BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën - Qeverisja ekonomike në Bashkimin Evropian - organizuar nga Ambasada e Republikës Italiane, 5 qershor 2006

Data e publikimit: 05.06.2006

 

Të nderuar kolegë,

Është një kënaqësi për mua të jem i pranishëm sot për të ndarë disa mendime mbi çështjet e qeverisjes, që lidhen veçanërisht me bankingun qendror.

Mjedisi në të cilin veprojnë bankat qendrore dhe autoritetet e tregut financiar ka pësuar mjaft ndryshime në dekadat e fundit. Globalizimi dhe progresi i teknologjisë së informacionit dhe i komunikimit nënkupton sfida të reja në arritjen e objektivave të tyre. Për përballimin e këtyre sfidave, nevojitet që bankat qendrore të rikonsiderojnë strategjitë e tyre dhe të ristrukturohen në mënyrën e duhur, me qëllim arritjen e ruajtjes së reputacionit të tyre në këtë mjedis gjithnjë e në ndryshim.

Ky proces do të konsistonte në: ndryshimet në kuadrin ligjor, -ristrukturimi organizativ, i cili mund të përfshijë ndryshime në mënyrën se si banka drejtohet nga këshilli dhe komitetet; - përmirësime në praktikat e kontabilitetit, standardet mbikëqyrëse dhe të burimeve njerëzore; - si dhe disa ndryshime të tjera.

Në dekadën e fundit, Shqipëria është bërë pjesë e kësaj ere ndryshimesh dhe ne kemi arritur të kuptojmë rëndësinë e një qeverisjeje të mirë nga ana e bankave qendrore dhe agjencitë mbikëqyrëse. Për këtë, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapat e duhur me qëllim ristrukturimin e saj. Kështu, synimi ynë është adoptimi i një inflacioni të shënjestruar më formal gjatë periudhës afatmesme. Për arritjen e këtij synimi ne kemi ndërmarrë hapa për përmirësimin e strukturës sonë qeverisëse dhe përforcimin e kapaciteteve tona analitike. Lidhur me çështjet e qeverisjes, forumi i hapur që u organizua vitin e kaluar me ekspertët më të mirë diskutoi mjaft çështje që lidhen me zbatimin e inflacionit të shënjestruar. Megjithatë, siç u theksua nga këta ekspertë, modeli i duhur i qeverisjes së brendshme është larg nga të qenit një formulë e saktë. Leksioni i znj. Lucia Quaglia sot do ta prekë këtë çështje dhe do të na ndihmojë të kuptojmë sesi disa institucione janë duke zbatuar qeverisjen e mirë, dhe të mundohemi të nxjerrim mësime përmes krahasimeve ndërkombëtare.

Gjithashtu, më lejoni të them disa fjalë mbi objektivin e dytë të rëndësishëm të bankës sonë, që është stabiliteti i sistemit financiar. Është bërë një punë e madhe për nxitjen e zhvillimit dhe konsolidimit të një sistemi bankar e financiar të shëndoshë. Lidhur me këtë, mund t'ju përmend disa nga masat që janë ndërmarrë së fundi nga banka jonë, si për shembull: ngritja e një zyre të informacionit të kredive, zhvillimi nga pikëpamja analitike i skemës së sigurimit të depozitave, përmirësimi i kuadrit ligjor mbi falimentimin dhe kolateralin, si dhe përforcimi i kuadrit rregullator bankar dhe mbikëqyrës, i cili do të ndihmojë gjithashtu në drejtim të përpjekjeve të Qeverisë për luftën kundër pastrimit të parave. Organizmat ndërkombëtarë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në veçanti, po i japin një asistencë teknike të çmuar Bankës së Shqipërisë, duke e mbështetur në zbatimin e programit të zhvillimit institucional për mbikëqyrjen bankare që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë. Me privatizimin e bankës më të madhe, sektori financiar në Shqipëri po tregon më së fundi dinamizmin e shumëpritur dhe Banka e Shqipërisë po rrit mbikëqyrjen rregullatore.

Në kuadrin e globalizimit, Banka e Shqipërisë është angazhuar në institucionalizimin e bashkëpunimit midis bankave qendrore në rajon. Po të kemi parasysh takimet e organizuara deri më sot me disa nga autoritetet bankare në rajon, mund të themi se kjo iniciativë është në rrugë të mbarë. Megjithatë, kam bindjen se ka ende vend për një forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, në sajë të të cilit mund të shkëmbejmë përvojat tona në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe të praktikave më të mira të qeverisjes në Evropën Juglindore, të cilat, besoj, janë edhe pjesë e axhendës së ardhshme kërkimore të znj. Quaglia.

Më lejoni të përfundoj duke ju uruar një ditë të frytshme.

Faleminderit.