BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në seminarin teknik rajonal - Çështjet e Politikave Financiare të Skemave për Sigurimin e Depozitave në Evropën Juglindore - Hotel Rogner Europapark, 30 maj 2006

Data e publikimit: 30.05.2006

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi për mua të hap punimet e këtij seminari rajonal mbi "Çështjet e Politikave Financiare të Skemave për Sigurimin e Depozitave në Evropën Juglindore". Falenderoj Programin e Konvergjencës të Bankës Botërore dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për bashkëpunimin. Jam i bindur se ky seminar do të jetë i vlefshëm për shkëmbimin e përvojave dhe ideve të reja në përmbushjen e misionit të institucioneve tuaja.

foto seminari ASD 1079 0

Fillimisht, më lejoni të theksoj se sistemi bankar nuk është i rëndësishëm vetëm si pjesë përbërëse e sistemit financiar, por edhe për stabilitetin që ai i sjell një vendi, duke shtyrë përpara ekonominë e tij dhe duke sjellë rritje ekonomike.

Banka e Shqipërisë, si banka qendrore e vendit, ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Krahas këtij objektivi, Banka e Shqipërisë është ekskluzivisht përgjegjëse për licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave tregtare dhe të disa institucioneve të tjera jobankare, të cilat janë të përfshira kryesisht në veprimtarinë e kreditimit të vogël dhe në atë të këmbimit valutor. Baza ligjore dhe rregullative e mbikëqyrjes është e plotësuar dhe ne punojmë vazhdimisht për përmirësimin e saj. Gjithashtu, praktika mbikëqyrëse i përmbahet standardeve më të mira në këtë drejtim, duke synuar të jetë e orientuar sipas rrezikut të veprimtarisë bankare, të jetë eficiente dhe proaktive.

Veprimtaria mbikëqyrëse, krahas parandalimit të rasteve ekstreme të dështimit të institucioneve të siguruara, realizon edhe administrimin e institucioneve të tilla, në rastet kur ato dështojnë në mënyrë të parekuperueshme. Në këtë fazë, roli dhe kontributi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, deri në atë moment "i padukshëm", shfaqet me të gjithë përmasën dhe rëndësinë e tij. Ai është i domosdoshëm jo vetëm në drejtim të trajtimit të depozituesve që kanë patur kursime në institucionin e dështuar, por edhe në efektin "qetësues" që ka për të gjithë depozituesit në sistemin bankar.

Në fakt, përvoja botërore ka treguar se funksioni i sigurimit të depozitave të klientëve të sistemit bankar, është një instrument i rëndësishëm në kuadër të ruajtjes së qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe të ruajtjes së besimit të publikut tek ai. Pagesa në kohë e vlerës së depozitës në masën e siguruar në rastin e falimentimit të një banke, lejon autoritetet përgjegjëse që të përqëndrohen në procedurat që synojnë izolimin e rastit dhe rekuperimin e vlerave të institucionit të dështuar.

Veprimtaria e institucioneve përgjegjëse për sigurimin e depozitave në vende të ndryshme, ka karakteristika të ndryshme. Kuadri ligjor i tyre parashikon përgjegjësi që kufizohen vetëm me rolin e paguesit të fondit të disponueshëm dhe raste të tjera, ku përgjegjësitë shtrihen më tej, deri në rekuperimin e vlerave të institucioneve të siguruara që kanë falimentuar. Këto karakteristika të ndryshme, përcaktojnë në thelb edhe:

  • mënyrën se si krijohet dhe funksionon institucioni sigurues;
  • mënyrën e administrimit të fondit sigurues dhe format që disponon institucioni për të rritur vlerën e tij në raste të jashtëzakonshme, cili është niveli i masës së kontributit nga ana e institucioneve të siguruara në raport me objektivat për rritjen e fondit sigurues dhe rritjen e kapacitetit mbulues;
  • raportin me institucionet e siguruara;
  • rolin e shtetit në kapitalin e institucionit sigurues;
  • kërkesat në lidhje me burimet e nevojshme njerëzore si edhe objektivat lidhur me nivelin e synuar të ekspertizës së personelit;
  • mënyrën e sigurimit të bankave dhe të degëve të bankave të huaja;
  • mënyrën e caktimit të pagesës së kontributit të sigurimit mbi bazën e profilit të rrezikut të institucioneve të siguruara etj..

Në përgjithësi, mund të thuhet që të gjitha këto elemente varen nga:

  • momenti në të cilin është vendosur në funksionim institucioni përgjegjës për sigurimin e depozitave; siç është edhe eksperienca shqiptare;
  • shkalla e zhvillimit të tregut bankar;
  • mënyra e integrimit të tij dhe e institucioneve bankare në tregjet më të zhvilluara;
  • shkalla e zhvillimit të tregut financiar në përgjithësi;
  • niveli i plotësisë dhe i perfeksionimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ (jo vetëm të atij që lidhet ngushtë me sigurimin e depozitave);
  • si edhe nga niveli i edukimit të publikut në raport me shërbimet që ofron industria bankare dhe tregu financiar në përgjithësi.

Sa më përpara të jemi në zhvillimet e mësipërme, aq më të mëdha në numër dhe aq më cilësore janë alternativat që i lejojnë institucionit përgjegjës për sigurimin e depozitave, një rol më të madh në administrimin e krizave që mund të pësojnë institucionet e siguruara.

Në fakt, krahas "pasurisë" që ofrojnë në përqasjen e praktikave siguruese të depozitave në veprimtarinë bankare, ndryshimet e mësipërme në kuadrin ligjor dhe në praktikat e veprimtarisë së sigurimit të depozitave, shtrojnë edhe nevojën e një harmonizimi më të përgjithshëm, në nivel rajonal dhe ndoshta më të gjerë. Në këtë mënyrë, do të evitonim përcaktime ligjore të cilat në praktikë mund të provohen jofunksionale ose me kosto të lartë.

Unë dua të theksoj edhe një herë se i tërë kuadri ligjor i sistemit bankar dhe financiar është një temë që diskutohet sot gjerësisht jo vetëm te ne, por edhe në nivele ndërkombëtare. Administrimi i rrezikut sot është kthyer në një çështje parësore dhe përbën fokusin e institucioneve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, sistemet rregullatore këshillohen të pësojnë rishikime dhe të përpunohen për t'iu përshtatur më së miri zhvillimeve aktuale dhe perspektive të sistemit financiar. Sistemi financiar nuk funksionon me vakum, ky sistem funksionon në kushte reale dhe detyra jonë është që të përshtatemi me eksperiencat më të mira. Unë mendoj që detyra jonë është të identifikojmë praktikat më të mira, të mundohemi ti përshtatim me kushtet reale të ekonomisë sonë, sepse duke i përshtatur me gjithë kuadrin rregullativ dhe veprimtarinë bankare, ne arrijmë në atë motiv dhe motivim: komunitetin evropian.

Unë shpreh bindjen që ju do ta shfrytëzoni këtë seminar për të gjetur elementet e përbashkëta në veprimtarinë e institucioneve tuaja, si edhe për të identifikuar dallimet. Mendoj se do të ishte e vlefshme të identifikoheshin edhe rastet që përfaqësojnë atë që konsiderohet si "best practice" në fushën e sigurimit të depozitave. Në këtë mënyrë do të kontribuohej në arritjen e objektivit për të standardizuar praktikat siguruese rajonale si edhe për të krijuar një vizion më të qartë për ecurinë e veprimtarisë siguruese në të ardhmen.

Veprimtaria e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, është e re. Si e tillë, aftësia e saj për të vepruar në raste ekstreme është ende e paprovuar. Sidoqoftë, në vazhdimësi është punuar në mënyrë që kuadri rregullativ dhe procedurat e nevojshme të plotësohen duke mbuluar të gjitha drejtimet e mundshme të veprimit të saj. Njëkohësisht, është punuar në drejtim të organizimit të strukturës, plotësimit të numrit dhe të trainimit të personelit të institucionit. Me qëllim që ASD të kryejë në mënyrë efektive funksionet e tij, është vënë theksi në bashkëpunimin mes saj dhe autoritetit mbikëqyrës, Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, në organizimin e strukturës së ASD, të Këshillit Drejtues të saj është pasur parasysh edhe lidhja me Ministrinë e Financave, për të pasur prezencën solide të shtetit në të. Format e këtij bashkëpunimi janë të shumta por, të gjitha ato duhet që të konsolidohen më parë në kushte normale të veprimtarisë së sistemit bankar. Elementet kryesore të këtij bashkëpunimi janë:

  • shkëmbimi i informacionit mbi praktikat mbikëqyrëse dhe respektimin e kërkesave rregullative nga ana e subjekteve të siguruara;
  • organizimi i trainimeve të përbashkëta për njohjen e funksioneve respektive;
  • njohja dhe diskutimi i manualeve ose i procedurave që kërkojnë angazhimin e të dyja institucioneve në raste të veçanta dhe testimi i këtyre procedurave.

Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave, janë duke punuar që bashkëpunimi mes këtyre institucioneve të forcohet në vazhdimësi. Këtij qëllimi i shërbejnë një sërë ndryshimesh ligjore dhe rregullative që po përgatiten paralelisht nga të dyja institucionet tona, si edhe shkëmbimi i informacionit dhe kontaktet më të shpeshta mes të dyja institucioneve. Synohet që të adoptohen praktikat më të mira të fushës, si edhe të plotësohen rekomandimet e lëna nga vlerësimet e specializuara, të bëra nga institucionet financiare ndërkombëtare që e asistojnë këtë proces.

Më lejoni të konfirmoj edhe një herë se Banka e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar që të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për forcimin e kapaciteteve të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, në kuadër të misionit të saj tepër të rëndësishëm.

Ju uroj punë të mbarë.