BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me rastin e çeljes së Ekspozitës “100 vjet pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare” në qytetin e Vlorës, 16 nëntor 2012

Data e publikimit: 16.11.2012

 

I nderuar Zoti Kryetar i Bashkisë,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e madhe për mua të jem sot në Vlorë, me rastin e çeljes së Ekspozitës “100 vjet pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare”. Është e jashtëzakonshme pasi vetëm pak ditë na ndajnë nga festimi i njëqindvjetorit të pavarësisë sonë kombëtare.

Në cilësinë e institucionit përgjegjës për emetimin e parasë në Shqipëri, Banka e Shqipërisë e ndjen për detyrë njohjen dhe informimin e publikut të gjerë me historinë monetare të vendit. Ekspozita që po çelet sot është një kontribut në këtë drejtim, me paraqitjen e rrugëtimit të parasë në Shqipëri nga shpallja e pavarësisë deri në ditët e sotme. Kjo ekspozitë përmban një koleksion të gjerë artefaktesh të historisë monetare të shtetit shqiptar. Ajo ka një vlerë të madhe materiale dhe kulturore, për shkak se shumë prej objekteve janë unike dhe datojnë përpara emetimit të monedhës tonë kombëtare nga Banka e Shqipërisë.

Në udhëtimin e kësaj ekspozite në disa qytete të vendit si Berati, Gjirokastra, Korça, Shkodra, Tirana dhe sot pikërisht këtu në qytetin e shpalljes së pavarësisë, po shkelim në të njëjtin rrugëtim si monedha jonë kombëtare – leku. Në këtë mënyrë, ne synojmë të sjellim në vëmendje të publikut të gjerë se procesi shtetformues dhe historia e jonë moderne nuk kanë të bëjnë vetëm me ngjarje politike dhe ushtarake, apo biografi personash dhe institucionesh, por janë të lidhura ngushtë edhe me historinë e monedhës sonë kombëtare.

Sapo hyn në këtë ekspozitë e ndjen menjëherë sesi historia e monedhës shqiptare ka ecur krah për krah me historinë e vet shtetit tonë, me momentet dhe figurat historike kryesore të tij. Aq të lidhura janë këto të dyja, sa kur merr në dorë një monedhë të shfaqet përpara si në një fotografi, periudha historike në të cilën ajo është prerë dhe është përdorur.

Monedha, së bashku me gjuhën, përbën një pjesë të pandarë të identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë tonë kulturore. Duke shpalosur në imazhet e veta njerëzit, ngjarjet dhe vlerat më të rëndësishme të historisë sonë, monedha ka kontribuar në forcimin e ndjenjës së identitetit kombëtar tek populli shqiptar.

Duke vepruar si një mjet i përbashkët i ndërveprimit shoqëror, paraja gjithashtu, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një tradite dhe kujtese kombëtare, e cila ka fuqizuar ndjesinë e përkatësisë në kombin shqiptar dhe ndarjen e një fati të përbashkët. Të gjitha këto kanë kontribuar në forcimin e sovranitetit kombëtar, sidomos kur monedha është administruar në mënyrë të qëndrueshme.

Historiani anglez i fundit të shekullit të 16, William Camden, e konsideronte paranë si elementin e pestë pas ajrit, zjarrit, tokës dhe ujit. Karakteri universal i parasë ka shqetësuar breza të tërë filozofësh dhe ka stimuluar imagjinatën njerëzore në mënyra nga më të ndryshmet. Paraja nuk është vetëm një akt ekonomik, por edhe një akt politik. Ajo përcakton kufijtë; ajo bëhet e rëndësishme për konsolidimin e identitetit të një vendi; ajo mund të krijojë premisa për konflikte dhe luftëra; por pavarësisht të gjitha këtyre, me një vullnet të mirë, paraja mund të bëhet pararendëse e paqes dhe stabilitetit të një apo shumë vendeve. Siç shprehet edhe ish kancelari gjerman Helmut Kohl ‘flamuri i vërtetë i Republikës Federale Gjermane është marka gjermane.

Nëse do të kishit jetuar në Shqipëri në periudhën e shpalljes së pavarësisë, paratë tuaja do të konsistonin kryesisht në franga ari franceze – ato që në gjuhën popullore ende sot njihen me emrin “Napolona” – dhe korona argjendi austriake. Duke qenë banorë të një qyteti bregdetar, për blerje të vogla, me shumë gjasa do të përdornit lireta dhe monedha bakri italiane. Gjatë Luftës së Parë Botërore, format kryesore të parasë nuk ishin vetëm monedhat prej ari dhe argjendi, por edhe kartëmonedha lokale, si ato të emetuara nga krahina autonome e Korçës.

Sot, ne kemi në përdorim, krahas parasë së emetuar nga Banka e Shqipërisë, edhe çeqe dhe mjete të pagesave elektronike. Në këtë mënyrë, edhe pse paraja ka marrë forma të ndryshme në kohëra të ndryshme, ajo ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme për njerëzit dhe për ekonominë. Madje aq e rëndësishme sa njerëzit vazhdojnë akoma të ruajnë monedha, çeqe apo kambiale të kohërave të shkuara dhe që sot nuk kanë asnjë vlerë ekonomike, si shenjë besimi që kanë tek monedha.

Projekti për një monedhë kombëtare shqiptare ishte pjesë e politikës së përgjithshme modernizuese të ndjekur nga Ismail Bej Vlora, në shtetin e sapokrijuar shqiptar.

Sipas tij, sa më shpejt që Shqipëria të forconte liritë ekonomike, aq më mirë mund të ruante lirinë e sapofituar politike, duke u shndërruar në një vend të begatë. Themeluesi i pavarësisë e konsideronte ngritjen e një banke qendrore si vendimtare për zhvillimin ekonomik të vendit, në përputhje me modelet e bankave të huaja, veçanërisht Bankës së Anglisë, e cila, në atë kohë, ishte në qendër të sistemit financiar botëror. Siç shprehet ai vet “... E them me lavdërim se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim pas lirisë edhe nga pikëpamja ekonomike edhe politike”. Edhe pse e konceptuar si një institucion me kapital privat, veprimtaria e bankës nuk do të orientohej ndaj gjenerimit të fitimit apo interesave të tjera komerciale, por drejt ofrimit të të mirave publike si emetimi i parasë dhe ushtrimi i funksionit të bankierit ndaj qeverisë, bankave dhe agjentëve të tjerë të ndërmjetësimit financiar në vend.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta, fitimi i pavarësisë nuk solli me vete krijimin e një sistemi monetar kombëtar dhe Shqipëria vazhdoi të ishte një ndër vendet e pakta që ende mbështetej mbi një qarkullim metalik monedhash të bazuar mbi arin.

Themelimi i një banke qendrore kishte një rëndësi jetike për frymëzimin e besimit të popullit shqiptar, duke e inkurajuar investimin e kursimeve në aksione dhe depozita bankare, për ta shndërruar bankën në një motor të sistemit të kreditimit në vend.

Nëse do të kthejmë sytë pas, do të shohim sesa shumë ka evoluar monedha në Shqipëri. Nga koha e shpalljes së pavarësisë, kur ari dhe argjendi konsideroheshin të vetmet forma reale të parasë, vijmë në ditët e sotme, kur Banka e Shqipërisë po projekton futjen në qarkullim të parasë elektronike.

Ndryshe nga metalet e çmuara, të cilët e ruajnë vlerën e tyre gjatë shekujve, vlera e kartëmonedhës është e barasvlershme me besimin e qytetarëve në stabilitetin e ekonomisë dhe në bankën qendrore që e hedh në qarkullim. Është pikërisht ky besim i publikut që garanton stabilitetin e monedhës dhe bën të mundur zhvillimin e një sistemi monetar modern.

Ky zhvillim është fryt i një periudhe të gjatë përvoje praktike dhe një numri të madh studimesh ekonomike, të cilat sugjerojnë se banka qendrore, përmes politikës së saj monetare, kontribuon në përmirësimin e perspektivës ekonomike dhe rritjen e standardeve të jetesës së qytetarëve, duke shmangur situatat e inflacionit dhe deflacionit të zgjatur. Gjithashtu, stabiliteti i çmimeve kontribuon në rritjen e veprimtarisë ekonomike dhe punësimit, duke nxitur mirëqenien ekonomike. Kështu, firmat dhe konsumatorët marrin vendime të informuara mbi konsumin dhe investimet; tregu i alokon në mënyrë më të efektshme burimet; potenciali prodhues dhe incentivat për të investuar në ekonomi rriten; ndërsa rishpërndarja e mirëqenies dhe të ardhurave bëhet më e drejtë, duke ndihmuar në forcimin e kohezionit shoqëror.

Për të lehtësuar ushtrimin edhe efektivitetin e politikës monetare në ekonomi, Banka e Shqipërisë i kushton një vëmendje të madhe nxitjes së edukimit ekonomik dhe financiar në vend. Ne besojmë se zgjerimi i njohurive bazë mbi mjedisin ekonomik përmirëson aftësinë e njerëzve për të procesuar informacionin e nevojshëm dhe për të marrë vendimet e duhura ekonomike.

Përveçse u mundëson qytetarëve një pjesëmarrje më efektive në shoqëri, ky edukim ndihmon gjithashtu në sigurimin e mbështetjes publike për politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Në realizimin e këtij misioni, busulla jonë mbetet e orientuar drejt Evropës dhe progresit të pandalshëm drejt konvergjencës ekonomike dhe ligjore me Bashkimin Evropian. Në fokus të veprimtarisë sonë do të vazhdojë të jetë forcimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, si një parakusht thelbësor për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. Vetë monedha e përbashkët evropiane është kthyer në ankorën themelore të Bashkimit Evropian.

Mënyra më e mirë që Banka e Shqipërisë të përmbushë misionin e saj ndaj publikut është njohja dhe besimi në monedhën vendase. Një monedhë e fortë dhe e shëndetshme do të jetë një shoqëruese e pandarë i rrugëtimit tonë drejt Brukselit dhe Frankfurtit.

Zoti Kryetar i Bashkisë, zonja dhe zotërinj, sinqerisht shpresoj se do ta shijoni vizitën në Ekspozitën që jemi duke çelur sot këtu në “qytetin e flamurit”. Është një kënaqësi e veçantë për mua, në emër të Bankës së Shqipërisë, ta deklaroj atë të hapur.