BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në takimin "Sistemi Bankar: Nxitës i zhvillimit Ekonomik", datë 12 shtator 2008, në qytetin e Kukësit

Data e publikimit: 13.09.2008

 

I nderuar zoti Guvernator,

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë Kukës,

I nderuar zoti Kryetar i Komunës së Prizrenit,

I nderuar zoti Uldedaj,

I nderuar zoti Basha,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndjej një emocion të madh që ndodhem sot këtu mes jush. Kam shumë arsye që përjetoj këtë gjendje të veçantë.

Për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, jam ballafaquar me një vepër gjigande që dita ditës po hedh shtat e po merr formën përfundimtare. E kam fjalën për segmentin rrugor Rëshen - Kalimash, të cilin çdokush që e viziton, e kupton se bëhet fjalë për një vepër të jashtëzakonshme inxhinierike, civile, të dobishme, largpamëse dhe patriotike njëkohësisht.

Po kështu, kthimi pas shumë kohësh në qytetin e Kukësit, më ka befasuar. Aeroporti i përfunduar, intensifikimi i aktivitetit ndërkufitar, klima e jashtëzakonshme dhe së shpejti, qytet me infrastrukturë moderne. Mundësi të shumta janë në horizont. Zgjuarsia juaj është t'i perceptoni ato dhe t'i përdorni në mënyrë të zgjuar, për të shtuar shanset e komunitetit kuksian dhe me gjerë, për të gjithë rajonin verilindor.

Arsyeja tjetër që më bën të ndihem mirë sot është e lidhur me pjesëmarrjen e homologut tim kosovar, zotit Hashim Rexhepi. Ky takim ka një domethënie të veçantë. Një institucion që po rritet dhe fuqizohet dita ditës, tashmë ka në drejtim një profesionist shqiptar, ndryshe nga disa kohë më parë kur drejtimi i ishte besuar një nënshtetasi të huaj.

Takime të kësaj natyre tashmë po kthehen në një lloj tradite. Pas Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Sarandës për herë të parë takojmë një realitet tjetër atë të zonës verilindore, zonë në të cilën besoj se qyteti i Kukësit luan një rol të rëndësishëm. Nëpërmjet këtyre takimeve rajonale, synojmë që të prekim nga afër realitetin ekonomik dhe financiar të zonave të ndryshme të vendit. Rajone të ndryshme të vendit, për arsye klimaterike, kulturore, sociale, gjeografike, demografike, objektive dhe subjektive, kanë mundësi dhe nivele të ndryshme zhvillimi ekonomiko - shoqëror. Nga ky këndvështrim, synimi ynë është njohja e plotë e të gjitha këtyre veçorive specifike, identifikimi i të gjitha burimeve financiare dhe natyrore, përgatitja e "recetave" dhe e këshillave të tjera, për shfrytëzimin sa më racional të tyre.

Përtej asaj që sapo thashë, dëshiroj të sqaroj se hulumtimi i potencialit të rajoneve të ndryshme dhe hulumtimi i shkallës së përdorimit të tyre është thelbësor edhe përsa i përket aktivitetit të sistemit bankar, veçanërisht përsa i takon shtrirjes gjeografike dhe ndërmjetësimit financiar, që ai kryen në një rajon të caktuar gjeografik.

Një arsye tjetër madhore që motivon Bankën e Shqipërisë në ndërmarrjen e këtyre takimeve, ka të bëjë edhe me vendosjen e një kanali më efektiv komunikimi midis Bankës së Shqipërisë dhe publikut. Ne besojmë se përveç mjeteve tradicionale siç janë konferencat për shtyp, raportet mbi politikën monetare apo stabilitetin financiar, kontakti i drejtpërdrejtë me grupe të caktuara shoqërore në rajone të ndryshme gjeografike (sqarimi "shtëpi më shtëpi" si të thuash) është një mjet shumë efikas dhe shpesh herë përcaktues.

Sot, do të dëshiroja të ndaja me ju disa çështje me interes për të gjithë auditorin. Si fillim do të ndalem në analizën më të fundit të Bankës së Shqipërisë për gjendjen ekonomiko - financiare në vend.

Shumë shkurt, tre janë zhvillimet kryesore, të cilat mendoj se kanë më interes për auditorin:

Në rrafshin ndërkombëtar, zhvillimet ekonomiko - financiare kanë qenë shumë komplekse këta muajt e fundit. Inflacioni është kthyer në një shqetësim për shumicën e ekonomive ndërkombëtare, duke reflektuar kryesisht çmimet e rritura të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore. Po kështu edhe aktiviteti ekonomik në ekonomitë e zhvilluara ka njohur zigzaget e veta. Aktualisht, ekonomia e Eurozonës gjendet para shumë pikëpyetjeve, ndërkohë që ngadalësim i aktivitetit ekonomik është evidentuar edhe në SHBA, dhe në disa ekonomi aziatike. Kriza e kredive ka bërë që shumë institucione të njohura ndërkombëtare, të materializojnë humbje të mëdha financiare dhe procesi ngjitës i saj vazhdon ende. Rasti më i fundit i përket dy kompanive të mëdha Freddie Mac dhe Fannie Mae, gjigandet e financimit të hipotekave në Amerikë, të cilat në prag të një falimentimi, iu nënshtruan një plani të paprecedentë dhe të kushtueshëm shpëtimi, të ideuar nga ana e Departamentit të Thesarit (Ministria e Financave e SHBA). Të gjitha këto probleme, kanë krijuar paqartësi në tregje, duke e bërë të vështirë parashikimin e të ardhmes dhe duke rritur nervozizmin e pjesëmarrësve.

Në rrafshin kombëtar, si zhvillimin më të spikatur do të evidentoja imunitetin që shfaqi ekonomia jonë në drejtim të stabilitetit të çmimeve, në rrethanat kur aktiviteti ekonomik i vendit po ecën sipas pritshmërive tona të mëparshme. Disa ditë më parë INSTAT-i publikoi shifrën e inflacionit për muajin gusht 2008, sipas të cilës inflacioni vjetor u ndal në nivelin 2,5 për qind. Pas një periudhe 12-mujore me norma inflacioni rreth nivelit 4 - 4,5 për qind, në përputhje dhe me parashikimet tona, vlerësohet se në muajt në vazhdim inflacioni do të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç'është dhe vlera sasiore e objektivit tonë.

Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende prezente dhe më së shumti, lidhen me zhvillimet ndërkombëtare që përmenda më sipër. Në planin e brendshëm, siç e kam përmendur edhe më parë, rreziqet kryesore janë të lidhura me ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës energjitike si dhe me implikime të mundshme të situatës fiskale në të ardhmen. Për momentin, rreziku më i madh vjen nga efektet e vonuara që shkaktojnë disa zhvillime të caktuara si për shembull, rritja e pagave përtej një niveli logjik të pranuar (ndryshe quhen efekte të raundit të dytë). Çdo rritje e tillë nuk do të bënte gjë tjetër vetëm se do të gjeneronte inflacioni të ri, duke imponuar një rritje tjetër pagash, e cila nga ana saj do të prodhonte përsëri dhe përsëri inflacion. Më lejoni të sqaroj se kjo nuk është rruga e duhur. Spiralet paga - inflacion janë studiuar relativisht herët dhe përbëjnë recetat më pak të përshtatshme, në kompensimin e pasojave të inflacionit.

Si një çështje të veçantë do të doja të trajtoja edhe zhvillimet e fundit në sistemin bankar, me të mirat dhe rreziqet që mbartin ato. Sistemi bankar në Shqipëri, po kalon në një fazë të vrullshme zhvillimi dhe promovimi produktesh të reja. Besoj se keni konstatuar që shumë banka po zbatojnë politika agresive marketingu, nëpërmjet të cilave reklamohen kredi me terma dhe destinacione të ndryshme për individët, ashtu sikurse janë ofruar përqindje atraktive për grumbullimin e depozitave. Po kështu, një zhvillim tjetër ka të bëjë me zgjerimin e vazhdueshëm të rrjetit të degëve dhe të agjencive nga ana e sistemit, në përgjithësi. Vetëm gjatë vitit 2008, janë hapur 73 degë dhe agjenci të reja si dhe janë në proces për t'u hapur 15 të tilla.

Pak a shumë të njëjtat karakteristika mund të përmenden edhe për rrethin tuaj. Në rrethin e Kukësit ushtrojnë veprimtarinë e tyre gjashtë banka private, ndërkohë që janë në proces për të filluar aktivitetin e tyre edhe dy banka të tjera. Deri në fund të muajit qershor 2008, sistemi bankar ka akorduar rreth 1.2 miliardë lekë të reja kredi (afërsisht rreth 15 milionë dollarë amerikanë) nga të cilat, rreth 66 për qind i përkasin individëve dhe pjesa tjetër bizneseve private të zonës. Më vjen mirë të konstatoj se kjo shumë përbën rreth 66 për qind të depozitave të grumbulluara po në zonën tuaj, duke pasqyruar në këtë mënyrë një shkallë relativisht të lartë të ndërmjetësimit financiar.

Zhvillimi i shpejtë i sistemit bankar, konkurrenca e madhe që po e karakterizon atë këto kohët e fundit, rendja e bankave për të zënë treg, imponon nevojën për një kujdes më të madh. Ne si institucion, kemi marrë një sërë masash për të rritur kujdesin në drejtim të stabilitetit të sistemit, nga të cilat veçoj vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës për:
• disa ndryshime në rregulloren "Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e degëve të bankave të huaja";
• disa ndryshime në rregulloren "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit";
• disa ndryshime në rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë";
• miratimin e rregullores "Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja";
• miratimin e rregullores "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare".

E gjithë kjo paketë ishte lançuar në forumin e hapur që organizuam në pranverë me sistemin bankar. Në thelbin e saj paketa synon: një disiplinim më të mirë të sistemit bankar në drejtim të vlerësimit të rreziqeve që lidhen me kredinë; penalizimin e bankave kur shtohen kreditë me probleme; nxitjen e kreditimit në monedhën kombëtare; si dhe rritjen e transparencës dhe sqarimit të klientelës për çdo produkt apo shërbim.

Duke qëndruar gjithnjë në çështjen e stabilitetit financiar, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë, të cilat për momentin përbëjnë një shqetësim nga këndvështrimi i zhvillimeve afatgjata në ekonomi. Rritja e qëndrueshme e importeve në mallra dhe shërbime, për pasojë dhe thellimi i deficitit korent, janë fenomene që meritojnë vëmendje të veçantë. Ndërlikimet kryesore midis të tjerave, lidhen me stabilitetin financiar të vendit. Ndërkohë që burimi i tyre, lidhet me korrigjimin e imponuar të zhbalancimeve afatgjata, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe.

Të nxitura nga rritja e çmimeve të pasurisë, vlerësimi i qëndrueshëm i Lekut, dërgesat nga emigrantët, rritja e shpejtë e kredisë dhe e shpenzimeve buxhetore gjatë këtij viti; deficitet e larta korente janë bërë një fenomen dominues i sektorit të jashtëm. Një rregullim automatik dhe i menjëhershëm i tyre, do të shkaktonte një korrigjim të kurseve të këmbimit drejt zhvlerësimit të shpejtë dhe të fortë të monedhës kombëtare, rënie të konsumit privat dhe publik, e për rrjedhojë, tkurrje të aktivitetit ekonomik në atë shkallë, sa të gjenerojë krizë të sektorit të jashtëm me potencialin për t'u përhapur në ekonomi, duke kërcënuar stabilitetin financiar të vendit. Duke përfituar nga ky ballafaqim me publikun, do të doja t'i kushtoja pak minuta këtij problemi. Pa dashur të hyj në argumente të mirëfillta teorike, do të thoja se deficitet e larta korente e kanë origjinën kryesisht në sjelljen e konsumatorëve për aq kohë sa vendi ka njohur një konsolidim fiskal.

Me fjalë të thjeshta, ajo që po mundohem të sqaroj, do të thotë se në nivel të përgjithshëm ekonomie ne konsumojmë më shumë nga sa prodhojmë. Ky konsum ekstra i financuar kryesisht nëpërmjet kredisë, gjen mbështetje në pritshmëritë tona për të ardhura më të larta në të ardhmen. Pra, në nivel shtëpiak apo individi, krijohet një deficit përderisa të ardhurat e siguruara janë të pamjaftueshme për të mbuluar konsumin shtëpiak apo atë individual.

Kriza financiare ndërkombëtare dhe pasojat negative mbi aktivitetin ekonomik dhe financiar në të gjithë boten, origjinojnë nga konsumi i sektorit shtëpiak përtej burimeve, duke siguruar financime shtesë nga kredia bankare dhe rritja e çmimit të pasurive të paluajtshme. Ky model konsumi u shoqërua me rritjen e deficitit korent dhe rritjen e detyrimeve afatgjata të sektorit shtëpiak.

Kur këto detyrime kaluan nivelin e ekuilibrit afatgjatë, sektori shtëpiak nuk mund të shlyente më borxhet e akumuluara.

Cila ishte pasoja?

Një korrigjim drastik i sforcuar i sjelljes konsumatore dhe i modelit të konsumit. Familjet nuk mund të paguanin më borxhet ndaj bankave dhe të mbanin të njëjtin nivel konsumi. Këto zhbalancime individuale të marra së bashku, u shfaqën në nivel makro, kryesisht në formën e rënies së menjëhershme të kërkesës, në ngadalësim të aktivitetit ekonomik dhe në zhvlerësim të kursit të këmbimit (zhvlerësimi i monedhës amerikane). Natyrisht edhe sistemi financiar nuk mund t'i shpëtonte kësaj epidemie duke u vënë në vështirësi shumë serioze.

E gjitha kjo që thashë më sipër, nxjerr në pah domosdoshmërinë që krahas analizave në nivel makro, një kujdes në rritje duhet bërë edhe për ato në nivel mikro. Pra, recetat për një situatë makroekonomike të qëndrueshme duhet të nisin dhe të mbështeten nga analizat e kujdesshme në nivelin mikroekonomik.

Për këtë arsye, dua të ndalem dhe të analizoj një prej treguesve që ndikon në strukturën dhe modelimin e buxhetit të familjeve. Bëhet fjalë për të ardhurat nga emigracioni. Këto prurje valutore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zbutjen e konsumit dhe në një nivel më të ulët, në përballimin e nevojave për investime kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe në biznese të vogla familjare. Këto dërgesa valutore, kanë kompensuar deri - diku edhe produktivitetin e ulët të fuqisë punëtore dhe efektet negative të papunësisë. Përtej kësaj, ato kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit financiar, duke krijuar raporte më të balancuara ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve.

Duke kuptuar rëndësinë e dërgesave valutore nga emigracioni, çdokush me të drejtë mund të pyesë: Si është perspektiva e tyre? Si mund të menaxhohen në mënyrë më efektive?

Për një periudhë të gjatë kohe, këto burime financiare kanë rezultuar jetike për vendin tonë. Duke iu referuar një vrojtimi për tremujorin e parë të vitit 2008 të Bankës së Shqipërisë, rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e këtyre të mësipërme jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj.

Pjesa më e madhe e të ardhurave nga emigrantët, për tremujorin e parë të vitit 2008 janë përdorur (rreth 70 për qind) për qëllime joproduktive. Kështu, rreth 48 për qind e dërgesave janë orientuar drejt shpenzimeve për konsum, që përfshin plotësimin e nevojave të përditshme të familjes me ushqim, veshmbathje dhe lloje të tjera të shpenzimeve për konsum si orendi shtëpie etj.. Rreth 16 për qind e kursimeve përdoren për ndërtimin, rregullimin e ambienteve të banimit, 10 për qind e dërgesave të emigrantëve janë përdorur për edukim dhe trajtim mjekësor.

Ndër përdorimet produktive duhet të përmendim që rreth 19 për qind e dërgesave të emigrantëve janë me destinacion investimet e kursimet, rezultat i cili flet për ndikimin ekonomik të këtyre dërgesave në vend.

Pavarësisht statistikave të mësipërme, e ardhmja gjithmonë mbart pikëpyetjet e veta. Natyralizimi i shqiptarëve në vendet e huaja, situata ekonomike dhe financiare e këtyre vendeve edhe ndonjë arsye tjetër, ndikojnë negativisht në horizontin afatgjatë. Analizat dhe vlerësimet tona tregojnë se vështirësitë ekonomike, të shprehura në ngadalësimin e ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe inflacionit që kanë përfshirë ekonomitë e zhvilluara kanë ndikuar edhe ecurinë e dërgesave, të cilat këtë vit janë rritur më pak se vitet e mëparshme. Studimet empirike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se një ndërprerje e këtyre flukseve do të vinte në vështirësi serioze modelin tonë të konsumit dhe ekuilibrin afatgjatë të sektorit të jashtëm të ekonomisë.

Shqetësimi ynë për buxhetet individuale qëndron në faktin se modeli i sjelljes që ne adoptojmë në nivel individual, ndikon në krijimin e fytyrës apo modelit të kësaj sjelljeje, edhe të rajoneve të caktuara.

Përgjithësisht, mund të thuhet se ekonomia shqiptare ka bërë një progres të dukshëm, duke u shkëputur nga grupi i vendeve të IDA-s. Treguesit makroekonomikë, për një periudhë relativisht të gjatë, kanë qenë pozitivë dhe të qëndrueshëm. Megjithatë, përtej treguesve mesatarë në shkallë vendi, statistikat e detajuara sipas rajoneve, dëshmojnë se mirëqenia në zonat malore është rritur me hapa më të ngadaltë se në zonat e tjera. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, në vitin 2007, një banor normal i zonës malore, konsumin real për frymë, mesatarisht e ka rreth 12 për qind më të ulet se një banor normal i Tiranës, krahasuar me 9 për qind, në vitin 2002. Po sipas të njëjtit burim, banori normal i zonave rurale të bregdetit ka një konsum real rreth 34 për qind më të lartë se banori i zonave rurale malore. Përgjithësisht, varfëria ka një lidhje të fortë pozitive me madhësinë e familjes dhe një lidhje negative me moshën, dhe arsimimin.

Në kontrast me sa më sipër, do të theksoja se Qarku i Kukësit ka një gërshetim elementesh të ndryshme të cilat mbartin potencial të jashtëzakonshëm, për prosperitet më të madh të të gjithë kësaj zone.

Së pari, qarku juaj dallohet për një bukuri dhe diversitet natyror të rrallë nga këndvështrimi i turizmit malor e etnografik. Veçanërisht hapja e kufirit me Kosovën mendoj se ka krijuar shanse të vërteta për t'i konceptuar Alpet Veriore si një kompleks i vetëm me vazhdimin e tyre në Kosovë dhe pse jo, edhe në Malin e Zi. Një pikë tjetër e fortë mendoj se është edhe aeroporti i përfunduar, i cili shumë mirë mund të përdoret për transportin e të apasionuarve të sporteve dimërore. Është detyrë e autoriteteve vendore që në bashkëpunim me grupe të caktuara lokale të interesit, të përgatisë projekte dhe studime fizibiliteti, të cilat në një kohë të dytë, mund të paraqiten para autoriteteve qendrore apo para operatorëve të specializuar ndërkombëtarë. Dua t'iu informoj se momentalisht, interesimi i këtyre të fundit është shumë i lartë dhe i prekshëm. Është momenti që të rrisni marketingun e këtyre potencialeve, duke evidentuar saktë pikat e forta.

Së dyti, qarku juaj shquhet për një nëntokë shumë të pasur. Nuk jam në dijeni nëse zotëroni inventare apo harta gjeologjike, të cilat evidentojnë saktë burimet minerare. Në qoftë se jo, jeni shumë të vonuar në këtë drejtim. Koniuktura aktuale e çmimeve është shumë e favorshme dhe mendoj se çdo riaktivizim i minierave ekzistuese apo hapja e minierave të reja do të thotë më shumë punësim, më shumë shpresë për vendin tuaj, për rrjedhim më pak lëvizje emigratore.

Së treti, qarku juaj, veçanërisht qyteti i Kukësit, gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm ekonomik jo vetëm rrugor por edhe ajror. Më vjen keq ta pranoj se nuk kemi informacion statistikor në lidhje me aktivitetin ekonomiko - financiar ndërkufitar. Gjithsesi, mendoj se potenciali nuk shfrytëzohet ende në nivelin e kërkuar. Jemi i njëjti popull, flasim të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtat zakone, e për rrjedhim, barrierat absurde të kohës mendoj se nuk duhet të na pengojnë. Përfundimi i rrugës së re, dalja e saj në portin më të madh të vendit, krijojnë premisat për ta shndërruar qytetin e Kukësit në një pikë tranziti të jashtëzakonshme për pasagjerë, mallra, shërbime, art dhe kulturë.

Së katërti, qarku juaj duhet ta shfrytëzojë me shumë zgjuarsi praninë e universitetit në qytetin tuaj. Apeli im në këtë rast është i thjeshtë: investoni në mobilizimin e një trupe mësimore të specializuar. Mos kurseni për arsimin, për dijen, për kulturën që ajo sjell. Mendoj që edhe në këtë drejtim, pushteti lokal mund të krijojë stimuj financiarë. Qëllim final duhet të mbetet krijimi i një qendre edukimi mbarëkombëtare, e cila t'i shërbejë komunitetit lokal që banon në të dyja anët e kufirit. Sinqerisht uroj dhe shpresoj që menaxherët e së ardhmes të rriten dhe të dalin nga auditorët e këtij universiteti.

Së pesti, unë mendoj se duhet t'i kushtoni më shumë rëndësi prezantimit të informacionit rreth potencialeve që ka qarku juaj. Të pretendosh se ke diçka që vlen është njëra anë e monedhës. Ana tjetër është se sa i aftë je për të gjetur blerës; sa i aftë je për t'ia mbushur mendjen dikujt që ta blejë atë. Në këtë kuptim, përparësi merr identifikimi i plotë, sistemimi, prezantimi dhe promovimi i të gjithë potencialit që përshkrova më sipër. Për analogji, dëshiroj të sjell një shembull. Banka e Shqipërisë prej dy vitesh organizon konkursin "Çmimi i Guvernatorit" për punimin shkencor më të mirë. Vjet, çmimi i tretë iu dha një studenti të universitetit të Shkodrës, për një punim mjaft origjinal që prezantonte potencialet dhe mundësitë që ofron rrethi i Pukës, për zhvillimin e turizmit malor dhe impaktit pozitiv makroekonomik, që mund të sjellë shfrytëzimi i këtyre mundësive për rajonin. Ky punim u vlerësua me çmim për origjinalitetin e temës së zgjedhur dhe impaktin ekonomik që mund të shkaktojë me prezantimin e tij. Veçoria e këtij punimi është se ai jo vetëm që prezanton një mundësi biznesi fitimprurës, por përpiqet të japë edhe një vlerësim, për efektin pozitiv të këtij investimi në jetën e komunitetit. Ndikimi pozitiv në komunitet është një çështje parimore për investitorë të rëndësishëm strategjikë. Ne e përzgjodhëm këtë punim jo vetëm në njohje të punës origjinale dhe me pasion të studentit pukian, por edhe për të rritur sensibilizimin dhe për të promovuar këtë mentalitet të ri dhe modern. Kur një student i vetëm arrin të bëjë kaq shumë, mendoni se çfarë është në gjendje të bëjë një universitet, një qeveri lokale, një komunitet lokal apo të gjithë së bashku. Ju kam sjellë një kopje të këtij studimi.
Të nderuar pjesëmarrës,

U mundova që shkurtimisht të hedh për diskutim me ju disa çështje, të cilat personalisht i shoh me rëndësi jetike dhe me përfitim reciprok, si për ju ashtu edhe për institucionin që unë drejtoj. Ndoshta në fjalën time isha pak provokativ, por mendoj se tashmë ka ardhur koha që disa fenomeneve apo plagëve të tranzicionit t'i vëmë kapak një herë e përgjithmonë. Unë jam i ndërgjegjshëm se problemet janë të shumta dhe komplekse. Megjithatë, për të mos përsëritur vetveten unë shoh qartazi dritë në fund të tunelit. Shanset janë aty. Detyra jonë është të mos i shpërdorojmë ato. Për këdo institucion, individ, shoqatë, sipërmarrje apo iniciativë, në emër të Bankës së Shqipërisë ju garantoj që ne jemi të hapur të bashkëpunojmë për progresin dhe prosperitetin e këtij komuniteti në të ardhmen.

Edhe një herë faleminderit për vëmendjen dhe mikpritjen tuaj.