BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Financave dhe Shefin e Misionit te FMN në Shqipëri

Data e publikimit: 22.06.2011

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sikurse jeni vënë në dijeni, gjatë dy javëve të fundit ka qenë i pranishëm në Shqipëri një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga zoti Bell. Gjatë kësaj periudhe kemi patur diskutime intensive në lidhje me zhvillimet aktuale ekonomike, ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, dhe natyrisht mbi orientimin e duhur të politikave makroekonomike. Më lejoni të theksoj se kjo vizitë, duke qenë në kuadrin e Diskutimeve të Artikullit 4, u përqendrua gjithashtu në çështje strukturore të ekonomisë shqiptare, duke vënë theksin në hapat që duhen ndjekur për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë të vendit.

Cilat kanë qenë shkurtimisht çështjet kryesore të diskutuara?


Së pari, të para në tërësinë e tyre, zhvillimet ekonomike e financiare të vitit 2010 dhe ato të muajve të parë të vitit 2011, treguan se ekonomia shqiptare  përballoi me sukses efektet e krizës botërore dhe gëzon parakushtet e nevojshme për të prodhuar rritje ekonomike edhe në të ardhmen. Kërkesa e huaj ka qenë kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike të vitit 2010, ndërkohë që viti në vazhdim pritet të karakterizohet nga një gjallërim i kërkesës së brendshme, por edhe një rritje më e ngadaltë e eksporteve shqiptare. Në aspektin makroekonomik, situata paraqitet përgjithësisht e balancuar, e karakterizuar nga inflacion i ulët dhe nën kontroll, nga një sistem financiar i sigurt, likuid e i mirëkapitalizuar, nga tregje financiare në përmirësim dhe nga një pozicion i përmirësuar i llogarisë korente. Këto zhvillime pasqyrojnë ndër të tjera edhe politikat e ndjekura për këtë qëllim, të cilat kanë rezultuar efektive në amortizimin e goditjes së madhe që morëm nga kriza botërore. Gjej me vend të theksoj se puna e Bankës së Shqipërisë për të kontrolluar inflacionin dhe për të ankoruar pritjet inflacioniste, si dhe masat tona rregullatore e mbikëqyrëse për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit financiar, ulën kostot e përballimit të goditjes dhe shmangën pasojat më të padëshiruara të saj.

Së dyti, në lidhje me ecurinë e pritur të ekonomisë në horizontin afatmesëm e afatgjatë, përfundimi i arritur pas  konsultimeve të dy javëve të fundit ishte se ekonomia shqiptare pritet të mbetet në territore pozitive të rritjes ekonomike. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike do të varet dukshëm nga rigjallërimi i kërkesës së brendshme, e cila vuan ende nga pasiguria që lidhet me zhvillimet e brendshme dhe të huaja. Konsumi dhe investimet vijojnë të vuajnë nga një dozë e shtuar kujdesi e agjentëve ekonomikë, ndërkohë që kushtet financiare dhe aftësia e sistemit bankar për të mbështetur ekonominë me kredi paraqiten në përmirësim. Nga ana tjetër, inflacioni i rritur i muajve të parë të vitit 2011 pritet të vijë duke rënë në periudhën e ardhme. Kjo pasqyron si origjinën e tregut të huaj të goditjeve që sollën rritjen e çmimeve, ashtu edhe kushtet e brendshme ekonomike e financiare, si dhe politikën tonë monetare.

Diagnostikimi i përbashkët i ekonomisë shqiptare, identifikoi sektorin fiskal dhe atë jashtëm të ekonomisë si dy fusha të cilat do të kërkojnë vëmendjen dhe punën tonë në të ardhmen.

Për sa i përket financave publike, Banka e Shqipërisë e ka theksuar me kohë se qëndrueshmëria afatgjatë e tyre përbën një parakusht për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Kanalet nëpërmjet të cilave tregues si deficiti buxhetor dhe borxhi publik ndikojnë tregjet financiare dhe më tej ekonominë reale, i kemi përditë të ilustruara në shtypin botëror. Duke mbetur të bindur se ekonomia shqiptare do të përfitonte në terma afatmesëm dhe afatgjatë nga reduktimi i borxhit publik, ne kemi inkurajuar dhe mbështetur të gjitha masat e marra për këtë qëllim. Gjykojmë se kjo filozofi duhet të qëndrojë në bazë të rishikimit të pritur të buxhetit për vitin 2011, por edhe të projekteve afatmesme e afatgjata të financave publike.

Sektori i jashtëm i ekonomisë është një tjetër fushë e cila përbën një dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare. Pjesërisht edhe në përgjigje të këtij shqetësimi, Banka e Shqipërisë ka theksuar vazhdimisht nevojën për thellimin e reformës strukturore, në mbështetje të një modeli të ri të rritjes e të zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Ky model duhet të kalojë detyrimisht nga një rritje e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve e shërbimeve tona në të tregjet e brendshme dhe të huaja.


Nga ana tjetër, ai kërkon edhe një qëndrim më racional të sektorit privat të ekonomisë ndaj kontekstit ekonomik në të cilin ndodhemi, si dhe një administrim më të kujdesshëm të rreziqeve financiare që e shoqërojnë atë. Përtej kësaj, ekonomia shqiptare duhet të bëhet sa më atraktive për investitorët e huaj, nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit, përmirësimit të kuadrit ligjor dhe të zbatimit të tij, si dhe të ofrimit të një fuqie punëtore të edukuar dhe me kosto atraktive.

Së treti, dhe të para në kontekstin e ekspozuar më sipër, politikat tona duhet të mbeten të kujdesshme për të garantuar ekuilibrat makroekonomikë të vendit. Siç e theksova dhe më parë, një nga mësimet e periudhës së krizës është se parandalimi është mënyra më e mirë e kurimit. Në këtë kontekst, të gjitha masat politike e strukturore që i shërbejnë stabilitetit, kanë një ndikim pozitiv në afatin e gjatë.

***

Gjatë këtyre diskutimeve kam konstatuar me kënaqësi se ndajmë vlerësime të njëjta me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrinë e Financave mbi nevojën për ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik. Po kështu, gjykoj se ekziston një konsensus modern e funksional në ndarjen e detyrave midis dy institucioneve qendrore të administrimit makroekonomik (bankës qendrore dhe Ministrisë së Financave), si dhe një angazhim konkret për vazhdimin e këtij bashkërendimi edhe në të ardhmen. Duke mbyllur këtë komunikim, dëshiroj të theksoj edhe një herë se Banka e Shqipërisë mbetet tërësisht e angazhuar në respektimin e objektivit të saj të inflacionit prej 3 %, duke vazhduar të orientojë politikën e saj monetare ekskluzivisht në funksion të tij.