BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin përshëndetës për fillimin e operimit të sistemit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël, "Zbatimi i Sistemit të Kleringut në Bankën e Shqipërisë"

Data e publikimit: 22.07.2005

 

Mirëdita të gjithëve,

Ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të thjeshtë me rastin e fillimit të operimit të sistemit të kryqëzimit të pagesave me vlerë të vogël - AECH. Ashtu sic ju thashë edhe në nëntor të vitit të kaluar, kur u mblodhëm për fillimin e zbatimit të projektit, me kënaqësi shprehem sot se Banka e Shqipërisë e mbajti premtimin e realizimit në kohë të këtij projekti të rëndësihëm.

Ngritja dhe vënia në funksionim e këtij sistemi është hapi i dytë i rëndësishëm i ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, me bashkëfinancim të Bankës Botërore, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë, në drejtim të rritjes së eficencës së sektorit bankar dhe atij të sistemit të pagesave.

Pas më se një viti operim të sistemit RTGS, zgjerimi i infrastrukturës së pagesave edhe me sistemin e automatizuar të kleringut, AECH, krijon kushtet e nevojshme për përballimin e nevojave në rritje të ekonomisë sonë. Sistemi AECH mbështetet mbi standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky sistem, i realizuar me investime në teknologji bashkëkohore, do të mundësojë reduktimin e ndjeshëm të kohës së procesimit të pagesave me vlerë të vogël, duke rritur kështu popullaritetin e pagesave bankare, dhe duke i ofruar klientëve të bankave një shërbim më cilësor.

Shtrirja e pajisjeve, programeve kompjuterike, bazës rregullatore dhe procedurave operuese, që janë pjesë përbërëse e sistemit, në tërësinë e vet kanë përfshirë si Bankën e Shqipërisë ashtu edhe Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Për këtë arsye roli dhe kontributi i bankave gjatë procesit të zbatimit, është gjykuar si tejet i rëndësishëm. Transparenca dhe gjithëpërfshirja ndaj Bankave ka gjetur reflektim në një angazhim serioz dhe vendimmarrje të përbashkët, gjatë gjithë projektit.

Natyrisht, që ky projekt të quhet tërësisht i suksesshëm, duhet të pasohet nga një fushatë sensibilizimi të publikut dhe të kompanive utilitare në drejtim të përdorimit më të gjerë të instrumentave të pagesave. Në këtë kuadër, në shtator të këtij viti parashikohet të zhvillohet një takim më i gjerë me drejtues të bankave të nivelit të dytë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave, me përfaqësues të shoqërive të shërbimeve utilitare dhe të palëve të tjera të interesuara, si dhe me ndihmën e medias, me qëllim nxitjen e përdorimit sa më të gjerë të këtij sistemi.

Eshtë një kënaqësi e veçantë për mua, si drejtues i Bankës së Shqipërisë, të konstatoj se, ky projekt u realizua në kohë duke përmbushur të gjitha objektivat e vëna, në sajë të bashkëpunimit të frytshëm me Ju, dhe të asistencës së mediave me gjithë vështirësitë dhe kompleksitetin që paraqet një projekt i përmasave të tilla.

Unë besoj se ky mekanizëm është një pjesë mjaft e rëndësishme në sistemin që ne po ngremë për reduktimin e ekonomisë cash dhe reduktimin e ekonomisë informale.

Me këtë rast, ju shpreh përgëzimet dhe ju falenderoj për mbështetjen dhe kontributin tuaj në mbarëvajtjen e këtij projekti.

Punë të Mbarë!