BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në Deklaratën e Politikës Monetare për gjashtëmujorin e dytë 2008

Data e publikimit: 29.01.2009

 

1. Fjala e Guvernatorit

Ekonomia botërore dhe veçanërisht sistemi financiar pësuan tronditje të mëdha gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008. Kriza e cila goditi zemrën e sistemit financiar botëror u transmetua në mënyrë progresive e të pandalshme në aktivitetin ekonomik të vendeve të zhvilluara, duke i çuar disa prej tyre në recesion. Ekonomia shqiptare ka arritur t’i rezistojë kësaj vale goditëse gjatë periudhës në fjalë. Sipas të dhënave zyrtare të disponueshme dhe duke gjykuar mbi një sërë treguesish të tërthortë, Banka e Shqipërisë konstaton se aktiviteti ekonomik i vitit 2008 është zhvilluar përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillimvitit, si për sa i përket rritjes ekonomike ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike. Në veçanti, Banka e Shqipërisë e ka përmbushur mandatin e saj parësor, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Norma mesatare e inflacionit gjatë vitit 2008 shënoi vlerën 3.4 për qind, duke qenë afër objektivit tonë.

Zhvillimet më të fundit në rang botëror dëshmojnë për një ngadalësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik. Pavarësisht rënies së presioneve inflacioniste si rezultat i rënies së kërkesës dhe reduktimit të çmimeve të produkteve bazë, shtrëngimi i standardeve të kredidhënies dhe ngadalësimi rezultant i konsumit e investimeve, kanë bërë që pasiguria në lidhje me kohëzgjatjen e situatës problematike të jetë ende e pranishme. Në këto rrethana, përballimi i tkurrjes së aktivitetit ekonomik botëror mbetet ende një çështje e hapur. Vendet e Eurozonës po përjetojnë tashmë ngadalësim ekonomik. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, PBB-ja e Eurozonës regjistroi një tkurrje të ekonomisë ndërkohë që norma e papunësisë arriti në 7.8 për qind në muajin nëntor. Tipare të ngjashme shfaq dhe ekonomia e SHBA-së. Dobësimi i mëtejshëm i aktivitetit ekonomik - pasojë e përkeqësimit të treguesve financiarë të bilanceve të kompanive dhe familjeve amerikane, e reflektuar në shpenzime më të ulta për konsum dhe në rënie të investimeve agregate – ka ndikuar në rritjen në 7.2 për qind të normës të papunësisë. Stimujt monetarë dhe fiskalë të administruar nga bankat qendrore dhe ministritë e financave, kanë shërbyer për rivendosjen e besimit dhe lehtësimit të presionit mbi institucionet financiare.

Përballë këtyre zhvillimeve, “paprekshmëria” e deritanishme e ekonomive të vendeve në zhvillim, po shfaq shenjat e para të lëkundjes. Në ndryshim nga gjashtëmujori i parë i vitit, të dhënat e fundit sugjerojnë një moderim të ritmit të rritjes ekonomike për shumicën prej tyre. Kanalet nëpërmjet të cilëve ngadalësimi i vendeve të zhvilluara ka ndikuar ekonomitë në zhvillim janë të ndryshme, në varësi të specifikave të tyre të zhvillimit. Kështu, Kina dhe India janë goditur negativisht nga ngadalësimi i eksporteve, Rusia ka vuajtur uljen e çmimit të lëndëve të para në tregun botëror, ndërkohë që vendet e Evropës Lindore janë ndikuar nga shtrëngimi i kushteve të financimit në rang botëror.

Në ndryshim nga shumë vende në zhvillim, ekonomia shqiptare ka patur si tipar kryesor të zhvillimit të saj mbështetjen në kërkesën e brendshme, ndërkohë që, megjithëse në rritje, kërkesa e jashtme në formën e eksporteve shqiptare ka patur një ndikim proporcionalisht më të ulët në rritjen ekonomike. Po kështu, aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur pothuaj tërësisht nga burimet e brendshme të financimit, ndërsa roli i financimit të huaj, në formën e linjave të kreditit apo të investimeve të portofolit, ka qenë joprioritar. Duke vepruar brenda të gjithë parametrave të shëndetit financiar, sistemi bankar shqiptar është treguar dinamik dhe efektiv në kanalizimin e kursimeve të ekonomisë drejt financimit të aktiviteteve prodhuese të firmave apo konsumit të qytetarëve. Ky proces është lehtësuar edhe nga stabiliteti makroekonomik, i cili ka mundësuar uljen e primeve të rrezikut në ekonomi dhe ka ndihmuar në zgjatjen graduale të horizontit të investimeve.

Këto veçori kanë bërë që aktiviteti ekonomik në vend të shënojë rritje të kënaqshme gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2008, periudhë kjo e cila mbulohet me të dhëna statistikore. Ndërkohë, të dhëna të tërthorta mbi aktivitetin ekonomik gjatë tremujorit të fundit, kryesisht financiare, sugjerojnë për një ngadalësim të lehtë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë, por duke mbetur brenda parashikimeve të vitit 2008. Kontribuesi kryesor në rritjen e vlerës së afarizmit në vëllim ishte sektori i prodhimit, ku dega “ndërtim” vijon të ketë peshën kryesore. Investimet në projekte madhore të infrastrukturës rrugore dhe dalja e lejeve të ndërtimit nga “ngërçi” i tejzgjatur, kanë nxitur rritjen e lartë të ritmeve të aktivitetit ndërtues gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, edhe sektori i shërbimeve vijon të ruajë një kontribut parësor në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Zhvillimet pozitive në prodhimin vendas mbështeten edhe nga rritja e treguesit të tendencës ekonomike, vlerësuar mbi opinionet e bizneseve dhe të konsumatorëve, ashtu si edhe rritja e numrit të regjistruar të të punësuarve. Norma e papunësisë regjistron një rënie vjetore prej 1.5 për qind dhe vlerësohet në nivelin 12.62 për qind. Kjo rënie, është ndikuar kryesisht nga rritja e numrit mesatar të të punësuarve në sektorin privat bujqësor.

Megjithë presionet inflacioniste të vëna re gjatë fillimit të vitit 2008, kryesisht si rezultat i goditjes së faktorëve të ofertës, inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit u kthye brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të vitit. Në gjysmën e dytë të vitit, inflacioni vjetor shënoi vlera pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, përkatësisht 3.0 për qind dhe 2.5 për qind, në secilin tremujor. Ecuria e normës së inflacionit gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008, pasqyroi efektin global të rënies të çmimeve të mallrave të përdorimit të gjerë (kryesisht atyre ushqimorë dhe karburanteve), si dhe një konjukturë të favorshme çmimesh për mallrat dhe shërbimet në tregun vendas, si rezultat i mbulimit të kërkesës për to me një ofertë gjithnjë në rritje.

Rikthimi i inflacionit brenda bandës së synuar nga Banka e Shqipërisë u kushtëzua jo vetëm nga qetësimi i goditjeve të ofertës, por edhe nga kushtet e përshtatshme monetare, që kanë mundësuar balancimin e faktorëve të kërkesës dhe ofertës. Gjatë vitit 2008, politika monetare ka qenë neutrale dhe norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind. Së bashku me forcimin e disa masave të mbikëqyrjes bankare në drejtim të administrimit të rrezikut të kredive, kjo politikë ka ndikuar në një rritje më të balancuar të kredisë dhe ka përcjellë stimujt e duhur për konsum e kursime. Politika e drejtë monetare dhe kontrolli i inflacionit nga Banka e Shqipërisë është reflektuar edhe në ankorimin e pritjeve për inflacionin të agjentëve ekonomikë pranë nivelit 3 për qind të synuar nga Banka e Shqipërisë. Në mungesë të goditjeve të papritura mbi stabilitetin financiar, mbi pritjet inflacioniste apo mbi faktorët e tjerë të ofertës, balanca e rreziqeve për inflacionin gjatë periudhës në vazhdim duket se po zhvendoset në kahun rënës.

Në këtë kontekst nuk duhet lënë pa përmendur edhe kontributi i politikës fiskale, e cila, nëpërmjet kufizimit të deficitit buxhetor në nivele të pranueshme, ka kontribuar në ruajtjen e balancave makroekonomike. Realizimi i shpenzimeve publike në përputhje me programin buxhetor, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve të kërkesës së brendshme dhe forcimin e besimit në stabilitetin makroekonomik të vendit. Të ardhurat buxhetore të vjela deri në fund të muajit nëntor, kanë përmbushur planin 11-mujor të Ministrisë së Financave me rreth 96.4 për qind, ndërsa shpenzimet kanë përmbushur 92 për qind të planit të hartuar për këtë periudhë. Zhvillimet buxhetore për periudhën korrik-nëntor 2008, në vijimësi të zhvillimeve të gjashtëmujorit të parë të vitit, regjistrojnë një kryerje më ritmike të shpenzimeve. Deficiti buxhetor i krijuar pas gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, është financuar kryesisht me burime të huaja.

Nga ana tjetër, sektori i jashtëm i ekonomisë ka vijuar të karakterizohet nga zgjerimi i deficitit të llogarisë korente. Tremujori i tretë i vitit 2008 regjistroi një rritje të deficitit korent me 48 për qind në terma vjetorë, duke arritur në rreth 252 milionë euro. Raporti i tij ndaj PBB-së vlerësohet të ketë arritur në rreth 13.7 për qind, duke qenë rreth 5 pikë përqindjeje më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe, kontribuoi jo vetëm rritja e deficitit tregtar, por edhe ngushtimi i bilancit pozitiv të llogarisë së të ardhurave dhe të transfertave korente. Qëndrueshmëria e tij është një kusht i domosdoshëm për stabilitetin financiar të vendit dhe për një rritje të qëndrueshme e afatgjatë. Për këtë arsye, dinamika e zhvillimeve të bilancit të pagesave përbën një objekt konstant të monitorimit të Bankës së Shqipërisë, duke e faktorizuar atë në gjykimet tona për përshtatshmërinë e kushteve monetare.

Ecuria e treguesve monetarë gjatë gjysmës së dytë të vitit rezulton përgjithësisht e qëndrueshme, ndonëse shfaq shenja ngadalësimi të ritmeve të rritjes, gjatë fundit të periudhës. Ritmi mesatar vjetor i rritjes së ofertës monetare gjatë kësaj periudhe u luhat rreth vlerës 13 për qind. Muajt e fundit të vitit 2008 u shoqëruan me tërheqjen e një pjese të vogël të depozitave nga sistemi bankar, si pasojë e paqartësisë që shkaktoi në shtresa specifike të popullsisë situata financiare globale. Në terma relativë, këto tërheqje kanë përbërë një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare dhe nuk kanë ndikuar treguesit e shëndetit të sistemit bankar apo cënuar aftësinë e tij për të kryer rolin e ndërmjetësit financiar. Kredia për sektorin privat ka vazhduar të luajë rolin kryesor ndër kontribuesit e zgjerimit monetar. Rritja vjetore e kredisë ka shënuar rënie gjatë kësaj periudhe, krahasuar me gjashtëmujorin e parë. Treguesit e ndërmjetësimit janë rritur më tej; raporti i portofolit të kredisë ndaj depozitave dhe totalit të aktiveve arriti përkatësisht në 63 për qind dhe 43 për qind në fund të muajit nëntor. Pas muajit shtator, struktura e portofolit të kredisë sipas monedhave shfaq një normë më të lartë të rritjes vjetore të kredisë në lekë. Ecuria e portofolit të kredisë sipas klientelës tregon norma vjetore të rritjes më të larta, të kredisë për biznese kundrejt asaj për individë. Në ndryshim nga pjesa e parë e vitit, në gjashtëmujorin e dytë vihet re një tendencë për zvogëlimin e portofolit të kredisë për degët “ndërtim” dhe “tregti”, dhe një rritje e lehtë për degën “industri”.

Aktiviteti i tregjeve të parasë gjatë kësaj periudhe është kushtëzuar nga zhvillimet e treguesve monetarë dhe të ekonomisë reale. Ashtu si dhe në eksperiencat e vendeve të tjera, sensitiviteti i rritur i bankave ndaj likuiditetit ka sjellë uljen e vëllimeve të tregtimit ndërbankar dhe tendenca rritëse të normave të interesit të depozitave. Ndërkohë, gjatë dy muajve të fundit të vitit është vënë re një rënie e raportit të mbulimit të kërkesave për huamarrje të qeverisë dhe zgjerim i disa primeve të rrezikut. Këto dukuri kanë sjellë rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe, në disa raste, të kredisë. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregjet e parasë duke injektuar likuiditet me afate të ndryshme maturimi, sipas kërkesave të sistemit. Gjithashtu, për t’i shërbyer më mirë nevojave të bankave, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar në muajin nëntor formën e ankandit të marrëveshjeve të riblerjes, në ankand pa kufizim shume.

* * *

Në tërësinë e tyre, zhvillimet ekonomike e financiare gjatë vitit 2008 kanë qenë pozitive. Rritja ekonomike ka qenë në linjë me parashikimet e fillimit të vitit ndërkohë që treguesit kryesorë të stabilitetit makroekonomik e financiar mbeten solidë. Impakti negativ i zhvillimeve të ekonomisë globale ka qenë marzhinal. Megjithatë, ashtu si dhe vendet e tjera në zhvillim, ekonomia shqiptare nuk mund të qëndrojë për shumë kohë larg impaktit direkt apo të tërthortë të krizës ekonomike globale. Në deklaratat publike të Bankës së Shqipërisë, kemi theksuar në vazhdimësi se ndikimi i krizës botërore në ekonominë shqiptare do të varet si nga intensiteti, ashtu edhe nga kohëzgjatja e saj. Qëndrueshmëria në kohë dhe thellimi i dimensioneve të problemeve të ekonomisë botërore është një sinjal se ekonomia shqiptare do të përballet me një ambient më të vështirë ekonomik gjatë vitit 2009, i cili mund të shtrojë për zgjidhje një grup tjetër problemesh.

Kanalet të cilat ekspozojnë më shumë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror janë rënia e remitancave dhe shtrëngimi i kushteve të financimit. Ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë gjatë vitit 2009. Ne gjykojmë se planet ekonomike dhe financiare të të gjithë agjentëve ekonomikë duhet të reflektojnë këtë mundësi. Një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në krizë për Shqipërinë, por është një zhvillim i përkohshëm i diktuar nga faktorë të jashtëm. Politikat nxitëse duhet të ndërtohen mbi këtë premisë. Ato nuk duhet të zhvillohen në asnjë rast në dëm të stabilitetit afatgjatë makroekonomik, i cili është edhe një nga kapitalet më të çmuara që ka arritur ekonomia shqiptare në këto vite tranzicioni.

Gjithashtu, ruajtja e stabilitetit financiar mbetet aspekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe në vëmendje të vazhdueshme në procesin vendimmarrës të Bankës së Shqipërisë. Në këtë drejtim, dua të theksoj se sjellja më racionale për çdo individ, biznes apo aktor tjetër të shoqërisë shqiptare, do të ishte besimi në sistemin bankar dhe në bilancet e tij, tërësisht transparente. Praktika botërore ka treguar se bashkëveprimi i ndërsjellë midis ekonomisë reale dhe sistemit bankar, në drejtim të ruajtjes së kursimeve, të përdorimit të infrastrukturës së tij të pagesave, si dhe të shfrytëzimit të ekspertizës së tij në fushën e këshillimit financiar dhe të mbështetjes me fonde, është një tipar thelbësor i ekonomive që kanë arritur të lënë prapa nivelin e vendeve në tranzicion.

Në fund, dëshiroj të siguroj publikun e interesuar se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të krijuar premisa që ofrojnë më shumë frymëmarrje për aktivitetin ekonomik të vendit, por pa cënuar respektimin e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve. Njëkohësisht, ajo do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit. Në këtë kuadër, vendimet e Bankës së Shqipërisë, do të jenë një kontribut i drejtpërdrejtë për zbutjen e efekteve negative që vijnë nga kriza ndërkombëtare si dhe do të ndihmojnë në qëndrueshmërinë e mëtejshme të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit.