BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
FMN arrin mirëkuptim me autoritetet për rishikimin e dytë të programit

Data e publikimit: 07.11.2006

 


Tiranë, 6 Nëntor 2006

Një mision i FMN-së vizitoi Tiranën në 24 Tetor-6 Nëntor për të zhvilluar bisedimet për rishikimin e dytë nën programin aktual PRGF/EFF. Në përgjithësi programi është në rrugë të mbarë dhe progresi i bërë në zbatimin e reformave strukturore ka qenë i kënaqshëm. Zhvillimet makroekonomike janë në linjë me parashikimet e mëparshme dhe performanca fiskale është e qëndrueshme. Autoritetet kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar. Vazhdimi i reformave strukturore mbetet megjithatë thelbësor për suksesin e qeverisë në programin e mbështetur nga FMN-ja.

Misioni ka zhvilluar bisedime me autoritetet për rishikimin e dytë të programit të FMN-së. Ai është takuar me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Financave dhe disa ministra të tjerë kryesorë, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, parlamentarë, udhëheqës të opozitës dhe përfaqësues të komunitetit ndëkombëtar, biznesin lokal, akademikë, OJQ dhe median.

Në përgjithësi programi është në rrugë të mbarë dhe progresi në reformat strukturore ka qenë i kënaqshëm. Misioni ka arritur mirëkuptim me autoritetet përsa i përket objektivave të programit dhe masave për reformat strukturore gjatë vitit që vjen. Diskutimi në Bordin Ekzekutiv të FMN-së është parashikuar në Janar të 2007.

Zhvillimet makroekonomike janë në linjë me parashikimet e mëparshme. Rritja e PBB-së parashikohet të jetë të paktën 5% këtë vit dhe do të kthehet në nivelin e 6% vitin tjetër, e mbështetur nga një rritje e fortë në sektorin e shërbimeve, në investimet publike dhe në eksportin e mineraleve. Defiçiti i bilancit të pagesave është parashikuar të zvogëlohet në 2006, çka reflekton rritje të eksporteve, por do të rritet përsëri vitin tjetër si rrjedhojë e rritjes së importeve të mallrave kapitale. Gjatë 2006, inflacioni është ruajtuar në intervalin e synuar të Bankës së Shqipërisë 3±1 përqind, pasi presioni i rritjes së çmimeve të mallrave të jo-tregtueshme është neutralizuar pjesërisht nga rritja e normës bazë të interesit në korrik.

Performanca fiskale është e qëndrueshme. Të ardhurat janë në linjë me parashikimet e rritura të buxhetit suplementar falë përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit në tatime dhe dogana. Huamarrja e brendshme e qeverisë, objektivi kyç në programin fiskal, parashikohet të mbetet brenda objektivit të rënë dakord për 2006. Buxheti i 2007 bazohet në parashikime realiste për të ardhurat që përfshijnë dhe kontigjenca të përshtatshme për të mbrojtur investimet prioritare. Si dhe në të kaluarën, të ardhurat nga privatizimet strategjike do të shpërndahen në pjesë të barabarta për investime dhe reduktim të borxhit, dhe një pjesë e tyre do të shkojë për të financuar rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Diskutimet janë në vazhdim me autoritetet përsa i përket kufirit të kredisë së huaj jo-koncesionare për vitin 2006 dhe për masat e nevojshme për të forcuar më tej kontigjencat e buxhetit në afatin e mesëm. Duke vështruar përpara, kuadri afatmesëm fiskal do të mbetet i pandryshuar me fokus në forcimin e mbledhjes së të ardhurave dhe efiçencë të shpenzimeve, duke përfshirë këtu edhe praktikën e rishikimit të buxhetit në mes të vitit.

Autoritetet kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin financiar. Banka e Shqipërisë ka hartuar masa rregullatore dhe të mbikqyrjes të nevojshme për të ruajtur stabilitetin e sistemin bankar në kuadrin e nje rritje të shpejtë të kreditimit, si dhe ka filluar një dialog me bankat tregtare për këtë çështje. Krijimi i një agjencie të re të integruar, Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, do të ndihmojë në përmirësimin e mbikqyrjes të institucioneve financiare jo-bankare. Në të ardhmen, krijimi i byrosë së kredive do të ndihmojë në reduktimin e riskut të kredisë në sistemin bankar.

Vazhdimi i reformave strukturore mbetet thelbësor për suksesin e programit ekonomik të qeverisë të mbështetur nga FMN-ja. Administrimi i të ardhurave do të përqëndrohet në forcimin e zyrës së taksapaguesve të mëdhenj dhe në rishikimin e rolit të policisë tatimore. Privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha pritet të përshpejtohet në 2007, sidomos përsa i përket Albtelecomit, INSIG dhe divizionit të shpërndarjes së KESH-it. Megjithë progresin inkurajues në këtë fushë, përpjekje më të mëdha duhen bërë për të përmirësuar menaxhimin e borxhit publik dhe statistikat zyrtare.

István P. Székely K. Ann-Margret Westin
Shef Misioni Përfaqësuese e Përhershme