BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, mbajtur në Ditën e Biznesit të vendeve të Rajonit të Detit të Zi në Jerevan, Armeni, 6 qershor 2005

Data e publikimit: 08.06.2005

 

Të dashur zonja dhe zotërinj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë për mua që me jepet rasti të marr pjesë në këtë takim rajonal të vendeve të Detit të Zi. Gjithmonë e kam vlerësuar këtë nismë si një mundësi të jashtëzakonshme për të gjitha vendet e përfshira në të.

Në karrierën time të gjatë, kam kuptuar se suksesi i këtij biznesi në përgjithësi qëndron në aftësinë e tij për të krijuar besim tek publiku. Megjithatë, një rol po kaq të rëndësishëm luan edhe ambienti i përgjithshëm ekonomik, politik dhe social i vendit. Gjatë karrierës time kam qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve, të cilat kanë dëmtuar sistemin bankar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.

Kolapsi monetar i sistemit bankar në fund të periudhës së komunizmit, lulëzimi dhe degjenerimi i skemave mashtruese të investimit, si dhe shumë probleme të tjera sociale, politike dhe ekonomike që kanë shoqëruar tranzicionin në Shqipëri kanë bërë që reputacioni i sistemit bankar të fitohet me vështirësi në kalimin e viteve. Por ai u fitua. Mjafton t’i referohem episodit më të fundit problematik në Shqipëri, pranverës së vitit 2002, kur si rezultat mosinformimit të publikut dhe spekulimit politik me ligjin e garantimit të depozitave, u krijua një tronditje e besimit të depozituesve të thjeshtë duke çuar në një rrjedhje të konsiderueshme të depozitave nga sistemi bankar.

E pra, duke parë të gjithë treguesit statistikorë, rezulton se sistemi bankar në atë kohë ishte i shëndoshë dhe në rritje të vazhdueshme. Por, e gjithë kjo ishte e pamjaftueshme përderisa gjurmët e vitit ’97 (kolapsi i skemave piramidale) ishin afër dhe sensibiliteti i qytetarëve të thjeshtë ndaj tyre ishte shumë i lartë.

Pavarësisht arritjeve të admirueshme të kohëve të fundit do të dëshiroja të theksoja faktin që ekonomia jonë dhe gjithë rajoni është ende i brishtë. Si rrjedhojë, mendoj që ne duhet të jemi shumë më të matur dhe shumë më të kujdesshëm kur flasim për stabilitetin financiar të vendit. Ndër të tjera, ky episod tregon domosdoshmërinë e shoqërimit të reformave me hapa konkretë parapërgatitorë dhe sigurisht të kombinuar edhe me plane mbështetjeje (back up plan) në rast dështimi. Për këtë qëllim, tregu ka nevojë që të përgatitet intensivisht që në fazat e para të zbatimit të reformave. Është e rëndësishme që vetë vendimmarrësit të njohin paraprikisht sjelljen dhe ndjenjat e tregut.

Pranverën e fundit Shqipëria iu nënshtrua vlerësimit të sektorit të saj financiar nga ana e një misioni të përbashkët të FMN-së dhe BB-së (FSAP). Në raportin përkatës të përgatitur prej këtij misioni thuhet se sektori financiar konsiston kryesisht në një sistem bankar të rregulluar dhe të mbikëqyrur. Ky konkluzion mbështetet edhe nga rezultatet e stress testit bërë sistemit, nga ku rezulton se shkalla e ekspozimit të sistemit ndaj rreziqeve të ndryshme është relativisht e ulët.

Sistemi bankar ka shënuar zhvillime të rëndësishme gjatë vitit 2004. Pas lincencimit të Bankës Popullore, me një kapital shqiptar, numri i bankave u rrit nga 15 në 16, dhe një licencë paraprake dhënë Bankës Union pritet ta rrisë këtë numër në 17, gjatë vitit 2005. Asetet e sistemit janë rritur me 14 për qind , ndërkohë që ka pasur edhe një rritje të produkteve bankare dhe një zgjerim të degëve të tyre. Gjatë këtij viti do të privatizohen aksionet shtetërore të Bankës Italo-Shqiptare dhe Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, duke i hapur rrugën procesit të shitjes, të bashkimit dhe të përvetësimit drejt një konsolidimi të ri të sistemit bankar.

Aktiviteti kreditues është rritur me 38 për qind, ku mund të vihet re ndër të tjera rritja e rëndësishme e kredive afatmesme dhe afatgjata krahasuar me ato afatshkurtra.

Harta e mbulimit të vendit me sistem bankar ka ardhur duke u zgjeruar, duke përfshirë zona të reja të pambuluara më parë. Në fund të vitit 2004, numri i përgjithshëm i degëve arriti 88, ose 11 degë më shumë se ai i një fundviti më parë, ndërsa numri i agjensive të regjistruara për herë të parë arriti një numër treshifror, 100 dhe numri i të punësuarve u rrit me 26 për qind.

Rritja e lartë e numrit të degëve sipas agjencive tregon se bankat nuk janë të interesuara vetëm të sigurojnë shërbimin e mbledhjes së depozitave, por gjithashtu edhe në sigurimin e produkteve si për shembull, kreditimi i ekonomisë. Këto zhvillime, përveç kontributit të tyre pozitiv në përforcimin e ndërmjetësimit financiar, flasin edhe për një perceptim më të mirë të potencialit investues të bankave në Shqipëri.

Një zhvillim i rëndësishëm mbetet ai në lidhje me shërbimin e klientit, i cili shoqërohet me terminale elektronike duke rritur numrin e kartave elektronike në qarkullim. Bankat tashmë ofrojnë karta debiti dhe krediti në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare si për shembull, Visa dhe MasterCard. Gjashtë banka sigurojnë shërbimin ATM dhe numri i ATM-ve, ka arritur në 108, në fund të muajit shkurt të vitit 2005.

Sistemi bankar rezulton se ka një nivel fitimi me një vlerë prej 5.1 bilionë lekësh. Fitimi mbi kapitalin vlerësohet të ketë qenë në nivelin 21 për qind, ndërsa cilësia e kredisë ka qenë vetëm 4.2 për qind, nga 4.6 për qind e një viti më parë. Nga ana tjetër, ne duhet të themi se kreditë janë relativisht të reja dhe nuk kanë një histori të përshtatshme për të shfaqur performancën e tyre.

Ndërkohë për pjesën tjetër të sistemit financiar, raportet e FSAP vlerësojnë se problematika është e madhe dhe ka të bëjë me shumë çështje njëherësh përfshi dhe çështje thelbësore si mbikëqyrja e tyre. Ndonëse aktualisht për shkak të përmasave të vogla, kjo problematikë nuk paraqet rreziqe të menjëhershme, përsëri ato duhen analizuar dhe kuruar me kujdes.

Duke iu kthyer edhe FSAP-ve të kryera në vendet të tjera të ngjashme me Shqipërinë (kryesisht i referohem vendeve të Evropës Juglindore) si dhe shumë raporteve të tjera financiare kuptohet se kjo problematikë është e ngjashme dhe pak a shumë këto vende vuajnë nga simptoma të njëjta. Nuk ka si të ndodhi ndryshe po të kthejmë kokën e të shohim në historinë e vjetër dhe atë më të afërt. Tradita rajonale është e varfër, me trashëgimi të pakët në institucione, rregulla sjellje të tregut, dhe ndërmjetësim financiar. Megjithatë, sot rreth 15 vjet pas shthurjes së madhe të sistemit komunist duket se vendet e Evropës Juglindore kanë hyrë në një proces të pakthyeshëm të stabilizimit dhe të integrimit të tyre me pjesën tjetër të Evropës.