BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 3 maj 2023

Data e publikimit: 03.05.2023

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 3 maj 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, në përgjithësi, më i mirë se pritjet tona. Inflacioni vazhdoi trendin rënës gjatë tremujorit të parë, i ndikuar nga rënia e përgjithshme e inflacionit në ambientin botëror, efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë dhe nga efektet e para të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Në të njëjtën kohë, aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme dhe – bashkë me të – edhe punësimi e pagat në sektorin privat.

 DSC8960 498

Parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë rënien graduale gjatë këtij viti dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Gjithashtu, këto parashikime sugjerojnë se rritja ekonomike e vendit do të mbetet në territor pozitiv, e mbështetur nga bilancet solide të sektorit privat, perspektiva pozitive e tregut të punës, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe kushtet ende akomoduese të financimit.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare. Megjithatë, Këshilli konstatoi se presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta dhe përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve mund të kërkojë një normalizim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.

***

Inflacioni zbriti në një nivel mesatar prej 6.5% në tremujorin e parë të vitit 2023, nga niveli 7.9% i regjistruar një tremujor më parë. Rënia e tij ishte veçanërisht e shpejtë në muajin mars, kur ky tregues shënoi nivelin 5.3%. Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të naftës, në përputhje dhe me ecurinë e tyre në tregjet globale, si dhe efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë. Ndërkohë, rritja e çmimeve të shërbimeve dhe artikujve të tjerë të shportës vijon të jetë me bazë të gjerë dhe me norma relativisht të pandryshuara nga muajt e kaluar.

 DSC8827 498

Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi më së shumti rënien e inflacionit të importuar, e diktuar si nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë ashtu edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijuan të jenë të larta, në pasqyrim të kërkesës relativisht të lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës.

Ekonomia shqiptare vijoi të rritet me ritme relativisht të shpejta gjatë vitit të shkuar. Edhe pse nën efektin e goditjes, prodhimi i brendshëm bruto shënoi një rritje vjetore prej 4.7% në tremujorin e katërt të vitit 2022 dhe prej 4.8% gjatë gjithë vitit. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në sektorët e ndërtimit, të industrisë dhe të shërbimeve, sektorë të cilët përfituan nga rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e të ardhurave nga turizmi. Në aspektin e kërkesës, rritja ekonomike ka vazhduar të ushqehet nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që rritja e importeve dhe konsolidimi fiskal vazhdojnë të kenë një ndikim frenues. Të dhënat indirekte sugjerojnë vijimin e këtyre trendeve edhe gjatë tremujorit të parë të vitit aktual.

Zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë përmirësime në thuajse të gjitha dimensionet e tregut të punës. Kështu, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës dhe punësimi u rritën, norma e papunësisë ra në nivele minimale historike prej 10.8%, dhe pagat në sektorin privat u rritën me 14.2% gjatë tremujorit të katërt të vitit të shkuar. Rritja e pagave dhe e punësimit ka zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve në buxhetet e familjeve. Perspektiva e tregut të punës mbetet pozitive, ndërsa vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për fuqi punëtore dhe vullnet për rritjen e pagave në vijim.

Rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por ato krijojnë gjithashtu një mjedis të favorshëm për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste. Inflacioni i lartë dhe mbi objektivin e bankës qendrore është i dëmshëm për familjet dhe bizneset, pasi gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave të tyre dhe vështirëson planifikimin e konsumit dhe investimeve në të ardhmen.

Në përgjigje të inflacionit të lartë, Banka e Shqipërisë ka reduktuar gradualisht intensitetin e stimulit monetar duke lëvizur drejt normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Prej fillimit të vitit të shkuar, norma bazë e interesit është rritur nga niveli minimal 0.5% në nivelin 3.00% në muajin mars 2023.

Ky normalizim po përcillet në tregjet e brendshme financiare. Këto të fundit kanë operuar të qeta dhe janë karakterizuar nga gjendje e mirë likuiditeti dhe prime të përmbajtura rreziku. Normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje, ndërsa kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka vijuar tendencat forcuese, në përgjigje të përmirësimeve të vazhdueshme të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe të rritjes së interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare.

Megjithatë, edhe pse drejt shtrëngimit, kushtet e financimit mbeten ende stimuluese për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Në përgjigje të tyre, kredia vijon të shfaqë flukse mujore pozitive, ndonëse ritmi i rritjes ka ardhur në ngadalësim. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë ka mbetur e kënaqshme, sikurse ilustrohet nga nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme. Shëndeti financiar i sektorit bankar sugjeron se ky sektor do të jetë i aftë të vazhdojë t’i përgjigjet kërkesave të ekonomisë për fonde.

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, dhe se inflacioni do të shënojë rënie graduale dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të tij në tregjet globale dhe normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në vend. Ky normalizim do të krijojë një balancë më të mirë midis kërkesës dhe ofertës, do të mbështesë stabilitetin e tregjeve financiare, si dhe do të ndihmojë në kontrollin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin.

Rritja ekonomike e vendit pritet të vijojë të jetë në territor pozitiv. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet niveleve historike në afatin e mesëm e të gjatë. Ky parashikim faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.

 

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend.

Këshilli do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit, përfshi edhe normalizimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.

Në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasoja të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar.