BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në prezantimin e z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë

Data e publikimit: 18.09.2018

 

I nderuar zoti Pagano,

Të nderuar miq, kolegë, dhe përfaqësues të medias,

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen!

Është kënaqësi për mua të lançoj prezantimin e sotëm, të titulluar “Ngadalësimi i produktivitetit dhe hipoteza e stanjacionit shekullor”. Produktiviteti dhe roli i tij në rritjen ekonomike është një temë diskutimi të cilën kriza e fundit botërore e solli me forcë në vëmendjen e studiuesve dhe vendimmarrësve të ekonomisë.

 DSC9974-2 - 498

Kohëzgjatja, intensiteti dhe kompleksiteti i kësaj krize ishin të paprecedentë në dekadat e fundit. Ekonomia botërore pësoi episodin më të gjatë dhe më të thellë të ngadalësimit e rënies ekonomike që pas Depresionit të Madh të viteve ’30. Kjo ishte padyshim një dramë e madhe ekonomike, në nivel ekonomish kombëtare por edhe në nivel biznesesh e familjesh individuale. Megjithatë, kriza shërbeu dhe si katalizator i rivlerësimit të ideve ekonomike dhe laborator i madh i testimit të tyre.

Literatura ekonomike ka një gamë të gjerë studimesh që trajtojnë në mënyrë të detajuar sfidat me të cilat u përballën ekonomitë e ndryshme. Kësaj morie i është shtuar së fundmi dhe një publikim, i titulluar “Makroekonomiksi Ndërkombëtar në sfondin e Krizës Financiare Botërore”. Ai përmbledh studime të ekonomistëve të Bankës së Francës, Bankës së Italisë dhe Bankës së Spanjës, të fokusuara në temat kryesore të diskutimit për periudhën e paskrizës.

Nëpërmjet hulumtimit sistematik të:

  • problemeve strukturore të ekonomisë, dhe më konkretisht të ndërlidhjes midis progresit teknologjik, produktivitetit, globalizimit dhe rritjes potenciale;
  • problemeve që hasi tregtia botërore dhe nxitja e konsumit dhe e investimeve;
  • problemeve me të cilat u përball dhe vijon të përballet politika monetare, si pasojë e rritjes së pasigurisë, rënies së normës natyrore të interesit, dhe inflacionit kronikisht të ulët; si dhe,
  • ndërvarësisë në rritje të ekonomive botërore, si pasojë e integrimit financiar dhe e rolit që kanë flukset financiare dhe normat e interesit në ekonomitë e vogla dhe në zhvillim,

autorët ofrojnë një kontribut të çmueshëm në debatin profesional që ekziston në këtë fushë.

Sot jemi me fat të kemi mes nesh një prej autorëve të këtij publikimi, zotin Patrizio Pagano. Zoti Pagano vjen në këtë eveniment në një cilësi të dyfishtë. Së pari, si Drejtor Ekzekutiv në Bankën Botërore për Shqipërinë, Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Së dyti, si një akademik me një histori të gjatë publikimesh shkencore gjatë periudhës së punës si Drejtor i Divizionit të Ekonomive të Avancuara dhe Financës Ndërkombëtare në Bankën e Italisë, si dhe gjatë bashkëpunimit me institucione prestigjioze të dijes, si: Universiteti Bocconi në Itali dhe Universiteti Berkli i Kalifornisë.

Sikundër e theksova dhe më parë, tema e tij e prezantimit do të jetë mbi rolin që ka produktiviteti në rritjen ekonomike, dhe në veçanti mbi debatin që ka ngjallur së fundmi hipoteza se ekonomitë e zhvilluara janë të destinuara për një periudhë të gjatë, e pse jo dhe dekadash, rritjeje të ngadaltë ekonomike dhe frenimi të përmirësimit të mirëqenies.

Pa dashur të paraprij gjetjet e prezantimit, më duhet të theksoj se ndihem i inkurajuar nga konkluzioni i studimit se kjo hipotezë ka të ngjarë të mos jetë e vërtetë.

Produktiviteti dhe roli i tij në rritjen ekonomike ka qenë dhe është një temë e cila ka patur vëmendje të madhe në Bankën e Shqipërisë. Studimet tona sugjerojnë se, përtej rënies ciklike të kërkesës agregate, ngadalësimi ekonomik në Shqipëri në periudhën pas krizës, ka patur dhe një element të fortë strukturor. Me fjalë të tjera, përgjysmimi i ritmit të rritjes në periudhën para dhe pas krizës, pasqyron si ngadalësimin e zgjerimit të kërkesës për mallra dhe shërbime, ashtu dhe ngadalësimin e kapacitetit të ekonominë për të ofruar këto produkte. Në veçanti, studimet tona kanë gjetur se shkalla e zgjerimit të produktivitetit në ekonominë shqiptare – i përcaktuar gjerësisht si aftësia e ekonomisë për të shfrytëzuar punën dhe kapitalin fizik për gjenerimin e prodhimit – është përgjysmuar në këtë periudhë, nga 2% në 1%. Për këtë arsye, rritja e produktivitetit ka qenë dhe duhet të mbetet një udhërrëfyes për axhendën e reformave strukturore në vend.

Në këtë kontekst, konkluzioni i prezantimit të sotëm, se normat e ulëta aktuale të rritjes së produktivitetit në rang botëror nuk përfaqësojnë detyrimisht një “normale” të re të ekonomisë, është një inkurajim më tej për suksesin e reformave në Shqipëri.

Më lejoni ta shtjelloj më tej këtë argument.

Së pari, ekonomia shqiptare ka qenë dhe është në një proces ristrukturimi të modelit të saj të rritjes. Ndër të tjera, ky proces parashikon një mbështetje më të madhe të rritjes në sektorët e orientuar drejt eksportit – si industria dhe turizmi, si dhe një orientim më të madh të resurseve financiare drejt zgjerimit të investimeve. Zhvendosja e burimeve financiare, njerëzore dhe manaxheriale, midis sektorëve të ekonomisë, kërkon kohë dhe shoqërohet me ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit. Megjithatë, ribalancimi i burimeve të rritjes, nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit, është një proces i cili tashmë ka nisur. Kjo zhvendosje graduale vihet re dhe në ribalancimin simetrik të portofolit të kredisë bankare.

Së dyti, niveli dhe shpejtësia e zgjerimit të produktivitetit ka një lidhje të drejtë me shkallën e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore. Reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet  e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë. Megjithatë, Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, në veçanti drejt frenimin të emigrimit të fuqisë së kualifikuar punëtore dhe të rifreskimit të aftësive të fuqisë së saj punëtore nga sektori privat.

Së treti, produktiviteti është i lidhur ngushtë me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit. Fushata për rritjen e formalizimit, rritja graduale e konkurrencës, si dhe ri-shikimi i ligjit për falimentin, do të krijojnë stimujt e duhur në këtë drejtim. Në veçanti, jam i bindur se përmirësimet ligjore e nënligjore të bëra në drejtim të respektimit të kontratës së kredisë bankare, do të ndihmojnë jo thjesht e vetëm shëndetin e bankave, por do të stimulojnë dhe rritjen e disiplinës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve nga bizneset shqiptare.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se, në ndryshim nga ekonomitë e zhvilluara, të cilat ndodhen në kufirin teknologjik dhe të cilat, për këtë arsye, e shohin progresin të lidhur me aftësinë e tyre për inovacion, Shqipëria ka hapësira të mëdha zhvillimi nëpërmjet adoptimit të teknologjive e praktikave ekzistuese. Në këtë prizëm, detyra jonë mbetet të zgjedhim dhe të zbatojmë modelet e provuara të zhvillimit.

Duke u bazuar në sa më sipër, jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha premisat për rritjen e produktivitetit dhe, në këtë mënyrë, për përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike dhe rritjen e mirëqenies. Ajo që duhet tashmë, është një konsensus mbi vizionin e zhvillimit të vendit dhe një vullnet i gjithanshëm i zbatimit të tij.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam i bindur se prezantimi në vijim do të pasurojë më tej debatin tonë mbi këto çështje.

Pa humbur kohë, dëshiroj t’ia le tani fjalën zotit Pagano!

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu