BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në mbledhjen e Konstituencës për vitin 2024

Data e publikimit: 16.02.2024

 

I nderuar Zoti Kryeministër,

Të nderuar Ministra të Financave dhe kolegë Guvernatorë,

Më lejoni, në radhë të parë, t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim të përvitshëm të Konstituencës sonë të përbashkët në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, takim i cili zhvillohet në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë.

 DSC5856 498

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se është kënaqësi e veçantë për ne – flas këtu edhe në emër të Ministrit të Financave të Shqipërisë – të kemi mundësinë të përshëndesim hapjen e punimeve të këtij eventi, nën petkun e vendit mikpritës.

 DSC5829 498

Të nderuar pjesëmarrës,

Realiteti ekonomik i viteve të fundit ka qenë sfidues. Pandemia e viteve 2020-2021 dhe pasojat ekonomike të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës kanë qenë mjaft serioze. Megjithatë, besoj se shpreh një opinion të përbashkët kur theksoj se rezistenca e ekonomive dhe shoqërive tona ndaj tyre ka qenë e admirueshme. Në veçanti, përballë një konteksti global të karakterizuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, e pasigurisë dhe e kostove të financimit, ne kemi arritur të sigurojmë ritme pozitive të rritjes ekonomike, të punësimit e të pagave, kemi bërë progres në drejtim të reduktimit të inflacionit, si dhe kemi ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar të ekonomive tona.

 DSC6075 498

Pjesë e kësaj narrative inkurajuese është edhe Shqipëria. Viti 2023 u mbyll me një rritje ekonomike rreth nivelit 3.5%, me një normë papunësie në minimumet e veta historike, si dhe me një borxh të huaj, borxh publik dhe tregues të kredive me probleme, poshtë niveleve që kishin përpara goditjeve. Në veçanti, inflacioni u përgjysmua gjatë vitit të shkuar, duke zbritur në nivelin 4%, ndërsa treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten pozitivë. Një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë. Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente. Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi.

Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në këtë histori suksesi. Ne kemi adresuar në kohë rritjen e inflacionit, duke nisur rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare. Në koherencë të plotë me të, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit.

 DSC5839 498

Perspektiva e Shqipërisë mbetet pozitive. Megjithatë, eksperienca e viteve të fundit na ka mësuar se goditjet e sfidat, sado të largëta të duken, nuk do të mungojnë as në të ardhmen. Në këtë pikë, më lejoni ta zgjeroj disi optikën e diskutimit. Prej kohësh tashmë, rritja e ulët e produktivitetit, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore, po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive të Konstituencës sonë. Po ashtu, fragmentimi gjeopolitik dhe efektet e ndryshimeve klimatike, po shndërrohen në sfida të së tashmes.

 DSC6312 498

Por, çfarë nënkuptojnë këto sfida për ne si politikëbërës? Përgjigjja është sa e drejtpërdrejtë aq edhe komplekse: ne duhet të sigurojmë stabilitet ekonomik e financiar, të krijojmë ekonomi më eficiente, novatore e gjithëpërfshirëse, si dhe të investojmë në revolucionin e gjelbër dhe atë digjital. Më lejoni të jem disi më konkret.

  • Së pari, si banka qendrore, ne duhet të çojmë deri në fund luftën kundër inflacionit. Trendi rënës i tij është lajm i mirë, por një inflacion në rënie nuk është një inflacion në objektiv. Prandaj, bankat qendrore duhet të vijojnë të fokusohen në marrjen e masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, si parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomive dhe të mirëqenies së qytetarëve.
  • Së dyti, ne duhet të këmbëngulim për të rindërtuar në kohë hapësirat fiskale, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme.Së treti, politikat financiare duhet të vazhdojnë të kenë një fokus të dyfishtë: nga njëra anë, incentivimin e progresit financiar në funksion të rritjes së eficiencës dhe, nga ana tjetër, trajtimin e hershëm të rreziqeve ndaj stabilitetit financiar, nëpërmjet një rregullimi e mbikëqyrjeje të kujdesshme. 
  • Së fundi, politikat strukturore duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt nxitjes së rritjes të qëndrueshme. Në kontekstin botëror dhe evropian, përballë një realiteti kompleks gjeopolitik, ne duhet të punojmë për të ruajtur – për aq sa është e mundur – integrimin ekonomik dhe tregjet e lira të produkteve, të punës e të kapitalit, si një proces i cili ka sjellë progres të dukshëm për të gjithë aktorët e përfshirë. Paralelisht me to, reformat e brendshme strukturore duhet të fokusohen në përkrahjen ndaj inovacionit, në trajnimin dhe rikualifikimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore, si dhe në stimulimin e tranzicionit të gjelbër dhe të revolucionit teknologjik. Ndërkohë, vendet në zhvillim si Shqipëria, duhet të fokusohen në mbylljen e boshllëqeve të investimeve në infrastrukturë dhe në krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe atyre të huaja.

 DSC6284 498

 

Të nderuar Ministra të Financave dhe kolegë Guvernatorë,

Në mbyllje të kësaj fjale përshëndetëse, dëshiroj t’ju falënderoj edhe një herë për pjesëmarrjen, si dhe të shpreh bindjen time se ky forum diskutimi do të na ndihmojë të ideojmë përqasje më eficiente dhe të koordinuara për zhvillimin e vendeve tona.