BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 28.05.2024

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në radhë të parë, dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më jepni për të prezantuar përpara këtij Komisioni, mesazhet kryesore të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023. Si pjesë integrale e procesit të transparencës sonë, ky prezantim i shërben si dialogut institucional me Kuvendin e Shqipërisë, ashtu edhe forcimit të besimit të publikut në institucionin tonë.

DSC 1735 498x332

Në vijim, më lejoni t’ju informoj se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të shkuar është orientuar në tre shtylla kryesore. Së pari, ne jemi kujdesur për forcimin e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, si një parakusht i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit dhe përmirësimin e mirëqenies shoqërore. Së dyti, kemi përmbushur të gjitha angazhimet institucionale, duke synuar të jemi jo vetëm një promotor zhvillimi i industrisë financiare, por edhe një partner i besueshëm i publikut shqiptar. Së treti, dhe po aq e rëndësishme, i kemi kushtuar vëmendje respektimit të të gjitha rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2023.

DSC 1812 498x332

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Viti që lamë pas ishte një vit progresi për ekonominë shqiptare.

Pavarësisht një mjedisi të huaj të vështirë, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vijoi të rritet, duke gjeneruar rritje të ardhurash për bizneset dhe rritje mirëqenieje për familjet, në formën e zgjerimit të punësimit e rritjes së pagave. Paralelisht me to, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie të vazhdueshme, duke ndihmuar në ruajtjen e vlerës së të ardhurave dhe kursimeve të familjeve shqiptare, si dhe duke mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare. Në të njëjtën kohë, ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë erdhën në përmirësim. Në veçanti, deficiti buxhetor dhe ai i llogarisë korrente u reduktuan, çka solli rritjen e qëndrueshmërisë së borxhit të brendshëm dhe të huaj të vendit. Së fundi, dhe po aq e rëndësishme, stabiliteti financiar i ekonomisë u forcua më tej: treguesit e likuiditetit, të kapitalit dhe të përfitueshmërisë së sektorit bankar u përmirësuan, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin më të ulët të regjistruar prej më shumë se një dekade.

DSC 2086 498x332

Në një perspektivë më të gjatë kohore, ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence e fleksibiliteti përballë sfidave madhore të viteve të fundit. Ky fakt gjeti pasqyrim në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit publik të vendit nga agjencitë e huaja të vlerësimit, tashmë në BB-, si dhe në rritjen e interesit të operatorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.

DSC 2131 498x332

Momenti pozitiv i zhvillimit të vendit pasqyron, në një masë të madhe, edhe politikën tonë të kujdesshme monetare, masat tona mbikëqyrëse, rregullatore e makroprudenciale, si dhe punën e vazhdueshme që kemi bërë për zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave. Më konkretisht, normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare mundësoi fillimisht kontrollin dhe më tej reduktimin e vazhdueshëm të inflacionit, pa cenuar – në të njëjtën kohë – trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu, masat tona rigoroze mikro dhe makroprudenciale forcuan qëndrueshmërinë e sistemit bankar, ndërsa përafrimi i vazhdueshëm i rregulloreve tona me standardet e Bashkimit Evropian ka sjellë një konvergjencë të konsiderueshme rregullatore, duke reduktuar primet e rrezikut financiar në vend. Së fundi, zhvillimi i vazhdueshëm i infrastrukturës dhe bazës rregullatore të sistemeve të pagesave, ka rritur shkallën e pjesëmarrjes financiare, si dhe ka ndihmuar në rritjen e eficiencës dhe të formalizimit të sektorit privat.

Në gjykimin tonë, këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë dhe në të ardhmen.

Në skenarin bazë, ne presim një rritje të mëtejshme të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të ardhshme, të mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve dhe e eksportit të shërbimeve, si dhe të shoqëruar me rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave. Po ashtu, ne presim që inflacioni të qëndrojë pranë objektivit tonë prej 3%, nivel ky i cili mbron fuqinë blerëse të familjeve shqiptare dhe ndihmon shëndetin e përgjithshëm financiar të ekonomisë.

Megjithatë, sfidat që kemi përpara nuk janë të pakta. Ambienti i huaj vijon të karakterizohet nga pasiguri të shumta, tensione gjeopolitike dhe fragmentarizim ekonomik e tregtar në rritje. Gjithashtu, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, në vend dhe në botë, ndërkohë që inovacioni teknologjik dhe ndryshimet klimatike janë kthyer në sfida të ditës.

Lundrimi me sukses në një mjedis të tillë kërkon politika ekonomike, të cilat sigurojnë stabilitet ekonomik e financiar dhe krijojnë një ekonomi më inovatore, eficiente, rezistente e gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju siguroj se puna e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen do të vijojë të fokusohet në fushat e mëposhtme.

  • Së pari, në garantimin e stabilitetit të çmimeve dhe fuqizimin e shëndetit financiar të ekonomisë, si kontributi më i mirë që një bankë qendrore mund të japë për rritjen e qëndrueshme, afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse të vendit.
  • Së dyti, në nxitjen e progresit financiar, si një instrument i rëndësishëm për rritjen e eficiencës së ekonomisë shqiptare, nëpërmjet investimit të vazhdueshëm për zhvillimin e tregjeve financiare, të sistemit të pagesave, si dhe të inovacionit dhe digjitalizimit të shërbimeve financiare.
  • Së treti, në rritjen e edukimit dhe përfshirjes financiare, si parakusht i zgjerimit të aksesit në shërbime financiare e shërbime pagesash dhe i një përqasjeje të kujdesshme ndaj administrimit të financave personale.
  • Së katërti, në rritjen e vëmendjes ndaj financave të gjelbra dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik ndaj ndryshimeve klimatike, si një domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se politikat tona duhet të bashkërendohen me politika të kujdesshme fiskale dhe të mbështeten nga reforma strukturore. Në veçanti, prioritetet e reformave strukturore duhet të përfshijnë krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe të huaja, si dhe investimet në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturë. Gjithashtu, këto reforma duhet të synojnë zgjerimin e bazës sektoriale të rritjes ekonomike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së saj.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të ndalem më konkretisht në drejtimet kryesore të punës sonë gjatë vitit të shkuar, duke evidentuar masat e marra dhe rezultatet e arritura.

***

  1. Ekonomia, inflacioni dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Viti 2023 u karakterizua nga një rritje solide e aktivitetit ekonomik, e punësimit dhe e pagave, si  dhe nga përmirësimi i treguesve kryesorë të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, duke regjistruar një përmirësim gradual të ritmeve të rritjes gjatë tremujorëve. Paralelisht me të, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit.

Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe i eksportit të shërbimeve të turizmit. Nga ana tjetër, politika fiskale ruajti një kah konsolidues ndërsa eksporti i mallrave erdhi në rënie. Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, përmirësimin gradual të besimit të bizneseve dhe familjeve, mjedisin e qëndrueshëm financiar, zgjerimin e kredisë bankare, inflacionin në rënie, , si dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga turizmi. Në këndvështrimin sektorial, rritja ekonomike u pasqyrua në zgjerimin e aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që vëllimi i aktivitetit në sektorin e industrisë dhe të bujqësisë shënoi rënie.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime solli rritjen e kërkesës për punë nga ana e bizneseve, ndërkohë që mungesat e fuqisë punëtore u bënë gjithnjë e më të dukshme. Këta faktorë sollën rritjen e shpejtë dhe me bazë të gjerë të pagave në sektorin privat, të cilat shënuan një rritje mesatare prej pothuaj 13%. Rritja e pagave – me norma më të larta se inflacioni – mbështeti zgjerimin e të ardhurave dhe konsumin e familjeve. Nga ana tjetër, ajo solli rritjen e shpejtë të kostove të prodhimit, duke ushtruar presion në çmimet finale.

Viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë. Ndër ta, veçoj:

  • përmirësimin e pozicionit të huaj të vendit, të pasqyruar në një rënie të paprecedentë, prej pesë pikësh përqindjeje, të deficitit të llogarisë korrente të vendit. Ky deficit zbriti në nivelin 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2023, duke shënuar një minimum historik të periudhës post-tranzicion. Po ashtu, borxhi i huaj i vendit zbriti poshtë nivelit 50% të PBB-së, ndërsa investimet e huaja direkte regjistruan një rekord historik prej 1.5 miliardë eurosh. Kjo ecuri u diktua nga ecuria e mirë e eksporteve shqiptare, të cilat u rritën me 1.7 miliardë euro gjatë vitit të shkuar, si dhe atraktiviteti i dyfishtë i Shqipërisë, si destinacion turistik dhe destinacion investimi. Paralelisht me to, niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi një rekord historik prej 5.8 miliardë eurosh, duke rritur ndjeshëm aftësinë paguese të vendit.
  • përmirësimin e pozicionit fiskal të vendit, të pasqyruar në reduktimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, të cilët zbritën në nivelet minimale të më shumë se një dekade, respektivisht në 1.4% dhe 59.2% të PBB-së. Reduktimi i borxhit publik rrit hapësirat fiskale për reagim ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, si dhe ul primet e rrezikut dhe kostot e financimit të të gjithë operatorëve të ekonomisë.
  • qëndrueshmërinë e sektorit bankar, të pasqyruar në përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, si dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%. Këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë ekonominë – me eficiencë dhe në vazhdimësi –  me fonde financiare dhe instrumente pagesash e kursimesh.

Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni shënoi një rënie graduale, por të vazhdueshme gjatë vitit 2023. Ai zbriti nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024. Kjo ecuri u ndikua nga rënia e inflacionit në tregjet e huaja, nga mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës sonë monetare. Rënia e inflacionit u përqendrua fillimisht tek çmimet e ushqimeve dhe të naftës, por ajo u zgjerua më tej edhe tek komponentët e tjerë të shportës. Megjithatë, kjo rënie nuk është e njëtrajtshme: ajo është shfaqur më e shpejtë tek artikujt e mallrave, e në veçanti ata ushqimorë, dhe më e ngadaltë tek artikujt e shërbimeve. Inercia më e lartë e inflacionit të këtyre artikujve diktohet nga gjendja pozitive ciklike e ekonomisë shqiptare, e cila karakterizohet nga një kërkesë e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Niveli i inflacionit mbi objektiv, si dhe gjendja pozitive ciklike e ekonomisë diktuan ruajtjen e kahut normalizues të politikës monetare, edhe gjatë vitit 2023. Ky normalizim u krye përmes rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit, komunikimit të kujdesshëm e transparent të kahut të ardhshëm të politikës monetare, dhe u operacionalizua nëpërmjet plotësimit të të gjitha nevojave të sektorit bankar me likuiditet.

Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023 pati disa tipare, të cilat mendoj se janë të rëndësishme të evidentohen.

  • Së pari, ritmi i normalizimit ishte më i ngadaltë se ai i vitit paraardhës. Ndërkohë që gjatë vitit 2022 ne kryem pesë rritje të normës të interesit, për një efekt kumulativ prej 2.25 pikësh përqindjeje, gjatë vitit 2023 ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje.

Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme.

Në veçanti, forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike të kësaj periudhe. Rëndësia e këtij treguesi për zhvillimet ekonomike në vend e ka sjellë atë në fokus të analizave tona. Këto analiza kanë synuar të identifikojnë arsyet, pasojat dhe implikimet e tij për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Në mënyrë të përmbledhur, ato kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit të lekut ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, e kryesisht atyre të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. Në këto rrethana, forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Ai kontribuoi në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës sonë monetare, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit ndër vendet e rajonit.

Sidoqoftë, ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me një nivel relativisht të lartë informaliteti. Ky fenomen ka pasojat e tij në shumë tregues ekonomikë të vendit, përfshi – potencialisht – edhe kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë ka marrë vazhdimisht masa për reduktimin e informalitetit, nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit të pagesave, nëpërmjet prezantimit të kërkesave rregullatore që mundësojnë dhënien e kredive vetëm kundrejt bilanceve të certifikuara fiskale të bizneseve, si dhe nëpërmjet zbatimit të të gjitha ndryshimeve të nevojshme mbikëqyrëse rregullatore, të cilat janë në fushën tonë të kompetencës, në kuadër të planit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit. Megjithatë, adresimi i plotë i këtij problemi kërkon vëmendje të mëtejshme. Ndër të tjera, ai duhet të adresohet si përmes forcimit dhe koordinimit të punës së të gjitha agjencive ligjzbatuese, ashtu dhe përmes reformave të mëtejshme strukturore në mbështetje të formalizimit të ekonomisë.

  • Së dyti, transmetimi i vendimeve të politikës monetare në tregjet financiare ishte i kënaqshëm. Rritja e normës bazë solli një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit, ndonëse kushtet e përgjithshme të financimit në vend mbeten ende stimuluese.

Në përgjigje të tyre, si dhe të përqasjes pozitive të bankave ndaj kreditimit, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme gjatë vitit 2023, rreth nivelit 10%. Rritja e kreditimit kishte gjithashtu disa tipare pozitive: kredia e re kishte një bazë të gjerë sektoriale; ajo ishte e përqendruar në monedhën tonë kombëtare, pati një orientim në rritje drejt financimit të investimeve, si dhe nuk dëmtoi cilësinë e përgjithshme të portofolit. Këto tipare sugjerojnë rritjen e qëndrueshme dhe të shëndetshme të kredisë edhe në të ardhmen.

  • Së treti, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare mundësoi reduktimin e inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike.

Kontributi pozitiv i politikës monetare u materializua nëpërmjet tre kanaleve. Së pari, sinjalizimi i vullnetit dhe marrja e masave konkrete për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve ndihmoi ankorimin e pritjeve për inflacionin dhe reduktimin e pasigurive të agjentëve ekonomikë. Së dyti, rritja e kujdesshme e kostove të financimit solli një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, duke mundësuar frenimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Së treti, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ndihmoi në funksionimin e qetë të tregjeve financiare, duke mbajtur të ulëta primet e rrezikut në to.

Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë pranë objektivit tonë prej 3%, ndërkohë që efektet e raundit të dytë mbeten nën kontroll dhe parashikimet për të ardhmen janë pozitive. Megjithatë, presionet e brendshme inflacioniste shfaqen ende relativisht të larta, ndërsa pasiguritë për të ardhmen janë ende të shumta. Në këto rrethana, vendimet tona të politikës monetare në të ardhmen do të orientohen nga të dhënat e reja. Ato do të jenë gjithnjë konsistente me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, duke faktorizuar në vazhdimësi si balancën e përgjithshme të stabilitetit të çmimeve, ashtu edhe faktorët që ndikojnë në të, dhe në veçanti kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

  1. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Rritja e normave të interesit dhe e pasigurive gjatë dy viteve të fundit, si në ambientin vendas dhe në atë të huaj, kanë krijuar një ambient sfidues për ushtrimin e aktivitetit të sektorit bankar dhe për vetë stabilitetin tonë financiar. Megjithatë, sektori bankar shqiptar i është përgjigjur pozitivisht kësaj sfide, ndërsa stabiliteti financiar i vendit paraqitet i konsoliduar. Sektori bankar shqiptar e mbylli vitin 2023 me një rezultat financiar pozitiv, me një nivel të lartë të treguesve të likuiditetit e të kapitalizimit të veprimtarisë, si dhe me një përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së kredisë. Analizat tona periodike tregojnë se rreziqet sistemike të sistemit bankar mbeten të kontrolluara.

Rezistenca, qëndrueshmëria dhe fleksibiliteti i sistemit financiar përkundrejt sfidave të vazhdueshme, reflekton një mbikëqyrje të kujdesshme dhe eficiente, si dhe është rezultat i reformave strukturore të tregut financiar të ndërmarra ndër vite nga Banka e Shqipërisë. Në veçanti, investimi i vazhduar që kemi bërë në vite ka forcuar rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve dhe i ka mundësuar atij të vijojë të plotësojë kërkesat për fonde të ekonomisë.

Edhe gjatë vitit 2023, ne kemi vijuar punën për mbikëqyrjen dhe rregullimin e kujdesshëm të sektorit bankar, për zhvillimin e tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave, si dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë në sistem.

Sektori financiar shqiptar shënoi dy arritje të rëndësishme gjatë vitit të shkuar.

  • Së pari, dalja e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar të Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF) sa i takon zhvillimit të infrastrukturës për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit, e njohur ndryshe si “lista gri”, përbën pikën kulmore të reformave të ndërmarra për përmbushjen e kritereve të nevojshme nga institucionet vendase, përfshi edhe Bankën e Shqipërisë. Dalja nga lista gri e FATF-së është një arritje e rëndësishme për vendin, ekonominë dhe reputacionin e Shqipërisë, pasi ajo përbën një votëbesim nga komuniteti ndërkombëtar për përkushtimin e vendit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
  • Së dyti, me daljen nga “lista gri”, ne kemi nisur procedurat për marrjen e statusit të ekuivalencës së kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Bashkimit Evropian. Vlerësimet tona paraprake sugjerojnë një nivel të lartë konvergjence të Bankës së Shqipërisë me këto standarde. Për këtë arsye, ne kemi paraqitur kërkesën zyrtare pranë Autoritetit Bankar Evropian (EBA) dhe jemi në pritje të fillimit të diskutimeve mbi procesin e vlerësimit të ekuivalencës të Shqipërisë. Marrja e këtij statusi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të kreditimit nga ana e bankave europiane që operojnë në Shqipëri.

Paralelisht me këto zhvillime, ne kemi vijuar punën për forcimin e mëtejshëm të rregullimit e të mbikëqyrjes bankare, si dhe të konsolidimit të planeve për ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Më poshtë, do të rendis disa nga prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

  • Së pari, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar kuadrin e saj mbikëqyrës e rregullator, me synim përafrimin e tij me acquis të BE-së dhe parimet e Komitetit të Bazelit. Rishikimi i rregulloreve ka synuar forcimin e standardeve të kapitalizimit të sistemit bankar dhe forcimin e mbikëqyrjes, rregullimit të veprimtarisë e të sistemeve të raportimit për institucionet e pagesave dhe për institucionet e parasë elektronike.
  • Së dyti, me miratimin e ligjit  “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, të hartuar nga Banka e Shqipërisë me asistencën e Bankës Botërore, dhe të rregullores së Bankës së Shqipërisë “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, u përfundua transpozimi i Direktivës 2014/92 të Bashkimit Evropian në kuadrin ligjor e rregullator të Bankës së Shqipërisë. Transpozimi i kësaj direktive shënon plotësimin e detyrimeve në kuadër të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2022-2024. Ligji për llogarinë e pagesave me shërbime bazike i ofron konsumatorit mundësinë për të pasur akses në shërbimet bazë bankare, nëpërmjet llogarisë së pagesave me shërbime bazike, duke mos diskriminuar konsumatorët nisur nga statusi i punësimit apo gjendja financiare.
  • Së treti, Banka e Shqipërisë hartoi draftin e dokumentit mbi raportimin financiar të sektorit bankar, i cili është hapi i parë i zbatimit të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar dhe të kontabilitetit. Përmbajtja e dokumentit bazohet në standardet e përcaktuara nga Autoriteti Bankar Evropian (EBA). Dokumenti final, i shpërndarë tek bankat e nivelit të dytë, ka shërbyer si pikënisje e dialogut mbi sfidat edhe detyrimet përkatëse që lindin për vënien e tij në zbatim.
  • Së katërti, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar dhe miratuar Strategjinë e Gjelbër Afatmesme 2023-2025 për "Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të lidhura me Klimën në Sektorin Financiar" në bashkëpunim me Bankën Botërore. Strategjia përcakton një plan të detajuar veprimi, bazuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në përputhje me Planin e Veprimit të Komisionit të BE-së. Kjo strategji përfshin të gjitha aspektet dhe politikat e Bankës së Shqipërisë, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në menaxhimin efektiv të rreziqeve klimatike në sektorin financiar.
  • Së pesti, Banka e Shqipërisë vijoi të monitorojë në mënyrë rigoroze sektorin bankar, nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave në distancë. Fokusi i ekzaminimeve ka qenë monitorimi i plotësimit të kërkesave rregullatore për kapital, vlerësimit të sistemeve dhe të kulturës së qeverisjes, vlerësimi i administrimit të rreziqeve të kredisë dhe të tregut, të rreziqeve operacionale, të teknologjisë së informacionit, të likuiditetit, si dhe vlerësimit të transparencës me klientët. Këto monitorime sugjerojnë se institucionet financiare nën autoritetin rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ndjekin një qasje të kujdesshme në administrimin e rreziqeve, kanë kulturë të qëndrueshme administrimi dhe janë përgjithësisht në përputhje me kuadrin rregullator.
  • Së fundi, Banka e Shqipërisë ka vijuar fuqizimin e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, ne kemi përfunduar dhe komunikuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme me të gjitha bankat, duke përfshirë strategjinë për ndërhyrje sipas specifikave të tyre, kërkesat minimale për mjetet financiare të nevojshme për përthithjen e humbjeve dhe për rikapitalizim, si dhe kërkesat për rritjen e aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Bankat kanë përparuar në drejtim të qeverisjes, rritjes së kapaciteteve, aftësive për përthithjen e humbjeve dhe rikapitalizimin e tyre, si dhe për sigurimin e vazhdimësisë operacionale dhe ruajtjen e aksesit në treg.

Krahas rolit të saj primar në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit, Banka e Shqipërisë kryen dhe një sërë veprimtarish të tjera, me rëndësi thelbësore për nxitjen e zhvillimit dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë, disa prej të cilave do t’i përmend shkurtimisht më poshtë.

  1. Aktivitete të tjera

Banka e Shqipërisë siguroi funksionimin normal të sistemeve të pagesave, nëpërmjet operimit dhe administrimit të 3 infrastrukturave kryesore për procesimin e pagesave ndërbankare dhe 1 infrastrukture për shlyerjen e titujve. Të gjitha sistemet kanë ofruar disponueshmëri maksimale. Sistemi më i ri i shlyerjes të pagesave në euro brenda vendit përjetoi një rritje të mëtejshme të përdorimit gjatë vitit 2023. Për rrjedhojë, vetëm gjatë vitit 2023, konsumatorët dhe bizneset shqiptare vlerësohet të kenë kursyer rreth 37 milionë euro prej përdorimit të këtij sistemi.

Zhvillimi i infrastrukturës së shërbimeve të pagesave ka mbështetur zgjerimin e përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike dhe përfshirjen financiare të popullsisë. Të dhënat tona tregojnë një rritje prej 25.5% të pagesave me karta, të pagesave me para elektronike dhe të pagesave home banking. Përdorimi i pagesave elektronike arriti në nivelin 21 pagesa për frymë në vit, nga 10 pagesa që ishte objektivi i vitit 2023 në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Banka e Shqipërisë ka punuar në mënyrë intensive për të siguruar që sistemet e pagesave të jenë të sigurta, eficiente dhe të disponueshme. Gjatë vitit 2023, nisëm punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), si pjesë integrale e Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, të hartuar nga Komisioni Evropian. Ky anëtarësim është një mundësi për të integruar platformat tona të pagesave dhe të tregtisë elektronike me tregun evropian dhe mundëson zbatimin e parimit të tarifave të barabarta si për pagesat kombëtare, ashtu edhe për ato ndërkufitare, në mënyrë elektronike në euro. Vlerësimet paraprake mbi kriteret e pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së, të kryera me asistencën e Bankës Botërore, kanë treguar se Shqipëria është më e avancuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor për përafrimin e legjislacionit për të qenë anëtare e SEPA-s. Procesi i aplikimit po udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë, por ai reflekton kontributin e disa autoriteteve publike. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për implementimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është ajo për pagesat e shpejta (instant payment). Kjo infrastrukturë mundëson shlyerjen elektronike të pagesave me vlerë të vogël, në mënyrë të sigurt, në çdo moment të ditës dhe në një kohë pothuajse të menjëhershme. Banka e Shqipërisë po mbështetet aktivisht nga Banka e Italisë për zhvillimin dhe implementimin e një sistemi të tillë, sipas modelit të sistemit të pagesave të shpejta TIPS në Eurozonë. Eventualisht, kjo zgjidhje lehtëson integrimin e sistemeve tona të pagesave me ato të BE-së në të ardhmen.

Paralelisht me nxitjen dhe sigurimin e mbarëvajtjes së pagesave elektronike, ne kemi akomoduar edhe kërkesën e ekonomisë për para fizike. Pas përfundimit të emetimit të serisë së re të kartëmonedhave në vitin 2022, gjatë vitit 2023 ne kemi plotësuar të gjitha kërkesat e ekonomisë shqiptare për para fizike, si në vlerë edhe në strukturë.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrimet institucionale që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, nënkomitetet e përbashkëta BE-Shqipëri, si dhe Plani Kombëtar për Integrimin Evropian. Me hapjen e negociatave, Banka e Shqipërisë ka kontribuar aktivisht në takimet bilaterale screening për çdo kapitull të Acquis-it midis delegacioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian. Gjithashtu, kemi vazhduar të drejtojmë hartimin e kapitujve 4 dhe 17, përkatësisht për “Lëvizjen e lirë të kapitalit” dhe “Politikën ekonomike dhe monetare”.

Ne kemi administruar me përgjegjësi rezervën valutore, duke respektuar objektivat kryesorë të likuiditetit dhe sigurisë. Niveli i rezervave tona valutore është në përputhje me kriteret tona të mjaftueshmërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Po ashtu, kthimi nga administrimi i rezervës ka rezultuar pozitiv, si pasojë e rritjes së normave të interesit në tregun ndërkombëtar gjatë vitit 2023.

Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet tona me publikun dhe me grupet e interesit janë orientuar nga parimet e transparencës dhe të llogaridhënies, duke mbajtur gjithnjë kanale të hapura komunikimi. Kjo përqasje ndihmon në rritjen e efektivitetit të politikave të ndjekura nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, ajo ka si parakusht një shkallë të kënaqshme të edukimit financiar të publikut. Për ta përmirësuar dhe më tej këtë të fundit, ne hartuam këtë vit Strategjinë e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, dokumenti i parë institucional që promovon edukimin financiar. Disa nga objektivat kryesorë të kësaj strategjie janë miradministrimi i financave personale dhe huamarrja e shëndetshme, planifikimi dhe kursimi për të ardhmen, si dhe mbrojtja e konsumatorit. Banka e Shqipërisë ka filluar tashmë punën për zbatimin e kësaj strategjie.

Së fundi, përmirësime të dukshme janë bërë në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së institucionit, nëpërmjet përditësimit të sistemeve për administrimin e rrezikut dhe sistemeve e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit. Duke marrë shkas nga sulmet e shpeshta kibernetike, të cilat kanë targetuar institucionet publike e private shqiptare, ne i kushtuam një vëmendje të veçantë forcimit të sistemeve të sigurisë kibernetike për vijueshmërinë e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë dhe për funksionimin e sistemit bankar dhe financiar në vend. Në këtë kontekst, shtuam masat mbrojtëse dhe ato të monitorimit, teknike dhe proceduriale, të bazuara në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare e kombëtare dhe në funksion të qëndrueshmërisë ndaj sulmeve të mundshme kibernetike.

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Më lejoni t’ju siguroj se Raporti Vjetor që keni në duar është një pasqyrë besnike e opinionit tonë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të sistemit bankar shqiptar, e punës dhe rezultateve të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit, në drejtim të përmbushjes së objektivave ligjorë dhe të angazhimeve tona institucionale, si dhe e rezultatit tonë financiar.

Po ashtu, më lejoni të ritheksoj – edhe një herë – angazhimin dhe përkushtimin e Bankës së Shqipërisë për respektimin e të gjitha detyrave tona ligjore dhe angazhimeve institucionale. Ky angazhim dokumentohet edhe në Strategjinë Afatmesme të Bankës së Shqipërisë, një përmbledhje e së cilës është pjesë integrale e Raportit.

Ju falënderoj për vëmendjen!