BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në takimin me mësues dhe nxënës të shkollave të mesme "Fuat Babani" në Bilisht dhe "Raqi Qirinxhi" në Korçë

Data e publikimit: 15.02.2009

 

Edukimi kushton por nuk ka çmim!

Siç mund të kuptohet nga thënia që qëndron prapa meje, takimin e sotëm do t’ia kushtoj edukimit. Dhe ku më mirë mund ta mbaja këtë bisedë se në një klasë gjimnazi?! Sigurisht, tema e edukimit është shumë e gjerë, por si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të diskutoj sot me ju mbi edukimin dhe formimin e një kulture ekonomiko- financiare.

I. Përse edukimi ekonomiko-financiar duhet të nisë herët?

Me të drejtë shumë prej jush mund të gjykojnë se kjo lloj dijeje përfitohet me anë të eksperiencës, shkollimit dhe kalimit të viteve. Por më besoni, në bazë të studimeve edhe pas 13 vjetëve shkollimi fillor dhe të mesëm, 4 vjetëve shkollimi universitar dhe 2 vjetëve shkollimi pasuniversitar, 2/3 e amerikanëve në moshë nuk mund t’i përgjigjeshin pyetjes: “ Nëse sasia e mallrave që blihet me kursimet e një viti është e njëjtë, më e madhe apo më vogël në kushtet kur norma e interesit të depozitës së kursimeve ka qenë 1 për qind dhe inflacioni vjetor 2%.

Studime kanë treguar se edhe në vende pioniere të produkteve dhe shërbimeve të sofistikuara financiare, kultura ekonomiko- financiare e popullsisë lë për të dëshiruar. Çka tregon se edukimi ekonomiko – financiar duhet të nisë qysh herët. Kjo bëhet veçanërisht e nevojshme në vende si i yni, ku për dekada me rradhë shteti ishte ai që kujdesej për sigurinë e të ardhurave të njerëzve.

Një edukatë e mirë ekonomiko- financiare, do të bënte të mundur që nesër qytetarët e vendit tonë të mos stepen përpara pyetjeve të thjeshta si: Si përdoret një kartë krediti? Çfarë përfitimi kam nga interesi i përbërë? Si të investoj më mirë kursimet e mija? Përse më nevojitet një fond pensioni? Pa prekur pastaj çështje më të ndërlikuara makroekonomike si oferta dhe kërkesa, prodhimi i përgjithshëm, ndikimi i politikës monetare në jetën e gjithsecilit si dhe shumë problematika të tjera të kësaj natyre.

A mund ta imagjinoni se sa më me efikasitet do të përtypeshin vendimet e Këshillit Mbikëqyrës së BSH për ndryshimin e normës së interesit nëse publiku do të ishte më i miredukuar mbi mënyrën se si ecin gjërat në një ekonomi tregu?

Sjellja konsumatore ka të bëjë edhe me korrigjimin e prirjeve të dëmshme të njerëzve. Prirje që në shumicën e rasteve vijnë si pasojë e mungesës së edukimit të duhur të njerëzve në fushën e financave. Edhe për këtë arsye ne në Bankën e Shqipërisë na pëlqen filozofia e krijimit të një kulture ekonomiko-financiare qysh në moshë të re. Mendoni për një moment sa e dobishme do të ishte në jetën e përditshme sikur një gjimnazist i cili njeh mirë veprën e Viktor Hygosë, trigonometrinë dhe biologjinë, të mos dijë si të miradministrojë paratë e veta?!

II. Banka qendrore dhe edukimi ekonomiko- financiar.

Si fillim duhet të them, se angazhimi i bankës qendrore në edukimin ekonomik dhe financiar t ë publikut lidhet me arritjen e objektivave bazë të saj. Ne jemi të vetëdijshëm se një publik i informuar, një publik që e kupton rolin tonë në ekonomi, do të jetë shumë më i aftë të kuptojë dhe pranojë arsyet pas vendimeve të vështira që bankierët qendrorë marrin herë pas here. Për më tepër, politika monetare ka të bëjë dhe me çështje të tilla si pritshmëria për inflacionin, e cila është e lidhur drejtpërdrejt me konsumatorët, bizneset, tregjet dhe besimin e tyre në vendimet e bankës qendrore. Për këtë arsye, një publik i mirinformuar, që i kupton çështjet ekonomiko-financiare është shumë i rëndësishëm në zbatimin e politikave tona.

Së dyti, ka dhe një arsye le të themi më imponuese që e bën Bankën Qendrore të angazhohet seriozisht në krijimin e një kulture ekonomiko-financiare. Për çdo njeri që jeton në një ekonomi tregu kuptimi i koncepteve themelore ekonomike dhe marrja e vendimeve të shëndosha financiare është me rëndësi jetësore. Kjo kulturë ndikon në vendimet që njerëzit marrin si qytetarë dhe nëse këto vendime janë ato të duhurat ato ndihmojnë në formimin e një rritjeje të shëndetshme ekonomike.

III. Çfarë do të thotë të kesh një kulturë ekonomiko-financiare?

Kjo pyetje nuk ka vetëm një përgjigje. Konsumatorët do të thonin se ne duhet t’i mësojmë ata të jenë ”konsumatorë të mençur”, pra t’i mësojmë ata të shpenzojnë në mënyrë të mençur paratë dhe të mos bien në “grackat” e tregut. Ndërsa, ithtarët e kulturës ekonomike –financiare preferojnë të përqendrohen tek e ardhmja e individëve. Pra, që ata të marrin vendime të shëndosha financiare sot të cilat do të çojnë në përdorimin e mençur të parave dhe ndërtimin e mirëqenies ekonomike nesër. Ka disa përqasje për sa i përket edukimit ekonomiko-financiar. Një përqasje është ajo e drejtpërdrejta, që mëson konceptet themelore ekonomike. Një tjetër e shikon edukimin ekonomik si bashkësi e njohurive rreth tematikave specifike. Një temë e tillë është përfitimi nga tregtia e lirë apo nga globalizimi i tregut të punës.

Cila do të ishte përqasja më e mirë? Ne në Bankën e Shqipërisë nuk kemi humbur kohë për t’iu përgjigjur një pyetjeje që nuk ka një përgjigje të vetme, të saktë. Siç ka thënë dhe ekonomisti i madh anglez Alfred Marshall, i cili e shihte ekonominë si “studimin e sjelljes financiare të njerëzve në jetën e përditshme” ( a study of mankind in the ordinary business of life )”, ne jemi munduar që Bankën Qendrore ta afrojmë me jetën e përditshme të publikut. Ashtu si Marshall, ne besojmë se mënyra më e mirë për të patur sukses është të ndihmojmë njerëzit të kuptojnë lidhjen mes ekonomisë dhe jetës së përditshme. Lidhje që ka të bëjë me aftësinë për të marrë vendime të drejta ekonomike, ndërtimin e mirëqenies, të kuptuarit e rreziqeve që paraqet tregu dhe të vlerësuarit e vendimeve mbi politikat që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Në Bankën e Shqipërisë angazhimi në këtë fushë është serioz dhe i vazhdueshëm. Fillimisht, na u deshën tre vjet që të ndërtonim programe dhe të vendosnim bashkëpunime për të arritur këtu ku jemi sot. Qëllimi ynë ishte të zvogëlonim sa më shumë misterin që rrethon Bankën Qendrore, me shpresën për të rritur besimin e publikut mbi cilësinë e shkëlqyer operacionale dhe vendimmarrëse të saj. Si pjesë e kësaj përpjekjeje kemi lançuar programin e edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, aktivitetet e të cilit ju tashmë i njihni:

  1. kemi shpërndarë rreth 80.000 broshura edukative vetëm në 2008;
  2. kemi zhvilluar seminare të trajnimit për rreth 100 mësues të lëndës së ekonomisë në Tiranë e Vlorë;
  3. kemi zhvilluar takime me rreth 2000 nxënës të shkollave e mesme në Tiranë e Vlorë;
  4. kemi zhvilluar konkursin “Vlera e Vërtetë e Parasë” në Tiranë e Vlorë.

Shumë projekte të tjera janë në rrugë e sipër. Unë besoj se rezultatet e kësaj pune do të jenë të dukshme në rritjen e besimit tek ne, si politikëbërës.

Banka e Shqipërisë është e angazhuar edhe në edukimin ekonomik më të përgjithshëm të publikut. Ekzistojnë faktorë të tjerë që i vlerësoj se e bëjnë të domosdoshëm këtë edukim në jetën e gjithësecilit prej nesh:

  • Shumëllojshmëria dhe sofistikimi i produkteve dhe shërbimeve financiare. Institucionet e shumta financiare që zhvillojnë aktivitetin e tyre sot në botë, janë në një garë të ethshme në krijimin dhe hedhjen në treg të produkteve e shërbimeve të shumta financiare. Mungesa e informimit dhe e njohurive të duhura rreth tyre, bëjnë thuajse të pamunduar orientimin drejt dhe përdorimin e tyre prej konsumatorëve. Këtu mund të sjell si shembull fondet e pensioneve, të cilat ofrojnë mundësi të reja për mirëqenien dhe sigurinë financiare.
  • Zhvillimet e shpejta të teknologjisë. Këto e kanë bërë huadhënien më të përhapur. Por mungesa e njohurive rreth saj, bën të pamundur marrjen e informacionit të duhur në kohën e duhur dhe aq më pak, lejon përdorimin e saj në favor të lehtësimit të vendimeve financiare të jetës së secilit.
  • Lëvizjet demografike të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane, kanë bërë që shumë familje të përballen me një sistem financiar të cilin pothuajse nuk e njihnin më parë.
  • Historia personale e marrëdhënieve të secilit me financat. Në disa raste, eksperiencat e këqija në të shkuarën i bëjnë njerëzit të mos kenë besim tek institucionet financiare dhe akoma më, t’i evitojnë ato në jetën e përditshme. Ky grup interesi, jo vetëm që është më i prirur për të marrë vendime të gabuara financiare për blerjen e një shtëpie, makine, investimin në shkollimin e fëmijëve, fillimin e një biznesi, por gjithashtu është në rrezik të bjerë pre e paqartësive, që janë të pranishme në çdo ekonomi tregu.

Për ta mbyllur, është e qartë se bota moderne është një botë e komplikuar. Ajo na përball me zgjedhje ekonomike dhe financiare komplekse, të cilat na detyrojnë që si qytetarë të kemi më shumë dije për këto çështje. Një edukim mbi konceptet bazë ekonomiko-financiare nuk do të na bëjë vetëm më të aftë për t’u përballur me tregun e punës apo për të marrë vendime të shëndosha financiare. Ai do të na ndihmojë edhe që të jemi votues, taksapagues dhe konsumatorë më të ndërgjegjshëm. Edhe për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është shumë e përfshirë në krijimin e një kulture të mirëfilltë ekonomiko-financiare. Njohuritë financiare janë si një çelës, jo për të hyrë në botën e të pasurve, siç mund të kujtojnë disa prej jush, por për të jetuar me dinjitet në jetën e përditshme të të gjithëve ne!

Së shpejti, ne do të fillojmë zbatimin e një projekti të ri që synon të rrisë besimin publik ndaj sistemit bankar shqiptar. Unë ju ftoj ju, së bashku me moshatarët tuaj në shkolla të tjera të vendit, t’i bashkoheni Bankës së Shqipërisë në këtë nismë të re. Në qendër të këtij projekti do të jenë grupet e të rinjve, që pas një trainimi intensiv nga Banka e Shqipërisë do t’i drejtohen komunitetit me shpjegimet përkatëse rreth domosdoshmërisë për të pakësuar paranë cash, për të shtuar përdorimin e pagesave elektronike, për të kuptuar parimet dhe rregullat e transparencës së sistemit bankar, për të shpjeguar dobishmërinë e kursimeve dhe mjaft koncepte të tjera që kanë të bëjnë me paranë, me bankat dhe me produktet e tyre. Është e panevojshme të përmend se kjo paraqet për ne një sfidë, që në çdo rast do të ketë nevojë për angazhimin e atyre që janë lart, për kreativitetin e specialistëve të fushës, për bashkëpunimin e institucioneve dhe atë të mësuesve dhe mbi të gjitha përkushtimin për ta bërë përballjen me këtë sfidë sa më argëtuese që të jetë e mundur. Është e vështirë, por kur i hedh një sy të gjithë njerëzve të mbledhur në këtë klasë, kam arsye të forta të jem optimist!