BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Fullani në seminarin e nivelit ministror “Stabiliteti Ekonomik dhe procesi i përafrimit me BE në vendet e Evropës Juglindore: Ndërtimi i Kapaciteteve për Hartimin dhe Zbatimin e Politikës”, Washington D.C., 24 prill 2009

Data e publikimit: 24.04.2009

 

Jam i nderuar dhe i gëzuar që ndodhem sot këtu për të ndarë me ju mendimet e mia lidhur me këtë çështje të rëndësishme. Roli i ankorave të jashtme ka qenë në qendër të diskutimit tonë gjatë tre viteve të fundit. Banka e Shqipërisë ka diskutuar këtë çështje në kontekstin e ndërlikimeve të mundshme fiskale të ardhshme për politikën monetare dhe ekonominë në tërësi. Do të marr shkas nga takimi i sotëm, për të shpjeguar dhe për të shtjelluar idetë që kam parashtruar dy viteve të fundit.

Shqipëria përbën një nga historitë e suksesit të kalimit të periudhës së tranzicionit mbështetur nga programet ekonomike të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këto programe kanë qenë ankora të rëndësishme për politika të shëndosha makroekonomike dhe financiare gjatë pjesës më të madhe të periudhës së tranzicionit.  Reformat strukturore të ndërmarra prej fillimit të periudhës së tranzicionit kanë sjellë një përparim të rëndësishëm në aspektet politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit, duke çuar në rritje të konsiderueshme të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Si rrjedhim, Samiti i Strazburgut e shpalli Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në NATO, dhe shumë shpejt pas kësaj ngjarjeje, Shqipëria paraqiti kërkesën e saj zyrtare pranë presidencës së radhës të Bashkimit Evropian, Republikës Çeke, për t’u bërë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Programi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi në janar 2009, në të njëjtën kohë kur ngadalësimi ekonomik që pasoi krizën financiare në vendet e zhvilluara filloi të shtrijë ndikimin e tij në ekonomitë në zhvillim, përfshirë dhe ekonominë shqiptare. Të njëjtat zhvillime sollën probleme të rëndësishme në ekonomitë e Evropës Qendrore. Këto probleme të kohëve të fundit në ish-vendet me ekonomi në tranzicion, veçanërisht ekonomitë “e suksesshme” të Evropës Qendrore, na ftojnë të reflektojmë mbi rolin e institucioneve dhe për politikat që kanë shërbyer si ankora të jashtme në këtë proces.

Pas rënies së komunizmit, Fondi Monetar Ndërkombëtar u ftua për të hartuar dhe zbatuar një program ekonomik që do të mund të transformonte ish-ekonomitë e centralizuara në ekonomi tregu eficiente. Pavarësisht uljeve dhe ngritjeve në rezultatet ekonomike gjatë fazave të fillimit të periudhës së tranzicionit, bashkë me disa episode të krizave, përfundimi i kësaj periudhe tregoi se programet mbikëqyrëse të Fondit Monetar Ndërkombëtar ishin të suksesshme në stabilizimin e ekonomive në tranzicion dhe në rivendosjen e  ekuilibrave të përgjithshëm makroekonomikë. Megjithatë, ngjarjet aktuale tregojnë se pavarësisht 20 viteve me reforma, këto ekonomi mbeten të brishta dhe të ndjeshme ndaj rreziqeve.

Në fillim të vitit 2000, shumë prej këtyre vendeve ishin të preokupuara me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe kriteret e Mastrihut u kthyen në një ankorë të jashtme të rëndësishme për këto ekonomi. Ky proces solli një konsolidim të mëtejshëm të kushteve të përgjithshme makroekonomike.

Periudha e re, tashmë si anëtarë të Bashkimit Evropian u shoqërua me një rritje të shpejtë ekonomike, duke zgjeruar deficitin fiskal dhe atë të llogarisë korrente. Konsolidimi fiskal ndryshoi drejtim dhe të gjitha ekonomitë shfaqën shenja të mbinxehjes. Të hyrat e konsiderueshme kapitale po financonin të gjitha këto veprimtari dhe sollën si rezultat një rritje të qëndrueshme të deficiteve të llogarisë korrente.  Në vend që të “qetësonin” ekonominë,  të gjitha këto zhvillime shqetësuese justifikoheshin me procesin e shpejtë të përafrimit me Bashkimin Evropian. Bankat private nuk ishin më të afta të shihnin çrregullimet në rritje, dhe gjetën siguri në zhvillimet e kaluara të rrezikut të kursit të këmbimit dhe të kredisë. U pretendua gjerësisht se stabiliteti i kaluar i tregjeve të mallrave, atyre financiare dhe valutore do të vazhdonte, duke pranuar kështu se rreziku i lidhur me këmbimin valutor dhe me kredinë ishte zhdukur. Stabiliteti afatgjatë që motivoi të gjitha reformat deri në procesin e anëtarësimit u zëvendësua me motivimin afatshkurtër të politikanëve. Kohët e fundit, shumë vende anëtare të reja të BE-së, po i kthehen mbështetjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar. A janë këto vende duke kërkuar  mbështetje financiare apo ankora të jashtme? A është kjo një përpjekje për të zgjidhur problemet afatgjata nëpërmjet masave afatshkurta?

Më lejoni të zhvendosem te rajoni i Evropës Juglindore ku bën pjesë dhe vendi im.

Sinqerisht mendoj se procesi i transformimit i cili ka ndryshuar shoqëritë tona që nga rënia e Murit të Berlinit ishte i pakthyeshëm. Pyetja e vërtetë që shtrohet është sa do të zgjasë procesi i përafrimit.

Rajoni duhet të analizojë me kujdes problemet e kaluara dhe ato aktuale të procesit të tranzicionit, dhe t’i përgjigjet pyetjeve që vijojnë. A duhet rajoni të nxjerrë ndonjë mësim nga zhvillimet e fundit? A kanë nevojë këto ekonomi për një mbikëqyrje të mëtejshme? Nëse po, cili duhet të jetë faktori ndërkombëtar që të luajë atë rol, veçanërisht duke  pasur parasysh aspiratën e integrimit evropian?

Duke patur parasysh përvojën e ekonomive të tjera evropiane në zhvillim, shpreh bindjen time se vendet tona kanë dhe do të kenë nevojë që të jenë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Besoj se ankorat e jashtme janë të rëndësishme për një integrim natyral në Evropë. Me integrim nënkuptoj momentin kur vendet tona do të përvetësojnë euron si monedhë kombëtare në mënyrë natyrale, ashtu siç ndodhi në Slloveni dhe Sllovaki.

Nëse do të më kërkohej që të shprehja me fjalë të thjeshta si e kuptoj procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian, përgjigja ime do të ishte shumë e drejtpërdrejtë: procesi i përafrimit me Bashkimin Evropian nënkupton një tërësi kriteresh performance dhe objektivash për reforma strukturore për tu përmbushur në vazhdimësi, ndërkohë vendi ecën në rrugën e tij afatgjatë të integrimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kjo do të thotë se çdo vend duhet të adoptojë standardet që rrjedhin nga Acquis Communautaire  dhe nga kodet e tjerë ndërkombëtarë të kombinuar me hapa energjikë për përmirësimin e ekonomisë, shoqërisë, kulturës si dhe mjedisit. Mendoj se kjo është një DETYRIM për të nxitur përparimin politik, financiar dhe shoqëror në të gjithë rajonin.

Bazuar në eksperiencën e dy dekadave të fundit të reformave të hartuara dhe zbatuara në kuadrin e marrëveshjeve ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar, personalisht besoj se një ankorë e besueshme dhe funksionale duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

1. Të sigurojë motivim për të ndjekur politika të shëndosha ekonomike në periudhën afatgjatë.
2. Të ketë një objektiv përfundimtar në përputhje me misionin e institucionit përcaktues të ankorës.
3. Të sigurojë një sistem sasior të thjeshtë, transparent dhe të besueshëm për matjen e  progresit. 
4. Institucioni përcaktues i ankorës mund të identifikojë në mënyrë të besueshme kërcënimet e mundshme dhe mënyrat për të minimizuar ndodhinë e tyre.
5. Nga ankorat nuk duhet të hiqet dorë, ato nuk duhet të tregtohen apo të këmbehen, madje dhe në rast të përfitimeve qartësisht të dukshme afatshkurtra, duke përfshirë dhe ato politike. 
6. Institucioni përcaktues i ankorës duhet të ketë si partnerë vendorë bankën qendrore dhe qeverinë së bashku.
7. Ankora përkatëse duhet të çojë në rezultate të deklaruara më parë.
8. Institucioni përcaktues i ankorës duhet të jetë i aftë të mundësojë asistencën e kërkuar lidhur me përmbushjen e politikave të ankorës.
9. Politikat dhe kushtet e hartuara sipas ankorës duhet t’i përshtaten karakteristikave të ekonomisë përkatëse.
10.  Ankora duhet të garantojë harmonizimin e objektivit dhe politikës ndërmjet politikës monetare dhe asaj fiskale.

Kështu, përsa më sipër është e qartë se roli i ankorës nuk është vetëm hartimi i mirë i politikës. Roli i ankorës është një angazhim i fuqishëm dhe i qëndrueshëm për politika fiskale të mira dhe të shëndosha.

Për këtë arsye, duke vlerësuar ambiciet në rritje të vendeve të Evropës Juglindore për anëtarësim në Bashkimin Evropian,  personalisht mendoj se duhet t’i jepet një rëndësi më e madhe rolit të Komisionit Evropian, si ankorë e jashtme,. Për të qenë më specifik, do të shtjelloj dy çështje të rëndësishme strukturore, sipas këndvështrimit tim:

  • Së pari, Komisioni Evropian duhet të identifikojë qartë si partnerë vendorë dy aktorë njësoj të rëndësishëm: qeverinë dhe bankën qendrore. Pavarësisht se Komisioni Evropian është një institucion politik, duhet të njohë bankën qendrore si partnere me të drejta të plota, me privilegje gjithëpërfshirëse negocimi. Nëse kjo ankorë e fuqishme përfshin gjithashtu dhe bankën qendrore, atëherë koordinimi i politikës dhe objektivit do të përmirësohej konsiderueshëm.
  • Së dyti, është e domosdoshme që çdo kategori e çështjeve që janë në proces negocimi të marrë vëmendjen e duhur dhe t’i kushtohet rëndësia përkatëse në krahasim me kategori të tjera. Në përgjithësi, qeveritë preferojnë të negociojnë dhe të angazhohen me shumë çështje të tjera se sa me kriteret e ecurisë ekonomike. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë se përmbushja e kriterit të ecurisë ekonomike nuk do të shkëmbehet me diçka që mund të jetë më e kushtueshme për politikën e Bashkimit Evropian dhe objektivat e tij afatshkurtër.

Për shkak të këtyre dy arsyeve strukturore dhe disa shqetësimeve të tjera të një natyre më praktike, do të ishte e arsyeshme për Bashkimin Evropian të luajë rolin e ankorës së jashtme në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për aq kohë sa bëhet fjalë për  ekonominë dhe financat.

Kriteret e Mastrihut përbëjnë objektivin përfundimtar, strategjik për vendet në rajon. Ato përbëjnë një tërësi të mrekullueshme treguesish, të cilët sinjalizojnë dhe nxisin qëndrueshmërinë afatgjatë ekonomike dhe financiare për ekonomitë e zhvilluara të Evropës. Megjithatë, pikënisja e rrugës së zhvillimit që vendet e Evropës Juglindore duhet të ndjekin është e ndryshme nga ajo e vendeve të zhvilluara të Evropës. Udhëtimi është i gjatë, i vështirë e sfidues dhe  për pasojë kërkon mbikëqyrje të specializuar.  

Pavarësisht përpjekjeve të saj për të shërbyer si një ankorë e jashtme e besueshme, Komisioni Evropian i  vetëm do të  shihte veten  të zënët ngushtë në kryerjen e kësaj detyre, veçanërisht në fushën e hartimit të politikës specifike makroekonomike në ekonomitë në tranzicion apo në zhvillim. Në mënyrë më specifike, kjo përfshin harmonizimin e politikës, asistencën e duhur teknike, si dhe mbikëqyrje të progresit ekonomik. Për rrjedhim, do të ishte e logjikshme për Bashkimin Evropian të ftojë Fondin Monetar Ndërkombëtar të punojnë së bashku në të gjitha ato fusha ku Fondi ka treguar avantazhe krahasuese.

Forcimi i kohëve të fundit i rolit të  Fondit Monetar Ndërkombëtar, si kreditues dhe ruajtës i çrregullimeve botërore do të rrisë efektivitetin e mbikëqyrjes, do të sigurojë një shpërndarje më të mirë të fondeve ndërkombëtare. Ngjarjet e fundit në ish-vendet me ekonomi në tranzicion tregojnë se nevoja për mbikëqyrje e tipit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbetet e vlefshme derisa ankorat e brendshme të zhvillohen plotësisht. Kjo është e vërtetë madje dhe për vendet që përfunduan me sukses procesin e anëtarësimit rishtazi në Bashkimin Evropian. 

Për të gjitha arsyet e përshkruara më sipër është e rëndësishme që Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me aktorë të tjerë të interesuar duhet të hartojnë dhe të zbatojnë një paketë të përbashkët të veçantë. Ajo duhet të përfshijë orientimin e politikës, udhëzime për drejtim më të mirë, tërësinë e kushteve sasiore, pjesën më të madhe të reformave strukturore dhe së fundi asistencën e duhur teknike.

Kjo paketë ekonomike duhet të hartohet rreth vlerave të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, me politika fleksibël, të cilat synojnë të rrisin besimin në rajon. Paketa duhet të nxisë një mbikëqyrje më të mirë të ushtruar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kjo do të sigurojë që motivimet politike afatshkurtra në marrëdhëniet dypalëshe midis Bashkimit Evropian dhe vendeve individuale, të mos lenë në hije objektivat afatgjatë.

Në përfundim, Bashkimi Evropian duhet të analizojë dhe vlerësojë mundësitë e tij për të shërbyer si ankorë e jashtme në kontekstin e raundit vijues të procesit të anëtarësimit. Për të hartuar dhe zbatuar këtë rol në rajon, Bashkimi Evropian duhet të përcaktojë dhe deklarojë qartë qëllimet politike për rajonin. Gjithashtu, ftoj Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian të shqyrtojnë mundësinë për të miratuar një trajtim standard për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, duke miratuar një program specifik për një grup specifik vendesh.

Së fundi, ne duhet të kuptojmë se ankorat e jashtme nuk do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë në mungesë të ankorave të brendshme.

 I shoh ankorat e brendshme jetike, sepse ekonomitë tona së fundmi do të kenë nevojë të ecin me këmbët e veta. Kjo do të thotë se shkalla në të cilën zhvillimi ynë do të jetë i sigurt, efektiv dhe largpamës, do të varet nga përmbushja e këtij procesi, sipas normave dhe rregullave ligjore, morale dhe kulturore, që shoqëria ndërton dhe zhvillon me kohën. Devijimi nga këto norma, zakone ose kode të sjelljes do të sillte kosto të mëdha politike, duke çuar në diskutim, sipas kësaj tërësie normash dhe rregullash, rolin e një ankore të brendshme natyrale për vlerësimin e ecurisë.

Personalisht besoj se një nga ankorat e brendshme më efektive është pavarësia e bankës qendrore. Pa vënë në diskutim përfitimet teorike dhe praktike të këtij elementi thelbësor për bankën qendrore, dëshiroj të theksoj se një bankë qendrore vërtet e pavarur, e cila gëzon besueshmëri të lartë në publik, është një ankorë e brendshme që minimizon rrezikun e politikave të papajtueshme, në të cilat interesat afatshkurtër mbizotërojnë ndaj atyre afatgjatë.

Për më shumë, vlerësimi im për situatën ekonomike në vendet e Evropës Juglindore tregon se ka hapësirë për një disiplinë më të lartë fiskale. Qeveritë duhet të përcaktojnë një rregull fiskal të matshëm dhe të qartë,  të pandikueshëm nga rotacioni politik. Kjo do të siguronte një ankorë tjetër të brendshme efektive, të ashtuquajturën mekanizëm të shoqërisë për të kontrolluar sjelljen politike në periudhën afatshkurtër. 

Kjo është arsyeja se përse presionin e ankorave të jashtme e vlerësoj  si  të një rëndësie të veçantë për krijimin e ankorave të brendshme solide në shoqëritë tona. Ky lloj presioni duhet të vijojë për aq kohë sa shoqëria të arrijë një nivel më të lartë emancipimi dhe mirëqeniejeje, dhe që mund të faktorizojë normalisht respektimin e ankorave të brendshme në sjelljen e saj politike.

Kështu, besueshmëria afatgjatë e ankorave të jashtme është e mbështetur në ankora të brendshme efektive dhe të fuqishme; të dyja plotësuese dhe përforcuese të njëra-tjetrës.