BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në Forumin e 6-të Ekonomik të Vjenës, "Bashkëpunimi rajonal – Sfida dhe shanse: "20 vjet pas rënies së perdes së hekurt"", 9-10 nëntor 2009, Vjenë, Austri
Data e publikimit: 13.11.2009
1. Argumenti që kanë gjetur organizatorët është shumë i goditur, veçanërisht kur bëhet fjalë për bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor. Aktualisht, mesa jam informuar edhe nga kolegët e mi, likuiditeti i pakët (veçanërisht ai në valutë) dhe moskreditimi i ekonomisë përbëjnë dy pika delikate, të cilat mund të na vënë në pozicion të vështirë në muajt në vijim.
2. Kjo bashkësi dy argumentesh mbart në vetvete një problem të dyfishtë: atë afatshkurtër, i cili vë në rrezik veçanërisht stabilitetin e sistemeve tona bankare, ndërkohë që ka ndërlikimet e veta edhe mbi aktivitetin ekonomik dhe stabilitetin makro në një kuptim më të përgjithshëm.
3. Problemi i dytë lidhet me mbështetjen financiare të aktivitetit ekonomik të vendit në të ardhmen, duke konsideruar vitet e fundit, ku kredia për ekonominë përbënte një nga kontribuesit kryesorë në këtë drejtim.
4. Deri në këtë moment, vlerësoj se kemi qenë efektivë në administrimin afatshkurtër të këtyre problemeve. Në mënyrë të ngjashme me Bankën Qendrore Evropiane dhe bankat e tjera qendrore të vendeve të zhvilluara, (bankat qendrore të rajonit) kemi arritur të furnizojmë tregun me likuiditet të bollshëm, duke kombinuar një shumëllojshmëri instrumentesh dhe taktikash operacionale. Kuptohet, që më të lehtë e kemi me likuiditetin në monedhë kombëtare. Ndërkohë, që për atë në monedhë të huaj, të paktën në rastin e Bankës së Shqipërisë, në asnjë rast nuk kemi menduar që të marrim rolin e burimit të fundit të financimit të sistemit bankar me mjete financiare valutore. Por, nga ana tjetër, kemi ushtruar trysninë maksimale mbi bankat mëmë për të siguruar mjaftueshmërinë e kapitalit dhe linja të mjaftueshme financimi për bijat e tyre dhe për hir të së vërtetës, kemi gjetur një frymë mirëkuptimi dhe veprime konkrete në këtë drejtim, pa përjashtim.
5. Sot, një vit pas shpërthimit të krizës globale, duhet të konstatoj se të gjithë masat që ndërmorën bankat qendrore të vendeve të veçanta në rajon, ngjasin me njëra-tjetrën.
6. Banka e Shqipërisë e gjykoi të domosdoshme monitorimin e kujdesshëm të situatës, duke ndërmarrë një sërë veprimesh, të cilat zbutën ndjeshëm trysninë mbi sistemin bankar. Këto veprime, i kanë shërbyer qetësimit të situatës së likuiditetit dhe kanë qenë të harmonizuara me reagimin operacional të zbatuar nga Banka Qendrore Evropiane në përgjigje të krizës.
7. Së pari, u krijua grupi i posaçëm i tipit task force, përgjegjësi kryesore e të cilit edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë ndjekja ditore e situatës për çdo bankë të veçantë. Konkluzioni ynë i drejtpërdrejt ishte se analiza duhej të zbriste në nivel mikro, në çdo qelizë të sistemit dhe në çdo tregues të veçantë të tij.
8. Së dyti, u adoptuan një sërë lehtësirash për furnizimin pa ndërprerje të sistemit me likuiditetin e duhur. U ndryshua tipi i ankandit kryesor të injektimit në ankand me çmim fiks, u zgjerua baza e kolateralit për marrëveshjet repo, u rrit norma e përdorimit të rezervës së detyruar nga 20 në 40% dhe u zvogëlua diferenca midis normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kredisë njëditore, nga 175 pikë në 75 pikë.
9. Së treti, nëpërmjet një akti të veçantë, Banka e Shqipërisë i kërkoi sektorit bankar rritjen e kapitalizimit të veprimtarisë bankare, si një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar.
10. Duke bërë një lloj përgjithësimi, gjykoj se masat e adoptuara në këtë periudhë janë të një natyre ekstreme, të pazakonta dhe që bien ndesh me atë si kushtetutë të bankës qendrore moderne, në lidhje me likuiditetin, tregun e parasë dhe kanalet e transmetimit të politikës monetare. Megjithatë, mirëkuptuam filozofinë qëllimi justifikon mjetin. Për hir të stabilitetit financiar, të gjithë masat e marra janë të justifikueshme dhe kanë rezultuar efektive. Deri tani gjërat kanë ecur mirë.
11. Por, mendoj se situata aktuale e bën bankën qendrore më të ndjeshme nga këndvështrimi i pavarësisë dhe efektshmërisë së politikës monetare. Likuiditeti me çdo kusht, në çfarëdo sasie, në çfarëdo maturiteti dhe përkundrejt çfarëdo kolaterali, për një kohë të papërcaktuar, do të dëmtonte në mënyrë të pandreqshme politikën monetare dhe vetë stabilitetin financiar, në një kohë të dytë.
12. Ruajtja e balancave është më komplekse, në qoftë se marrim në konsideratë edhe kufizimin tjetër madhor, që lidhet me shkallën e lartë të euroizimit (pesha e lartë e komponentit valutor në strukturën e ofertës së parasë) dhe mungesën e konvertibilitetit të monedhave tona kombëtare.
13. Duke konsideruar dhe pamundësinë e Bankës Qendrore Evropiane, për të shërbyer si ofrues likuiditeti për vendet tona, atëherë do të gjykoja se hapësirat që kemi patur në dispozicion në kuadrin e aspektit ligjor e rregullativ aktual janë ezauruar (gjithmonë nga këndvështrimi i likuiditetit). Ndryshe, do të thosha kemi aritur një nivel kritik, poshtë të cilit nuk ka më hapësirë për veprim.
14. Më lejoni të theksoj se tani që kriza nxori në evidencë shumë nga difektet e përafrimit të shpejtë apo siç njihet ndryshe catching up process. Analiza duhet të shkojë më tej sesa pranimi i marë si i mirëqenë i këtij procesi. Kjo gjë bëhet e domosdoshme po të marrim në konsideratë projektimin e një modeli ndryshe të rritjes ekonomike.
15. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë më shtohet bindja se kriza globale ishte një zhvillim, që avancoi në kohë nevojën për axhustimin e pashmangshëm të shumë prej zhbalancimeve, që ekonomitë tona akumuluan në këto 10 15 vitet e fundit.