BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
FMN përfundon rishikimin e katërt të marrëveshjes PRGF me Shqipërinë dhe miraton lëvrimin e 6 milionë dollarëve

Data e publikimit: 16.07.2004

 

Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi sot rishikimin e katërt të ecurisë ekonomike nën programin Reduktimi i Varfërisë dhe Nxitja e Rritjes (PRGF). Vendimi do të mundësojë lëvrimin e shumës ekuivalente me 4 milionë SDR (rreth 6 milionë dollarë), që e çon shumën totale të lëvruar nën programin PRGF në 20 milionë SDR (rreth 30 milionë dollarë).

Bordi gjithashtu përfundoi rishikimin e garancive financiare dhe përmbushi kërkesën e autoriteteve për të parashkruar mospërmbushjen e një kriteri performance strukturore në fund të marsit lidhur me zbatimin në dogana të sistemit të përpunimit të të dhënave ASYCUDA dhe fillimin e një kontrolli për intergritetin e sistemit. Zbatimi i sistemit u realizua më pas.

Marrëveshja tre-vjeçare PRGF është miratuar në 21 korrik 2002 për një shumë totale prej 28 milionë SDR (rreth 42 milionë dollarë).

Në përfundim të diskutimit të Bordit, Anne Krueger, zëvendësdrejtoresha e përgjithshme dhe kryetarja e radhës tha:

"Ecuria e Shqipërisë gjatë vitit të dytë të programit PRGF ka qenë në përgjithësi e kënaqshme, me një rritje ekonomike të fortë, bilanc pagesash të jashtme në përmirësim dhe me rezerva valutore që kanë tejkaluar objektivat e programit. Menaxhimi me zotësi i likuiditetit nga Banka e Shqipërisë, konsolidimi i vazhdueshëm fiskal dhe reduktimi i borxhit kanë kontribuar në një rikthim të besimit, në forcimin e monedhës dhe në mbajten e një norme të ulët inflacioni. Megjithatë, mosrealizimet në të ardhurat fiskale në krahasim me buxhetin kanë vazhduar, çka ka bërë që të shkurtohen ndjeshëm shpenzimet gjatë 2003 në mënyrë që të arriheshin objektivat e programit. Zbatimi i reformave strukturore është përmirësuar që nga rishikimi i fundit; këtu përfshihen përfundimi i shitjes së Bankës së Kursimeve, reformat administrative në institucionet fiskale dhe veprimet për të hequr pengesat për investimet.

"Programi i propozuar përfshin masa rregulluese fiskale në përgjigje të rivlerësimit për parashikimin e të ardhurave në 2004; si dhe vendimin e autoriteteve për përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i Bankës së Kursimeve—gjysma e të cilave do të shpenzohen për projekte investimesh në fusha prioritare ndërsa pjesa tjetër për reduktimin e borxhit.
Programi përfshin gjithashtu masa në politikën e taksave për të rritur të ardhurat dhe reforma të mëtejshme strukturore për të përmirësuar menaxhimin e institucioneve fiskale, qeverisjen dhe transparencën, si dhe për mbështetjen e pavarësisë të bankës qendrore dhe nxitjen e një ndërmjetësimi më të madh financiar.

"Në afatin e mesëm, mbajtja e rritjes ekonomike dhe pozicionit të jashtëm në baza të qëndrueshme do të kërkojë vazhdimësinë në rrugën e konsolidimit fiskal si dhe reforma të tjera strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur investime të huaja që gjenerojnë eksporte. Prandaj axhenda e reformave strukturore përqëndrohet me të drejtë në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore dhe efiçencës në sektorin publik—përfshirë këtu edhe përqëndrimin në programet që lehtësojnë varfërinë—si dhe forcimin e qeverisjes dhe shtetit ligjor dhe heqjen e pengesave administrative për investimet," tha znj. Krueger.

PRGF-ja është programi më koncesionar për vendet me të ardhura të ulëta. Programet PRGF mbështeten në strategjitë kombëtare të reduktimit të varfërisë të miratuara nga një proces me pjesëmarrje të gjerë që përfshin shoqërinë civile, partnerët e zhvillimit dhe të shprehura në një Dokument Strategjie për Reduktimin e Varfërisë (SKZHES). Kjo synon të sigurojë që çdo program i mbështetur nga PRGF-ja të jetë në përputhje me një kuadër plotësues makroekonomik, strukturor dhe të politikave sociale që mbeshtesin rritjen dhe reduktojnë varfërinë. Huatë e PRGF-së kanë një normë vjetore interesi prej 0.5 përqind dhe janë të ripagueshme për 10 vjet me një periudhë fillestare faljeje për pagesat e principalit prej 5 vjet e gjysëm.