BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, "Remitancat: Një mundësi për rritje - Emigracioni shqiptar në Itali si rast studimi", Bari, 4 mars 2006

Data e publikimit: 06.03.2006

 

Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i kënaqur të flas para jush sot me rastin e Konferencës mbi Remitancat. Dëshiroj të përgëzoj Bankën Botërore dhe Rajonin e Pulias për organizimin e përbashkët të kësaj ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare. E vlerësoj mjaft partneritetin tuaj dhe këtë mundësi për të gjetur bashkë me ju rrugët e mundshme për një rritje të qëndrueshme, formalizim dhe efikasitet të lartë të remitancave.

Dëshiroj të hap fjalën time duke bërë një pyetje të thjeshtë. Pse remitancat janë për ne çështja kryesore e ditës?

Remitancat përfaqësojnë përfitimin e drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për familjet e emigrantëve dhe për ekonominë. Flukset e remitancave për vendet në zhvillim janë vlerësuar sa dyfishi i ndihmës për zhvillim që përfitojnë këto vende. Në disa vende si Shqipëria, ato tejkalojnë ndjeshëm investimet e huaja direkte. Rrjedhimisht, qeveritë aktualisht po u kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje flukseve të remitancave në strategjitë e tyre të zhvillimit, pasi ato përbëjnë një burim të rëndësishëm financiar për rritjen e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në zona të pazhvilluara, ku kushtet ekonomike i detyrojnë njerëzit të emigrojnë. Kuadri ekonomik dhe logjistik që qëndron pas emigrimit dhe remitancave është një element - kyç për këto politika. Kjo konferencë dhe ky rast studimi i rëndësishëm, japin një kontribut të madh ndaj këtyre përpjekjeve në zhvillim.

Që në fillim të tranzicionit, vëllimi i remitancave në Shqipëri është rritur me shpejtësi. Në të vërtetë, flukset e remitancave janë mjaft të rëndësishme lidhur me aktivitete të tjera fitimi - këmbimi valutor, duke përfaqësuar rreth 14 për qind të PBB-së, 70 për qind të eksporteve dhe 33 për qind të importeve. Italia është vendi ku shqiptarët emigrojnë më shumë. Nga ana tjetër, Shqipëria është vendi i parë që përfiton më shumë nga flukset e remitancave që Italia dërgon në vendet e tjera. Rrjedhimisht, shërbimet e remitancave nga Italia për në Shqipëri janë bërë një çështje me interes të lartë. Korridori i remitancave Itali- Shqipëri është një rast për të studiuar efektet e remitancave në komunitete lokale dhe për të diskutuar rrugët që i bëjnë këto flukse më efikase dhe më pak të kushtueshme.

Një vrojtim i kohëve të fundit i bërë prej Bankës së Shqipërisë tregon se remitancat kanë ndikuar pozitivisht në gjithë rajonet e Shqipërisë. Ndikimi është pak më i lartë në rajone më pak të zhvilluara, duke lehtësuar disi pabarazinë në të ardhurat mesatare për frymë. Remitancat janë bërë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për individët, duke arritur në 33 për qind e të ardhurave të disponueshme të një familjeje mesatare dhe pothuajse 40 për qind në zonat rurale. Përfituesit e remitancave janë nga të gjitha grupet sociale, përfshirë klasën me të ardhura mesatare (60 për qind) si dhe klasën me të ardhura të ulëta (27 për qind). Vlerësimet tona tregojnë se niveli dhe ashpërsia e varfërisë janë ulur ndjeshëm ndërmjet familjeve që marrin remitanca, duke ndikuar më tepër në ashpërsinë e varfërisë sesa në nivelin e saj.

Remitancat janë përdorur kryesisht për mallra konsumi të importuar, për shërbime dhe për blerjen apo ndërtimin e shtëpive. Një pjesë e vogël është kursyer ose është investuar në biznese, kryesisht në sektorin e bujqësisë. Për rrjedhojë, ndikimi i remitancave në krijimin e punëve të reja ka qenë i kufizuar. Në këtë këndvështrim, nuk dua që të nënvlerësoj rëndësinë e remitancave, por të tërheq vëmendjen në shtimin e reformave strukturore me qëllim rritjen e ndikimit të tyre në ekonomi. Nuk është rastësi fakti që pas arritjes së nivelit prej 14 për qind të PBB-së, norma e rritjes së remitancave ka qenë po aq konstante sa ajo e investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Kjo tregon se në periudhë afatmesme, nuk ka dallim ndërmjet vendimeve të investitorëve të huaj dhe remitancave për të investuar në Shqipëri. Sigurisht, emigrantët mund t'i njohin më mirë tregjet vendase. Ata janë më të lidhur me vendlindjen e tyre dhe reagojnë më shpejt sesa investitorët e huaj. Megjithatë, ata kërkojnë po aq garanci për investimet e tyre sa edhe investitorët e huaj. Rrjedhimisht, si vëllimi i remitancave, ashtu edhe efikasiteti i tyre varen shumë nga përmirësimet e klimës së biznesit në Shqipëri.

Ndërkohë që po bëhen përpjekje për të përshpejtuar reformat që synojnë përmirësimin e biznesit, veçanërisht tashmë që është firmosur kohët e fundit edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, ende mbetet pyetja: a ka ndonjë masë tjetër që mund të rrisë kontributin e remitancave për zhvillim? Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me institucionet e tjera qeveritare dhe joqeveritare, ka marrë në konsideratë disa masa konkrete, të cilat tashmë i kam nxjerrë në pah në një konferencë të organizuar nga BERZH-i mbi këtë çështje, mbajtur në shtator të vitit të kaluar. Dëshiroj të përmend shkurtimisht disa prej tyre, nisur nga këndvështrime të reja.

Së pari, përmirësimi i njohurive tona rreth remitancave është i rëndësishëm për vlerësimin e politikave, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në rolin zhvillues të remitancave në ekonomi. Përmirësimi i informacionit duhet jo vetëm për të ndihmuar politikat mbi remitancat por edhe infrastrukturën financiare (për shembull, duke ulur koston e transaksioneve), si dhe për të kuptuar ndikimin e tyre mbi varfërinë. Banka e Shqipërisë ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e vlerësimit të saktë të flukseve të kapitalit që hyn në vend në formën e remitancave nga emigrantët. Për statistika më të mira jemi ndihmuar nga misionet e FMN-së për ta sjellë metodologjinë e përcaktimit të remitancave më afër standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ekonomikë kryesorë, Italinë dhe Greqinë, që janë destinacioni kryesor i emigrantëve shqiptarë, për të harmonizuar metodologjitë tona me qëllim përmirësimin e saktësisë në vlerësimin e remitancave. Raporti i Bankës Botërore mbi korridorin italo-shqiptar është gjithashtu një kontribut i madh për të përmirësuar të kuptuarit tonë për remitancat, dhe në emër të autoriteteve shqiptare shpreh mirënjohjen tonë për këtë mbështetje.

Së dyti, formalizimi i flukseve hyrëse të remitancave është një moment shumë i rëndësishëm. Më shumë se gjysma e remitancave hyjnë në vend nëpërmjet kanaleve jozyrtare. Vrojtimet tona tregojnë se shumica e remitancave që hyjnë në Shqipëri kanalizohen nëpërmjet burimeve jozyrtare; të sjella fizikisht nga emigrantët (59 për qind), nëpërmjet miqve dhe të afërmve (23 për qind). Kjo është pjesërisht një pasqyrim i distancave të shkurtra gjeografike midis dy vendeve. Megjithatë, ky fluks i lartë remitancash nëpërmjet kanaleve jozyrtare kërkon gjithashtu veprime për t'i bërë kanalet zyrtare më tërheqëse në drejtim të efikasitetit, sigurisë, kostos dhe anonimitetit. Siç ka arritur në përfundim grupi i studimit, sistemi bankar në Itali përdoret nga një përqindje e lartë emigrantësh - më shumë se 50 për qind kanë llogari bankare. Në aspektin e Shqipërisë, kjo shifër bie në më pak se 20 për qind. Përdorimi i bankave nga ana e familjeve të emigrantëve është nën nivelin optimal, pavarësisht nga shtrirja e konsiderueshme gjeografike e bankave tregtare gjatë viteve të fundit. Ndryshe nga vendet e tjera që marrin remitanca, bankat në Shqipëri ende kanë një pjesë të vogël tregu në shërbimet e remitancave. Megjithatë, ka shenja inkurajuese lidhur me kërkesën për teknologji të re, partneritete novatore dhe pika hyrëse për të arritur grupet në nevojë.

Komisionet e larta për transfertat e parave, të aplikuara nga bankat shpesh bëhen një motiv që individët të mos e preferojnë këtë shërbim. Megjithatë, tashmë ka një bankë tregtare shqiptare, e cila ofron transferta nga Italia për në Shqipëri, pa zbatuar komision për shuma deri në 250 euro në ditë, në një kohë kur dërgesa mujore mesatare e emigrantëve varion nga 100 deri në 150 euro. Ndërkohë, ka disa banka të tjera që ofrojnë të njëjtin shërbim për transferta nga Greqia. Aktualisht, po studiojmë mundësitë për të ulur kostot e transfertave nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve.

Edhe pse kompanitë e transfertave të parave ofrojnë shërbime transfertash me komisione të arsyeshme, duke mbuluar një shtrirje të mirë gjeografike, ende vëmë re se një pjesë e madhe e parasë cash hyn në vend me çanta. Mendoj se ky është më shumë një problem rregullator sesa preferencë e emigrantëve për të qenë informalë. Ndryshimi ndërmjet dy vendeve tona në drejtim të lehtësisë për të përdorur llogari bankare, qëndron në faktin se në Itali nuk mund të merret rroga pa paraqitur numrin e llogarisë bankare. Programi për reduktimin e cash-it i iniciuar nga Banka e Shqipërisë tregon qartë se, për të pakësuar paranë cash në ekonomi, duhet të heqim opsionin e pagesave me para në dorë, përfshirë këtu edhe pagat e sektorit privat, pagesat utilitare etj.. Banka jonë është plotësisht e angazhuar për ta mbështetur këtë proces në të gjitha nivelet, qofshin këto rregullatore apo teknike.

Sigurisht, kjo kërkon pak kosto, që në rastin e remitancave shkon nga normat zero të ofruara prej kanaleve joformale apo cash-it, në disa komisione pozitive që kërkohen prej kanaleve zyrtare. I kuptoj shqetësimet e ngritura nga disa analistë se legjislacioni mbi kontrollin e kursit të këmbimit apo luftën kundër pastrimit të parave mund t'i rrisë më tej komisionet për transfertat dhe t'i shtyjë njerëzit të veprojnë me fshehtësi. Kjo kërkon rishikimin e rregullores që nuk penalizon vëllimin e remitancave. Siç e përmenda edhe më lart, formalizimi i ekonomisë është një komponent kryesor për të përmirësuar mjedisin e biznesit në Shqipëri. Për rrjedhojë, "detyrimi" i individëve për të kaluar nëpërmjet kanaleve formale, ndërkohë që kjo gjë realizohet me një kosto afatshkurtër të disa normave pozitive, ka shumë mundësi të japë përfitimin afatgjatë të sinjalizimit të synimeve serioze që tregojnë se ne po ecim në drejtimet e duhura, si për emigrantët ashtu edhe për investitorët e huaj.

Për familjet që marrin remitanca, lehtësia e përdorimit të institucioneve financiare luan një rol më të rëndësishëm, për shkak të përqindjes së lartë të të ardhurave të dërguara direkt në derën e përfituesit/marrësit. Në fakt, shkëputja ndërmjet marrjes fizike të fondeve dhe vendndodhjes së institucionit financiar mund të ndikojë mjaft në mosndërmjetësimin e bankave, largimin e fondeve të përfituesve nga bankat dhe përdorimin e tyre në investime direkte më përfituese. Duke pranuar se përfituesit mund të ushtrojnë kontroll mbi mënyrën dhe vendin ku merret remitanca, afërsia gjeografike e një dege ose mundësia për të marrë një remitancë në një zyrë (siç kërkohet nga Western Union) mund të përcaktojë mundësinë e një institucioni për të konkurruar në tregun e remitancave në Shqipëri, pa përmendur mundësinë e përdorimit të kursimeve nga klientë të rinj potencialë.

Remitancat mund të jenë një pikë hyrjeje për shumë dërgues të remitancave dhe për familjet e tyre në sistemin formal financiar. Shumë familje të emigrantëve ose nuk janë familjarizuar me bankat ose i përdorin pak ato. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet strategjisë së saj të komunikimit me publikun, synon të afrojë publikun me produktet dhe shërbimet bankare, përfshirë edhe transfertat, pavarësisht nga sa e vogël mund të jetë shuma e transfertës. Edhe pjesa e vogël, e lënë nga familjet përfituese në llogaritë bankare, mund të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, pasi bankat do të kenë më shumë fonde në dispozicion për të dhënë kredi ndaj sektorit privat. I njëjti shqetësim ishte shprehur fillimisht për pagat e administratës publike. Tashmë ky shërbim ofrohet nga sistemi bankar dhe e shohim fuqinë e grumbullimit të shumave të vogla. Për bankat tregtare, aftësia e tyre për të tregtuar shërbime shtesë me vlerë të shtuar, si produkte kursimesh, hua apo lloje të tjera kredish ndaj përfituesve të remitancave, do të kërkojë arritjen e një mase të konsiderueshme klientësh, si dhe një mekanizëm dërgimi me teknologji të lartë, për të ulur koston mesatare të investimit që kërkohet në shërbim të klientit.

Programet e mikrokredisë dhe përmirësimet cilësore të infrastrukturës bankare, të kombinuara me futjen e instrumenteve të reja financiare, do të ndihmojnë gjithashtu për të tërhequr më shumë remitanca. Promovimi i organizatave të mikrofinancës si pjesëmarrëse në tregun e remitancave, mund të ofrojë përparësi të caktuara për sektorin e mikrofinancës, për qeverinë dhe për përfituesit e remitancave. Kostoja e kësaj shtrirjeje do të binte fillimisht në autoritetet mbikëqyrëse dhe rregullatore. Tashmë kemi bërë një hap të rëndësishëm në vënien e këtyre institucioneve nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe presim të përmirësojmë pozicionin e tyre në treg, duke rritur besimin për të operuar me to. Institucionet e mikrofinancës tashmë japin hua në shuma të vogla për klasën shoqërore me të ardhura të ulëta. Programet e tyre ekzistuese i lejojnë ato të kontrollojnë rrjetin e tyre dhe shtrirjen gjeografike për të ndihmuar dërguesit e remitancave dhe përfituesit e tyre për të pasur lehtësi hyrëse në shërbimet financiare me kosto të ulët, si dhe lehtësi hyrje në produkte mikrokursimi dhe investimi.

Drejtimi i tretë i përpjekjeve ka të bëjë me kanalizimin e remitancave të emigrantëve drejt nevojave të vendit për zhvillim. Formalizimi është një hap i nevojshëm, por nuk siguron rolin e remitancave si një instrument zhvillimi. Shpesh pretendohet se emigrantët nuk janë klientët më të preferuar të bankave, pasi kjo kategori konsiderohet se ka më shumë punë të paqëndrueshme dhe nivel të ulët të ardhurash. Para së gjithash, ky konceptim nuk është plotësisht i saktë dhe rezultatet e ekipit italian mbështesin faktin se grumbullimi i kursimeve të emigrantëve po bëhet mjaft i rëndësishëm për t'u shndërruar në një biznes fitimprurës. Banka Italiane e Zhvillimit, që ka hyrë kohët e fundit në tregun shqiptar është një dëshmi tjetër e këtij realiteti. Megjithatë, do të doja që sa më shpejt edhe bankat e tjera që operojnë në Shqipëri të jenë po aq agresive sa bankat italiane në konkurrimin për këtë grup kursimesh. Ka edhe shërbime të tjera financiare që mund të ofrohen për përfituesit e remitancave. Për shembull, lidhja e remitancave me investimet, duke kanalizuar flukset e remitancave drejt projekteve apo huave të mikrokredisë; ose duke mbështetur kontributin e emigrantëve dhe komunitetet e emigrantëve në zhvillimin e vendit.

Nga analiza jonë ka dalë një sinjal shqetësues, që tregon synimin e ulët të emigrantëve për të investuar në sipërmarrje private dhe/apo në projekte publike për zhvillim. Kjo na tregon se çështja e remitancave shkon përtej kuadrit financiar. Prandaj, ne duhet të gjejmë rrugë të reja për të përmirësuar motivimet ndaj emigrantëve që ata të investojnë në Shqipëri, siç është edhe iniciativa e ndërmarrë kohët e fundit nga qeveria për t'u ofruar emigrantëve mundësinë që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, duke u përjashtuar për një periudhë trevjeçare nga tatimi mbi fitimin dhe mbi të ardhurat personale.

Si përfundim, do të shtoja se një tipar i dallueshëm, që i bën remitancat një instrument veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, është stabiliteti i tyre relativ, krahasuar me flukset private financiare dhe të kapitalit. Ndryshe nga flukset financiare që treguan një luhatshmëri të lartë gjatë viteve `90, remitancat vazhdojnë të rrjedhin në mënyrë shumë më të qëndrueshme. Në drejtim të kohëzgjatjes së "ciklit të jetës" të remitancave individuale, teoria tregon se sa më i gjatë të jetë vazhdimi i statusit të emigrantit, aq më i ulët është probabiliteti për flukse të mëdha remitancash. Kjo na shtyn që të përshpejtojmë përpjekjet tona për të shfrytëzuar potencialin e remitancave sa më shpejt të jetë e mundur. Roli i tyre i rëndësishëm kërkon rrugë të reja për arritjen e një rritjeje të qëndrueshme, formalizim të plotë dhe efektivitet më të lartë të remitancave. Duket qartë se kjo nuk është një betejë të cilën mund ta fitojmë sot. Ajo kërkon shumë vëmendje, vullnet të mirë, por edhe një strategji të plotë realizimi.

Faleminderit!