BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2010 në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
Data e publikimit: 09.06.2011
E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Është kënaqësi për mua të gjendem sot para jush, për të prezantuar opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi zhvillimet ekonomike dhe monetare të vitit të shkuar.
Në mbështetje të kërkesave ligjore, si dhe të angazhimeve tona institucionale për të forcuar pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë e bankës qendrore, gjatë këtij komunikimi do të ndaj me ju edhe linjat kryesore të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2010. Në të gjithë spektrin e tij, ky aktivitet është orientuar nga përmbushja e misionit dhe e detyrave tona ligjore, duke reflektuar njëkohësisht edhe rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për vitin 2010.
Më lejoni që, fillimisht, të bëj një përmbledhje të shkurtër të konkluzioneve tona.
Ekonomia shqiptare ka patur një zhvillim përgjithësisht pozitiv gjatë vitit 2010. Aktiviteti ekonomik në vend shënoi rritje gjatë vitit të shkuar, ndërkohë që stabiliteti makroekonomik dhe treguesit e shëndetit financiar u përmirësuan.
Rritja ekonomike reflektoi kryesisht kërkesën e huaj për produktet e shërbimet shqiptare, duke konfirmuar para së gjithash dinamizmin e sektorit tonë privat. Ajo u mbështet gjithashtu nga një ambient i qëndrueshëm makroekonomik, me prime rreziku në ulje dhe tregues likuiditeti të përmirësuar.
Në veçanti, duke reflektuar zhvillimet në sektorin real e financiar të ekonomisë, si dhe politikën tonë monetare, inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2010.
Gjithashtu, gjatë këtij viti:
-
pozicioni i jashtëm i ekonomisë u përmirësua;
-
raportet e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik ndaj PBB-së shënuan rënie;
-
stabiliteti financiar u konsolidua;
-
ndërmjetësimi financiar u zgjerua më tej; dhe,
normat e interesit e primet e rrezikut në tregjet financiare shënuan rënie.
Nga ana tjetër, zhvillimet e vitit 2010 nënvizuan edhe një herë nevojën për vazhdimin dhe thellimin e reformave strukturore, si parakusht për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike.
Së pari, axhenda e re e reformave strukturore duhet të synojë krijimin e kushteve për një rritje më të balancuar dhe më të qëndrueshme në periudhën afatgjatë.
Orientimi më i madh i ekonomisë shqiptare drejt eksportit, si dhe rritja në përgjithësi e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregjet e huaja e të brendshme, diktojnë nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, në nivel makro dhe mikroekonomik.
Së dyti, konsolidimi i stabilitetit makroekonomik kërkon një punë më të madhe në të ardhmen. Mësimi më i madh i krizës së fundit botërore, është se mënyra më e mirë për përballimin e krizave është në radhë të parë parandalimi i tyre.
Ruajtja e ekuilibrave të brendshëm e të jashtëm të vendit kërkon zhvillimin e mëtejshëm të arkitekturës së vendimmarrjes e të koordinimit makroekonomik, si dhe të mekanizmave mbikëqyrës e rregullatorë të ekonomisë dhe të tregjeve. Aftësitë analizuese, parashikuese e vendimmarrëse të agjentëve ekonomikë, publikë e privatë, duhet gjithashtu të përmirësohen më tej.
Së treti, garantimi i stabilitetit financiar të vendit kërkon një koordinim të veprimeve të të gjitha institucioneve rregullatore dhe mbikëqyrëse, si dhe të një vëmendje më të madhe të agjentëve privatë të tregut.
Një sistem financiar i qëndrueshëm, i orientuar drejt horizontit afatgjatë dhe i kujdesshëm ndaj rreziqeve, i shërben kanalizimit të kursimeve në sektorët më konkurrues të ekonomisë.
***
Në vijim të fjalës time do të bëj një trajtim më të detajuar të çështjeve të mësipërme, duke u fokusuar në drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë.
1. Zhvillimet ekonomike dhe financiare gjatë vitit 2010
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 3.9% gjatë këtij viti. Në krahasim me vitin 2009, rritja ekonomike paraqitet më e balancuar në shpërndarjen e saj sektoriale dhe në komponentët e kërkesës.
Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2010 është karakterizuar nga përmirësimi gradual i kërkesës agregate dhe nga konsolidimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik. Zhvillimi ekonomik është shoqëruar nga stabiliteti i çmimeve, ndërkohë që borxhi publik, deficiti buxhetor dhe deficiti i llogarisë korrente janë reduktuar.
Rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve shqiptare, ndërsa kërkesa e brendshme ka patur një ecuri më të ngadaltë. Kjo e fundit është frenuar nga konsolidimi i financave publike dhe ulja e deficitit buxhetor gjatë vitit 2010, ndërkohë që shpenzimet konsumatore dhe investimet private janë ndikuar nga pasiguria për të ardhmen dhe nga prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara.
Politika fiskale u orientua drejt konsolidimit fiskal gjatë vitit 2010, pas natyrës stimuluese të shfaqur në vitin 2009. Konsolidimi fiskal u përshpejtua sidomos në gjashtëmujorin e dytë të vitit, me miratimin e buxhetit të rishikuar. Ky konsolidim ishte i pranishëm si në kahun e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Të ardhurat buxhetore u rritën me 8.4% në terma vjetorë, duke reflektuar rritjen ekonomike, zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, dhe të ardhurat nga privatizimet. Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore u tkurrën me 4.5%, duke reflektuar tkurrjen e shpenzimeve kapitale të qeverisë.
Deficiti buxhetor për vitin 2010 zbriti rreth nivelit 3.0% të PBB-së, duke u reduktuar me 52% krahasuar me një vit më parë. Deficiti u financua kryesisht nëpërmjet emetimit të instrumenteve të zakonshme të borxhit të brendshëm. Megjithatë, financimi i deficitit solli një risi në vitin 2010, nëpërmjet emetimit të Eurobondit të parë shqiptar. Ky emetim, në vlerën prej 300 milionë eurosh, plotësoi një pjesë të nevojave në valutë të sektorit publik dhe u shoqërua me reduktimin e huamarrjes së brendshme.
Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me rreth 21.5% gjatë vitit 2010, duke qëndruar në nivelin 11.9% të PBB-së. Ky reduktim reflektoi rritjen e kursimeve të sektorit privat dhe publik. Ai u ndihmua gjithashtu nga rritja e eksporteve si pasojë e gjallërimit të kërkesës së huaj, kursit të nënçmuar të këmbimit dhe përmirësimit të termave të tregtisë në këtë periudhë. Megjithë përmirësimin e shënuar gjatë vitit 2010, deficiti i llogarisë korente mbetet i lartë. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, Banka e Shqipërisë gjykon se hartimi i politikave strukturore për zbutjen e zhbalancimeve të ekonomisë së jashtme duhet trajtuar me prioritet.
Flukset neto në llogarinë kapitale dhe financiare regjistruan një rënie me rreth 11.2% gjatë vitit 2010, duke mundësuar financimin e deficitit të llogarisë korrente në masën 87.5%. Duke përjashtuar privatizimet, investimet e huaja direkte u vlerësuan në 9.3% të PBB-së dhe ishin burimi kryesor i financimit të huaj të ekonomisë shqiptare. Rezerva valutore e vendit u rrit me rreth 178.8 milionë euro dhe stoku i saj prej 1.9 miliardë eurosh është i mjaftueshëm për mbulimin e 4.8 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.
Zhvillimet pozitive në sektorin e jashtëm të ekonomisë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të eksporteve, si dhe të hyrat valutore nga Eurobondi, kanë ndihmuar në gjenerimin e presioneve të përmbajtura në tregun e shkëmbimeve valutore këtë vit. Në këndvështrimin makroekonomik, qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit gjatë vitit ka reflektuar një ekuilibër të ri të arritur në kërkesën dhe ofertën për valutë të huaj.
Në terma sektorialë, zhvillimi i ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht nga rritja e sektorit të industrisë dhe e atij të shërbimeve, ndërkohë që sektori i ndërtimit ka vijuar të kontraktohet gjatë vitit 2010. Sektorët e industrisë dhe të shërbimeve kanë përfituar në një masë të madhe respektivisht nga kërkesa e huaj dhe nga zhvendosja strukturore e kërkesës së brendshme drejt mallrave të konsumit afatshkurtër. Në horizontin afatshkurtër dhe afatmesëm, këta dy sektorë pritet të mbeten mbështetësit kryesorë të ekonomisë shqiptare. Sektori tjetër i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, ai bujqësor, ka regjistruar një ecuri pozitive gjatë vitit 2010. Megjithatë, bazuar në përqendrimin e madh të popullsisë së vendit dhe në potencialin e madh të zhvillimit, prioritet afatgjatë mbetet rritja e produktivitetit të këtij sektori.
Zhvillimet monetare dhe tregjet financiare
Zhvillimet monetare të vitit të shkuar kanë qenë në linjë me ecurinë e sektorit real të ekonomisë, duke reflektuar njëkohësisht rivendosjen e plotë të besimit në sistemin financiar, përmirësimin e raporteve të kërkesës e ofertës në tregjet financiare dhe politikën e kujdesshme të administrimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë. Rritja me mesatarisht 10.6% e masës monetare ka qenë në përputhje me kërkesën e ekonomisë për para, duke mos nxitur tendenca inflacioniste në ekonomi. Raporti i depozitave ndaj PBB-së shënoi 64.2% në fund të vitit, duke qëndruar më lart se niveli i regjistruar para fenomenit të tërheqjes së depozitave. Profili i strukturës kohore të depozitave ka reflektuar gjithashtu preferencën e rritur për kursim, duke u karakterizuar nga zhvendosja e depozitave drejt maturiteteve më afatgjata.
Lehtësimi i kushteve të kreditimit gjatë gjysmës së dytë të vitit, masat stimuluese të marra nga Banka e Shqipërisë, si dhe ulja e pasigurisë dhe e primeve të rrezikut, u shoqëruan me një rritje graduale të kredisë. Portofoli i kredisë për sektorin privat u zgjerua me 10% gjatë vitit 2010, i ndikuar kryesisht nga rritja e kreditimit në valutë. Kjo ecuri reflekton politikat e kujdesshme të bankave për cilësinë e portofolit të kredisë, si dhe kërkesën e moderuar për kredi të agjentëve ekonomikë.
Në përgjithësi, aktiviteti kreditues vijon të vuajë nga mungesa e kërkesës dhe e planeve të biznesit realiste, cilësore e të vlefshme për kreditim.
Rikthimi i besimit në sistemin financiar, konsolidimi makroekonomik, si dhe masat rregullative e mbikëqyrëse të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, ndikuan në stabilizimin dhe përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë së sistemit bankar.
2 Ecuria e inflacionit dhe politika monetare
Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi mesatarisht 3.6% gjatë vitit 2010, duke qëndruar brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Presionet inflacioniste u përqendruan në gjysmën e parë të vitit, të nxitura më së shumti prej rritjes së disa çmimeve të administruara. Inflacioni mesatar vjetor në gjashtë muajt e parë të vitit rezultoi 3.9%. Në dy tremujorët pasues, stabilizimi relativ i kursit të këmbimit dhe presionet e ulëta inflacioniste prej kërkesës së brendshme ndihmuan në konvergimin e normës mesatare të inflacionit përreth objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Hendeku negativ i prodhimit ka prodhuar presione të përmbajtura inflacioniste gjatë gjithë vitit 2010, duke balancuar efektin e nënçmimit të monedhës vendase dhe të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Nëse hedhim vështrimin përpara, ekonomia shqiptare pritet të operojë nën potencialin e saj edhe për një periudhë afatmesme, duke ushtruar presione rënëse në inflacion.
Siç e theksova dhe më parë, gjatë vitit 2010, politika monetare e Bankës së Shqipërisë u zhvillua në një mjedis makroekonomik të karakterizuar nga presione të përmbajtura inflacioniste dhe nga pritje të ankoruara për inflacionin e ardhshëm. Ky mjedis mundësoi ruajtjen e një natyre stimuluese të politikës monetare, të shfaqur që gjatë vitit 2009. Kjo politikë ka nxitur tendencën rënëse të normave të interesit dhe ka plotësuar më tej efektet stimuluese të ardhura nga nënçmimi i kursit të këmbimit. Normat e ulëta të interesit kanë favorizuar rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa kursi i nënçmuar i këmbimit ka mbështetur rritjen e eksporteve shqiptare gjatë vitit.
Reduktimi i stimulit fiskal gjatë gjashtëmujorit të dytë zgjeroi hapësirat për veprimin e politikës monetare. Në muajin korrik 2010, Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin më të ulët historik prej 5.0%. Përmirësimi i kushteve të likuiditetit në sistemin bankar dhe kërkesa e dobët e sektorit shtetëror për mjete monetare kanë mbështetur përcjelljen e politikës lehtësuese në të gjitha segmentet e tregjeve financiare në muajt e fundit të vitit 2010.
Paralelisht me këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun financiar me likuiditetin e nevojshëm për mbështetjen e ndërmjetësimit financiar. Duke synuar gjithnjë adoptimin e modeleve më të përparuara të bankingut qendror, dhe në veçanti konvergjencën me praktikat e Eurosistemit, Banka e Shqipërisë ndryshoi edhe formën e objektivit të saj operacional.
Duke filluar nga muaji qershor 2010, operacionet tona të administrimit të likuiditetit orientohen nga shënjestrimi i normave afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar dhe nga minimizimi i luhatjeve të tyre.
***
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i detyrave të bankës qendrore është edhe funksioni mbikëqyrës i sistemit bankar.
3. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar
Viti 2010 u karakterizua nga rritja e mëtejshme e aktivitetit bankar, përmirësimi i treguesve të shëndetit dhe të fitimit, si dhe nga një kapitalizim i mirë i sistemit. Nga ana tjetër, problemi kryesor i sistemit bankar ka qenë rritja e portofolit të kredive me probleme, e cila ka reflektuar edhe politikën aktive të Bankës së Shqipërisë në drejtim të rritjes së transparencës së bilanceve të bankave.
Ecuria e sistemit bankar
Sektori bankar vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Në fund të vitit 2010, aktivet e sistemit bankar janë rritur me ritme dy herë më të larta se një vit më parë, duke përfaqësuar rreth 81% të PBB-së. Financimi i sistemit bankar vijon të mbështetet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë e përqendruar në kreditimin e sektorit privat.
Nga ana tjetër, rritja nën potencial e ekonomisë dhe kursi i nënçmuar i këmbimit kanë ndikuar në rritjen e raportit të kredisë me probleme, në 14% të totalit të kredisë. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij treguesi kanë ardhur në rënie përgjatë vitit 2010.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit mbetet i kënaqshëm, në nivelin 15.4%, dukshëm më i lartë se limiti prej 12% i përcaktuar në kuadrin rregullator. Kapitali aksioner i sistemit është rritur me 10% në vitin 2010.
Rreziku i kreditit mbetet rreziku kryesor për sektorin tonë bankar. Në përgjigje të këtij rreziku, sektori bankar ka krijuar fonde rezervë të mjaftueshme për përballimin e goditjeve të mëdha mbi aftësinë paguese të kredimarrësve dhe ekuilibrat e tregut.
Mbikëqyrja e sistemit bankar
Në fillim të vitit 2010, Banka e Shqipërisë ndryshoi kuadrin organizativ të mbikëqyrjes bankare, duke e orientuar dhe e lidhur drejtpërdrejt atë me rreziqet që shoqërojnë aktivitetin financiar. Paralelisht me këtë, Banka e Shqipërisë bëri edhe një rikonceptim të fokusit dhe strategjisë së punës për qëllime mbikëqyrëse sipas rreziqeve me të cilat përballet sistemi bankar dhe financiar në vend.
Në fokus të procesit mbikëqyrës përgjatë vitit 2010 kanë qenë dhe transparenca dhe publikimi i informacionit, për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare. Nxitja për rritjen e transparencës së agjentëve financiarë privatë është pasqyruar dhe në ndryshimet e kuadrit rregullativ gjatë vitit. Një çështje sensitive e ndjekur gjatë vitit të kaluar dhe që do të ketë prioritet në periudhat në vijim është dhe niveli i lartë i komisioneve të aplikuara për produktet dhe shërbimet bankare. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet analizave të saj, ka qenë pjesë e rëndësishme e diskutimeve mbi këtë fenomen, duke synuar adresimin në kohë dhe me eficiencë të kësaj problematike.
Pjesë e rëndësishme e procesit mbikëqyrës përgjatë vitit 2010, kanë qenë edhe çështjet që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave si dhe me ndjekjen e normave mbikëqyrëse.
Në kuadër të forcimit të procesit të mbikëqyrjes së subjekteve bankare, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me bankat qendrore të rajonit dhe ato evropiane ku bankat mëma kanë selitë e tyre qendrore.
Forcimi i kuadrit rregullator e mbikëqyrës
Gjatë vitit 2010, Banka e Shqipërisë finalizoi hartimin e disa rregulloreve të reja dhe bëri ndryshime në disa rregullore të tjera të mbikëqyrjes bankare. Ky proces ka synuar në vazhdimësi përshtatjen me standardet e Komitetit të Bazelit dhe direktivat e Bashkimit Evropian, duke konsideruar praktikat më të mira në fushën e rregullimit dhe zhvillimet në sistemin bankar shqiptar.
Akte të reja rregullative dhe ndryshime me rëndësi në aktet në fuqi për mbikëqyrjen bankare të miratuara gjatë këtij viti janë:
-
Rregullorja Për administrimin e rrezikut nga pozicionet e hapura valutore;
-
Rregullorja Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jo-banka; dhe
-
Manuali Për kujdestarinë dhe likuidimin e bankave.
****
Krahas drejtimeve kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë, sikurse janë politika monetare dhe mbikëqyrja e rregullimi i sektorit bankar, aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2010 është përqendruar edhe në përmbushjen e detyrave të tjera ligjore dhe angazhimeve tona institucionale.
Pa u ndalur në veçanti, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka bërë një punë të madhe gjatë vitit 2010 për:
-
Zhvillimin dhe sofistikimin e sistemit të pagesave;
-
Mbështetjen e proceseve integruese të vendit, në përputhje me sferën tonë të veprimtarisë;
-
Rritjen sasiore dhe cilësore të komunikimit tonë me publikun, si një instrument esencial për forcimin e transparencës dhe pavarësisë së bankës qendrore;
-
Zhvillimin e mëtejshëm të statistikave monetare dhe të sektorit të jashtëm të ekonomisë;
-
Forcimin e kapaciteteve studimore dhe kërkimore, në mbështetje të analizës e vendimmarrjes.
Të gjitha këto aktivitete i shërbejnë zhvillimit të sistemit financiar dhe mbështesin ekonominë e tregut të lirë në Shqipëri. Një trajtim të detajuar të tyre mund ta gjeni në Raportin tonë Vjetor.
****
E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Duke iu rikthyer edhe një herë analizës së zhvillimeve ekonomike e financiare të vendit para, gjatë dhe pas krizës botërore, do të doja të theksoja një dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare që e ka shoqëruar atë përgjatë gjithë tranzicionit: deficitin e lartë të llogarisë korrente dhe shkallën ende të ulët të konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë në tregjet botërore.
Sot jetojmë në një botë globale, me tregje të integruara kapitali, produktesh e pune. Si një vend në zhvillim, Shqipëria po përballet e do të përballet me konkurrencë në rritje, jo vetëm në kontekstin rajonal por dhe më gjerë.
Në opinionin tonë, zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i vendit, si dhe ulja e dobësive tona strukturore, nënkupton detyrimisht rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Vazhdimi i reformës strukturore duhet të orientohet nga objektiva ambiciozë dhe një horizont kohor realist.
Reformat strukturore duhet të synojnë krijimin e një klime akoma më tërheqëse për investimet e huaja dhe ato vendase, nxitjen e punësimit dhe rritjen e mëtejshme të mirëqenies, duke ofruar:
-
një ambient të qëndrueshëm makroekonomik;
-
një sistem financiar eficient e të besueshëm;
-
një kuadër ligjor funksional, të plotë e transparent;
-
një infrastrukturë moderne;
-
një forcë punëtore të kualifikuar dhe konkurruese në terma të kostos; dhe
-
një perspektivë të qartë për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian e cila do ti hapë rrugë fondeve të konvergjencës.
Plotësimi i këtyre kritereve kërkon angazhimin e përbashkët të të gjithëve, ku Banka e Shqipërisë do të luajë rolin e saj. Personalisht, mbetem i bindur se rritja e efektivitetit të reformave në këto linja do ti mundësojë Shqipërisë të hedhë një hap cilësor drejt rrugës së saj të integrimit.
Duke përfunduar, më lejoni tju rikujtoj se, së bashku me Raportin Vjetor, pranë jush janë depozituar dhe pasqyrat financiare të Bankës Shqipërisë për vitin 2010, të certifikuara nga auditorët.
Ju falenderoj për vëmendjen.