BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, "në takimin me aktoret e zyrave të këmbimit valutor", 05 Shkurt 2009

Data e publikimit: 06.02.2009

 

Të nderuar drejtues të Agjencive të Këmbimeve Valutore,

Të nderuar kambistë,

Zhvillimet e vrullshme ekonomike dhe financiare të vendit, i kanë dhënë shtysën e tyre edhe ecurisë së sistemit financiar. Të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes së pandërprerë të tij në numër institucionesh, në numër produktesh, në kualitetin e shërbimeve si dhe në shtrirjen gjeografike të tij. Ndërmjetësimi financiar ka ardhur në rritje duke mundësuar kalimin gjithnjë e më efektiv të fondeve të lira në drejtim të financimit të nevojave të ekonomisë.

Në këtë këndvështrim, gjykoj se edhe segmenti që ju përfaqësoni ka luajtur rolin e tij të rëndësishëm. Për shumë vite me radhë jemi munduar të transferojmë aktivitetin e këmbimeve valutore nga kanalet informale në ato formale. Ky proces ka pasur zikzaket e veta. Megjithatë, më vjen mirë të deklaroj se këto vitet e fundit zhvillimet kanë qenë shumë pozitive në këtë drejtim. Që prej vitit 2000, numri i subjekteve që kryejnë veprimtarinë e këmbimit valutor është 10 - fishuar. Banka e Shqipërisë ka emetuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor, me një shtrirje territoriale gjithëpërfshirëse.

Vetëm në periudhën qershor 2007 – dhjetor 2008 janë paraqitur dhe është dhënë miratimi për 136 raste licencimi të zyrave të këmbimit valutor.

Më lejoni të kujtoj se bëhet fjalë për momentin kur Banka e Shqipërisë adoptoi një grup rregullash më liberalë në ushtrimin e aktivitetit valutor, veçanërisht në drejtim të kapitalit minimal të kërkuar.

Takimi i sotëm është i pari që Banka e Shqipërisë zhvillon me ju por ai është në vazhdën e takimeve që ne kemi zhvilluar me aktorë të tregut, me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë si dhe me grupe të tjera të interesit, që cilët janë të interesuar dhe kanë mundësinë të ndikojnë në realizimin e këtyre objektivave.

Banka e Shqipërisë vazhdimisht ka vlerësuar tregun e këmbimeve valutore si tregun më të zhvilluar në vend, shprehje kjo jo vetëm e forcës së iniciativës së lirë të tregut por edhe e ekzistencës së një ambjenti më konkurrues në të. Ajo vlerëson me kënaqësi se, zyrat e këmbimit valutor kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin dhe ecurinë e tij. Pavarësisht, rritjes së peshës së tregut ndërbankar dhe rolit gjithnjë e më të madh që, bankat e nivelit të dytë po luajnë në gjenerimin e likuiditetit dhe përcaktimin e çmimit në këtë treg, Banka e Shqipërisë vazhdon ta shohë si të nevojshëm rolin tuaj në rritjen e eficiencës së mëtejshme në mënyrën e funksionimit të tregut valutor.

Duke mos u fokusuar për momentin në faktorët strukturorë të ekonomisë shqiptare, të cilët bëjnë të nevojshëm ekzistencën e një pjese të tregut valutor edhe në formën e cash-it, Banka e Shqipërisë e sheh ketë rolë në funksion të pozicionimit tuaj si ndërmjetës të rëndësishëm midis veprimtarisë në cash dhe asaj që zhvillohet në sistemin bankar. Në këtë aspekt, nuk do të lija pa përmendur edhe detyrimin që ju keni, në drejtim të zbatimit me rigorozitet të ligjit për pastrimin e parave.

Siç mund ta dini, në vendin tonë zbatohet regjimi fleksibël i kursit të këmbimit gjë që do të thotë se janë forcat e tregut ato që përcaktojnë nivelin e tij. Sjellja juaj ka ndihmuar që në këtë çmim, të reflektohet në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta për këtë mall duke mënjanuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet e tregut në përgjithësi, si dhe me kushtet makroekonomike në vend. Gjithashtu, po në këtë kuadër, dua të theksoj si pozitive sjelljen tuaj ndaj pozicionimit të flukseve të ardhme të kërkesës dhe ofertës për valutë, veçanërisht në periudha kritike të tregut që lidhen me sjelljen sezonale të kursit të këmbimit si një sjellje racionale, që ndihmon në uljen e volatilitetit të kursit të këmbimit.

Në vijim të sa u tha më sipër, Banka e Shqipërisë do të ishte mjaft e interesuar të informohej për opinionet tuaja në lidhje me funksionimin e tregut, ndryshimet pozitive apo negative që kanë ndodhur në vitet e fundit, marrëdhëniet e zyrave të këmbimit me bankat e nivelit të dytë brenda kuadrit të konkurrencës dhe përfitimit të dyanshëm.

Banka e Shqipërisë shpreh gatishmërinë e saj për të ofruar trajnime që kanë si objekt produkte të ndryshme që mund të tregtohen në tregun e brendshëm valutor. Si hap i parë në këtë drejtim, mendojmë të trajtohen veprimet forward të cilat do t’i shërbejnë më mirë zbutjes së efekteve sezonale të sjelljes së kursit të këmbimit si dhe mbrojtjes ndaj lëvizjeve të padëshiruara të kursit të këmbimit.

Duke evidentuar natyrën e përgjithshme, por mjaft të rëndësishme të problematikave të sipërpërmendura, një moment tjetër që do të donim të ndanim me ju është situata aktuale e ekonomisë.

Efektet psikologjike në ecurinë e kursit të këmbimit janë një faktor tejet i rëndësishëm. Duke marrë shkas nga kriza botërore aktuale Banka e Shqipërisë, duke vlerësuar pozicionin tuaj për të gjeneruar informacion si nga bizneset ashtu edhe nga publiku në përgjithësi, do të ishte e interesuar për opinionet tuaja, madje do të mirëpriste sugjerimet tuaja për forma të mundshme të gjenerimit të këtyre opinioneve në mënyrë periodike.

Në përfundim, duke synuar të lëmë një hapësirë më të madhe për diskutimin dhe shkëmbimin e mendimeve, do të mirëpriteshin mendimet tuaja edhe për çështje të tjera që lidhen me raportimet në Bankën e Shqipërisë apo zbatimin e ligjit për pastrimin e parave.