kapacitetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të përmirësuar mbledhjen e taksave, kjo nuk duhet të shkelë të drejtën e pakushtëzuar të taksapaguesve për të apeluar vlerësimin tatimor. Po aq e rëndësishme është që procedurat e rimbursimit të TVSH-së të jenë plotësisht në zbatim të ligjit.

Progres është bërë dhe në forcimin e menaxhimit të borxhit. Maturimi i instrumentave të borxhit vazhdon të zgjatet dhe llojet e instrumentave dhe baza e investitorëve po zgjerohet, si dhe kapacitetet e Thesarit po forcohen.

Politika monetare e ka mbajtur inflacionin në objektiv, por ka sfida të reja. Rritjet e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ishin të mirëprogramuara dhe forcimi i rregulloreve bankare mbi mbikqyrjen ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit financiar. Por rreziqet buxhetore dhe një rritje e vazhdueshme shumë e shpejtë e kreditimit do të testojë politikat; megjithatë ne mbetemi të bindur se Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë hapat e duhur. Në të ardhmen, krijimi i një zyre për informacionin e kredive do të kontribojë më shumë në ruajtjen e cilësisë së kreditimit. Konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar do të sjellë një sistem financiar më konkurues dhe më stabël.

Ndërsa krijimi i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare ishte një arritje e rëndësishme, më shumë përpjekje janë të nevojshme për të forcuar pavarësinë operacionale të saj. Gjithashtu duke qenë se industria e lizingut është tashmë gati për një zhvillim të shpejtë do të jetë e rëndësishme për të transferuar krejtësisht mbikqyrjen dhe rregullimin e saj në Bankën e Shqipërisë.

Së fundmi synimi i qeverisë për të pregatitur Strategjinë e ardhshme të Zhvillimit dhe Integrimit në konsultim të ngushtë me publiku dhe aktorë të tjerë është inkurajuese. Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të sinqertë me të gjithë partnerët e rëndësishëm ky dokument mund të arrijë potencialin e tij të vërtetë si një strategji për të gjithë vendin. Ne besojmë se një proces i tillë konsultimi do të ishte i dobishëm dhe në fusha të tjera të politikë-bërjes.

* * * * *

Misioni dëshëron të falenderojë autoritetet për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe për mikpritjen e ngrohtë.


István P. Székely K. Ann-Margret Westin
Shef Misioni i FMN-së për Shqipërinë Përfaqësuese e Perhershme e FMN-së