BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në takimin "Sistemi bankar në 2007: Guvernatori komunikon me tregun", Hotel "Tirana International", 26 mars 2007

Data e publikimit: 26.03.2007

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ecur në traditën tonë institucionale, në vijim të komunikimit tonë intensiv me publikun në përgjithësi dhe me aktorët kryesorë të tregut në veçanti, takimin e sotëm e gjykoj të një rëndësie të veçantë. Takime të tilla mendoj se rrisin më tej shkallën e kuptimit reciprok, duke synuar rritjen e eficiencës së tregut financiar.

Me lejoni ta filloj komunikimin tim, duke bërë një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve më të fundit makroekonomike. Ekonomia shqiptare ashtu si në 2005-ën edhe gjatë vitit të kaluar, vazhdoi rrugën e saj të konsolidimit makroekonomik. Prodhimi i përgjithshëm bruto i vendit, vlerësohet të jetë rritur me 5 për qind në terma realë. Kjo rritje është shoqëruar me stabilitet çmimesh, të shprehur në një inflacion mesatar vjetor prej 2.4 për qind. Kushtet monetare, të karakterizuara nga norma historikisht të ulëta interesi dhe qëndrueshmëri e kursit të këmbimit, kanë favorizuar rritjen e investimeve dhe të konsumit në ekonomi. Në mënyrë të veçantë, ato janë reflektuar edhe në rritjen e shpejtë të kredisë, duke mbështetur më tej rritjen e ekonomisë.

Zhvillimet fiskale kanë rezultuar brenda kufijve të programuar, duke kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të financave publike dhe në kontrollin e deficitit buxhetor.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në vend është shoqëruar me rritjen e shkëmbimeve tregtare me jashtë. Bilanci i pagesave është mbyllur në terma pozitivë, duke mbështetur qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit.

Në këndvështrim të politikës monetare të ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të theksoj se viti 2006 ka përkuar me një ndryshim të drejtimit të mëparshëm. Fillimisht në muajin korrik dhe më tej, në muajin nëntor 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, rriti përqindjen bazë të interesit me 0,25 pikë përqindje, duke bërë që niveli saj të arrijë në 5,5 për qind nga 5 për qind në fund të muajit qershor 2006.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë ishin reflektim i një sërë faktorësh rreziku, që me praninë e tyre, përbënin një rrezik potencial mbi ecurinë afatgjatë të inflacionit, i cili, e përsëris edhe një herë, nga këndvështrimi ligjor përbën objektivin tonë kryesor. Banka e Shqipërisë është e bindur se vendimet e marra prej saj ishin të përshtatshme dhe ato kanë shërbyer për të orientuar pritjet inflacioniste, brenda intervalit të vendosur si objektiv.
|
Fundi i vitit 2006 dhe tremujori i parë i vitit 2007, si dhe parashikimet aktuale për inflacionin, tregojnë se kemi qenë të suksesshëm në këtë drejtim. Megjithatë, përfitoj nga ky rast për të theksuar edhe një herë, se mbetemi tërësisht të angazhuar në monitorimin e kujdesshëm të zhvillimeve aktuale dhe implikimeve që ato mund të sjellin për zhvillimet në të ardhmen. Fokusi ynë do të vazhdojë të jetë i përqendruar në kontrollin e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Për këtë qëllim, dëshiroj që të tërheq vëmendjen e sistemit bankar për një projekt të ri të Bankës së Shqipërisë, i cili do të na ndihmojë shumë në këtë drejtim. Studimet tona, sentimentet e biznesit dhe ato të konsumatorit nuk arrijnë të marrin dimensionin e duhur në kushtet kur mungojnë pritshmëritë e tregut financiar në lidhje me inflacionin, me kursin e këmbimit dhe me përqindjen bazë të interesit. Në një të ardhme të afërt, sistemit bankar do t'i drejtohet një kërkesë e re, e cila ka të bëjë pikërisht me atë që sapo citova: Cila është pritshmëria e bankës në raport me inflacionin, kursin e këmbimit dhe përqindjen e repove, për periudhën afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Personalisht, këtë e shoh si një sfidë të re për sistemin bankar, prandaj do të insistoja që i gjithë sistemi të ndalet seriozisht në këtë problem dhe shumë shpejt, të inkorporojë në strukturat organizative të tij qendrat e analizës dhe të kërkimit shkencor.

Unë besoj se tashmë sistemi bankar e ka kuptuar që, ndërmjet të tjerash, ka ardhur koha që institucione të tilla t'i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në ekonomi, duke thelluar analizën mbi zhvillimet aktuale dhe veçanërisht mbi ato perspektive.

Një tezë tjetër në të cilën do të ndalem në vazhdim, ka të bëjë me perceptimin dhe zbatimin e vendimmarrjes së politikës monetare. Nisur nga niveli aktual i zhvillimit të tregut financiar në Shqipëri, nga shkalla e lartë e euroizimit si dhe nga faktorë të tjerë të natyrës objektive dhe subjektive, do të thoja se efektiviteti i transmetimit monetar ende nuk është në parametrat e tregjeve të zhvilluara financiare. Tregu i parasë ende është i përqendruar, segmente të veçanta të tij karakterizohen nga vëllime të vogla tregtimi ashtu si dhe nga volatilitet i lartë.

Një element i rëndësishëm në këtë aspekt është administrimi efektiv i likuiditetit, i cili ashtu si dhe për çdo bankë qendrore, edhe për ne, shkon përtej një administrimi mekanik të tërheqjes së tepricës apo injektimit të saj në rast të mungesës. Ne kemi synuar që nëpërmjet administrimit të likuiditetit, të bëjmë realitet në treg vendimet e politikës monetare, të marra nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Administrimi i likuiditetit synon kontrollin e normave afatshkurtra të interesit, për t'i mbajtur ato në të njëjtën linjë me vendimet e politikës monetare. Konkretisht, përdorimi i instrumenteve të tjera krahas instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë, shpreh vendosmërinë tonë në drejtim të kontrollit të normave afatshkurtra të interesit.

Gjithashtu, dua të theksoj se shmangia e tepricave apo zgjidhja e situatave të mungesës së likuiditetit nuk mjafton, për të arritur synimin e administrimit të likuiditetit nga banka qendrore; administrimi efektiv i likuiditetit duhet të sigurojë që ky, të mund të rishpërndahet lehtësisht midis operatorëve të sistemit bankar. Kjo do bëjë të mundur uljen e luhatshmërisë së normave afatshkurtra, si rezultat i përqendrimit të likuiditetit.
Në këtë kuadër, në vitin 2007, Banka e Shqipërisë do të fillojë zbatimin e rregullores së re "Mbi marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes", e cila do të sjellë risi edhe në drejtim të ndërhyrjeve për shpërndarjen më efektive të likuiditetit të sistemit bankar.

Ky zhvillim i kuadrit rregullativ, mendohet t'i japë një zhvillim edhe tregut të repove ndërmjet bankave të nivelit të dytë. Ai do të ndihmojë në krijimin e një tregu ndërbankar më likuid dhe një administrimi më aktiv të likuiditetit, nga ana e bankave të nivelit të dytë. Në tregjet financiare nuk ka rëndësi vetëm informacioni, por rëndësi të padiskutueshme ka koha reale në të cilën transmetohet ky informacion. Në këtë kuadër, doja të theksoja që pavarësisht se banka qendrore disponon statistikat e nevojshme për të gjykuar për gjendjen e bankave dhe veprimet e tyre, në shërbim të rritjes së efektivitetit të administrimit të likuiditetit, presim nga bankat që të punojnë më shumë për rritjen e transparencës së tyre në këtë drejtim.

Për të nxitur bankat në drejtim të rritjes së transparencës, Banka e Shqipërisë i ka ofruar sistemit rregulloren "Mbi llogaritjen e interesit fiks në tregun ndërbankar të parasë", zbatimi i së cilës i shërben jo vetëm Bankës së Shqipërisë, por merr po të njëjtën rëndësi edhe për bankat e nivelit të dytë, në drejtim të administrimit aktiv të likuiditetit. Në po të njëjtën linjë, banka qendrore, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në "Shoqatën e Dealer-ave" po mbështet edhe krijimin e një kodi sjelljeje, për marrëdhëniet ndërbankare, çka mendohet të vendosë një gur tjetër, në drejtim të zhvillimit të tregjeve në Shqipëri.

Siç e përmenda edhe më sipër, vendimmarrja politike e Bankës së Shqipërisë është e orientuar nga e ardhmja. Nga ky këndvështrim, do të kërkoja që edhe sistemi bankar të adoptojë të njëjtën filozofi: "Reago sot, për të shmangur ngjarjet e padëshiruara të së ardhmes!". Siç ka thënë Alain Blinder: "Vendimmarrësit shpeshherë, vetëm sa shikojnë jashtë dritares dhe marrin vendimet e rastit, bazuar mbi rrethanat e momentit". Për këtë arsye, duhet që sistemi bankar të adoptojë të njëjtën filozofi për të asimiluar dhe faktorizuar vendimet e Bankës së Shqipërisë në strategjinë operacionale afatshkurtër dhe atë afatgjatë.

Një çështje tjetër është një argument, i cili për nga rëndësia dhe për nga momenti në të cilin ndodhet zhvillimi ekonomiko-financiar i vendit, merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Stabiliteti financiar është shndërruar në një temë qendrore të debatit të sotëm akademiko-praktik. Dëshiroj të sjell në kujtesën tuaj se, në muajin tetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë organizoi një konferencë rajonale, për këtë qëllim. Ndërkohë që debati vazhdon për përcaktimin e një grupi treguesish cilësorë dhe sasiorë për të matur vulnerabilitetin e ekonomisë, do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj në drejtim të një kujdesi më të madh, që duhet bashkërisht të bëjmë në këtë drejtim.

Stabiliteti makroekonomik është i një rëndësie parësore por pa dyshim, që i një rëndësie kaq jetike është dhe stabiliteti financiar. Mos harrojmë që segmenti i përfaqësuar në këtë auditor, përbën pjesën më të zhvilluar dhe më të rregulluar të të gjithë sektorit financiar. Sistemi bankar në Shqipëri është shndërruar në promotor të mbështetjes ekonomike të vendit, nëpërmjet lëvrimit të fondeve në ekonomi. Njëkohësisht, gama e produkteve financiare të ofruara prej tij rritet nga njëri vit në tjetrin.

Në fund të vitit 2006, sistemi bankar paraqitej në gjendje të mirë financiare. Aktivet e tij ishin në nivelin 624.3 miliardë lekë ose rreth 25.7 për qind më shumë se në fund të vitit 2005. Depozitat e sistemit bankar kanë arritur në 520.3 miliardë lekë, duke u rritur me 20.2 për qind mbi baza vjetore. Portofoli i kredisë arriti vlerën 197 miliardë lekë, 55 për qind më i lartë se fundi i vitit 2005. Rreth 28 për qind e portofolit të kredisë është dhënë në lekë, ndërsa pjesa tjetër në valutë. Në fund të vitit 2006, cilësia e portofolit të kredisë rezultoi 3.05 për qind. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit, në muajin dhjetor 2006, rezultoi 18.1 për qind; ndërkohë që fitimi i sistemit bankar ishte 7.45 miliardë lekë. Kthimi nga aktivet (RoA) ishte 1.36 për qind, ndërsa kthimi nga kapitali (RoE) ishte 20.2 për qind. Me kënaqësi, konstatoj shtimin numerik të degëve dhe agjencive bankare si dhe mbulimin gjeografik gjithnjë e në rritje të territorit, me shërbime dhe produkte bankare. Hyrja në treg e bankave të njohura evropiane, është një tjetër zhvillim i vitit të kaluar, i cili pritet të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Nën trysninë e konkurrencës, bankat kanë qenë më agresive në kredidhënie, duke shfrytëzuar dhe segmente të reja të tregut të kredisë, si kredia konsumatore apo huatë për pasuri të paluajtshme.

Pavarësisht konstatimeve të mësipërme, nuk do të thotë që automatikisht jemi të imunizuar ndaj rreziqeve të ndryshme, që nga njëri moment në tjetrin mund të bëhen prezente. Për më tepër, shtimi i shpejtë i kredisë përbën një argument për më shumë kujdes, veçanërisht në drejtim të cilësisë së saj. Duke qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për rolin tonë si institucion vendimmarrës dhe rregullues njëkohësisht, kemi vendosur që të rrisim vigjilencën në këtë drejtim dhe si hap të parë, do të krijojmë një njësi të specializuar, Departamentin e Stabilitetit Financiar.

Ruajtja e qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe financiar, do të fitojë një dimension të ri në politikën e licencimit të ushtrimit të veprimtarisë bankare nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë, edhe një herë thekson objektivin e saj për licencimin dhe praninë në sistemin bankar të institucioneve të shëndosha: që mbështeten nga aksionerë të fuqishëm dhe me përvojë në industrinë bankare; që zbatojnë standardet më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim; që realizojnë një veprimtari të ekuilibruar me rreziqe të mirëadministruara; që janë në gjendje të përballojnë dhe të zhvillohen në kushtet e konkurrencës që ofron një treg i hapur dhe i integruar në tregun financiar ndërkombëtar; që mbështesin zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe që, në mënyrë transparente, i ofrojnë publikut shërbime dhe produkte bankare cilësore dhe eficiente.

Banka e Shqipërisë beson se vetëm institucione bankare financiarisht të qëndrueshme, garantojnë themelet e një tregu financiar që zhvillohet në mënyrë dinamike, të aftë për të shmangur krizat financiare sistemike. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë mbështet dhe nxit proceset e transformimit dhe të konsolidimit të veprimtarisë së institucioneve bankare. Këto, në mënyrë të natyrshme, i vijnë në ndihmë institucioneve bankare që hasin vështirësi në veprimtarinë e tyre dhe të tjerave, që synojnë zgjerimin e veprimtarisë nëpërmjet përdorimit më efektiv të burimeve të bollshme financiare.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, bazuar dhe në ligjin e ri mbi sistemin bankar, në bashkëpunim me autoritetet e tjera të tregut financiar, do të punojë për pasurimin dhe shtresëzimin e këtij tregu, me institucione financiare eficiente dhe të specializuara në veprimtari financiare, të cilat mbështesin veprimtarinë bankare dhe sigurojnë një mbulim më të mirë të nevojave të popullsisë me shërbime financiare.

Pavarësisht kësaj që thashë më sipër, mendoj se sistemi nga ana e tij duhet të jetë më i angazhuar në këtë drejtim. Bankat, veçanërisht ato aktive dhe me rëndësi sistemike, duhet të ngrenë dhe të forcojnë strukturat e tyre të administrimit të rreziqeve, kryesisht në drejtim të rreziqeve të tregut (të normës së interesit dhe të kursit të këmbimit), të rrezikut të kreditit dhe të rrezikut operacional. Kjo nënkupton jo vetëm sigurimin e kapaciteteve njerëzore, por edhe vendosjen në funksionim të sistemeve të nevojshme të teknologjisë së informacionit. Ky proces, nuk duhet parë si një marrëdhënie kosto-përfitim në nivel material dhe në afat të shkurtër, por si një proces i domosdoshëm, i cili e mbron bankën nga rreziqe që, në kushte të caktuara të tregut, mund të përshkallëzohen duke rezultuar, fatale.

Ndërsa vëmendja mbikëqyrëse është e përqendruar në mënyrë të veçantë në bankat e mëdha dhe me rëndësi sistemike, ajo i jep të njëjtën rëndësi edhe bankave më të vogla, të cilat ndeshen në mënyrë më intensive me pasojat që sjell forcimi i kushteve të konkurrencës në treg. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, kërkon prej administrimit të këtyre bankave, të ndërmarrin veprime të shpejta për të ruajtur pozicionin e bankës në treg si edhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të veprimtarisë së tyre. Veprimet e nevojshme, duhet të synojnë përmirësimin cilësor të shërbimeve bankare për publikun, zhvillimin e projekteve të përbashkëta me bankat më të mëdha dhe me institucione financiare të tjera, të vendit dhe të huaja, krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm të punës si edhe ofrimin e stimujve të nevojshëm për personelin e tyre. Ndërkohë, këshillat drejtues dhe aksionerët e këtyre bankave, duhet të forcojnë monitorimin dhe të qëndrojnë gati, për një mbështetje financiare më të madhe për veprimtarinë e bankës.

Në veçanti, do të kërkoja që bankat të bëjnë kujdes maksimal në drejtim të:

  • monitorimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të kontrolluar të veprimtarisë së kreditimit, në drejtim të vendosjes së objektivave realistë të zhvillimit, të ekspozimit ndaj personave të lidhur, ekspozimit në valutë - veçanërisht ndaj kredimarrësve që kanë burime financiare të pamjaftueshme në valutë, ekspozimit në produkte të reja kredie, si kredia konsumatore. E rëndësishme është që procedurat e dhënies dhe të analizës së cilësisë së kredisë, të zbatohen rigorozisht dhe banka të mbajë një qëndrim konservator, në drejtim të sigurimit të saj me garanci dhe kolaterale, si edhe në drejtim të krijimit të fondeve rezervë, të nevojshme për rrezikun e moskthimit të kredisë. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë pret që bankat tregtare të zbatojnë me përpikmëri ndryshimet e fundit, të miratuara në rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë";
  • forcimit të sistemeve të brendshme të kontrollit të veprimtarisë dhe të pasqyrimit të saj, për adoptimin e standardeve më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim dhe të hartimit e analizimit të vëmendshëm të pasqyrave financiare, nga ana e strukturave të bankës, të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të saj. Në lidhje me çështjen e fundit, ka nisur një proces i përmirësimit të sistemit raportues dhe i shkurtimit të kohës së raportimit të të dhënave financiare, që bankat raportojnë periodikisht në Bankën e Shqipërisë. Ne konstatojmë, se bankat duhet të përmirësojnë cilësisht mënyrën e përgatitjes dhe të raportimit të këtyre të dhënave në Bankën e Shqipërisë. Këto çështje, do të jenë temë e diskutimit në një takim të posaçëm që do të zhvillohet së afërmi.

Çështjet e zhvillimit të veprimtarisë së sigurt bankare, janë adresuar në një nivel më të lartë nga këndvështrimi juridik, në ligjin e ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 18.12.2006 dhe që hyn në fuqi në 01.06.2007. Ky ligj përmban disa ndryshime të rëndësishme ku veçojmë: një adresim më të plotë të çështjeve të mbikëqyrjes së veprimtarisë bankare, duke përfshirë organizimin, monitorimin e rreziqeve, vendosjen e raporteve prudenciale të mbikëqyrjes, saktësimin e procedurave që lidhen me administrimin dhe likuidimin, përfshirjen e disa parimeve të përgjithshme për mbrojtjen e klientit (të konsumatorit të produkteve bankare) etj.. Në vijim të një njoftimi të dërguar nga Banka e Shqipërisë, në muajin janar të këtij viti, bankat duhet të përshpejtojnë hapat për të realizuar në kohë, ndryshimet e nevojshme në procedurat e brendshme, të cilat do të sigurojnë përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre me kërkesat e ligjit të ri.

Duke përfituar nga ky takim, kërkojmë të tërheqim vëmendjen tuaj edhe në drejtim të zbatimit të kërkesës ligjore, për respektimin e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, duke filluar nga viti 2008. Kjo është një çështje për të cilën bankat, që iu përkasin grupeve bankare të Bashkimit Evropian, janë më të përgatitura. Sidoqoftë, këto banka, dhe veçanërisht bankat e tjera të cilat nuk e kanë këtë mundësi, duhet të punojnë në bashkëpunim me shoqëritë e auditimit të jashtëm për të përcaktuar masat konkrete në veprimtarinë e tyre për realizimin e këtij detyrimi ligjor.

Të nderuar pjesëmarrës, duke besuar se takimi i sotëm është një mundësi e mirë për të dialoguar me njëri-tjetrin, do t'ju ftoja që në vazhdim të kemi një shkëmbim sa më efektiv idesh dhe mendimesh. Në emër të institucionit që unë drejtoj, dëshiroj që edhe një herë t'ju garantoj, se Banka e Shqipërisë mbetet një institucion plotësisht i përgjegjshëm për misionin ligjor të saj, i aftë dhe i gatshëm për të bashkëpunuar luajalisht me çdo institucion apo aktor që ka ndikim në jetën ekonomiko - financiare të vendit.


Ju faleminderit!