BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshop-in XVI të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 05.12.2022

 

E nderuar Shkëlqesi Ambasadore Huber,

Të nderuar të ftuar dhe folës nga akademia, bankat qendrore dhe institucionet kërkimore,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në emër të Bankës së Shqipërisë ju uroj mirëseardhjen në Workshop-in XVI të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore (EJL). Kënaqësia është më e madhe pasi, siç shpresuam vitin e kaluar, pas dy viteve organizimi online, i jemi rikthyer atij tradicional, me prani fizike, ndonëse vetëm pjesërisht. 

498-2625

Një mësim që nxorëm dhe përvetësuam nga pandemia ishte si të veprojmë në një mjedis virtual dhe të sigurohemi që të gjithë pjesëmarrësit të mund të angazhohen plotësisht në punimet e këtij aktiviteti - qoftë me prani fizike apo duke na u bashkuar online.

Përfitoj nga rasti të shpreh vlerësimin tim për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar që secili prej jush jep në mbajtjen dhe zhvillimin e punimeve të këtij seminari. Jam me të vërtetë mirënjohës që kjo nismë e nisur 16 vite më parë, ka përparuar dhe ka fituar të tilla dimensione, duke forcuar dhe zgjeruar ndër vite bashkëpunimin midis bankierëve qendrorë, akademikëve dhe politikëbërësve, jo vetëm brenda rajonit të EJL-së, por dhe nga e gjithë bota.

498-2474

Kërkimi ekonomik në Bankën e Shqipërisë, ashtu si në shumë banka qendrore prestigjioze, mbart një rol të rëndësishëm në aktivitetin e përgjithshëm të saj, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme në proceset e hartimit dhe të zbatimit të politikës monetare, nëpërmjet instrumenteve empirikë të rinj dhe të sofistikuar, të cilët përdoren në kryerjen e analizave dhe të parashikimeve të politikave. Kërkimet e një cilësie të lartë rrisin besueshmërinë e bankës qendrore ndërsa përmirësojnë dhe cilësinë e politikave të saj.

498-2620

Kryefjala e këtij aktiviteti është prezantimi dhe diskutimi i projekteve kërkimore aktuale të kryera në Bankën e Shqipërisë gjatë vitit, së bashku me hulumtimet e zhvilluara në bankat e tjera qendrore, në universitete të spikatura shqiptare dhe ndërkombëtare, apo dhe në institucione të ndryshme financiare. Pra, ky takim përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të marrë mendime dhe informacione të reja nga kolegë në institucionet homologe, që punojnë për të njëjtat tema dhe përballen me të njëjtat sfida si ne. Jam i sigurt se ky workshop do të shërbejë për të kuptuar më mirë origjinën dhe kompleksitetin e sfidave me të cilat po përballemi dhe për të hartuar politikat e duhura për trajtimin e tyre. 

Gjatë viteve, workshop-i ynë ka ndryshuar dhe evoluar në mënyra të ndryshme, ashtu si sfidat dhe situatat e reja që ne hasim. Sivjet, ai zhvillohet në një moment veçanërisht të vështirë: ndërsa ende përballemi me ndërlikimet e tërheqjes graduale të politikave të zbatuara gjatë pandemisë, janë shfaqur rreziqe të reja, të cilat janë vendosur menjëherë në qendër të vëmendjes sonë.   

498-2436

Pavarësisht ekspozimit të drejtpërdrejtë të kufizuar të Shqipërisë ndaj Rusisë apo Ukrainës, skenari makroekonomik ndryshoi pothuajse brenda ditës, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Sot, Shqipëria përballet me sfidën e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, shtrëngimin e kushteve financiare te partnerët kryesorë dhe në tregjet globale, të cilat me gjasa do të vazhdojnë dhe do të shoqërohen me ngadalësimin ekonomik në Evropë. Në tetor, inflacioni shënoi 8.3%, duke vazhduar të përbëjë kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik, si dhe ndaj rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të Shqipërisë.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces normalizimi gradual të politikës monetare, duke siguruar që shpejtësia e normalizimit do të kthejë inflacionin në objektiv, brenda një periudhe kohore të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin ekonomik. Mbiçmimi i monedhës sonë ndaj asaj evropiane ka ndihmuar në përpjekjet tona për të kontrolluar dhe përmbajtur inflacionin. Gjatë vitit 2022, monedha jonë, Leku, është mbiçmuar mesatarisht me 2.5% ndaj monedhës Euro, falë të ardhurave të konsiderueshme të gjeneruara nga turizmi, IHD-të e larta, dhe primet e përmbajtura të rrezikut. Konvergjenca e ciklit të politikës sonë monetare me atë të Eurozonës e forcoi më tej këtë mbiçmim. Paralelisht, çmimi i rregulluar i energjisë për familjet shqiptare ka ndihmuar në përthithjen e presioneve të huaja. Ky përfundim është i dokumentuar qartë në punimet hulumtuese të mëparshme dhe ato më të fundit të kryera nga ekspertët tanë, në të dy departamentet - atë të Kërkimeve dhe të Politikës Monetare - ashtu dhe nga modelet ekonometrike që mbështesin politikën tonë monetare.

498-2645

 

Presionet e huaja të çmimeve të mbështetura nga kërkesa e brendshme e qëndrueshme tashmë po ushqejnë inflacionin e mallrave dhe të shërbimeve të prodhuara në vend, po rrisin kostot e prodhimit, dhe më e rëndësishmja, pritjet për inflacionin. Kjo është e dukshme në tregun e punës, në normën e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe në tregjet e kapitalit, të cilat duken se i kanë inkorporuar tashmë këto pritje në vendimmarrjen e tyre.

Studimet e shumta të kryera në fushën e politikës monetare kanë dokumentuar rrezikun real që mbart inflacioni i lartë e i qëndrueshëm si dhe pritshmëritë inflacioniste për ekonomitë dhe familjet. Gjithashtu, ato tregojnë se pa një përgjigje të fortë dhe të vendosur të politikës monetare, pritjet për inflacionin ndikojnë në ecurinë e ardhshme të tij, duke çuar në rritje të pasigurisë, sinjale jo të duhura për çmimet, shpërndarje joefektive të burimeve, rënie të rritjes ekonomike dhe në luhatshmëri afatgjatë të lartë.

Përvoja jonë, hulumtimet dhe analizat e fundit tregojnë se në rrethanat aktuale, e vetmja përgjigje që mund të japë banka qendrore është të ndjekë një politikë të rritjes së normës bazë të interesit, duke forcuar kështu angazhimin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ky kurs veprimi do të krijojë kushtet e nevojshme monetare për të kontrolluar inflacionin dhe pritjet për të, si dhe do ta ndihmojë atë të kthehet në objektiv brenda një horizonti kohor të arsyeshëm.

Angazhimi ynë për stabilitetin e çmimeve ka për qëllim të ruajë fuqinë blerëse të të ardhurave të familjeve dhe të kursimeve të individëve; të ruajë stabilitetin financiar dhe të krijojë kushte optimale të kredisë; të ndihmojë sektorin privat që të zhvillojë veprimtari të besueshme dhe plane të qëndrueshme investimi.

Më e rëndësishmja, projeksionet tona, të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analiza të kërkimit, sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do të çojë ekonominë në recension. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm. Në këtë drejtim, rritja aktuale e normës bazë të interesit, e cila ka për qëllim të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të ankorojë pritjet për inflacionin, është njëkohësisht një masë për të mbrojtur jo vetëm ekonominë, por edhe sektorin privat e individët nga efektet negative të tij. Kjo është veçanërisht e vërtetë dhe e rëndësishme për shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilat janë goditur më shumë nga efektet negative të inflacionit të lartë e të qëndrueshëm.

Megjithatë, publiku i gjerë duhet të kuptojë se parashikimi për të ardhmen është objekt i një pasigurie të lartë. Mekanizmat e amplifikimit, mund të vijnë nga kanale të shumëfishta, për shkak të ndërveprimeve të ngushta brenda sistemit financiar global. Me kënaqësi vë re se të gjitha këto çështje do të diskutohen në thellësi gjatë punimeve të këtij workshop-i.

Në fakt, agjenda është mjaft e pasur dhe mbulon një gamë të gjerë temash kërkimore, lidhur me: politikën monetare dhe atë fiskale; stabilitetin financiar; koordinimin e politikave; vlerësimin dhe administrimin e rreziqeve nëpërmjet politikave makroprudenciale; dinamikat e çmimeve dhe presionet inflacioniste në rritje, të cilat po përjetohen në të gjithë botën; si dhe sfidat që ato sjellin për politikëbërësit, si në këndvështrimin makroekonomik dhe në atë mikro.

Të gjithë presim me entuziazëm të dëgjojmë mendimin dhe analizën e folësve rreth kohëzgjatjes dhe intensitetit të këtyre presioneve dhe mbi çdo implikim të mundshëm në politikën monetare. Për më shumë, ky workshop do të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për të marrë informacione të reja nga kërkimi akademik.

Duke parë nga e ardhmja, përtej ngjarjeve dramatike që po përjetojmë aktualisht, teknologjia dhe kalimi në një ekonomi me zero emetime neto të gazrave, do të vijojnë t’i japin formë evoluimit të tregjeve si dhe ofruesve tradicionalë apo të rinj të shërbimeve financiare.

Për këtë arsye, përveç çështjeve tradicionale të politikës monetare dhe bankingut qendror, një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe: ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve të lidhura me to, si dhe financave të gjelbra, të cilat janë kthyer në “lajtmotiv” të komunikimeve të shumë bankave qendrore dhe institucioneve evropiane e ndërkombëtare; digjitalizimit të shërbimeve financiare dhe përmirësimeve teknologjike, si dhe implikimeve të tyre në objektivat e bankës qendrore. 

Jam i bindur se, materialet studimore mbi këto tema “të nxehta” do të ofrojnë udhëzime se si t’u përqasemi problemeve të imponuara nga zhvillimet ekonomike të kohëve të fundit. Për më tepër, bashkëpunimi i ngushtë në këtë drejtim do të jetë mjaft i dobishëm, edhe sepse fusha të tilla janë ende objekt i kërkimeve të thelluara.

Më lejoni të shtoj se muajt në vijim do të jenë sfidues për shoqëritë tona, ndërsa vitet në vijim do të mund të sjellin transformime thelbësore strukturore. Trajtimi i sfidave kryesore përballë ekonomisë shqiptare, të tilla si: inflacioni; kriza energjetike etj. imponojnë detyrime shtesë që kërkojnë angazhim për adresimin e tyre dhe për pasojë politika të tjera veprimi, për t’u marrë parasysh nga autoritetet. Ndërkohë që përvoja jonë në zbatimin e politikave dhe instrumenteve ekzistuese dhe të reja të politikës monetare sa vjen e rritet, në këto kushte të vështira dhe gjithnjë në ndryshim po shfaqen dhe rreziqe të reja. Forume diskutimi dhe kërkimi, të tilla si ky workshop, ku shkëmbehen idetë dhe përvojat më të fundit midis akademikëve dhe politikëbërësve, do të jenë gjithnjë e më të rëndësishme. Zbatimi i gjetjeve dhe konkluzioneve të hulumtimeve në hartimin praktik të politikës i jep kërkimit vlerën dhe kuptimin e tij të vërtetë, në të mirë të bankës qendrore dhe të shoqërisë. 

Para se ta përfundoj këtë fjalë, dëshiroj të falënderoj Qeverinë Zvicerane dhe Sekretariatin Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) për mbështetjen e vazhdueshme të veprimtarisë kërkimore në Bankën e Shqipërisë. Ne bashkëpunojmë prej 10 vitesh për të ngritur dhe përmirësuar punën kërkimore sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe për ta bërë atë praktike dhe të dobishme në kontekstin e bankës qendrore. Modelet tona dhe një pjesë e konsiderueshme e projekteve kërkimore janë zhvilluar në bashkëpunim apo me asistencën teknike të SECO-s, si pjesë e Programit të Asistencës Dypalëshe për ngritjen e kapaciteteve të bankave qendrore (BCC). Ky projekt udhëhoqi, rishikoi dhe vlerësoi projektet kërkimore të ndërmarra nga stafi ynë, dhe dha një kontribut thelbësor në besueshmërinë, reputacionin dhe prestigjin e Workshop-it tonë të Kërkimeve në EJL. Bashkëpunimi ynë ka qenë me të vërtetë produktiv dhe shumë i dobishëm, jo vetëm për zhvillimin e veprimtarisë kërkimore dhe të parashikimit, bazuar në metodologjitë bashkëkohore të analizës së politikës, por gjithashtu është i rëndësishëm për zbatimin në fushat e politikës monetare, stabilitetit financiar dhe të analizës së çështjeve që lidhen me ndryshimet demografike dhe ato klimatike. Për më shumë, bashkëpunimi ynë i suksesshëm me Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike shtrihet në fushat e  sistemeve të pagesave dhe të edukimit financiar.

Shkëlqesia juaj Ambasadore Huber, ju jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj mjaft entuziaste për zbatimin e suksesshëm të projekteve tona aktuale. Shpresoj të kemi mundësi të tjera për të vijuar bashkëpunimin tonë të frytshëm edhe në të ardhmen.  

Në fund, më lejoni ta mbyll fjalën time duke falënderuar folësit, diskutantët, drejtuesit e sesioneve dhe stafin e Bankës së Shqipërisë për kohën dhe përpjekjet dedikuar këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Ju ftoj të merrni pjesë në mënyrë aktive dhe të zhvilloni një debat energjik e frytdhënës. Sinqerisht, besoj se diskutimet dhe komentet konstruktive, të cilat sigurisht do të zhvillohen gjatë seminarit, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet hulumtuesve, si dhe midis institucioneve.