BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” të Universitetit Europian të Tiranës

Data e publikimit: 30.04.2021

 

I nderuar Profesor Gjuraj,

I nderuar Profesor Xhepa,

Të nderuar studentë e pjesëmarrës,

Është kënaqësi për mua të përshëndes punimet e kësaj konference, të mbledhur për të trajtuar ‘normalen e re’, një temë kjo sa emergjente aq dhe e pazgjidhur e debatit aktual ekonomik. Të gjithë ne, politikë-bërës, akademikë dhe operatorë të sektorit privat, jemi të vetëdijshëm se një realitet i ri na pret në botën post-pandemi. Por, ‘cilat do të jenë konturet e këtij realiteti të ri?’, ‘çfarë sfidash dhe oportunitetesh shtrohen para sektorit privat?’, si dhe ‘cilat duhet të jenë objektivat dhe instrumentet e politikave ekonomike?’, mbeten pyetje të cilat nuk kanë ende një përgjigje shteruese.

Për këtë arsye, dëshiroj të falënderoj Universitetin Evropian të Tiranës për zgjedhjen e kësaj teme të spikatur.

Ky universitet është një vatër dijeje e cila ka arritur të pozicionohet në qendër të edukimit, të diskursit akademik dhe të nxitjes ë inovacionit, dhe shfaq sot një profil të konsoliduar në debatin akademik.

DSC 7952 498

Duke u përpjekur të përmbledh opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi temën e shtruar për diskutim, dëshiroj që, në vijim të fjalës sime, të ndalem më gjatë në tre çështje specifike. Së pari, do të paraqes shkurtimisht ndikimin e pandemisë në ekonominë shqiptare dhe masat e marra prej nesh për minimizimin e efekteve të saj. Më tej, do të fokusohem në diskutimin akademik mbi “normalen e re”. Në përfundim, dëshiroj të nënvizoj rolin që ka fleksibiliteti dhe vullneti institucional për ndryshim, si instrument për akomodimin e paradigmave të reja dhe adoptimin e praktikave më të mira në politikë-bërje.

***

  1. Banka e Shqipërisë përballë sfidave të pandemisë

Pandemia Covid-19 dhe masat e nevojshme kufizuese të ndërmarra për mbrojtjen e shëndetit publik shkaktuan një krizë të paprecedentë ekonomike, në vend dhe në botë. Në Shqipëri, rritja e pasigurisë dhe kufizimi i detyruar i lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, rezultoi në kontraktimin me 3.3% të ekonomisë dhe në humbjen e mbi 40,000 vendeve të punës gjatë vitit 2020. Përtej kësaj, pandemia u shoqërua me probleme ekonomike, në nivel makro dhe mikro, dhe testoi qëndrueshmërinë e fondamenteve të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

DSC 7921 498

Në përgjigje të saj, reagimi i autoriteteve publike në vend, si dhe kudo në botë, ishte i shpejtë dhe i paprecedentë. Banka e Shqipërisë ndërhyri me një paketë masash monetare e financiare. Këto masa synonin jo vetëm kufizimin e ndikimet afatshkurtër të pandemisë, por dhe ruajtjen e kapaciteteve prodhuese dhe të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit, dy parakushte të domosdoshme këto për rritjen e shpejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Në këtë kontekst, ne:

  • Ulëm normën bazë të interesit në muajin mars të vitit 2020 në 0.5%, në nivelin më të ulët historik, dhe krijuam kushtet e nevojshme operacionale për të furnizuar bankat me likuiditet të mjaftueshëm;
  • Më tej, krijuam lehtësitë e nevojshme rregullatore dhe udhëzuam bankat tregtare të ndihmojnë bizneset apo individët që përballen me vështirësi, nëpërmjet ofrimit të një moratoriumi afatshkurtër mbi shlyerjen e pagesave të kredisë dhe nëpërmjet ristrukturimit të kredive aty ku ishte e nevojshme;
  • Hoqëm përkohësisht komisionet të aplikuara nga bankat për përdorimin e platformave të pagesave elektronike dhe tarifat për pjesëmarrësit në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH;
  • Së fundi. pezulluam shpërndarjen e fitimit nga bankat e nivelit të dytë për vitin 2020, për të mundësuar ruajtjen e mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit bankar.

Masat stimuluese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë u bashkërenduan me një stimul të shtuar fiskal. Stimujt fiskalë morën formën e lehtësive tatimore dhe transfertave direkte për bizneset apo individët, të ardhurat e të cilëve u prekën nga mbyllja e aktivitetit, si dhe formën e garancive sovrane për kreditë ndaj bizneset, më synim minimizimin e efektit negativ nga të ardhurat dhe të ruajtjes së gjendjes likuide në bilancet e tyre.

Politikat makroekonomike stimuluese ndihmuan në kufizimin e ndikimit të pandemisë në sektorin real dhe në financiar të vendit, si dhe arritën të ruanin të pacënuar stabilitetin makroekonomik. Kontraktimi ekonomik, rënia e punësimit dhe dëmi në bilancet financiare të bizneseve, rezultuan më të ulët se projeksionet tona fillestare.

Sektori bankar vijon të jetë i mirë-kapitalizuar, likuid dhe fitimprurës. Primet e rrezikut dhe normat e interesit në tregun financiar mbeten në nivele të ulëta, duke ndihmuar mbështetjen me kredi të ekonomisë, në përgjigje të nevojave të saj për kapital qarkullues,. konsum apo investime. Në veçanti, kreditë me probleme mbetën në nivel të ulët, pavarësisht pozicionit të përkeqësuar ciklik të ekonomisë, duke dëshmuar dobinë e procesit të konsolidimit të sektorit bankar si dhe frytet përmirësimeve të vazhdueshme të kuadrit mbikëqyrës e rregullator.

Politikat stimuluese të ndërmarra kanë ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut në afat të shkurtër por nuk mund të adresojnë ndryshime strukturore, ndryshime të cilat kanë kohë që po vihen re në horizont apo të cilat kanë lidhje direkte me pandeminë. Një “normale e re” pritet të udhëheqë nevojën për adaptim të sektorit privat dhe një rikonceptim të paradigmave të qeverisjes institucionale.

  1. Sfidat e së ardhmes

Institucionet politikë-bërëse pritet të përballen me sfida strukturore komplekse, të cilat do të përcaktojnë formën dhe përmbajtjen e një realiteti të ri brenda një të ardhmeje jo shumë të largët. Rritja e barrierave në tregtinë ndërkombëtare, plakja e popullsisë, emigrimi, frenimi i inovacionit, ngrohja globale, rritja e pabarazisë dhe tensionet në rritje sociale, janë probleme akute globale.

Në përgjigje të tyre, autoritetet publike duhet të angazhohen pa humbur kohë në reforma të koordinuara strukturore të cilat adresojnë – ndër të tjera – nxitjen e inovacionit dhe rialokimin e burimeve midis sektorëve të ekonomisë, tregtinë e lirë, qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe ruajtjen e konsensusit social.

Për më tej, një “normale e re” do të kërkojë një koordinim të kujdesshëm të politikave publike, në mënyrë që të arrihet një balancë optimale mes rritjes ekonomike dhe stabilitetit ekonomik, monetar e financiar.

Më lejoni ta shtjelloj disi më tej këtë çështje.

Kriza financiare globale dhe pandemia sollën në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm që ka politika fiskale si instrument i stabilizimit të ekonomisë dhe i zbutjes së krizave. Ky mësim pritet të mbetet relevant edhe në afatin e mesëm e të gjatë, duke i hapur rrugë një roli më aktiv të politikës fiskale në të ardhmen. Megjithatë, ai nuk duhet të anashkalojë në asnjë rast nevojën për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale. Në të kundërt, stabiliteti fiskal mbetet parakusht i rritjes afatgjatë dhe mundëson krijimin e hapësirave të nevojshme për amortizimin e goditjeve.

Në fushën e bankingut qendror, “normalja e re” do të vijojë të karakterizohet nga një kurbë Filipsi e sheshuar ku pagat, punësimi apo rritja ekonomike, do të vijojnë të kenë një lidhje të dobët me inflacionin. Sfidat në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve do të vijojnë të jenë të pranishme. Kjo dikton nevojën për përmirësimin e mekanizimit të transmetimit të politikës monetare dhe duke e bërë të nevojshëm eksplorimin e instrumenteve jo-konvencionale si alternativa të mundshme e të vlefshme për administrimin e goditjeve në të ardhmen.

Të gjitha këto sfida bëjnë të nevojshme rritje e fleksibilitetit të institucioneve publike, për t’i bërë ato më  të afta për të evoluar, për të përvetësuar ndryshimet rreth tyre, dhe për të nxitur inovacionin. Në këtë kontekst, ndihem krenar tek shikoj te Banka e Shqipërisë një institucion i cili ka qenë dhe mbetet në pararojë të ndryshimit.

  1. Banka e Shqipërisë si një institucion në zhvillim

Përgjatë gjithë historisë së tranzicionit, Banka e Shqipërisë ka treguar se është e aftë të ndryshojë e të përqafojë praktikat më të mira dhe më eficiente bashkëkohore.

Natyra dhe funksionet e institucionit u transformuan rrënjësisht në vitin 1992, periudhë kur nisi tranzicioni i ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie të tregut të lirë. Brenda një periudhe të shkurtër dhe në mungesë të një trashëgimie institucionale, Banka e Shqipërisë arriti të krijojë konturet e një politike monetare të pavarur, e cila merr jetë në prani të një kursi të lirë këmbimi, si dhe të rregullojë e të mbikëqyrë një sektor bankar privat. i cili funksionon mbi parimet e tregut.

Transformimi cilësor i Bankës së Shqipërisë drejt një bankë qendrore moderne mori një hov të mëtejshëm me adoptimin e ligjit të ri të Bankës së Shqipërisë në vitin 1997, i cili përcaktoi si objektiv kryesor “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”. Ky ligj sanksionoi pavarësinë vendimmarrëse, financiare dhe operacionale të bankës qendrore në përmbushje të objektivave të saj, duke e sjellë atë në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ndër të tjera, inkurajues është fakti se kjo pavarësi institucionale gëzon një konsensus të gjerë shoqëror.

Gjatë këtyre viteve tranzicion, politika jonë monetare ka bërë progres të dukshëm në drejtim të zhvillimit të kuadrit teorik, në drejtim të ndërtimit të plotësimit të njohurive tona me studime empirike, në drejtim të përsosjes së instrumenteve të zbatimit të saj, si dhe në drejtim të komunikimit transparent me publikun. Prej vitit 2015, ne kemi adoptuar në mënyrë formale regjimin e “inflacionit të shënjestruar”, si një regjim i cili ofron incentivat, disiplinën dhe fleksibilitetin e duhur, për maksimizimin mirëqenies afatgjatë shoqërore.

Paralelisht me zhvillimin e politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka ndërtuar ndër vite një kuadër rregullator bankingu modern dhe efikas, në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ne kemi zbatuar në kohë standardet rregullatore të Basel I, II dhe III. Më tej, ne kemi ndihmuar në krijimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe kuadrit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, dy elemente kyçë këto për stabilitetin sistemit financiar, po ashtu, në bashkëpunim me autoritetet e tjera publike, ne kemi punuar për zhvillimin e arkitekturës së plotë mbikëqyrëse e rregullatore të sistemit financiar, ku gjej me vend të përmend zhvillimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare dhe Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar.

Duke konsideruar këtë historik të pasur të zhvillimit dhe të evoluimit, Banka e Shqipërisë ka treguar se është një institucion që adaptohet dhe ndryshon me hapin e kohës. Paralelisht me këtë, për ne ka qenë gjithnjë i rëndësishëm evoluimi gradual, i mirë menduar e deri-diku konservator, në mënyrë që të adoptojmë eksperiencat më të mira ndërkombëtare që i rezistojnë kohës. Besoj se të dy këto tipare zhvillimi ofrojnë garancitë e duhura se ne do të dimë të përballemi me sfidat e “normales së re”.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të theksoj edhe njëherë kënaqësinë time që pata mundësinë të adresoj punimet e kësaj konference sot dhe të nënvizoj rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe të eksperiencave mes nesh mbi këtë temë kaq të rëndësishme.

Dëshiroj të mbyll fjalën time duke ju falënderuar për dhe një herë për ftesën!