BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në seminarin “Shqipëria – mbajtja e stabilitetit makroekonomik në një ambient të jashtëm sfidues”, Hotel Tirana International, 4 mars 2010

Data e publikimit: 04.03.2010

 

I nderuar zoti Z. Bell, I nderuar Ministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi të përshëndes zhvillimin e këtij seminari dhe të marr pjesë në punimet e tij.

Ky seminar dhe tematika e tij janë shumë koherente dhe prekin katër çështje shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të të gjitha ekonomive në zhvillim. Ato shtjellojnë tematikën me të cilën përballen autoritetet ekonomike si pasojë e efekteve anësore makro dhe mikroekonomike që ka kriza globale e tregjeve financiare dhe e ekonomisë reale.

Përgjithësisht politikat e ndërmarra nga autoritetet sipas kushteve specifike të çdo ekonomie rezultuan të suksesshme. Ekspansioni fiskal dhe lehtësimi i kushteve monetare sipas nevojave përkatëse rezultuan të suksesshme për të ndaluar kthimin e krizës në një depresion të ngjashëm me atë të viteve 1930. Në rastin tonë, këto stimuj shmangën ngjarjet ekonomike që karakterizojnë krizën financiare dhe zbutën efektet negative që kriza globale pati në ekonominë shqiptare.

Ndërkohë, që efektet e krizës vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi të gjithë ekonominë botërore, ka ardhur koha që të bëhet një rivlerësim i situatës dhe politikave ekonomike. Përgjithësisht, periudha aktuale në ekonominë botërore përkon me fazën e korrektimit, e cila reflektohet në një rritje më të ulët ekonomike dhe ekuilibra të rinj në prodhim, në tregti, në shërbime, në ndërmjetësimin financiar, në kursin e këmbimit dhe në buxhetet familjare. Në vetvete këto ekuilibra të rinj nuk përfaqësojnë një fazë apo një evoluim të ri të krizës. Ato përfaqësojnë ekuilibra të qëndrueshëm në kushtet e reja. Deformimet në tregjet financiare dhe mungesa e racionalitetit në sjelljen konsumatore vlerësohet të jenë shkaktarët kryesorë të krizës, për shkak se niveli i tyre gjatë periudhës së fryrjes së tullumbaces, nuk ishin në përputhje me ekuilibrat e qëndrueshëm afatgjatë të ekonomisë.

Rrjedhimisht, ideja për të vazhduar mbështetjen e ekonomisë, përshpejtimin e prodhimit, të konsumit dhe të ndërmjetësimit financiar me të njëjtat ritme dhe instrumente do të ishte e ngjashme me stimulin që dhanë tregjet financiare në periudhën që i parapriu krizës. Me fjalë të tjera, ndjekja e të njëjtave politika në kushtet aktuale dhe të ekuilibrave të rinj, do të shkaktonte në afatin e mesëm zhbalancime të mëdha ekonomike dhe financiare të cilat më shumë do ta dëmtonin ekonominë sesa do ta ndihmonin atë.

Pikërisht nga ky këndvështrim, është e rëndësishme që sot të fillojmë të mendojmë dhe të bashkëpunojmë, për gjetjen dhe zbatimin e politikave të cilat do të garantonin stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit.

Nga këndvështrimi i mësipërm, natyra e politikave stimuluese sot dhe në të ardhmen, duhet të synojë minimizimin e kostove të efekteve anësore që kanë shkaktuar politikat ekspansioniste gjatë viteve. Një vend shumë të rëndësishëm në këtë drejtim zë edhe ulja e borxhit që u krijua gjatë ekspansionit fiskal dhe e kostos së tij. Në këtë kuadër, të gjithë autoritetet fiskale duhet të punojnë jo vetëm për të mos krijuar borxh të ri, por edhe për të shlyer borxhin e vjetër me eficiencë maksimale. Strategjitë e daljes nga borxhi që në vetvete përfshijnë edhe zëvendësimin e borxhit të vjetër të shtrenjtë me një borxh të ri më të lirë, janë shumë të rëndësishme dhe të mirëpritura.

Në kushtet aktuale, kur rritja e mëtejshme e borxhit është një ngjarje me probabilitet të lartë ndodhjeje, politikat për të mbështetur ekonominë me shpenzime është e kufizuar nga pamundësia e ekonomisë për të gjeneruar rritje ekonomike.

Duke e zhvendosur fokusin e diskutimit në realitetin e ekonomisë sonë, për të ruajtur nivelin e borxhit dhe stabilitetin makrofinanciar është e nevojshme që të kufizohen shpenzimet në përputhje me të ardhurat. Këto të fundit, varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të ardhurat në ekonominë shqiptare. Rrjedhimisht, është shumë e rëndësishme që zhvillimi ekonomik të nxitet dhe burimet financiare të shkojnë në ato drejtime ku ekonomia shqiptare ofron avantazhet e saj konkurruese. Kjo do të mundësonte zëvendësimin e mallrave të konsumit të importuara me prodhimin e brendshëm në të gjithë produktet ku është i mundur dhe eficient. Qëllimi është të stimulohet prodhimi jo vetëm për konsum të brendshëm për vendin por edhe për eksport në tregjet dhe produktet tradicionale dhe ato të reja. Ky objektiv është një domosdoshmëri jo vetëm nga këndvështrimi afatshkurtër dhe afatmesëm i trajtuar më lart, por veçanërisht nga këndvështrimi afatgjatë.

Strategjitë e menaxhimit dhe reduktimit të borxhit (ristrukturimit) nuk janë vetëm pjesë e politikave makroekonomike. Është e nevojshme që këto strategji të shtrihen në çdo qelizë të ekonomisë, në çdo rast kur bilancet në nivel mikroekonomik janë rënduar nga borxhi.

Ristrukturimi dhe rifillimi i aktivitetit kreditues nuk mund të bëhet pa lënë mënjanë pjesën e sëmurë dhe të keqe të bilancit. Aktualisht jemi përballur me korrektimin e kursit të këmbimit. Ky axhustim automatik i sjelljes prodhuese e konsumatore ndaj konsumit, kursimeve dhe investimeve, ka qenë një proces i domosdoshëm në përputhje me ekuilibrat e rinj. Megjithatë është i pamjaftueshëm, ai duhet të shoqërohet nga korrektimi në çmimet e aktiveve fikse në përputhje me ekuilibrat e rinj pasurorë. Do të doja të theksoja se ekuilibrat e një bilanci qoftë ky fiskal, privat apo familjar garantohen nga ndryshime të njëkohshme dhe të barabarta në të dy krahët e tij.

Bankat dhe biznesi duhet të punojnë së bashku për të identifikuar dhe ndarë pjesët e shëndosha nga ato problematike. Nëse strategjitë aktuale të ristrukturimit nuk kanë potencial të përmirësojnë pjesën e sëmurë, atëherë ndoshta është koha që të kalohet në një strategji të re, që i trajton këto dy pjesë të biznesit të ndara nga njëra-tjetra. Kjo do të mundësonte një zgjidhje optimale për secilin rast të veçuar përkundrejt një strategjie të unifikuar rifinancimi si deri më tani. Pastrimi i aktivitetit kreditues do të zhvendosë kredinë e re nga rifinancimi i paefektshëm, atje ku ka mundësi të reja zhvillimi dhe rritjeje ekonomike, atje ku bilanci i kursim-investimeve është në ekuilibër.

Kjo çështje nuk lidhet vetëm me ecurinë e sistemit bankar dhe stabilitetin financiar të vendit, por edhe me aftësinë e ekonomisë për t’u rritur në të ardhmen.

Siç e kam përmendur edhe në raste të tjera, faktorët mikro e makro që nxitën rritjen e shpejtë ekonomike në periudhën e fundit, aktualisht nuk janë më të pranishëm në ekonominë globale e atë kombëtare. Ekuilibrat e rinj me të cilët po jetojmë tregojnë se modelet e rritjes të bazuara në konsumin e shpejtë dhe të mbështetur në kredi nuk do të jenë më prezentë në ekonominë tonë. Kjo është e vërtetë jo vetëm për arsye të ofertës por edhe të kërkesës, pasi rritja e shpejtë përmes konsumit dhe kredisë ka rënduar bilancin e kursim-investimeve të agjentëve në ekonomi.

Rrjedhimisht tashmë duhet që të gjendet një model i ri i rritjes ekonomike në afatin e gjatë, i aftë për të thithur burimet financiare veçanërisht ato të huaja dhe për të gjeneruar rritje ekonomike. Hapi i parë në këtë drejtim është identifikimi i avantazheve konkurruese që sjell ekonomia shqiptare dhe përshpejtimi i reformave strukturore në ekonominë shqiptare rreth këtyre prioriteteve (ose nga këndvështrimi i këtyre prioriteteve).

Është kënaqësi që temat tona aktuale të diskutimit dhe aktivitetet përputhen plotësisht me axhendën e këtij aktiviteti. Në këtë mënyrë, FMN-ja jep një kontribut të vlefshëm në diskutimin e këtyre temave në ekonominë tonë. Njëkohësisht përmes këtij aktiviteti, FMN-ja rrit transparencën në të gjithë ekonominë shqiptare në lidhje me problematikën e zhvillimit ekonomik sipas këndvështrimit të saj, duke u bërë kështu pjesë e debatit ekonomik në vend.

Dëshiroj të theksoj këtë të fundit sepse ka një rëndësi veçanërisht të madhe në lidhje me kontributin shkencor dhe atë të ekonomisë politike. FMN vjen në Shqipëri si pjesë e këtij debati me katër punime shkencore. Me rezultate të bazuara në statistika të disponueshme, modele ekomomike të identifikuara dhe konkluzione të mbështetura në analiza dhe supozime të mirëpërcaktuara. Secili prej këtyre elementeve është shpjeguar qartë në materialet që do të diskutohen sot. Së bashku këto elemente e bëjnë punën të replikueshme (të kontrollueshme), të diskutueshme dhe i jep kredibilitet rezultateve dhe konkluzioneve të nxjerra. Këto materiale ofrojnë një shtrat të mirë për diskutimin e çështjeve të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Në të kundërt, pjesa dërrmuese e replikës dhe analizës ekonomike sot në Shqipëri ndërtohet dhe zhvillohet mbi një tjetër kriter, atë të dëgjimit dhe të diskutimit.

Analistët dhe ekonomistët fokusohen kryesisht në transmetimin e konkluzioneve të mendimit të tyre ekonomik. Duke anashkaluar diskutimin e rëndësishëm të burimit të të dhënave dhe identifikimin e referencave të teorive (qoftë me autor qoftë me vit), apo të supozimeve që janë bërë në aplikimin e modeleve mbi të cilat kanë dalë rezultatet.

Ky model i të punuarit “fol dhe dëgjo” ka dominuar analizën ekonomike jashtë institucioneve. Në këtë model mungojnë dy elemente thelbësore: lexo dhe shkruaj. Replika ekonomike përqendrohet vetëm në median televizive, ndërkohë që e gjithë politika ekonomike e Bankës së Shqipërisë bazohet në analiza e materiale studimore me karakter teorik e empirik dhe mbi një bazë të dhënash ekonomike. Të gjithë këto elemente të vendimmarrjes janë transparente për të gjithë publikun sepse janë të publikuara në format elektronik në faqen e Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht janë gjithashtu të vlefshme në formë të publikuar si materiale studimore të veçanta ose të përmbledhura në formë volumesh. I gjithë ky informacion është falas dhe ofrohet për publikun si një e mirë publike. Rrjedhimisht analizat dhe komentet mbi natyrën, drejtimin dhe shpejtësinë e politikave ekonomike duhet të nisen nga, dhe të drejtohen tek këto studime për të replikuar me to.

Është e vërtetë se çdo analizë dhe kritikë nis nga një hipotezë ekonomike por para se diskutimi të bëhet publik është e nevojshme që vërtetësia e hipotezës bazë të testohet. Dhe ky proces është i nevojshëm të dokumentohet në një material studimor ose artikull, pasi nëse hipoteza ose modeli apo të dhënat e përdorura nuk janë të përshtatshme në analizën në fjalë, atëherë edhe konkluzionet janë të pjesshme në rastin më të mirë, ose nuk kanë kuptim në rastin më të keq. Sinqerisht shpresoj që aktiviteti i sotëm të ndihmojë edhe në krijimin e një shembulli ose kulture debati apo analize nga këndvështrimi i një pale të tretë. Gjithkush mund të përfitojë nga diskutimi, që është një e mirë e domosdoshme për çdo institucion që harton dhe zbaton politika qofshin këto ekonomike, mjedisore, sociale apo të një natyre tjetër. Dhe kjo ndodh vetëm atëherë kur natyra dhe forma e diskutimit nuk përcaktohen nga përkufizimi individual mbi fenomenin, por nga shtjellimi i detajuar teorik e empirik i tij siç e kërkojnë standardet e shkencës ekonomike.