BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Autoritetin e Konkurrencës, Tiranë, 17 korrik 2007

Data e publikimit: 17.07.2007

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam i gëzuar që me zj. Lati, kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës.

Në respektim të përgjegjësive ligjore të secilit institucion, kjo marrëveshje plotëson dhe fomalizon kuadrin e bashkëpunimit, në drejtim të arritjes së objektivit për përmirësimin e kushteve të konkurrencës, në të cilat zhvillohet veprimtaria bankare dhe ajo financiare. Konkurrenca e ndershme nxit rritjen e eficiencës në veprimtarinë bankare dhe përsos përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të tregut bankar, duke ofruar përfitime të rëndësishme për klientët dhe për publikun në përgjithësi, si përdorues të shërbimeve bankare dhe financiare.

Ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar, prej disa vitesh gjenden në një proces intensiv integrimi me ekonomitë dhe tregjet e rajonit, si një tregues i natyrshëm i përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ për zhvillimin e biznesit në vend dhe i forcimit të kapaciteteve e aftësive njerëzore dhe institucionale, për t'u përballur me sfidat që rrjedhin nga procesi i hapjes së ekonomisë dhe rritja e konkurrencës. Eshtë mjaft e rëndësishme që duke nisur nga kjo fazë e zhvillimit ekonomik, autoritetet rregullative të tregjeve financiare dhe të institucioneve të tyre, të vendosin kushte transparente dhe jodiskriminuese për ushtrimin e veprimtarisë dhe të zhvillojnë instrumentet e nevojshme, për të evidentuar dhe për të shmangur rastet e abuzimit nga institucionet financiare në marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të tregut dhe me klientelën.

Sipas marrëveshjes, Banka e Shqipërisë në ushtrimin e rolit të saj mbikëqyrës dhe në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, do të mbështesë këtë të fundit në evidentimin e sjelljeve të bankave dhe të institucioneve financiare jobanka, të cilat përfaqësojne deformime të konkurrencës dhe që kulmojnë me ruajtjen në mënyrë të pandershme të pozicionit në treg, vendosjen e çmimeve joreale për produktet e shërbimet bankare dhe diskriminimin për klientë apo shtresa të caktuara të publikut. Në raste të tilla, Banka e Shqipërisë do t'i kërkojë Autoritetit të Konkurrencës, që brenda përcaktimeve ligjore, të nisë një procedurë hetimore. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë do të kujdeset që, si deri tani, kuadri rregullativ dhe praktikat mbikëqyrëse të mbeten transparente dhe të ofrojnë kushte të njëjta të zhvillimit të veprimtarisë bankare dhe financiare, për të gjitha subjektet që plotësojnë kërkesat e ligjit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës do të përcaktojnë format e shkëmbimit zyrtar të informacionit, duke respektuar kërkesat e ligjit për cilësinë dhe natyrën e tij.

Siç mund të kuptohet, kemi hedhur vetëm një hap në një proces, i cili është i gjatë dhe kërkon konsistencë në përqasjen ndaj tij në praktikë. Është e nevojshme që rëndësia e kësaj marreveshjeje të përcillet e plotë në personelin përkatës të institucioneve tona, angazhimi i të cilit është i domosdoshëm që bashkëpunimi të mos mbetet vetëm në letër, por të shndërrohet në një kulturë pune, e cila do t'i bëjë më efektive të dy institucionet tona.

Banka e Shqipërisë vlerëson nënshkrimin e këtij memorandumi si një hap mjaft të rëndësishëm që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të konkurrencës reale, në të cilat zhvillohet veprimtaria bankare dhe ajo financiare aktualisht. Është e rëndësishme të theksohet se konkurrenca e ndershme nxit rritjen e eficiencës në veprimtarinë bankare dhe përsos përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të tregut bankar. Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale që bashkëpunimi në kuadër të kësaj marrëveshjeje të jetë sa më konkret dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në arritjen e një konkurrence reale, të ndershme dhe eficiente në këtë treg.

Përfitoj nga rasti të shpreh angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të zhvilluar të gjitha përgjegjësitë e saj, që burojnë nga ligji dhe nga kjo marrëveshje. Njëkohësisht, shpreh vlerësimin tim për Autoritetin e Konkurrencës dhe zj. Lati, për mbështetjen që i dhanë realizimit të kësaj marrëveshjeje.

Faleminderit!