BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin me komunitetin e biznesit, përfaqësues të pushtetit lokal, sektorit bankar dhe akademikët e Universitetit të Shkodrës, 17 shkurt 2006

Data e publikimit: 17.02.2006

 

Qëllimi i vërtetë i ardhjes sonë këtu është i shumëfishtë dhe para së gjithash është në linjë me vizionin tonë për përafrimin e Bankës së Shqipërisë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të bankës qendrore. Kjo vjen logjikshëm jo vetëm me nevojat për rritjen e kapaciteteve tona njerëzore, por edhe me domosdoshmërinë për të rritur shkallën e monitorimit dhe të pranisë së ekspertizës së Bankës së Shqipërisë në të gjitha rajonet e vendit. Besoj se ky takim i përvitshëm i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me degët e saj dhe me komunitetet më të spikatura të rajonit, ku ne ushtrojmë aktivitetin tonë është kthyer në një traditë, që ka si qëllim jo vetëm evidentimin e problemeve tona operacionale, por edhe identifikimin dhe dhënien e këshillave për një zhvillim sa më proporcional dhe të harmonizuar të rajoneve të ndryshme gjeografike të vendit.

Gjatë vitit 2005, ne si institucion i rëndësishëm në fushën e vendimmarrjes së politikave ekonomike dhe të sigurimit të stabilitetit financiar të vendit, kemi shumëfishuar përpjekjet tona për një kontroll më të mirë të inflacionit, duke besuar se ky kontribut është i një rëndësie vitale për ecurinë e aktivitetit ekonomik në përgjithësi, përfshirë edhe atë të rajonit tuaj.

Nga ana tjetër, jemi munduar që konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makro në ekonomi ta shoqërojmë me një sistem bankar të stabilizuar financiarisht, në mënyrë që të jetë i aftë të financojë gjithmonë e më shumë zhvillimin ekonomik të vendit.

E shohim dhe e prekim biznesin shkodran, të rritet dhe të integrohet me sistemin bankar dhe ky fakt më bën të ndihem optimist për të ardhmen. Ky interes i biznesit bankar për t'u shtrirë në rajonin tuaj, mendoj se pasqyron zhvillimet specifike që ky rajon ka, në raport me zona të tjera të vendit. Unë personalisht jam i mendimit se ky rajon ka potencial të madh ekonomik, dhe për më tepër theksoj se ky rajon është nga të paktët që ka një potencial shumësektorial, përfshirë dhe atë bujqësor. Po kështu, gjykoj se edhe marrëdhëniet ndërkufitare janë një oportunitet i mirë për zhvillimin intensiv të tij dhe duke përgjithësuar sa thashë më sipër, do ta inkurajoja sistemin bankar që të jetë më agresiv në këtë rajon, me plane dhe objektiva konkretë për të mbështetur ekonominë tuaj.

Pavarësisht sa thashë më sipër, ne si Bankë e Shqipërisë jemi të ndërgjegjshëm se procesi i rritjes dhe i konsolidimit të sistemit bankar është një sfidë e përhershme. Për këtë qëllim, në programet tona të punës për vitin 2006 kemi përfshirë hapa të tjerë konkretë që do të kontribuojnë në këtë drejtim.

Më konkretisht, jemi duke ideuar dhe vënë në zbatim masa të reja, të cilat do të rrisin aktivitetin e sistemit bankar jo vetëm në drejtim të mobilizimit të fondeve të lira në formën e depozitave, por do ta bëjnë atë më aktiv në alokimin e fondeve në ekonomi, në administrimin më efektiv të fondeve të lira, në administrimin më të mirë të rreziqeve që shoqërojnë investimin e fondeve, në rritjen e konkurrencës për të minimizuar kostot dhe për rrjedhim, komisionet që bankat aplikojnë, në krijimin e lehtësive të tjera për të ndihmuar sistemin në dhënien e kredive, në përsosjen e mëtejshme të sistemit të pagesave duke synuar pakësimin e mëtejshëm të parasë cash, përfshirë dhe përmirësimet e duhura ligjore dhe rregullatore, që lidhen me veprimtarinë e përditshme të sistemit bankar.

Dua t'ju siguroj se për ne, qëndrueshmëria e sistemit bankar po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar që të zbatojmë me përpikmëri të gjitha rekomandimet e lëna nga raporti i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) të FMN-së gjatë vitit 2005, vënia në jetë e të cilave do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe sigurinë e sistemit bankar dhe të atij financiar, në një kontekst më të gjerë. Dua të theksoj se Banka e Shqipërisë si autoriteti mbikëqyrës i bankave tregtare, e ndien për detyrë të tërheqë vëmendjen se rritja e madhe e vëllimit të kredive gjatë vitit 2005 si dhe rritja e mëtejshme gjatë viteve në vazhdim, duhet të shoqërohet me masa efektive për rritjen e kapaciteteve monitoruese, analizuese dhe kontrolluese të vetë bankave për të shmangur përkeqësimin e portofolit të kredive. Nga ana tjetër, ne do të forcojmë kapacitetet tona mbikëqyrëse, sidomos inspektimin në vend duke ndërtuar plane masash, të cilat do të synojnë një kontroll të kujdesshëm për çdo bankë anëtare të sistemit.

Sigurisht, ideja jonë për të ftuar në takimet tona komunitetin e biznesit nuk është e re. Në filozofinë tonë ne mendojmë se biznesi është një partner i rëndësishëm, që me vendimet dhe sjelljen e tij ndikon në suksesin e politikave tona por gjithashtu, edhe në një zhvillim të qëndrueshëm dhe harmonik të sistemit bankar.

Në këtë kontekst, dëshiroj të parashtroj disa teza, ndonjërën prej të cilave e kam përmendur edhe në raste të tjera, por të cilat, falë edhe zhvillimeve aktuale dhe të perspektivës, i shoh me vend që t'i ritheksoj përsëri.

Një çështje e parë, të cilën do të doja ta ndaja me ju, ka të bëjë me rolin e degës së Bankës së Shqipërisë në rajonin ku ajo vepron. Roli i degës së Bankës së Shqipërisë duhet të jetë i ndryshëm nga ai që ne jemi mësuar të shohim. Një hap të parë në këtë drejtim e kemi hedhur gjatë vitit 2005, kur pas përpjekjesh dhe takimesh të shumta, arritëm të vjelim nëpërmjet një pyetësori specifik disa të dhëna mbi ekonominë e rajonit tuaj.

Megjithatë, filozofia ime për degën e Bankës së Shqipërisë është pak më avangarde pse jo, shumë më ambicioze. Nuk dua ta fsheh pikësynimin tim për shndërrimin e degëve të Bankës së Shqipërisë në qendra të fuqishme dhe profesionale të grumbullimit, të përpunimit dhe të analizës ekonomiko - financiare të rajonit. Mendoj se dega e Bankës së Shqipërisë duhet të jetë e hapur për bashkëpunim me grupe të ndryshme interesi, duke bërë çmos që në këtë "vorbull" analizash dhe studimesh të përfshijë elitën intelektuale të rajonit, ku sigurisht në pararojë do të jenë qarqet akademike vendore.

Megjithatë, duke kaluar në këtë mënyrë dhe në çështjen time të dytë, si mund ta luajë një rol të tillë dega jonë nëse ajo nuk zotëron informacionin e duhur për këtë qëllim?

Informacioni mbi tregjet dhe zhvillimet më të fundit ekonomike, mund të konsiderohet si çelësi i suksesit për bizneset në kohët moderne të zhvillimeve të vrullshme të teknologjisë dhe informacionit. Megjithëse në pamje të parë mund të mos duket problemi më akut që bizneset shqiptare po hasin aktualisht, jo shumë larg prej tani do të lindë nevoja e njohjes dhe e analizave të tregut në kohë reale- informacion i freskët, për t'u përballur me sfidat e globalizimit. Parë në një aspekt më të gjerë, ekonomia e një vendi nuk mund të arrijë të jetë konkurruese në rrafshin ndërkombëtar, nëse politikat e zhvillimit mbështeten në një bazë të dobët informacioni real.

Për Bankën e Shqipërisë, informacioni mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe pritshmëritë është i pazëvendësueshëm për vendimmarrjen e politikës monetare. Prej kohësh është bërë e qartë, që procesi i ruajtjes së stabilitetit të çmimeve - objektivit tonë kryesor - është një proces që duhet të shikojë pëpara në kohë. Me gjendjen aktuale të statistikave kombëtare, të cilat dalin me vonesa ndonjëherë dhe deri në dy vjet, kuptohet që detyra jonë bëhet mjaft e vështirë.

Ndërkohë që reformat në fushën e statistikave si në shumë fusha të tjera janë në proces, rezultatet mund të duan kohë të realizohen. Nga ana tjetër, vendimet tona duhet të mbështeten mbi baza sa më të shëndosha. Në këtë "boshllëk" informacioni, një prej zgjidhjeve të përdorura prej nesh është anketimi i agjentëve të ndryshëm ekonomikë. Prej gati katër vjetësh, Banka e Shqipërisë ka filluar vlerësimin e indekseve të besimit të bizneseve dhe të konsumatorëve. Këto anketime që bëhen çdo tremujor me ndihmën e INSTAT-it, përfshijnë mbi 600 biznese të sektorëve të prodhimit, të ndërtimit dhe të shërbimeve, dhe 1500 konsumatorë. Informacioni i mbledhur lidhet me ecurinë e çmimeve, të konsumit, të të ardhurave, të prodhimit, të punësimit, të investimeve e të shumë treguesve të tjerë të cilët na ndihmojnë mjaft në vendimmarrjen e politikës monetare.

Rezultatet e anketimeve tona për vitin që lamë pas, dëshmojnë për një ecuri të mirë të ekonomisë mbështetur nga një kërkesë e fortë, reflektuar në përmirësim të prodhimit, investimeve dhe punësimit. Këto rezultate konfirmohen dhe nga të dhënat reale mbi rritjen vjetore të vëllimit të shitjeve, nga rritja e numrit të të punësuarve, nga rritja mjaft e shpejtë e kreditimit të ekonomisë dhe nga rritja e të ardhurave fiskale. Kjo rritje ekonomike është zhvilluar në kushtet e një inflacioni të ulët rreth objektivit tonë 3 për qind dhe të deficitit buxhetor brenda vlerave të programuara, duke mos cënuar ekuilibrat dhe raportet kryesore makroekonomike. Ecuria normale e inflacionit, ka bërë që Banka e Shqipërisë të ndjekë një politikë monetare neutrale, duke e lënë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5 për qind.

Pritshmëritë për këtë vit mbeten pozitive. Ne presim që inflacioni të luhatet brenda intervalit që ne synojmë 2-4 për qind, ndërkohë që rritja ekonomike me përmirësimin e situatës energjitike, duket të jetë kthyer në prirjen e saj normale.

Megjithëse deri më sot, rezultatet e pyetësorëve tanë janë pasqyruar indirekt në analizat dhe raportet tona periodike dhe në studime të ndryshme të bankës, shumë shpejt banka mendon të fillojë publikimin e rregullt të këtyre rezultateve. Fillimisht, kemi menduar të zhvillojmë disa takime si ky i sotmi me biznese dhe akademikë në bashkëpunim me dhomat e tregtisë dhe universitetet, ku do të mund të marrim sugjerime mbi vlefshmërinë e këtyre pyetësorëve.

Përgjatë të njëjtës linjë të përmirësimit të burimeve të informacionit ekonomik, një tjetër iniciativë e re, e ndërmarrë prej nesh mëse një vit më parë, ka të bëjë me aktivizimin e degëve të Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen dhe analizimin e zhvillimeve ekonomike në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Deri më tani, janë realizuar dy anketime të cilat, me gjithë vështirësitë e fillimit, kanë dhënë rezultate mjaft interesante, që i kemi sjellë për t'i ndarë me ju sot. Qëllimi kryesor i vrojtimit të ndërmarrjeve në rrethe është mbledhja e të dhënave sasiore mbi ekonominë reale të vendit, me një periodicitet tremujor. Pyetësori synon të marrë një informacion sa më të plotë dhe të vazhdueshëm në kohë mbi gjendjen e tregut të punës, ecurinë e çmimeve, prodhimin dhe mbi marrëdhëniet e biznesit me bankat. Ky informacion do të përdoret për të llogaritur disa tregues të rëndësishëm si produktiviteti, kosto për njësi e punës etj., të cilët janë shpesh mjaft të nevojshëm në punët studimore të Bankës së Shqipërisë. Aktualisht, këta tregues nuk ofrohen nga statistikat aktuale zyrtare.

Një tjetër objektiv është shmangia e problemeve që dalin nga vonesa në kohë e të dhënave statistikore zyrtare. Gjithashtu, informacioni i marrë mendohet të përdoret për të plotësuar informacionin cilësor që vilet nga vrojtimi i tendencës së besimit të biznesit.

Zhvillimi në mënyrë periodike i këtij vrojtimi nga degët e Bankës së Shqipërisë, synon të rrisë praninë e saj në rrethe. Përfshirja e drejtpërdrejtë e punonjësve të degëve në procesin e intervistimit, ka për qëllim të shfrytëzojë dhe njohjet ndërpersonale të tyre me drejtuesit apo me financierët e kompanive. Kjo gjë do të bëjë të mundur marrjen e përgjigjeve mbi disa probleme delikate si: tregu joformal i punës, evazioni fiskal, fitimi etj..

Punonjësit e degëve janë angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e listave të bizneseve, në zonat ku operojnë degët e Bankës së Shqipërisë si dhe në procesin e intervistimit të tyre. Megjithë përpjekjet e mira, duhet thënë se vështirësitë nuk kanë munguar. Problemet kryesore të raportuara nga punonjësit e degëve kanë qenë: mungesa e bashkëpunimit nga ana e firmave për të kryer intervistën, vështirësi në kontaktimin e personave kompetentë, mungesë e sinqeritetit në shifrat e deklaruara etj.. Përfitoj nga rasti për të sensibilizuar bizneset për rëndësinë e këtyre anketimeve, jo vetëm në aspektin makroekonomik por edhe në nivel kompanie. Në këtë iniciativë, bizneset nuk do të konsiderohen thjesht dhënës informacioni por dhe përdorues të analizave finale, që do t'i ndihmonin ata në njohjen më të mirë të tregut. Duke qenë se bizneseve pjesëmarrëse, rezultatet finale iu shpërndahen ato mund të përbëjnë një informacion me vlerë për planet e tyre për të ardhmen.

Përsa i përket vështirësive të tjera që kanë hasur degët, sidomos në lidhje me mbingarkesën e zhvillimit të këtyre intervistave, duke qenë se objekti i tyre kryesor është ai operacional, kam mendimin se një alternativë efektive ndaj zgjerimit të kushtueshëm të degëve me struktura të reja, për të përballuar ngarkesën e këtyre anketimeve, mund të jetë nxitja e bashkëpunimit me universitetet lokale si ai i Shkodrës. Kjo do të lehtësonte mjaft punën e degëve për mbledhjen e informacionit dhe do t'u krijonte mundësi studentëve, për t'u aktivizuar dhe familiarizuar me analizat ekonomike. Këtu do të ftoja pjesëmarrësit nga universiteti të diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimit në këtë drejtim.

Duke kaluar në iniciativat e tjera tradicionale të Bankës së Shqipërisë, ato mbi marrëdhëniet bankë-biznes apo konsumator-sistem bankar, do të doja të tërhiqja vëmendjen në disa oportunitete të tjera të bashkëpunimit biznes- bankë.

Pas përfundimit të sistemit të pagesave në vlerë të madhe dhe të atij të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël, Banka e Shqipërisë gjykon se është siguruar infrastruktura e duhur për të kanalizuar të gjitha pagesat periodike për shërbimet utilitare nëpërmjet sistemit bankar. Nga ana tjetër, funksionimi i këtij sistemi të ri do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e pagesave midis përdoruesve të bankave, një element mungesa e të cilit i ka mbajtur larg bizneset prej bankave.

Përfitoj nga rasti për të sensibilizuar bizneset për avantazhet që shoqërojnë funksionimin e këtij sistemi, pasi ndërmjet të tjerash, të dyja sistemet së bashku do të ndihmojnë arritjen e standardeve ndërkombëtare të ATM dhe POS për numër popullsie. Sfida për sistemin bankar dhe bizneset, por dhe për Bankën e Shqipërisë mbetet nxitja e publikut në përdorimin e tyre.

Për ta bërë realitet këtë që thashë më sipër, do të nxis sistemin bankar që të jetë më aktiv, që do të thotë se bankat duhet të shkojnë drejt popullsisë dhe bizneseve me produkte të qarta dhe të gatshme, me shërbime të shpejta dhe efikase.

Sigurisht që hapat në këtë drejtim do të jenë më kompleksë dhe natyrshëm, që disa prej tyre kërkojnë dhe bashkëveprim ndërinstitucional. Banka e Shqipërisë tashmë po shtron rrugën drejt përdorimit të gjerë të kartave në Shqipëri. Shërbimi me karta krediti, jo vetëm që do të kontribuojë në reduktimin e cash-it në ekonomi por do të japë një ndikim pozitiv edhe në uljen e ekonomisë informale.

Mendoj që e rëndësishme për këtë takim, është nxitja që i bëj sistemit bankar, për të rritur nivelin e shërbimeve, kudo ku bankat ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të krijojmë shanse reale për një zhvillim të harmonizuar gjeografikisht, duke dhënë një kontribut të vërtetë në rritjen e mirëqenies në shkallë vendi.