BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 20 dhjetor 2023

Data e publikimit: 20.12.2023

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 20 dhjetor 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e katërt.

498-2091

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet tona. Aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa inflacioni erdhi në rënie në tremujorin e katërt. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka ndihmuar në zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste dhe në funksionimin normal të tregjeve të parasë.

Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive: vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.

498-1868

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se trajektorja e kushteve monetare mbetet në linjë me kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor prej disa tremujorësh. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.

[ Në vijim, do të sqaroj më në detaje vendimin e sotëm dhe arsyet që e motivuan. ]

***

Inflacioni i çmimeve të konsumit zbriti rreth nivelit 3.9% gjatë dy muajve të parë të tremujorit të katërt. Rënia e inflacionit u diktua nga inflacioni më i ulët i artikujve ushqimorë, i shërbimeve dhe i mallrave të konsumit afatgjatë. Nga ana tjetër, shërbimet e strehimit dhe mallrat e konsumit joushqimor, e në veçanti të karburantit, shënuan norma më të larta inflacioni.

498-1830

Në kontekstin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi reduktimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Megjithatë, këto presione mbeten relativisht të larta dhe – ndonëse në ngadalësim – nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të inflacionit. Ato diktohen nga kërkesa e lartë dhe e qëndrueshme për mallra e shërbime, e cila ka sjellë një rritje të shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit dhe mban të larta marzhet e fitimit. Nga ana tjetër, inflacioni i importuar ka qenë relativisht i ulët dhe i qëndrueshëm. Reduktimi i shpejtë i këtyre presioneve gjatë vitit 2023 ka pasqyruar si ecurinë e çmimeve në tregjet botërore, ashtu edhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.

498-1849

Ndonëse jo i plotë, informacioni i disponuar sugjeron një ecuri të mirë të aktivitetit ekonomik në gjysmën e dytë të vitit. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke pasqyruar më së shumti trendin pozitiv të sektorit të shërbimeve, të udhëhequr nga turizmi. Ky sektor shënoi të ardhura prej 3.2 miliardë eurosh gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, në rritje me 47% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Për herë të parë në historinë tonë si ekonomi e bazuar në parimet e tregut të lirë, Shqipëria regjistroi një bilanc pozitiv të llogarisë tregtare dhe të llogarisë korrente, të vlerësuar rreth nivelit 6.4% të PBB-së në tremujorin e tretë.

498-2131

Nga këndvështrimi i kërkesës, zgjerimi i aktivitetit ekonomik është diktuar më së shumti nga rritja e konsumit familjar, e investimeve private dhe rritja e eksportit të shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ka vijuar të ketë një kah konsolidues.

Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në vijimin e trendit rritës të punësimit e të pagave dhe në rënien e mëtejshme të normës së papunësisë. Më konkretisht, në tremujorin e tretë, punësimi shënoi një rritje vjetore prej 1.2%, pagat në sektorin privat u rritën me 14.5%, ndërsa norma e papunësisë ra në minimumin historik prej 10.5%. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të ushqejë rritjen e konsumit në ekonomi, por mungesat e pranishme në tregun e punës dhe zgjerimi i shpejtë i pagave mban ende të larta presionet e brendshme inflacioniste.

Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare është transmetuar në tregjet financiare, duke sjellë një rritje të përgjithshme të normave të interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave me vlerë të qeverisë. Megjithatë, edhe pse në rritje, kushtet e përgjithshme monetare e financiare mbeten ende stimuluese për rritjen ekonomike. Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat ka përshpejtuar ritmin e rritjes në tremujorin e katërt, duke shënuar vlerën 8% në muajin nëntor. Rritja e kredisë është mbështetur nga zgjerimi i shpejtë i kredisë në lekë, kredi e cila ka financuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private. Paralelisht me të, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit bankar paraqiten në gjendje të mirë, cilësia e portofolit të kredive mbetet e shëndetshme, ndërsa sektori bankar vijon të ketë një qasje pozitive ndaj kreditimit.

Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur një trend të qartë forcues gjatë vitit 2023. Kjo ecuri ka pasqyruar përmirësimin e dukshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, çka ka gjeneruar një tepricë valute në tregun e brendshëm. Ky përmirësim rezultoi edhe më i shpejtë në tremujorin e tretë, si pasojë e rritjes me 34% të eksporteve totale, e rritjes me 14% të remitancave dhe e rritjes me 10% të investimeve të huaja direkte, duke rezultuar në një tepricë të ndjeshme pozitive të bilancit korrent dhe të bilancit të përgjithshëm të pagesave.

Forcimi i kursit të këmbimit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste gjatë vitit 2022 dhe në trendin rënës të këtij treguesi gjatë vitit 2023.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona të mëparshme. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë në vitin 2024 dhe t’i rikthehet potencialit të saj në vitet në vijim. Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të tij. Ky reduktim do të pasqyrojë si një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe të ofertës në ekonominë vendase, ashtu edhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se ky vendim është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve. Në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.


***


Të nderuar përfaqësues të medias,

Në mbyllje të këtij komunikimi, i cili është dhe i fundit për këtë vit, dëshiroj që – në respekt të traditës – të bëj dhe një pasqyrë të shkurtër të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit që lamë pas dhe rezultateve të saj.

Në fillim, më lejoni të ritheksoj se – pavarësisht sfidave me të cilat jemi përballur – viti 2023 ishte një vit pozitiv për ekonominë tonë. Në këtë histori progresi, një kontribut jo të pakët ka dhënë edhe Banka e Shqipërisë. Në përputhje me objektivat tanë ligjorë, ne kemi vijuar të punojmë për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, për zhvillimin e tregjeve financiare dhe të instrumenteve të pagesave, për edukimin financiar të publikut, për administrimin e parasë fizike në qarkullim dhe të rezervës valutore të vendit, etj.

I gjithë ky aktivitet ka qenë në përputhje me mandatin tonë ligjor, strategjinë tonë afatmesme të zhvillimit, si dhe angazhimet e tjera institucionale. Në nivel politik, ai është drejtuar e monitoruar në vazhdimësi nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ndërsa në nivel operacional ai është vënë në zbatim nga stafi i përkushtuar i Bankës së Shqipërisë.

Në vijim, do të rendis disa prej drejtimeve kryesore të punës sonë.

Së pari, ne kemi vijuar ciklin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023, duke e rritur normën bazë të interesit nga 2.75% në fillim të vitit, në nivelin 3.25% në fund të tij. Ky aksion i politikës sonë monetare ishte në harmoni me atë të gjithë bankave të tjera qendrore dhe ka qenë dhe mbetet i ankoruar në tre parime të rëndësishme. Së pari, ky normalizim synon kthimin e inflacionit në objektiv, në një kohë sa më të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulët për ekonominë shqiptare. Së dyti, ai ka qenë vazhdimisht i koordinuar me politikën fiskale dhe ecurinë e faktorëve relevantë që ndikojnë në inflacion, ku spikatin dinamikat e kursit të këmbimit. Së treti, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka qenë dhe mbetet një proces i udhëhequr nga informacioni i ri. Ndonëse ne i kemi ofruar në mënyrë të vazhdueshme ekonomisë dhe tregjeve financiare orientime mbi kahun e pritur të politikës monetare, këto orientime nuk kanë kushtëzuar dhe nuk do të kushtëzojnë vendimet tona në kohë reale.

Së dyti, puna jonë është fokusuar në ruajtjen e një sistemi financiar të shëndoshë, fleksibël dhe efikas, nëpërmjet përmirësimit dhe plotësimit të kuadrit tonë ligjor e rregullator, duke e përafruar atë me acquis t BE-së, nëpërmjet ruajtjes së praktikave të kujdesshme të mbikëqyrjes së veprimtarisë bankare, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit intensiv me autoritetet homologe. Këtë vit, u miratua vendimi për daljen e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar (lista gri), duke krijuar mundësinë e ekuivalentimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator të mbikëqyrës bankare me atë të Autoritetit të Bankingut Evropian. Paralelisht me sa më sipër, Banka e Shqipërisë ka mbështetur sektorin bankar në hartimin e politikave të përshtatshme për financimin e kërkesës për rritjen e kapitalit (MREL). Në tërësi, sektori bankar ka ruajtur parametra të kënaqshëm të plotësimit të kësaj kërkese.

Në pasqyrim të zhvillimeve ekonomike, praktikave solide të menaxhimit të biznesit, si dhe të punës sonë mbikëqyrëse e rregullatore, bankat shqiptare gëzojnë rezerva të mira kapitali, likuiditeti dhe norma të ulëta të kredive me probleme. Kjo e fundit vijon të qëndrojë në nivelet më të ulëta historike, prej rreth 5% në muajin nëntor. Po ashtu, testet tona të rezistencës tregojnë se sistemi bankar është, në tërësi, rezistent ndaj goditjeve edhe më ekstreme, dhe i aftë të mbështesë ekonominë.

Së treti, Banka e Shqipërisë ka pasur një vëmendje të posaçme për sigurinë kibernetike, duke ndërmarrë një sërë iniciativash në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë së infrastrukturës dhe sistemeve informatike, përsosjes së planeve të vazhdimësisë së biznesit, si dhe rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike. Në këtë kontekst, në koordinim edhe me autoritetet vendase dhe ndërkombëtare, ne kemi bashkërenduar punën për rritjen e komunikimit me industrinë bankare në lidhje me shpërndarjen në kohë reale mes bankave të Indikatorëve Kompromentues dhe kërcënimeve nga aktorë të ndryshëm. Kjo ka shërbyer për një shpërndarje simetrike të informacionit dhe një qasje sa më unike në drejtim të masave dhe reagimit të bankave.

Së katërti, ne kemi ofruar sisteme moderne dhe eficiente për kryerjen e pagesave dhe kemi plotësuar kërkesat e ekonomisë për para fizike, duke forcuar besimin në sistemin tonë monetar e financiar. Viti 2023 përkon me finalizimin e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023). Në këtë kuadër, arritje janë shënuar në drejtim të realizimit të masave të fundit të mbetura në planin e veprimit, të cilat lidhen me miratimin dhe zbatimin e ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Ky ligj tashmë është një realitet dhe pritet të ndikojë në zgjerimin e mëtejshëm të përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike. Në këtë kuadër, përfshirja financiare e  popullatës madhore është rritur me ritme të kënaqshme, duke arritur pothuajse 70% dhe pagesat për frymë të popullsisë madhore rezultuan 20 për vitin 2023, nga 17 një vit më parë.

Masat e marra në kuadër të modernizimit të sistemeve të pagesave kanë pasur një impakt real në ekonomi. Kështu, bazuar në statistikat e disponueshme, transaksionet ndërbankare në euro për klientë brenda vendit janë rritur rreth 42% në 11 muajt e parë të vitit 2023 dhe, sipas vlerësimeve të përafërta, i janë kursyer ekonomisë shqiptare të paktën rreth 22 milionë euro. Nga ana tjetër, puna e iniciuar nga Banka e Shqipërisë për anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA (Single Euro Payment Area), në kuadër të projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor” dhe e promovuar më tej tek Plani i ri i rritjes së Ballkanit Perëndimor, vlerësohet të sjellë një sërë përfitimesh për një gamë sektorësh strategjikë të ekonomisë shqiptare, siç janë eksportet, turizmi, investimet e huaja. Për më tej, gjatë këtij viti është punuar edhe në kuadër të zhvillimeve të tjera infrastrukturore siç është përditësimi i sistemeve të pagesave dhe mundësia e krijimit të sistemit “instant payment”.

Së pesti, ne kemi vijuar punën për administrimin efikas të rezervës valutore të Shqipërisë, duke respektuar kriteret më të mira në fushën e likuiditetit dhe të sigurisë. Viti 2023 shënoi një nga vitet me kthimin më të lartë nga administrimi i rezervës valutore. Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë në mënyrë që – në një kohë sa më të shkurtër dhe në bashkëpunim me partnerët tanë të brendshëm dhe të jashtëm – të zhvillojmë më tej tregjet monetare e financiare në vend.

Së gjashti, ne kemi vijuar të jemi pararojë institucionale në procesin e integrimit evropian, si dhe kemi forcuar më tej dialogun me partnerët vendas dhe të huaj. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në procesin “screening” të legjislacionit në fuqi, të përputhshmërisë së tij me acquis communitaire të Bashkimin Evropian, dhe në identifikimin e nevojave të mëtejshme në funksion të nisjes së procesit negociues për anëtarësimin e Shqipërisë. Për këtë aspiratë madhore dhe proces historik, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë me përgjegjshmëri dhe pareshtur edhe në të ardhmen.

Sipas Raport Progresit të fundit të Komisionit Evropian, Banka e Shqipërisë vlerësohet si një institucion i pavarur financiarisht dhe operacionalisht, me instrumente, kompetencë dhe kapacitete të mjaftueshme administrative për të hartuar e zbatuar një politikë monetare efikase.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë është përzgjedhur për t'iu bashkuar Bordit Këshillimor të Aksesit Financiar të FMN-së, rezultat i angazhimit tonë aktiv në iniciativat e orientuara drejt nxitjes së përfshirjes financiare. Për më tepër, në përgjigje të rëndësisë në rritje të financave të gjelbra, përpjekjet tona strategjike në këtë fushë janë evidente përmes hartimit të Strategjisë së Financave të Gjelbërta dhe punës për ndërtimin e Greendashboard, si dhe jemi në hapat përfundimtarë të miratimit të Strategjisë së Edukimit Financiar.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka punuar dhe shënuar progres në të gjitha sferat e tjera të aktivitetit të saj: statistikat financiare, komunikimin me publikun dhe aktorët ekonomikë e shoqërorë, edukimin financiar, kërkimin shkencor, etj.

Në mbyllje, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar të përmbushë në kohë e me cilësi misionin e saj: krijimin e një sistemi monetar e financiar sa më të shëndoshë dhe efikas, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë!