BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin përmbyllës të vitit, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Data e publikimit: 16.12.2021

 

I nderuar zoti Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar drejtues dhe kolegë të sistemit bankar në Shqipëri,

Të nderuar zonja e zotërinj!

Është një kënaqësi të rikthehem bashkë me ju në takimin tradicional të fund vitit, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, veçanërisht pas dy viteve shkëputjeje, për shkak të masave të marra në kuadër të pandemisë. Rikthimi dhe pjesëmarrja në këtë aktivitet merr rendësi të veçantë për të ndarë së bashku përvojat, momentet kyçe, sfidat, dhe pse jo, edhe arritjet tona gjatë dy viteve të fundit, vite të cilat na vunë para një situate të paprecedentë.

 DSC3014 498

Më lejoni të ndalem fillimisht në ecurinë e përgjithshme ekonomike të vendit në vitin 2021. 

Ekonomia shqiptare ka treguar një rimëkëmbje të dukshme gjatë vitit 2021, duke tejkaluar pritshmëritë tona fillestare. Ritmi i vazhduar pozitiv i rritjes ekonomike është i fortë, me bazë të gjerë dhe i prekshëm. Prodhimi i brendshëm bruto tashmë ka arritur nivelin e para-krizës; punësimi po rimëkëmbet; bilancet financiarë janë rritur; ndërsa treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar janë përmirësuar.

Në këtë drejtim, më lejoni të theksoj se burimet e rritjes ekonomike i janë rikthyer tendencës së tyre rritëse dhe asaj të diversifikimit të duhur. Nga ana e kërkesës agregate, rigjallërimi i rritjes ekonomike u mbështet nga ecuria në rritje e eksporteve të mallrave e shërbimeve, si dhe nga rritja e konsumit dhe investimeve të brendshme.

 DSC3079 498

Në këndvështrimin sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik reflektoi në masë të konsiderueshme rimëkëmbjen e sektorit të industrisë dhe të atij të shërbimeve. Nga këndvështrimi i politikave të ndjekura, falë stimujve të fuqishëm fiskalë dhe monetarë, u mundësua vazhdimësia e rimëkëmbjes ekonomike. Për më shumë, kjo reflekton një kërkesë të huaj në rritje, bilance të qëndrueshme të sektorit privat dhe optimizëm më të lartë të bizneseve dhe individëve.

Ekonomia shqiptare zotëron të gjitha parakushtet për një rrije ekonomie të qëndrueshme dhe të mbështetur në të ardhmen, ndërsa çelja e pritur e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të forconte rritjen ekonomike dhe do të nxiste investimet e huaja dhe ato vendase. 

Sektori bankar shqiptar, edhe këtë vit, vijoi tendencën e tij të ecurisë pozitive dhe u shfaq i qëndrueshëm ndaj goditjeve nga jashtë (efekteve prej dy vjetësh të pandemisë). Veprimtaria e sektorit vijoi të zgjerohej (mbi 9%), mbështetur kryesisht nga depozitat vendase (mbi 80% e aktiveve), por pa ndikuar kapitalizimin e përgjithshëm të sistemit bankar (18.4%), falë shtesave të rritura të kapitalit dhe politikave të kujdesshme të dividentit, të ndjekura nga bankat, në bashkëpunim të plotë me Bankën e Shqipërisë. Fitimi është përmirësuar ndërsa likuiditeti mbetet i lartë.

 DSC34766 - copy 498

Portofoli i kredive tregon një rritje të mirëdiversifikuar (+10 në total), si në lekë dhe në monedhë të huaj, për biznese, për kredi për tregti me pakicë dhe atë hipotekare. 

Raporti i kredive me probleme është ulur (nga 8.13% në 6.3%), duke përfituar nga rritja e portofolit total të kredive dhe nga reduktimi i kredive me probleme (-17%). Përveç rënies së shifrave të kredive me probleme, raporti i mbulimit total u përmirësua (nga 65% në 70%).

Megjithatë, ende ka hapësirë të bollshme për rritjen e kredisë, duke pasur parasysh rezervat e bollshme likuide, raportet kredi/depozitë në nivele të ulëta dhe fitimin pozitiv, të cilët mund të mbështesin plotësisht kapitalin. 

***

Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,

Në kontekstin e këtyre dy viteve të vështira, perspektiva e rritjes ekonomike në Shqipëri është pozitive dhe optimiste, ndërsa i ofron sistemit bankar një bazë mbështetëse solide për të zgjeruar veprimtarinë e tij, nëpërmjet angazhimit, përpjekjeve dhe devotshmërisë së të gjithë aktorëve.

Më lejoni të ndaj me ju disa nga sfidat e përbashkëta me të cilat do të përballemi në vitet në vijim.

Së pari, sektori bankar do të vijojë të konsolidohet më tej vitin që vjen, pas blerjes 100% të aksioneve të Alpha Bank sh.a. nga OTP NYRT. Ky zhvillim pritet të sjellë rritje të konkurrencës, veçanërisht ndërmjet aktorëve më të mëdhenj të tregut. Portofoli i kredive mbetet kontribuuesi kryesor në të ardhurat e bilanceve, dhe për të mbajtur pozicion konkurrues, bankat duhet ta ruajnë dhe ta rrisin atë në vazhdimësi. Ndërkohë që tregu ofron mundësi për rritje të kreditimit dhe bankat kanë likuiditet dhe mjaftueshmëri të kapitalit, është e domosdoshme të krijohet një vizion afatgjatë dhe të përcaktohen objektiva strategjikë, të hartuar me kujdes për të shfrytëzuar këtë potencial në afatgjatë, me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në bankë dhe forcimin e marrëdhënieve me klientët.

Së dyti, Banka e Shqipërisë, si autoriteti përgjegjës për mbikëqyrjen e 90% të tregut financiar, luan një rol të rëndësishëm në procesin e përafrimit të kuadrit ligjor me atë të Bashkimit Evropian. Pjesë e këtij procesi janë dhe kërkesat shtesë të kapitalit, të cilat u prezantuan gjatë vitit të kaluar. Qëllimi ynë është prezantimi i kujdesshëm i këtyre kërkesave, pa dëmtuar konkurrencën e bankave individuale dhe kufizuar potencialin e tyre për rritje. Ky proces shtrihet në një kuadër kohor afatgjatë dhe gjatë këtij afati, ne do të monitorojmë nga afër progresin e krijimit të kapitalit të nevojshëm dhe plotësimin e Kërkesës Minimale për Kapital dhe Detyrime të pranuara (MREL), si dhe do të kalibrojmë me kujdes dhe fleksibilitet kërkesat agregate për kapital, me qëllim që të mos pengohet rritja organike dhe e shëndetshme e veprimtarisë bankare. Ndërkohë, fitimi pozitiv ofron një mbështetje të sigurt për rritjen e kapitalit.

Së treti, ndërsa kemi qenë të vendosur për të prezantuar për herë të parë tavanin e Normës Efektive të Interesit (NEI), kemi kuptuar se këto rregullore të reja do të kenë efekte operacionale dhe financiare në tregun tonë. Në vitin 2021, Banka e Shqipërisë nisi një proces gjithëpërfshirës konsultimi në lidhje me ndryshimet rregullative sa i përket prezantimit të tavanit për NEI. Këto ndryshime u bënë të nevojshme, pas zgjerimit të tregut të kredive konsumatore, me qëllim reduktimin e asimetrive brenda këtij tregu dhe në përmbushje të rolit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit dhe përfshirjen financiare. Kemi marrë opinione të ndryshme nga aktorët e tregut (kryesisht pozitive) dhe në pjesën më të madhe, komentet e sugjerimet e tyre i kemi reflektuar. Në këtë kontekst, ne do të jemi të përgatitur dhe fleksibël për të siguruar një kalim të kalibruar e të butë në këtë drejtim. Vitin tjetër, do të vazhdojmë dialogun me industrinë, pasi të kemi rezultatet e zbatimit të tavanit pë NEI dhe veçanërisht atij të penaliteteve për huatë konsumatore, e cila është dhe pjesa më e debatuar.

Së katërti, infrastruktura financiare e sektorit bankar është konsoliduar më tej gjatë dy viteve të fundit. Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave kanë zbatuar një strategji kombëtare për fuqizimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël dhe rritjen e përfshirjes financiare të qytetareve. Rezultatet e para janë premtuese dhe do të ndiqen nga hapa të tjerë që do të ndërmarrë Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar, të cilat kanë si objektiv, dyfishimin e numrit të qytetarëve që kanë një llogari bankare në vitin 2023. Së shpejti, ne do të prezantojmë edhe sistemin e ri të pagesave për shlyerjen e pagesave në monedhën Euro në Shqipëri. Ky sistem ka për qëllim të rrisë efektivitetin e këtij segmenti të tregut, duke ulur kostot e mbartura nga bankat nëpërmjet zgjidhjeve aktuale, të cilat kanalizohen tek klienti i fundit dhe më tej. Kjo do të shërbejë gjithashtu për të forcuar formalizimin e ekonomisë shqiptare.

Në mbyllje, më lejoni të rikonfirmoj dhe të ritheksoj përkushtimin dhe qëndrimin e palëkundur të Bankës së Shqipërisë për të qenë gjithnjë transparente, e hapur dhe mbështetëse ndaj sektorit bankar, gjatë gjithë veprimtarisë së saj.

Duke ju uruar festat, ju falënderoj për vëmendjen!

Qoftë viti i ardhshëm, një vit i begatë për të gjithë ju dhe familjet tuaja!