BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën e 6-të të BQE-së për vendet e EQLJL: "EQLJL, sfidat e vjetra dhe të reja të politikave", Frankfurt, 10 qershor 2015

Data e publikimit: 12.06.2015

 

Tema e sesionit: Politikat mbikëqyrëse pas fillimit të Unionit Bankar - përvojat fillestare dhe parashikimi për ekonomitë e vendeve të EQLJL

Të nderuar pjesëmarrës!

Kam nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në këtë konferencë të rëndësishme së bashku me ekspertë të njohur të industrisë bankare dhe financiare. Dëshiroj ta nis duke falënderuar organizatorët për ftesën, si dhe të uroj Bankën Qendrore Evropiane për godinën e saj të re. Uroj të jetë po aq funksionale, sa ç’është edhe e bukur!

Duke ardhur nga industria bankare, kam ndjerë ndikimin që po shkakton ndryshimi i mjedisit ekonomik dhe financiar për shkak të krizës financiare globale, mbi veprimtarinë bankare. Nga emërimi im si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në fillim të vitit, kam vlerësuar me seriozitet sfidat që hasim për të ruajtur stabilitetin e sektorit tonë bankar dhe për të siguruar se ai është në gjendje të luajë rolin e tij në mbështetje të rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Në fjalën time sot, dëshiroj të ndaj me ju mënyrën se si ne (në Bankën e Shqipërisë) e shohim ndikimin e ndryshimeve në mjedisin financiar, duke përfshirë ato në superstrukturën e mbikëqyrjes, në sistemin financiar të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), si dhe në mënyrë më specifike në Shqipëri.


Më lejoni të filloj së pari me superstrukturën mbikëqyrëse dhe ndryshimet përkatëse në mjedisin financiar të periudhës së paskrizës.

Që nga fillimi i krizës financiare globale, në mjedisin financiar ka pasur ndryshime të rëndësishme. Këto ndryshime janë udhëhequr nga ndërthurja e:
1) tejkalimeve në periudhën para krizës;
2) masave ristrukturuese;
3) reformave rregullative financiare ndërkombëtare.

Tejkalimet e periudhës së parakrizës erdhën si pasojë e:

  • integrimit dhe inovacionit financiar në rritje;
  • mospërputhshmërisë midis faktorëve nxitës për sipërmarrjen e rrezikut dhe atyre për mbrojtjen ndaj tij;
  • dobësisë në monitorim dhe në mbikëqyrje (veçanërisht mungesës së monitorimit dhe vlerësimit të zhvillimit të rrezikut sistemik, si dhe të çështjeve të ndërveprimit ndërkufitar).

Të tilla tejkalime të periudhës së parakrizës çuan në rreziqe që vinin nga:

  • përqendrimi më i madh (dhe shpesh i fshehur) i ekspozimeve dhe ndërlidhjeve, veçanërisht në nivel ndërkufitar;
  • tejkalimi i ngarkesës me borxh (si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik);
  • rritja jo reale e çmimeve të aktiveve financiare dhe të atyre në sektorin real të ekonomisë.

Kështu, masat ristrukturuese ishin të nevojshme për të trajtuar rrezikun e qenësishëm në institucionet financiare, i cili vinte nga:

  • huamarrja e lartë;
  • cilësia në rënie e aktiveve;
  • vështirësitë në financim;
  • kapitalizimi i pamjaftueshëm;
  • fragmentizimi dhe konflikti i interesit në mbikëqyrje.

Të tilla masa u shoqëruan me ndërhyrjen publike në sistemin financiar (kryesisht në banka), duke rritur më tej lidhjen midis "bankave dhe borxhit të qeverive" dhe duke krijuar më shumë "rrezik moral". Në këtë pikë, për të trajtuar këto rreziqe, duhej ndërmarrë një reformë rregullative financiare në nivel ndërkombëtar. 

Nën drejtimin e G20, u hartuan reforma më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse, me kontributin e veçantë të Komitetit të Bazelit, Bordit të Stabilitetit Financiar, FMN/Grupit të Bankës Botërore, si dhe të shumë institucioneve apo organizmave të tjerë. Qëllimi i këtyre reformave ishte:

  • forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar;
  • shmangia e krizave të ngjashme në të ardhmen.


Në mënyrë më të detajuar, reforma të tilla përfshinin:

  • Përmirësimin e superstrukturës mbikëqyrëse të sistemit financiar, nëpërmjet:

<– krijimit të institucioneve me kompetenca makroprudenciale, për të monitoruar, vlerësuar dhe trajtuar rrezikun sistemik (në BE – BERRS, BQE; në SHBA - KMMF;  në MB – KPF; etj.);
– reduktimit të fragmentizimit dhe konflikteve të mundshme të interesit në mbikëqyrje, si dhe arritjes së konsistencës në mbikëqyrje: në veçanti në BE nëpërmjet "Unionit Bankar/Mekanizmit të Mbikëqyrjes së Unifikuar": BQE – ABE - BERRS; në MB - BA – ARRP - KPF;
– direktivave të reja për të siguruar ristrukturimin në kohë dhe efektiv të aktivitetit bankar (DRZB);
– hartimit dhe përdorimit më të mirë të instrumenteve për vlerësimin e qëndrueshmërisë së institucioneve financiare ndaj rrezikut, si ushtrimet e provës së rezistencës (në BE - ABE/BQE).

  • Përmirësimin e infrastrukturës së sistemit financiar, nëpërmjet:

– mbrojtjes më të mirë të veprimtarisë bankare bazë nga veprimtaritë e tjera, si "investime të veta (proprietary investment)", nëpërmjet rregullave dhe propozimeve të reja ( në SHBA – rregulli “Volcker”; në MB – propozimet e Komisionit “Vickers”; në BE – propozimet në raportin “Liikanen”);
– përmirësimit të klerimit dhe shlyerjes së transaksioneve të letrave me vlerë dhe rregullimit të raportimit financiar;
– përmirësimit të skemave të garancisë së depozitave.

  • Përmirësimin në banka, në përputhje me "Bazel III":

– të sasisë dhe cilësisë së kapitalit;
– të strukturës së financimit;
– të kërkesave dhe aftësisë së tyre për administrimin e rrezikut.

Për ta përmbledhur, një mjedis i ndryshuar financiar është trashëgimi e tejkalimeve të mëparshme financiare dhe e krizës pasuese; së fundmi e përcaktuar edhe nga reforma rregullative financiare ndërkombëtare, karakteristikat e tregjeve financiare vendore dhe nga madhësia e ndikimit të vetë krizës.

Në pjesën e dytë të fjalës sime dëshiroj të ndaj shkurtimisht disa mendime për ndikimet e mundshme mbi tregjet dhe ekonomitë në zhvillim, duke përfshirë ato të vendeve të EQLJL-së.  Këto ndikime përcaktohen nga:

(1) karakteristikat e sistemit financiar vendor dhe rreziqet e qenësishme;
(2) zhvillimet politike dhe makroekonomike;
(3) përqasja ndaj zbatimit të reformave.


Përsa i përket karakteristikave të sistemit financiar, krahasuar me ekonomitë e zhvilluara, në vendet e EQLJL-së, sistemi financiar karakterizohet nga:

– mbështetje më e lartë në financimin me pakicë (më afatgjatë) dhe në modelin e  biznesit "blej për të mbajtur";
– përdorim më i gjerë i monedhës së huaj në transaksionet me pakicë;
– sistem financiar më pak i ndërlikuar, nivel i mirë i kapitalizimit dhe përqasje më e thjeshtë ndaj administrimit të rrezikut;
– të shërbyerit si "vende pritëse" ndaj institucioneve financiare të huaja (zakonisht nga ekonomitë e zhvilluara të BE-së);
– mbështetje më e lartë në sistemin bankar për të financuar nevojat publike dhe private;
– kuadër rregullativ i sistemit financiar në zhvillim.

Përsa i përket zhvillimeve politike dhe makroekonomike, vendet e EQLJL-së në përgjithësi karakterizohen nga:

– përpjekje për të zhvilluar sistemin financiar dhe për të integruar më shumë ekonominë vendore në atë rajonale dhe botërore (në Evropë, këto përpjekje udhëhiqen nga procesi për integrimin evropian);
– zhvillime më të fuqishme makroekonomike, të cilat kanë përjetuar përmirësim në inflacion për shkak të politikës monetare më efektive, përdorimit më të mirë të burimeve ekonomike dhe administrimit më të mirë fiskal.


Megjithatë, përsa i përket përqasjes për zbatimin e reformave financiare ndërkombëtare, nisur edhe nga karakteristikat e tyre, vendet e EQLJL-së duhet të kenë parasysh se:

– të qëndruarit "jashtë" nuk është një opsion;
– integrimi më i paktë financiar nuk është një opsion;

dhe, nisur nga kompleksiteti i reformave, përgatitjet duhet të përparojnë me shpejtësi, ndonëse ritmi i ndryshimit duhet të peshohet me kujdes dhe të përcaktohen prioritetet, në përputhje me karakteristikat e tregut vendor.

Në këtë drejtim, mendoj se vendet e EQLJL-së mund të përjetojnë ndikim të stresit gjatë procesit të zbatimit të reformave, i cili mund të vijë më së shumti prej:

– uljes së levës financiare, e cila përkthehet në mbështetje më të ulët të bankave “mëmë” për likuiditet dhe kreditim të ekonomive vendase;
– ngjashmërisë së juridiksioneve ndërkombëtare në ciklet ekonomike dhe financiare;
– bashkëpunimit ndërkombëtar në mbikëqyrje;
– lëvizjeve të mundshme të kapitalit dhe ndikimit në kursin e këmbimit;
– procesit politik, pasi procesi i integrimit evropian është përcaktues për vendet e EJL-së.

Sidoqoftë, nuk është e mundur "t’iu qëndrosh larg" reformave për një kohë të gjatë, për shkak të procesit të pandalshëm të integrimit financiar dhe globalizimit. Kështu që, një fillim i hershëm i një përqasjeje me ritëm ndaj reformës rregullative financiare është e gjëja e duhur që duhet të ndërmerret. 


Në pjesën e fundit të fjalës sime, dëshiroj të ndalem mbi ndikimet në sektorin financiar dhe ekonominë e Shqipërisë si dhe rrugët e mundshme për të shmangur/zbutur efektet anësore negative.

Karakteristikat e sistemit tonë financiar janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera të EQLJL-së. Në fakt, në Shqipëri:

- sektori bankar dominon sistemin financiar;
- veprimtaria bankare është e përqendruar dhe kontrollohet nga bankat e huaja (87% të aktiveve);
- në total janë 16 banka, nga të cilat 4 më të mëdhatë zotërojnë 68% të totalit të aktiveve;
- vendet nga vijnë janë:  Austria (1 bankë), Greqia (3), Franca (2), Italia (2), Turqia (1), Bullgaria (1).
- bankat luajnë rolin kryesor në përmbushjen e nevojave financiare publike dhe private, dhe mbështeten fuqimisht në depozitat vendase për të financuar veprimtarinë e tyre.

Ndryshimet në superstrukturën mbikëqyrëse dhe detyrimi për të përmbushur kërkesat rregullative, kanë pasur ndikim të rëndësishëm në sektorin financiar dhe ekonominë e Shqipërisë. Më konkretisht:

Në sektorin financiar, kemi përjetuar:

– ulje të investimeve në aktive financiare vendase, veçanërisht e hasur në filialet e bankave me origjinë nga vendet e Evropës, të cilat përpiqen të përmbushin kërkesat që rrjedhin nga ushtrimet e provës së rezistencës të kryer nga ABE dhe BQE;
– preferencë në rritje nga institucionet financiare për të vendosur fondet vendore në investime të huaja (jashtë vendit).

Në ekonomi, një sjellje e tillë nga disa banka është materializuar në:

– ndërmjetësim më të ulët financiar si ndaj sektorit privat ashtu dhe ndaj atij publik;
– ndikim negativ ndaj rritjes ekonomike.

Megjithatë, stabiliteti i sistemit financiar dhe i kuadrit makroekonomik, është ruajtur dhe në këtë pikë dëshiroj të theksoj se ne mendojmë se mund të gjenden mënyra për të shmangur më tej apo për të zbutur çdo ndikim negativ anësor.  

Lidhur me uljen e ndërmjetësimit financiar, Banka e Shqipërisë ka ngritur shqetësimin për këtë fenomen drejtpërsëdrejti me partnerët e Bashkimit Evropian, por gjithashtu dhe nëpërmjet rolit të saj në Nismën e Vjena II. Ne kemi theksuar nevojën  e krijimit të mekanizmave efektivë për të rimëkëmbur një kreditim të shëndetshëm ndaj ekonomive të vendeve që nuk janë pjesë e BE-së, ku operojnë filialet e grupeve bankare të vendeve të BE-së.

Për të shkuar më tej, ne e konsiderojmë të rëndësishme të sigurojmë që politikat makroprudenciale të ndërmarra në Eurozonë dhe zgjidhjet e grupeve bankare që vijnë nga BE-ja, të marrin parasysh ndikimin në stabilitetin financiar të vendeve pritëse, ku veprojnë filialet e bankave të BE-së me rëndësi sistemike. Kjo mund të lidhet edhe me një shkëmbim efektiv të informacionit në kolegjet mbikëqyrëse, në përputhje me direktivat e reja të BE-së për rikuperimin dhe zgjidhjen e bankave, dhe në veçanti duke punuar për të hequr pengesat për vendet pritëse joanëtare të BE-së për të qenë më pranë forumeve evropiane dhe të kenë mundësinë të marrin pjesë dhe të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre.

Pavarësisht disa anëve të jashtme negative, të cilat mund të jenë të përkohshme, në Bankën e Shqipërisë besojmë se Unioni Bankar, Mekanizmi Mbikëqyrës i Unifikuar brenda tij dhe roli i ri i siguruar nga BQE-ja, do të shërbejnë njëkohësisht për të përmirësuar edhe mbikëqyrjen e sektorit bankar në vendin tonë. Ky përmirësim do të vijë jo vetëm nga një përqasje më konsistente me praktikat mbikëqyrëse, por gjithashtu nga përmirësimi i kuadrit të bashkëpunimit midis mbikëqyrësve vendas dhe të huaj. Në këtë këndvështrim, në Bankën e Shqipërisë, jemi të gatshëm dhe shpresojmë se mund të krijojmë një lidhje bashkëpunimi edhe më të fortë me BQE-në.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Akronime:
EQLJL – Vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore
BERRS – Bordi Evropian i Rrezikut Sistemik (BE)
KMMF – Këshilli i Monitorimit të Mbikëqyrjes Financiare (SHBA)
BQE – Banka Qendrore Evropiane
ABE – Autoriteti Bankar Evropian
BSF – Bordi për Stabilitetin Financiar
ARRP – Autoriteti për Rregullimin Prudencial (MB)
KPF – Komiteti për Politikën Financiare
DRZB – Direktiva për Rimëkëmbjen dhe Zgjidhjen e Bankave (BE)