BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021 në Kuvendin e Shqipërisë

Data e publikimit: 16.06.2022

 

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Dëshiroj ta filloj prezantimin e Raportit Vjetor duke shprehur konsideratën time më të lartë për Kuvendin e Shqipërisë. Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, raportimi përpara këtij institucioni është një detyrim jo vetëm ligjor por edhe moral. Si një element kyç i transparencës dhe llogaridhënies, ky raportim i shërben rritjes së përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë së Bankës së Shqipërisë në sytë e publikut. Gjithashtu, ky raportim mundëson prezantimin e këndvështrimit të Bankës së Shqipërisë mbi situatën ekonomike dhe financiare në vend dhe sfidat e së ardhmes, duke ndihmuar dialogun konstruktiv midis institucioneve tona.

 DSC6298428

Të nderuar zonja e zotërinj deputetë,

Më lejoni të t’ju paraqes në vazhdim një ekspoze të punës dhe rezultateve tona gjatë vitit të shkuar.

Kryefjala e zhvillimeve ekonomike të vitit 2021 ishte rimëkëmbja dhe konsolidimi. Aktiviteti ekonomik në vend shënoi një rikuperim të shpejtë e të gjithanshëm, ndërsa treguesit kryesorë të shëndetit ekonomik e financiar u konsoliduan.

Sipas të dhënave zyrtare, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 8.5% kundrejt vitit paraardhës, duke tejkaluar nivelin e regjistruar përpara tërmetit e pandemisë. Rritja ekonomike ishte me bazë të gjerë. Ajo pasqyroi rimëkëmbjen e shpejtë të konsumit familjar, të investimeve private, si dhe të eksporteve të mallrave e shërbimeve. Për më tepër, frytet e kësaj rimëkëmbjeje ishin të pranishme në thuajse të gjithë sektorët dhe degët kryesore të ekonomisë. Rikuperimi i gjithanshëm i kërkesës gjeneroi më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare, duke përmirësuar bilancet e tyre financiare dhe duke rritur qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes.

Rimëkëmbja ekonomike solli rritje të punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit, çka u materializua në rritje të presioneve të brendshme inflacioniste. Për rrjedhojë, inflacioni shënoi një rritje graduale gjatë vitit të shkuar, ndonëse ai vijoi të mbetet nën objektiv.

Rimëkëmbja u shoqërua me konsolidim të ekuilibrave ekonomikë e financiarë.

 DSC6370

Pozicioni i jashtëm ekonomik dhe financiar i vendit erdhi në përmirësim. Deficiti i llogarisë korrente zbriti në 7.7% të PBB-së gjatë vitit 2021, kundrejt nivelit 8.7% të regjistruar një vit më parë. Po ashtu, borxhi i huaj i vendit shënoi rënie. Në planin fiskal, rritja ekonomike dhe rënia e deficitit buxhetor sollën reduktimin në 73.2% të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, nga niveli 74.5% i regjistruar në vitin 2020. Paralelisht me këto zhvillime, stabiliteti monetar dhe financiar i vendit erdhi në konsolidim. Tregjet financiare operuan të qeta, kursi i këmbimit u shfaq i qëndrueshëm, dhe kushtet e kreditimit u përmirësuan. Gjithashtu, sistemi bankar pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2021. Ndërmjetësimi financiar erdhi në rritje, ndërsa treguesit e kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë, u përmirësuan dhe ishin ndjeshëm mbi kërkesat tona rregullatore. Ekspozimi i aktivitetit të sektorit bankar ndaj rreziqeve është i kontrolluar, ndërsa ushtrimet e provës së rezistencës sugjerojnë se aftësia e tij për të përballuar goditje shfaqet e lartë.

Kjo tablo pozitive zhvillimesh ka pasqyruar jo vetëm fondamentet relativisht solide të ekonomisë shqiptare dhe fleksibilitetin e sektorit privat të ekonomisë, por edhe reagimin e koordinuar, në kohën dhe me instrumentet e duhura, të politikës fiskale, monetare e financiare.

Duke u ndalur te puna e Bankës së Shqipërisë, më duhet të theksoj se politika jonë monetare vijoi të mbetet në kahun stimulues gjatë vitit 2021. Ky qëndrim i shërbeu si përmbushjes së objektivit tonë të primar, atij të stabilitetit të çmimeve, ashtu dhe nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike. Në terma më konkretë, ne ruajtëm normën bazë të interesit në nivelet minimale historike, plotësuam nevojat e tregut me likuiditet, si dhe vijuam të orientojmë tregun mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen. Politika jonë monetare siguroi një ambient me kosto të ulëta financimi, kushte të përshtatshme kreditimi dhe kurs të qëndrueshëm këmbimi. Ajo mbajti në kontroll kostot financiare të sektorit privat dhe mundësoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme të kreditimit, duke ndihmuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në ekonomi. Vlerësimet tona tregojnë se stimuli monetar kontribuoi me rreth 1.3 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vitit 2021 dhe ndihmoi forcimin e stabilitetit të çmimeve, në linjë me objektivin tonë të inflacionit.

Në koordinim me stimulin monetar, Banka e Shqipërisë vijoi të ruajë masat stimuluese makroprudenciale, masa të cilat mbështetën ristrukturimin e kredive për klientët në nevojë, edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Më tej, me konsolidimin e kreditit dhe të rimëkëmbjes ekonomike, fokusi ynë mbikëqyrës e rregullator u orientua drejt fuqizimit të stabilitetit financiar.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë intensifikoi punën për përafrimin e mëtejshëm rregullator e metodologjik me acquis të BE-së, parimet e Komitetit të Bazelit dhe me praktikat më të mira të mbikëqyrjes bankare. Po ashtu, gjatë vitit 2021, Banka e Shqipërisë zhvilloi më tej kuadrin, objektivat dhe instrumentet e ndërhyrjes makroprudenciale, si dhe fuqizoi kapacitetet e saj për ndërhyrje të jashtëzakonshme, duke përfunduar planet individuale të ndërhyrjes dhe duke përcaktuar kërkesat minimale mbi instrumentet që duhet të mbajnë bankat për të mundësuar zbatimin e ndërhyrjes. Këto aksione shtojnë rrjetat e sigurisë në sistemin financiar dhe fuqizojnë kapacitetet tona institucionale për garantimin e stabilitetit financiar.

Paralelisht me to, ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë përmirësimit të kuadrit rregullator për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorit. Në këtë kontekst, ne kemi forcuar kuadrin rregullator për kreditë konsumatore të dhëna nga institucione financiare jo-banka, me qëllim kufizimin sasior të normave të interesit dhe të komisioneve të aplikuara për këto kredi. Këto ndryshime janë bazuar tërësisht në praktikat më të mira të ndjekura nga vendet e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, ne kemi vijuar monitorimin rigoroz të sistemit financiar. Inspektimet në vend kanë vijuar rregullisht, duke shtuar ekzaminimet e subjekteve financiare jo-banka dhe të zyrave të këmbimit valutor. Fokusi i tyre ka qenë vlerësimi i administrimit të situatës së pandemisë dhe ndikimit në portofolin e kredisë, si dhe rreziqeve të tjera që lidhen me veprimtarinë bankare.

Së fundi, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një kujdes të posaçëm zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të MONEYVAL, në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ne kemi vijuar punën për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe forcimin e efektivitetit të procesit mbikëqyrës, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme për çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, me një fokus të veçantë çështjet e financimit të terrorizmit dhe të zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare. Inspektimet kanë targetuar si bankat, dhe subjektet financiare jo-banka dhe zyrat e këmbimit valutor. Si rezultat i punës së bërë në të gjitha këto drejtime, raporti i fundit i MONEYVAL për vitin 2021 konstaton progresin e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, duke vlerësuar si ”gjerësisht të adresuara” rekomandimet e lëna mbi rregullat dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka iniciuar tashmë procesin e ekuivalentimit të kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me atë të Bashkimit Evropian, duke i hapur rrugën uljes së mëtejshme të kostove të ndërmjetësimit dhe një ambienti më të përshtatshëm për kreditimin në vend. Pas rezultateve mjaft inkurajuese të një vlerësimi të pavarur, të bërë nga një agjenci e specializuar e huaj, ne kemi kërkuar pranë Komisionit Evropian nisjen e procesit formal të ekuivalencës.

Paralelisht me mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit bankar, Banka e Shqipërisë ka punuar edhe për nxitjen e zhvillimit dhe sofistikimit të tregjeve financiare shqiptare. Në këtë drejtim, gjej me vend të evidentoj punën e bërë për:

  • Garantimin e sistemeve të pagesave të sigurta dhe eficiente, si dhe zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese me një sistem të ri të shlyerjes të pagesave kombëtare në monedhën euro për klientët e bankave. Ky sistem mundëson kryerjen e pagesave në euro brenda vendit, me kosto shumë më të ulëta dhe në një afat kohor shumë më të shkurtër krahasuar me procesin e mëparshëm.
  • Nxitjen e pagesave elektronike dhe rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Numri i pagesave elektronike të kryera në vend u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2021, i nxitur nga ndryshimet rregullatore në ligjin “Për shërbimet e Pagesave” dhe përmirësimet në infrastrukturë.
  • Përmirësimin e kuadrit rregullator të sistemeve të pagesave në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë vitit 2021 është hartuar projekt-ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, në përputhje me Direktivat e BE. Miratimi i tij ofron shërbime financiare bazike për individët e pa mbuluar me shërbime bankare, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, apo historikut të aftësisë paguese.

Në ilustrim të rezultateve të punës sonë, por dhe të progresit që vetë sektori bankar ka bërë në drejtim te dixhitalizimit, përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave u rrit me rreth 30%, vëllimi i pagesave “home banking” u rrit me rreth 25%, ndërsa numri i llogarive të aksesueshme në distancë u rrit me 31% gjatë vitit 2021. Zhvillimet e pagesave elektronike kanë kontribuar në përmbushjen e objektivave sasiorë të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Përdorimi i pagesave elektronike për frymë arriti në nivelin 12.5 nga 10 pagesa që është objektivi i kësaj strategjie. Gjithashtu, në vitin 2021 rezulton se rreth 69% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari pagese, duke iu afruar ndjeshëm objektivit prej 70% të vendosur në strategji.

Krahas përmbushjes së rolit të saj primar, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për jetësimin e një sërë detyrash dhe angazhimesh të tjera institucionale, si dhe për respektimin e rekomandimeve të lëna në rezolutën e Kuvendit.

Në mënyrë të përmbledhur, më lejoni të theksoj se në përmbushje të funksionit të saj si emetuese e parasë, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar vazhdimisht cilësinë e monedhës shqiptare. Gjatë vitit 2021, ne përfunduam shtypjen e të gjitha prerjeve të serisë së re të kartëmonedhave, si dhe për herë të parë hodhëm në qarkullim prerjen me vlerë 10’000 lekë. Ky proces u shoqërua me një fushatë të gjerë edukuese mbi kartëmonedhat shqiptare. Po ashtu, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për përmirësimin e administrimit të rezervës valutore, e cila tashmë mbështetet në një proces të konsoliduar rregullator dhe profesional, ku objektivi kryesor është garantimi i likuiditetit dhe i sigurisë së saj.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka bërë progres të mëtejshëm në:

  • përmbushjen e detyrimeve institucionale në kuadër të integrimit evropian, ku Banka e Shqipërisë ka një rol kyç në përafrimin e legjislacionit dhe infrastrukturës institucionale të sistemit financiar me standardet e BE-së;
  • rritjen e komunikimit, transparencës dhe llogaridhënies, duke i shërbyer angazhimit tonë për ta kthyer Bankën e Shqipërisë në një institucion të hapur dhe të besueshëm për publikun;
  • nxitjen e edukimit financiar, si një element esencial për rritjen e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë;
  • fushën e kërkimit shkencor, si një parakusht i hartimit të politikave sa më efektive të rritjes e zhvillimit;
  • si dhe në proceset e mbledhjes, hartimit dhe raportimit të statistikave, në mbështetje të një vendimmarrjeje sa më efikase, si në sektorin publik dhe në atë privat.

Të gjitha këto ndryshime janë nxitur e mbështetur nga forcimi i qeverisjes së institucionit dhe investimi i vazhdueshëm në ngritjen profesionale të stafit, në mënyrë që të jemi gjithnjë të aftë të përballemi me sfidat e kohës.

Një informacion të gjerë mbi këto çështje do ta gjeni të detajuar në faqet e Raportit.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Duke përfituar nga ky komunikim publik, nuk mund të le pa evidentuar edhe sfidën aktuale me të cilën po përballet ekonomia shqiptare, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Kjo goditje nuk ka kursyer asnjë ekonomi, jo vetëm në nivel evropian por dhe në nivel botëror.

Rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë, të ushqimeve dhe të produkteve bazë në tregjet botërore, ka shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe ka rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Po ashtu, paqartësia mbi kohëzgjatjen dhe pasojat e konfliktit të armatosur, ka shtuar pasiguritë në tregjet financiare dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit. Kjo goditje ka filluar të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare.

Inflacioni në vend dhe në botë po regjistron nivelet më të larta të dy dekadave të fundit dhe projeksionet aktuale sugjerojnë se pasojat e kësaj goditjeje do të jenë të ndjeshme edhe gjatë vitit në vazhdim.

Banka e Shqipërisë është në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Bazuar në informacionin aktual dhe analizat tona, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare ka premisa të mjaftueshme për ti rezistuar goditjes dhe për të shmangur recesionin.

Në këto rrethana, fokusi i politikave ekonomike duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar të vendit dhe për rritje të qëndrueshme e afatgjatë, dhe në ndihmën ndaj shtresave më në nevojë. Ky fokus do të kërkojë rishikimin në vazhdimësi të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, si dhe ruajtjen e fleksibilitetit buxhetor për të adresuar kontigjencat e mundshme në drejtim të lehtësimit të kostove sociale, pa dëmtuar qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik.

Me tejkalimin e kësaj goditjeje, fokusi ynë duhet të orientohet dhe njëherë drejt ndërmarrjes së reformave të nevojshme strukturore të cilat do të çlirojnë potencialet prodhuese të vendit dhe do të ndihmojnë në rritjen më të shpejtë të mirëqenies së shoqërisë.

***

Duke ju falënderuar për vëmendjen, më lejoni të theksoj se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e angazhuar për respektimin e detyrave të saj ligjore dhe për adresimin e sfidave të zhvillimit të vendit.

Ju faleminderit!