BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në seminarin mbi Parandalimin e Pastrimit të Parasë, Hotel Tirana, 22 qershor 2005

Data e publikimit: 23.06.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Tema e parandalimit të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit është kthyer në një çështje të ditës, në një shqetësim të madh global, i cili ka tërhequr vëmendjen dhe angazhimin e shumë vendeve perëndimore dhe të agjensive të ndryshme ndërkombëtare të specializuara apo jo qofshin ato. Në këtë kontekst, edhe vendi ynë është angazhuar në mënyrë shumë serioze në përmbushjen e të gjithë detyrimeve që burojnë nga legjislacioni aktual dhe aktet e tjera të lidhura nënligjore.

Më vjen mirë që në funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të konstatoj se sistemi bankar, por njëkohësisht edhe vetë Banka e Shqipërisë, janë të angazhuara në mënyrë të kënaqshme në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga qenia e tyre si subjekte të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.

Në vazhdim të fjalës sime do të dëshiroja të ndaja me ju disa mendime lidhur me rëndësinë e madhe që ka parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ndër të tjera do të doja që veçanërisht të trajtoj një koncept të ri, të ndryshëm nga standarded shabllone, me të cilin kuptoj krijimin e një edukate të re apo kulture të re në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terorizmit. Dëshiroj të bëj një sqarim të vogël se gjatë fjalës sime në vazhdim referimet e mija për sistemin bankar duhet të nënkuptojnë edhe institucionet jobanka të cilat licensohen dhe mbikëqyren prej Bankës së Shqipërisë. Kur flas për një edukatë të re apo kulturë të caktuar në drejtim të parandalimit të pastrimit të parasë, nuk kam parasysh vetëm ekzistencën në institucion të strukturave pëgjegjëse dhe të procedurave përkatëse.

Më konkretisht, e kam fjalën për krijimin e një mentaliteti të ri të të menduarit dhe të të vepruarit; për rritjen e shqetësimit moral dhe qytetar në çdo institucion financiar; për krijimin e një presioni permanent mbi strukturat përkatëse në mënyrë që të sigurohemi se ato janë duke vepruar drejt dhe se zbatojnë të gjithë procedurat e miratuara. Nga ana tjetër, në mënyrë që ky mentalitet i ri të jetë i suksesshëm ai duhet të jetë mbizotërues, duke u manifestuar në një rol proaktiv të të gjithë aktorëve në përmbushjen e detyrimeve të tyre ndërinstitucionale, për t'iu larguar formalizmit dhe shablloneve deklamative. Duke ju drejtuar komunitetit të bankierve të pranishëm në këtë sale, dëshiroj t'ju kujtoj se unë vij nga rradhët tuaja. Për vite me radhë kam qenë drejtuesi i një banke të nivelit të dytë ashtu sikurse për shumë kohë kam drejtuar edhe shoqatën e bankave.

Gjatë gjithë kësaj kohe, kam diskutuar dhe ndarë me ju opinione dhe shqetësime të njëjta lidhur me problemet që sot po diskutojmë. Kohë më parë zhvilluam konsultime të gjithanshme dhe ndërmorëm takime të shumta në vigjilje të hartimit dhe miratimit të ligjit aktual për parandalimin e pastrimit të parave. Po kështu, ne patëm objeksionet tona veçanërisht për mënyrën se si u miratua ai. Edhe sot në funksionin e drejtuesit të bankës qendrore vazhdoj të besoj se një ligj është i mirë kur kërkesat e tij janë lehtësisht të zbatueshme në praktikë dhe nga ana tjetër, nuk sjell kosto të pajustifikueshme për subjektet që i nënshtrohen atij. Në këtë kontekst mendoj se ligji ekzistues i parandalimit të pastrimit të parasë, ka nevojë të rishikohet, duke i bërë modifikimet e rastit në drejtim të standardizimit më të përshtashëm të kontributit të sistemit bankar në këtë fushë. Mendoj se kjo përshtatje, do të krijojë një nxitje më shumë në drejtim të objektivit tjetër madhor të reduktimit të ekonomisë informale dhe pakësimit të cash-it në ekonomi.

Megjithatë, duke iu kthyer edhe njëherë këtij argumenti, të cilin e kam elaboruar shumë herë këto kohët e fundit, dua të theksoj se nevojitet një angazhim ndërinstitucional, pasi do të ishte utopike të mendonim se kjo detyrë i takon vetëm sistemit bankar, aktualisht i rregulluar, transparent dhe i mbikëqyrur. Një rol jo më pak të rëndësishëm, kanë edhe institucione të tjera ku përfshihen ato të taksave dhe të tatimeve, apo institucionet e ndryshme të shërbimeve. Kujdes i veçantë duhet ti kushtohet edhe mbikëqyrjes së segmenteve të tregut jashtë bankave por brenda sferës së ligjit. Kushtet e kryerjes së pagesave të ndryshme, në nivel individi apo kompanie, duhet të favorizojnë përdorimin e instrumenteve bankare (si kartat elektronike, lëvizjet në llogari etj.) dhe në disa transaksione të caktuara (ku lëvizin vlera të mëdha), pagesat në cash duhet të ndalohen plotësisht. Janë pikërisht këto transaksione, të cilat përmbajnë edhe rrezikun më të madh të pastrimit të parasë që rrjedh nga veprimtari të paligjshme, ku përfshihen edhe mashtrimet apo evazioni fiskal. Konstatoj, se preferenca e mbajtjes së cash-it, lidhet edhe me mentalitetin e shoqërisë sonë, si edhe me nivelin relativisht të ulët të pagës mesatare në vend. Si rezultat, mund të thuhet me një nivel të kënaqshëm sigurie se pjesa dërrmuese e sasisë së parasë që qarkullon në cash, zotërohet nga shumë njerëz, pra përfaqëson një rrezik relativisht të ulët për pastrim të parasë.

Më tej, kemi qenë dëshmitarë të një dialogu jo rrallë të vështirë që ka ekzistuar me strukturat që zbatojnë ligjin. Nga njohja që kam për këtë çështje, mendoj se probleme të tilla ekzistojnë pothuaj në çdo juridiksion të huaj, pavarësisht se kultura superiore e tyre në zbatimin e ligjit, e bën më të lehtë zgjidhjen e problemeve.

Të nderuar drejtues të bankave,

Kam dëshirë ta trajtoj problemin nga këndvështrimi i asaj çfarë ne mund të kontribuojmë më tepër në këtë proces, pavarësisht vështirësive objektive që mund të kemi. Për më tepër, historia e rasteve të huaja tregon se kostot e këtyre vështirësive, sado të mëdha në kohë normale, mund të tejkalohen lehtë në raste ngjarjesh të jashtëzakonshme që lidhen me skandale të pastrimit të parasë.

Fillimisht, dua të them se duhet të jemi të kujdesshëm të mos lejojmë që këto vështirësi të zhvendosin përqendrimin tonë nga thelbi i diskutimit; për t'u siguruar që në çdo kohë, institucionet tona financiare janë të pastra, ku paraja e pisët dhe krijuesit apo përfituesit e saj, nuk mund të hyjnë.

Nëse nuk veprojmë në këtë menyrë, mund të kemi pasoja të pallogaritshme. Rrezikojmë realisht reputacionin e institucioneve të veçanta si edhe të sistemit bankar dhe financiar në përgjithësi; jemi bërë padashur instrumente në duart e krimit për të përdorur paratë e rrjedhura nga veprimtari të paligjshme; kemi vendosur reputacionin e klientelës sonë të shëndetshme në një pozitë të vështirë; kemi humbur besimin tek lojtarët e ndershëm të tregut si edhe kemi errësuar imazhin tonë pozitiv pranë partnerëve tanë ndërkombëtare si edhe edhe partnerëve të klientëve tanë; do të kemi në të ardhmen një kosto më të lartë të realizimit të biznesit bankar, jo vetëm nëpërmjet pasojave që mund të vijnë nga largimi i klientelës (të cilat mund të jenë deri fatale) por dhe nga vështirësitë që do të hasim në zgjerimin e veprimtarisë, mund të provojmë veprime ndëshkimore rregullative dhe ligjore. Dëmi është i shumëanshëm dhe kapërcen çdo lloj përfitimi sasior në nivelin e vëllimit të biznesit që mund të kemi patur nga pranimi "pa kushte" i çdo lloj oferte për të kryer biznes bankar me ne.

Në fund të fundit, nëpërmjet zbatimit rigoroz të kërkesave për parandalimin e pastrimit të parasë, ne kemi ruajtur institucionin tonë nga një dëm i pallogaritshëm. Ky është një element thelbësor i punës tonë, tipar i një bankieri të mirë. Duke qenë aktivë në parandalimin e pastrimit të parasë, kemi bërë thjesht punën tonë. Çdo neglizhencë në këtë drejtim, nënkupton se ne nuk jemi të denjë për detyrën që kryejmë.

Duhet të theksojmë se elementi kyç, është vullneti i mirë për të kuptuar dhe për të zbatuar procesin, në thelbin e tij. Ky vullnet është i rëndesishëm të manifestohet nga strukturat drejtuese më të larta në institucion. Nëse ky vullnet mungon, kjo do të ndihet menjëherë në strukturat e bankës, të cilat ndjekin drejtpërsëdrejti procesin e parandalimit të pastrimit të parasë, veprimtaria e të cilave do të jetë neglizhuese dhe përgjithësisht formale. Brenda institucionit, angazhimi i strukturave drejtuese duhet të manifestohet nëpërmjet hartimit dhe miratimit të procedurave të brendshme për parandalimin e pastrimit të parasë, krijimit të njësive të nevojshme dhe caktimit të personave përgjegjës me cilësitë e duhura profesionale dhe hierarkike, ndarjes së saktë të të drejtave dhe të përgjegjësive brenda këtyre njësive si edhe për segmente të caktuar të biznesit bankar, mbështetjes materiale, morale si edhe trainimit të vazhdueshëm të personelit, veçanërisht i asaj pjese që realizon kontaktin me klientin dhe analizën e profilit të rrezikut të tij, ruajtjen e një presioni të vazhdueshëm dhe pozitiv për këto procese në bankë, në mënyrë të vazhdueshme. Me një fjalë, klima që duhet të ekzistoj brenda institucionit për këtë çështje, duhet të favorizojë në çdo rast veprimet e përgjegjshme që merren në kuadër të parandalimit të pastrimit të parasë, nga personeli i gjerë i bankës.

Në një nivel nderinstitucional, vullneti për të vepruar për parandalimin e pastrimit të parasë, shkon përtej zbatimit rigoroz të kërkesave rregullative. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rolin që kemi në strukturën e institucioneve që veprojnë në procesin e parandalimit të pastrimit të parasë. Përveç kësaj, duhet të jemi të ndjeshëm dhe ndihmues ndaj rolit të institucioneve të tjera që veprojnë në këtë kuadër, për më tepër kur jemi të njohur me vështirësitë që ata kanë në zbatimin e funksioneve të tyre. Më konkretisht, unë nuk besoj se industria bankare dhe institucionet e tjera jobanka, japin kontributin e tyre më të mirë, nëse mjaftohen me respektimin rigoroz vetëm të kërkesave sasiore të ligjit, duke anashkaluar disa kerkesa cilësorë të tij. Kështu, aktualisht raportohet në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parasë një vëllim shumë i madh i transaksioneve mbi minimumin e shumës së kërkuar nga ligji (kërkesë detyruese), por fare pak raporte dërgohen për raste të transaksioneve të dyshimta nën këtë limit (kërkesë jodetyruese). Në këtë rast, është vepruar në përputhje me kërkesat e ligjit, por nuk është vepruar në frymën e tij. Përsa kohë biem dakord që në realitet është objektivisht e pamundur që strukturat e parandalimit të pastrimit të parave në bankë dhe drejtuesit e saj t'i njohin një për një të gjithë klientët e saj, aq mirë sa te vinin "dorën në zjarr" për pastërtinë e secilit prej tyre, atëherë duhet të pranojmë që mungesa e raportimeve për transaksione të dyshimta nënkupton që një bankë:

  • ka vështirësi në ngritjen e strukturave të brendshme, për të siguruar analizën reale të profilit te klientit;
  • nuk ka një kuptim të mirë të problemit dhe ka zgjedhur një menyre formale për t'iu përgjigjur kerkesave sasiore të ligjit;
  • nuk merr një rol proaktiv, në kuptimin e vështirësive që kanë institucionet e tjera dhe në përshtatjen e mënyrës së trajtimit të këtij procesi nga vete banka.

Nëse një bankë ka zgjedhur t'i përshtatet kërkesave të ligjit në mënyrë formale, dhe nëse kjo përqasje gjen vend edhe në institucione të tjera, mendoj se rrezikohet realisht që ky trajtim të kthehet në dëm të vetë industrisë financiare. Do të ishte normale që në këtë rast të mendohej se mënyra e vetme për të rritur shanset e identifikimit të pastrimit të parasë në kushtet e një formalizmi të tillë, është ulja e nivelit minimal të raportimit të kërkuar nga ligji, me shpresën se në këtë mënyrë do të "kapen" rastet e dyshimta nën këtë kufi. Ne rrëzikojme në këtë mënyrë, t'i imponojmë vetes një zgjidhje me një kosto më të lartë përputhshmërie por edhe me një formalizëm më të lartë, në kushtet kur vështirësitë që lidhen me analizën e informacionit që raportohet nga institucionet e tjera, janë të njohura.

Në këtë kontekst do të theksoja se formalizmi në zbatimin e ligjit është i papranueshëm dhe mjaft i dëmshëm. Formalizmi në këtë rast bazohet me kryerjen e detyrës dhe vë në gjumë strukturat kontrolluese ose ndalon mirëfunksionimin e tyre. Për këtë, thelbësore është që vetë ligji dhe aktet rregullative duhet të jenë sa më të qarta dhe të zbatueshme në mënyrë që të krijojmë konfidencialitet dhe lehtësira në zbatimin ë tyre.

Kalimi në një analizë sipas profilit të rrezikut të klientit, është i vetmi hap që siguron zbatimin e ligjit sipas frymës së tij. Kjo mënyrë ofron avantazhe, së pari për realizimin e qëllimit të këtij procesi dhe në vijim për vetë institucionet që janë subjekte të ligjit apo ato të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo mënyrë, mbështetet në një njohje bazë të klientit, të cilën banka duhet ta vendosë si standard në kryerjen e veprimtarisë së saj. Më tej, ajo lejon shpërndarjen më të mirë të burimeve njerëzore dhe financiare në kuadër të ngritjes së të gjithë sistemit të brendshëm të parandalimit të pastrimit të parasë, duke rezultuar në një reduktim të kostove. Njëkohësisht, ajo iu mundëson institucioneve që merren me analizën e informacionit që vjen nga subjektet e ligjit, të fokusojnë punën e tyre në ato transaksione të cilat paraqesin një shkallë më të lartë rreziku për të qenë pastrim paraje. Të gjitha institucionet do të kenë më pas më tepër nxitje, për t'i ndjekur rastet e dyshimta si edhe për të dhënë informacion mbi rezultatin e hetimit të tyre.

Një element tjetër mjaft delikat që dua të veçoj në fjalën time është ruajtja e konfidencialitetit në dhënien dhe në administrimin e informacionit për transaksione të dyshimta. Praktika jonë ka treguar se problemet në këtë pikë, janë komplekse. Kemi patur raste të daljes në publik të raporteve për transaksione të dyshimta, të nesërmen e ditës së raportimit të tyre. Në një rast tjetër, punonjësit e bankës janë hetuar sikur të ishin ata personat që kishin pastruar paranë dhe jo ata që kishin raportuar për një transaksion të dyshimtë. Subjektet raportuese dhe institucionet që implementojnë ligjin, brenda kuadrit të ligjit dhe në frymën e tij, duhet të përcaktojnë mes tyre procedura që mundësojnë eliminimin e rasteve të tilla dhe që sigurojnë ruajtjen e konfidencialitetit të personave në subjektet raportuese që raportojnë mbi rastet e transaksioneve të dyshimta. Për sa kohë ky element nuk është siguruar plotësisht, çdo diskutim tjetër shndërrohet në një trajtim teorik pa vlera të mirëfillta praktikë.

Në përfundim, si Guvernator më duhet të them se do të inkurajoja një klimë më të mirë bashkëpunimi mes institucioneve që janë subjekte të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe institucioneve që ngarkohen me zbatimin e tij. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë si institucion mbikëqyrës i subjekteve që licencohen prej saj dhe që janë subjekte të ligjit, do të nxisë një lëvizje më të fuqishme në drejtim të dhënies se një kontributi më të madh nga bankat në prandalimin e pastrimit të parasë. Në ushtrimin e funksionit tonë, nuk do të mjaftohemi vetëm me verifikimin e ekzistencës së strukturave të brendshme të bankës dhe të procedurave përkatëse, por do të thellohemi më tej në drejtim të vlerësimit të mbështetjes që strukturat drejtuese i japin sistemit të brendshëm të parandalimit të pastrimit të parasë.

Pozicioni i një banke qendrore sipas ligjit është mjaft komod, por duke patur rolin proaktiv të një banke qendrore të përgjegjshme, dhe duke parë zbatimin konkret të kësaj pergjegjshmërie, do të intensifikojmë punën tonë së bashku me aktorët e tjerë të interesit, për një zbatim sa më korrekt të ligjit për pastrimin e parave.

Më lejoni që ta mbyll ketë fjalë, duke falenderuar bashkëorganizatorët e këtij seminari, Zyrën e FSVC në Tiranë si edhe Shoqatën Shqiptare të Bankave. Falenderoj specialistët e bankave të nivelit të dytë dhe të institucioneve jobanka që marrin pjesë në këtë seminar dhe që japin një kontribut të paçmuar në parandalimin e pastrimit të parave në institucionet e tyre. Falenderoj gjithashtu edhe ekspertët e huaj, z.Farrell dhe z.Burnside, të cilët pranuan të ndajnë me ne përvojën e tyre të vyer. Uroj që ky seminar të jetë edhe për ta një ngjarje e veçantë.

Faleminderit!