BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në takimin rajonal të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në qytetin e Korçës, 13 Shkurt 2009

Data e publikimit: 13.02.2009

 

Mirëdita,

Ndjehem i privilegjuar që ndodhem përsëri mes jush, përpara këtij auditori të mrekulluellshëm vlerash intelektualiteti dhe profesionalizmi. Është hera e dytë që në kapacitetin tim si Guvernator i Bankës së Shqipërisë vizitoj qytetin e Korçës dhe konstatoj me kënaqësi se qyteti ka bërë progres të admirueshëm. Më lejoni të theksoj edhe një herë se Korça, ky qytet simpatik dhe mikëpritës, gjithmonë më ka dhënë dhe do të më japë kënaqësi edhe në të ardhmen.

Zakonisht një Guvernator ka si temë të preferuar politikën monetare, stabilitetin financiar, paranë dhe bankat, reformat strukturore dhe politikat ekonomiko – financiare. Megjithatë, situata aktuale e bën të pashmangshme rrjedhën e këtij komunikimi drejt zhvillimeve të fundit me të cilat po përballet ekonomia botërore dhe ajo shqiptare, më në veçanti.

Në rrafshin global, ekonomia botërore po përballet me sfida të shumta. Fundi i vitit 2008 dhe muaji janar i 2009-ës kanë konfirmuar përfundimisht rënie të aktivitetit ekonomik në ekonomitë e SHBA, Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Japonisë pa harruar të përmend edhe shumë prej ekonomive evropiane në zhvillim si Ukrahina, Hungaria, Bjellorusia, Serbia dhe ndonjë vend tjetër.

Ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet se është kapërcyer rreziku i goditjeve të mëtejshme të stabilitetit financiar gjithnjë e më shumë po përkeqësohet situata ekonomike, ku përveç rënies së prodhimit të përgjithshëm po rritet me shpejtësi edhe numri i të papunëve. Vendet në zhvillim po përjetojnë një përkeqësim të kushteve financiare, shtrëngim të kreditimit, presione mbi kursin e këmbimit dhe njëkohësisht, rënie të konsiderueshme të kërkesës për degë mjaft të rëndësishme të aktivitetit ekonomik.

E bëra këtë hyrje jo pa qëllim. Ideja është që të kuptoni se ekonomia ndërkombëtare po përjeton një ngërç të madh, i cili për nga shtrirja dhe intesititeti goditës është i papërjetuar më parë në historinë moderne të pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë tabu kanë rënë dhe po bien. Kriza e rëndë financiare u mbars, lindi, u rrit dhe shpërtheu në zemrën e kapitalizimit, në SHBA dhe prej andej u përhap me shpejtësi në mbarë botën.

Ndonëse për dikë apo dhe për disa mund të tingëllojë si paradoks, ekonomia jonë ka arritur t’i rezistojë këtij cunami të madh. Sipas të dhënave zyrtare të disponueshme dhe duke gjykuar mbi një sërë treguesish të tërthortë, kemi arritur në përfundimin se aktiviteti ekonomik i vitit 2008 është zhvilluar në linjë me trajektoren e programuar të fillimvitit.

Përgjithësisht, aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur në burimet e brendshme të financimit, ndërkohë që sistemi bankar shqiptar është treguar dinamik dhe efektiv në kanalizimin e kursimeve të ekonomisë drejt financimit të prodhimit apo konsumit të qytetarëve. I gjithë ky proces është lehtësuar edhe nga stabiliteti makroekonomik, i cili ka mundësuar uljen e perceptimit të rrezikut në ekonomi.

Duke u ndalur pak më gjatë në përmbushjen e detyrimit ligjor të Bankës së Shqipërisë, do të doja të theksoja se gjashtëmujori i dytë i vitit 2008, regjistroi kthimin e inflacionit brenda intervalit të synuar të politikës monetare prej 2 – 4 për qind. Qetësimi i goditjeve të ofertës si dhe kushtet e përshtatshme monetare vlerësohet të kenë qenë faktorët kyç që kanë mundësuar balancimin e faktorëve të kërkesës dhe ofertës.

Gjatë vitit 2008, norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind, duke synuar dhe materializuar ankorimin e pritjeve për inflacionin të agjentëve ekonomikë, pranë nivelit 3 për qind të synuar nga Banka e Shqipërisë. Aktiviteti i tregjeve të parasë gjatë kësaj periudhe është kushtëzuar nga zhvillimet e treguesve monetarë dhe të ekonomisë reale. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregjet e parasë duke injektuar likuiditet me afate të ndryshme maturimi, sipas kërkesave të sistemit. Gjithashtu, për t’i shërbyer më mirë nevojave të bankave, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar në muajin nëntor formën e ankandit të marreveshjeve te riblerjes, në ankand pa kufizim shume.

Në fund të muajit janar 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë përqindjen bazë të interesit me 50 pikë të përqindjes, duke shënuar një moment kthese në kahun e politikës monetare në drejtim të lehtësimit të saj.

Megjithatë, më duhet të theksoj se zhvillimet e fundvitit 2008 dhe ato të fillimvitit 2009, e bëjnë të domosdoshëm vlerësimin objektiv dhe me realizëm të situatës së përgjithshme ekonomiko – financiare të vendit për momentin dhe për perspektivën më të largët. Më lejoni të përmend dy – tre prej tyre duke sjellë në vëmendjen tuaj edhe optikën tonë të vlerësimit.

1 - Gjatë muajit janar 2009, vlerësohet se ka përfunduar hezitimi i llogjikshëm i individëve ndaj bankës së tyre, i cili u shfaq kryesisht në formën e tërheqjes së depozitave, gjatë periudhës tetor – dhjetor 2008. Sigurisht që ky është një lajm i mirë që tregon se sistemi bankar shqiptar ka kaluar një provim të vështirë që shumë prej “kolegëve” të tij në rajon dhe më gjerë nuk e kapërcyen dot. Situata e likuiditetit është përmirësuar. Shpërndarja simetrike midis bankave ka nxitur rritjen e vëllimit te transaksioneve ne tregun ndërbankar, duke e rikthyer atë ne nivelet normale te tregtimit. Në përgjigje të reagimit të Bankës se Shqipërisë, kjo është shoqëruar me uljen e normave të interesit, për gjithë harkun e instrumenteve dhe maturiteteve.

A është kjo e rastësishme? A është thjesht fat?

Jo, nuk bëhet fjalë as për fat as për kthim prapa në klishetë (slloganet) e epokës së ekonomisë së centralizuar.

Sipas të dhënave më të fundit, sistemi bankar shfaqet fitimprurës. Treguesi i kthimit mbi kapitalin për vitin 2008 është 11.35 për qind. Ndërkohë, bankat kanë zgjeruar investimet e tyre, por nga ana tjetër kanë rritur edhe kapitalin. Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit përbën 17.23 për qind të totalit të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuara sipas rrezikut, ndërkohë që cilësia e portofolit të kredisë është në nivele tё kënaqshme.

Viti 2008 përkon me një kujdes në rritje të politikave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë në drejtim të adoptimit të një përqasjeje më konservatore. Miratimi i ligjit të ri për sistemin bankar, zhvillimet e evidentuara në vitin 2007 me shpërthimin e tullumbaces së kredive në SHBA si dhe ritmet e larta të kredisë në 3 – 4 vitet e fundit, u vlerësuan me shumë seriozitet nga ana jonë. Për këtë qëllim në fillim të vitit 2008, Banka e Shqipërisë zhvilloi forumin e parë me sistemin bankar, ku nëpërmjet një komunikimi të hapur u parashtrua për diskutim një paketë e tërë masash rregullative, të cilat synonin konsolidimin e stabilitetit financiar të vendit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i dha rrugë miratimit të gjithë paketës së propozuar, duke krijuar kështu një vaksinë efektive, e cila tashmë mund të thuhet se ka krijuar antikorpet e duhura ose imunitetin që përmenda në hyrje të fjalës time.

Po cilat janë këto modifikime që na kanë rritur rezistencën kaq shumë?

  • Në përputhje me ligjin e ri u miratuan kritere të reja për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj bankave mëmë dhe subjekteve të lidhura me të, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre.
  • Për t’i shërbyer një administrimi më efektiv, u hartua një rregullore e re për forcimin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja. Akti i ri rregullativ e konsideron kontrollin e brendshëm, si pjesë të një qeverisjeje të përgjegjshme të bankave. Ajo siguron platformën për krijimin e një sistemi eficient të kontrollit të brendshëm si faktor kryesor në drejtimin dhe administrimin e bankave dhe degëve të bankave të huaja.
  • Bazuar në problematikat e mëparshme një rëndësi e veçantë iu kushtua dhe transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare. Ky është një drejtim tjetër ku ndërhymë gjatë vitit 2008. Kërkesat e reja sdandardizojnë mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët mbi produktet dhe shërbimet bankare të ofruara. Theks i veçantë i është vënë publikimit të detyrueshëm të normave efektive të interesit të depozitave dhe kredive. Nëpërmjet këtij informacioni klientët e bankës mund të njihen me metodën e llogaritjes së normës efektive të interesit për kreditë, elementet e kontratës së kredisë dhe depozitave, për marketingun e produkteve dhe shërbimeve, ruajtjen e konfidencialitetit të dhënave të klientit, trajtimin e ankesave të këtij të fundit, si dhe krijimin e strukturave të veçanta lidhur me këto ankesa.
  • Pjesë e paketës së re ishte dhe standardizimi i informacionit të detyrueshëm që bankat dhe degët e bankave të huaja duhet të bëjnë publik, në lidhje me veprimtarinë kryesore të bankës, organizimin dhe drejtimin e saj; në lidhje me ecurinë financiare; në lidhje me gjendjen financiare; në lidhje me administrimin e rrezikut si dhe politikat kontabël.
  • Duke marrë shkas nga situata ndërkombëtare, për të diversifikuar më mirë rrezikun që rrjedh nga përqendrimi në investimet e bankave në tregjet financiare ndërkombëtare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, bëri dhe disa modifikime të rregullores për administrimin e rrezikut që konsistojnë kryesisht në vendosjen e kufijve më prudencialë të treguesve të ekspozimeve të mëdha dhe në teknikat e llogaritjes dhe njohjes së kolateralit.

Pas gjithë kësaj ekspozeje në lidhje me punën tonë gjatë vitit 2008, natyrshëm na lind e drejta të pretendojmë se kemi vepruar drejt, duke ndërmarrë shumë aksione parandaluese që na kanë ndihmuar në absorbimin e efekteve negative të zhvillimeve të kohëve të fundit.

2 – Të dhënat paraprake të muajit dhjetor 2008 flasin për një tkurrje të kredisë për ekonominë, veçanërisht të kreditimit në valutë. Me lejoni të sqaroj edhe njëherë se bëhet fjalë për një nga simptomat më të rënda në rang mbarë botëror që ka shoqëruar krizën e fundit financiare. Aq e vërtetë është kjo sa në ekonomi shumë të zhvilluara kanali i kredisë për ekonominë dhe ai ndërbankar kanë pushuar së funksionuari ose janë duke operuar në nivele minimale.

Për rrjedhim, ndonëse në mënyrë periferike ky zhvillim është materializuar edhe në ekonominë tonë. Megjithatë, ajo që unë besoj se është më e rëndësishme ka të bëjë me të ardhmen. Nga kontaktet e veçanta me bankat që operojnë në Shqipëri kemi arritur në përfundimin se ndajmë të njëjtin shqetësim, se një stopim drastik i kreditimit të ekonomisë do të dëmtonte rëndë aktivitetin ekonomit të vendit por edhe vetë gjendjen financiare të sistemit. Për këtë qëllim, jemi në një proces të vazhdueshëm komunikimi me bankat që të garantojmë se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare do të marrë mbështetjen e merituar financiare të sistemit bankar. Besoj se prania në këtë sallë e përfaqësuesve të lartë të sistemit bankar është një dëshmi ndërgjegjësimi dhe e të kuptuarit të këtij shqetësimi.

Vendimi i pak ditëve më parë të Bankës së Shqipërisë ashtu siç u shpreh edhe në deklaratën për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës krijon “më shumë frymëmarrje për aktivitetin ekonomik të vendit.” Më vjen mirë të konstatoj se sistemi bankar ka reaguar tashmë. Është evidentuar një rënie e normave në tregun ndërbankar dhe në yield-et e bonove të thesarit.

3 – Zhvillimi i tregut ndërbankar të parasë si një urë e domosdoshme për rritjen e efektivitetit të transmetimit të politikës monetare, ka qenë dhe mbetet në fokusin e Bankës së Shqipërisë. Duke qenë i tillë, zhvillimi i tregut ndërbankar ka qenë objekt diskutimi i shumë takimeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë. Në këto takime, bankat kanë evidentuar rrezikun e kreditit si një ndër pengesat kryesore për zhvillimin e këtij tregu. Për të minimizuar këtë rrezik, Banka e Shqipërisë hartoi Ligjin Për Kontratat e riblerjes së titujve.

Miratimi i këtij ligji finalizoi përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ndërtuar infrastrukturën e duhur ligjore për tregun e marrëveshjeve të riblerjes midis bankave të nivelit të dytë. Pas miratimit të tij Banka e Shqipërisë ka organizuar një sërë takimesh për sqarimin e elementeve bazë të ligjit. Objekti kryesor i këtyre takimeve ka qenë shpejtimi i lidhjes së kontratave përkatëse midis bankave, për të materializuar zbatimin në praktikë të këtij ligji. Periudhën që kemi lënë pas e konsiderojmë të mjaftueshme për finalizimin e procesit të hartimit dhe nënshkrimin e kontratave individuale për marrëveshjet e riblerjes. Për këtë arsye i tërheq vëmendjen sistemit bankar që të procedojë me shpejtësi dhe pa humbur asnjë minutë kohë në nënshkrimin e kontratave përkatëse. Finalizimi i procesit duhet të pasohet domosdoshmërish edhe me kuotimet ditore të bankave në kuadër të huamarjes dhe huadhënies në tregun ndërbankar.

Frymës se rritjes se transparencës dhe te mbrojtjes se klientëve i shërben edhe vendimi i fundit i Këshillit Mbikëqyrës, i cili bën te detyrueshëm kuotimin e normës se kredisë hipotekare, bazuar ne normën baze te Bankës se Shqipërisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Banka e Shqipërisë, ka deklaruar në vazhdimësi këto kohët e fundit, se viti 2009 mbart sfida të shumta, të cilat të vendosura në kontekst të problemeve të mprehta globale e bëjnë detyrën tonë akoma më të vështirë. Megjithatë, më duhet të theksoj se të vlerësosh objektivisht situatën aktuale dhe atë të ardhmes së afërt është shprehje kujdesi. Ne në Bankën e Shqipërisë, mbetemi të angazhuar për të monitoruar me kujdes të gjitha zhvillimet ekonomiko financiare në vend duke qenë të gatshëm për të ndërmarrë veprimet e duhura në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomike dhe financiarë.

Në këtë mënyrë ne kryejmë shërbimin tonë kushtetues në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Në këtë sfidë të vështirë unë përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë aktorët e interesuar, publikun në përgjithësi që të bëhet pjesë e dialogut për gjetjen e rrugëve dhe zgjidhjeve optimale, për minimizimin e efekteve negative që përcjell në vend ekonomia ndërkombëtare.