BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Ceremoninë Kremtuese të Javës së Parasë

Data e publikimit: 24.03.2022

 

E nderuar zj. Ministre e Arsimit dhe Sportit,

I nderuar z. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar nxënës e mësues, miq dhe kolegë bankierë,

Me kënaqësi ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë kremtuese të Javës Globale të Parasë për vitin 2022, një fushatë që prej më shumë se një dekade, bën bashkë nxënës, studentë, mësues e bankierë. Çdo fund marsi, me bashkëpunimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe falë mbështetjes tepër të vyer të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Banka e Shqipërisë organizon aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. Vitin e kaluar, për shkak të gjendjes së vështirë të sjellë nga pandemia COVID-19, ceremonia e çeljes dhe të gjitha aktivitet e programuara në kuadër të Javës së Parasë, u organizuan virtualisht, duke iu përmbajtur protokollit për distancimin social. Pavarësisht se edhe në këto kushte, programi u realizua me sukses, prezenca fizike e pjesëmarrësve i bën aktivitetet tona edukative edhe më produktive. Për këtë arsye, jam tepër i kënaqur që këtë vit po i rikthehemi normalitetit, duke ju mirëpritur si zakonisht në hollin tonë historik, në mjediset e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

 DSC3699 498

Java Globale e Parasë është tashmë e njohur për publikun shqiptar dhe veçanërisht për të rinjtë. Ajo është një nismë ndërkombëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen. Në këtë kuadër, çdo vit, në javën e fundit të muajit mars, bankat qendrore, agjencitë shtetërore, institucionet financiare dhe organizata të shoqërisë civile në mbarë botën organizojnë Javën e Parasë. Me një pjesëmarrje përherë në rritje, që nga fillimi i saj, Java Globale e Parasë është organizuar në 176 vende të botës dhe ka përfshirë në aktivitetet e ndryshme mbi 53 milionë fëmijë dhe të rinj. Tema ndërkombëtare e përzgjedhur nga organizatorët për këtë vit është “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”. Ajo nënvizon rëndësinë e një përqasjeje të kujdesshme e proaktive ndaj parasë, si premisë për një të ardhme të sigurt e të begatë, duke qenë i pajisur me njohuritë dhe aftësitë e duhura për një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe novator.

Me angazhimet tona në fushën e edukimit financiar në këtë dekadë, Banka e Shqipërisë ka dëshmuar se e konsideron edukimin financiar të publikut, si pjesë integrale të detyrave të saj institucionale, pasi vetëm nëpërmjet tij është e mundur mirëqenia e qëndrueshme dhe mbrojtja e shëndetit financiar të secilit, edhe në raste situatash kritike. Ngjarjet e jashtëzakonshme të viteve të fundit kanë nxjerr më në pah nevojën për kultivimin e kulturës financiare, si pjesë e formimit të përgjithshëm të gjithsecilit.

 DSC3508 498

Pandemia COVID-19 si dhe zhvillimet e fundit në Ukrainë, ngjarje këto që e goditën në mënyrë të njëpasnjëshme gjendjen e ekuilibrit në çdo fushë të jetës në mbarë botën, përfshirë ekonominë e financat, përbëjnë sfida jo vetëm për menaxherët e financave publike, por edhe për ata të financave familjare e personale, pra për të gjithë ne. Ky realitet “i ri” për shekullin XXI, ka tronditur tregjet financiare dhe tensionet në rritje gjeopolitike po vijojnë të sjellin pasoja që mund të variojnë nga relativisht të kufizuara në shumë serioze.

Sot pothuajse të gjitha ekonomitë botërore po përballen me goditje të papritura, që kanë shkaktuar kriza të vështira dhe komplekse. Pas një periudhe dyvjeçare të pandemisë dhe masave të jashtëzakonshme të ndërmarra nga autoritetet qeveritare dhe financiare, lufta në Ukrainë dha një goditje të re. Të gjitha këto, së bashku me sanksionet e vendosura, goditën zinxhirët globalë të prodhimit dhe furnizimit si dhe besimin e publikut, duke dhënë një efekt të menjëhershëm në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, si nafta dhe gazi, ushqimet etj. Kjo shkaktoi një zinxhir pasojash, duke sjellë rritjen e menjëhershme dhe të fortë të inflacionit në ekonomitë mbarëbotërore, përfshirë sigurisht edhe atë shqiptare. Sa më sipër, do të kenë ndikime direkte dhe indirekte mbi ekuilibrat ekonomikë e financiarë që do të kërkojnë kohë dhe ndërhyrje të qenësishme të autoriteteve.

 DSC4223 498

Si përgjigje, politikëbërësit, qeveritë dhe bankat qendrore në mbarë botën kanë nxituar të aktivizojnë një sërë masash për të zbutur efektin e këtyre goditjeve të njëpasnjëshme dhe të fuqishme në ekonomi. Paketat ndihmëse, kontrollet mbi çmimet dhe ndërhyrjet e politikës monetare kanë bërë të mundur dhe kanë lehtësuar goditjet, si dhe kanë mbajtur nën kontroll pritshmëritë negative të publikut. Në të njëjtën frymë, as Shqipëria nuk ka mbetur e pandikuar apo indiferente. Masat e marra për kontrollin e çmimeve dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë qetësuar tregjet e energjisë dhe ato të kursit të këmbimit.

Natyrisht, ngjarjet e lartpërmendura nuk prekin vetëm të tashmen por edhe të ardhmen, duke rritur pasiguritë dhe pritshmëritë negative. Përgjigjja më e mirë për të luftuar pasigurinë është edukimi. Sot më shumë se dje duhet të kuptojmë drejt rëndësinë e kulturës financiare, e cila na ndihmon në jetën e përditshme jo vetëm për vendimmarrje të mirinformuara, por edhe për të kuptuar dhe reaguar saktë ndaj mesazheve të politikëbërësve. Rrjedhimisht, politikat ndihmuese të ndërmarra do të jenë me efektive dhe do të mbështesin edhe më shumë zbutjen e goditjeve negative.  

Duke qenë të vetëdijshëm dhe duke bërë zgjedhjet e duhura financiare, gjithsecili prej nesh, banka, institucione, biznese, familje por edhe individë, mund të luajmë një rol të rëndësishëm në përballimin e pasojave të situatave të jashtëzakonshme që bota po përjeton. Kjo fushatë edukuese e Javës së Parasë, është një rast i shkëlqyer për të risjellë në vëmendje disa mesazhe që Banka e Shqipërisë i ka trajtuar gjerësisht, duke i kthyer në pjesë të rëndësishme të përpjekjeve për përmbushjen e objektivave dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar. Do të përmbledh sa më sipër në tre mesazhe kryesore që sot, për shkak të situatës gjeopolitike dhe financiare, bëhen edhe më kuptimplota.

Dua të ndalem fillimisht dhe të ritheksoj rëndësinë e madhe që ka përdorimi i monedhës kombëtare kundrejt atyre të huaja. LEK-u luan një rol kryesor dhe të drejtpërdrejtë në përçimin e efekteve pozitive të politikës monetare në ekonominë tonë. Sa më i lartë përdorimi i LEK-ut, aq më e madhe pjesa e ekonomisë mbi të cilën ndjehen efektet e politikave të bankës tonë qendrore. Për më tepër, përdorimi i monedhës vendase ndihmon në amortizimin e goditjeve që vijnë nga sektori i jashtëm përmes minimizimit të goditjeve në të ardhura, konsum dhe në investime etj. Përdorimi i gjerë i monedhave të huaja krahas asaj kombëtare ka ndikime të rëndësishme negative, jo vetëm për efektivitetin e politikave ekonomike, por dhe për stabilitetin financiar. Veçanërisht në këto kohë, kur zhvillimet globale, paqartësia dhe ndryshimi i kursit të politikës monetare mund të shkaktojnë rreziqe shtesë mbi kursin e këmbimit. Këto rreziqe destabilizojnë dhe ekspozojnë bilancet e sektorit privat, ndaj luhatjeve të kursit. E thënë më thjesht, sa më pak të përdorësh valutën e huaj, aq më pak i ekspozuar je ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, i cili sot është edhe më i lartë. Qëndrueshmëria e institucioneve financiare, bizneseve dhe familjeve kontribuon në përçimin e politikës monetare dhe stabilitetit makroekonomik.

Së dyti, dua të ritheksoj rëndësinë e rritjes dhe promovimit të kulturës financiare si kundërpërgjigje ndaj informalitetit. Ky objektiv nuk i përket vetëm bankës qendrore, por të gjithë agjentëve të ekonomisë, institucioneve edukuese dhe medias, në mënyrë që të rrisim vetëdijen dhe aftësitë financiare të publikut. Këto përpjekje të përbashkëta përveçse rrisin eficiencën e politikës monetare, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përfshirjen financiare të popullsisë. Kjo do të thotë rritje e numrit të përdoruesve të shërbimeve dhe produkteve financiare më të sigurta dhe me kosto më të ulëta që sjellin rritjen e aksesit në burime financiare, dhe rrjedhimisht rritjen e mundësive, të ardhurave dhe cilësisë së jetës. Tregjet formale janë e vetmja mundësi që publiku dhe agjentët ekonomikë të përfitojnë drejtpërsëdrejti dhe në kohë reale nga politikat e ndërmarra nga qeveria dhe banka qendrore. Efektet e këtyre politikave materializohen në instrumentet dhe produktet financiare të tregut formal. Suksesi i masave të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë gjatë pandemisë janë një shembull recent i përfitimeve nga pjesëmarrja në tregjet formale. Gjithashtu, rritja e formalizimit dhe përfshirjes financiare e bën më të lehtë e eficiente edhe përpjekjen e qeverisë për zbatimin e politikave të ndihmës gjatë krizave.

Së treti, dua të tërheq vëmendjen tek pabarazia shoqërore dhe efekti që situata aktuale ka për thellimin e saj. Krizat, veçanërisht pandemitë e luftërat, prekin më shumë dhe më shpejt shtresat e varfra, që janë njëkohësisht edhe shtresat me nivelin më të ulët të edukimit dhe përfshirjes financiare. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë e ka shndërruar kulturën dhe përfshirjen financiare në një prej objektivave të rëndësishëm të mandatit të saj. Ne jemi proaktivë jo vetëm në zhvillimin e tregut dhe infrastrukturës së produkteve financiare, por edhe në rritjen e njohurive mbi këto produkte dhe kulturën financiare në përgjithësi. Është e domosdoshme që individët me të ardhura minimale të mund të kenë akses dhe të përfitojnë nga produktet bazë bankare, të tilla si llogaritë rrjedhëse. Banka e Shqipërisë, përmes ndryshimeve ligjore dhe institucionale ka krijuar mundësinë që produktet bazë financiare të përfitohen nga individët pa kosto apo me kosto minimale. Si rezultat, shumë shpejt do të ketë alternativa më të lira dhe më të shpejta që do të konkurrojnë produktet ekzistuese financiare. Njëkohësisht, kompanitë që do të hyjnë në këto tregje novatore do të kenë mundësi më të mira fitimi. E vetmja kosto për të njohur dhe përfituar nga këto produkte është edukimi. Dhe në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet aktori kryesor për përhapjen dhe zbatimin e strategjive kombëtare të edukimit dhe përfshirjes financiare. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë po punon me partnerë kombëtarë por edhe me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si Banka Botërore dhe EBRD, përvoja e gjatë e të cilëve na dëshmon se ndreqja dhe zvogëlimi i pabarazisë shoqërore dhe ekonomike është një ndërmarrje e vështirë, që zgjat në kohë. Megjithatë, rritja e kulturës financiare, duke përhapur njohuri të tilla si: hartimi i buxhetit, miradministrimi efektiv i tij, njohja e rreziqeve dhe shmangia e investimeve të gabuara, mund të ndikojë në zbutjen e plagëve që këto trazira sjellin në jetën e më të varfërve dhe sigurisht të gjithsecilit, në çfarëdolloj shtrese shoqërore dhe situate financiare që gjendet për momentin.

Duke u rikthyer tek ajo për të cilën jemi mbledhur, kremtimi i Javës së Parasë 2022, jam i lumtur të konstatoj interesin gjithmonë e në rritje të të rinjve dhe mësuesve e profesorëve të tyre në aktivitetet tona edukuese. Jemi të befasuar me interesin e veçantë të universiteteve për temat e ditës dhe ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare, si dhe numrin e madh të projekteve, videove dhe vizatimeve që nxënësit e arsimit parauniversitar kanë dërguar pranë nesh. Disa prej tyre do të mund t’i shohim dhe shpërblejmë sot, megjithatë theksojmë se pjesëmarrja dhe angazhimi i të gjithë pjesëmarrësve ka qenë mbresëlënës.   

Për ta mbyllur, dëshiroj të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e Bankës së Shqipërisë në iniciativat dhe programet e saj edukuese, dhe përkatësisht për Javën Globale të Parasë. Jemi mirënjohës që në këtë javë, si pjesëmarrës, ju jeni bërë partnerë të bankës qendrore, duke na u bashkuar në punën tonë për të përballuar sfida të rëndësishme për shoqërinë. Jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm që tematika të tilla si përqasja e kujdesshme e proaktive ndaj botës së financave, janë parakusht për një të ardhme të sigurt e të begatë, dhe pjesëmarrja gjithmonë e në rritje në aktivitete të tilla të përvitshme nuk mund se vetëm të na bëjë optimistë për këtë brez të ri të ndërgjegjësuar dhe të interesuar për t’u edukuar më mirë. Banka e Shqipërisë si institucion qendror edhe në këto fusha, është e gatshme dhe e angazhuar të bashkëpunojë me çdo institucion që synon rritjen e cilësisë së kulturës dhe përfshirjes financiare të publikut.

Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin tuaj, dhe iu uroj të gjithë pjesëmarrësve suksese!