BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin rajonal të zhvilluar në qytetin e Sarandës, 24 shtator 2007

Data e publikimit: 24.09.2007

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë për mua që të kthehem përsëri në qytetin tuaj të mrekullueshëm. Takimi i sotëm është në vijim të një strategjie të re komunikimi të Bankës së Shqipërisë me grupet e ndryshme të interesit. Nga ana tjetër, takimet në rajonet e ndryshme të Shqipërisë na mundësojnë ne, të kuptojmë më mirë specifikat që karakterizojnë zona të caktuara gjeografike, duke rritur premisat për një zhvillim sa më harmonik dhe më të plotë në nivel vendi.

Në vijim do të doja të elaboroja me ju disa çështje të lidhura me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, të cilat për nga shkalla e mbulimit dhe e efekteve gjykoj se përfshijnë të gjitha grupet e interesit pjesëmarrëse në këtë takim.

Dëshiroj së pari të ndalem shkurtimisht në çështjen e komunikimit. Është pranuar gjerësisht në ditët e sotme se shanset për një sukses afatgjatë bëhen realitet, në qoftë se je i aftë të komunikosh me gjuhën e duhur, me aktorët e duhur dhe në kohën e duhur. Për të qenë më konkret, një bankë qendrore që të jetë eficiente dhe largpamëse e ka të domosdoshme të komunikojë pa ndërprerje, në mënyrë të thjeshtë dhe transparente, me të gjithë aktorët e tregut, përfshi dhe publikun e thjeshtë. Kjo është një premisë e domosdoshme për të garantuar kredibilitetin institucional, pavarësinë reale si dhe një llogaridhënie të shëndoshë.

Banka e Shqipërisë, ka kohë që ka filluar të mendojë në mënyrë largpamëse për këtë proces dhe tashmë mund të deklaroj se kemi filluar të marrim frytet e para. Sipas vlerësimeve të ndryshme gjykohet se eficienca e tregjeve është në rritje, pritshmëritë për inflacionin janë të ankoruara rreth objektivit tonë, ndërkohë që sensibiliteti për stabilitetin financiar ka qenë dhe është në rritje të vazhdueshme.

Pavarësisht sa thashë më sipër, pretendimet tona në drejtim të informimit dhe sqarimit të vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë, janë më të mëdha.

Pikësynimi ynë strategjik mbetet kuptimi dhe përkthimi në gjuhën e duhur i vendimeve të natyrës strategjike (vendimet e politikës monetare) dhe atyre të natyrës operacionale. Ambicia jonë në këtë drejtim është e madhe dhe do të ftoja të gjithë aktorët në përgjithësi, dhe sistemin bankar në veçanti të bëjnë përpjekje më të mëdha për të bashkëpunuar.

Banka e Shqipërisë beson se tregu financiar në Shqipëri tashmë ka një fizionomi më të plotë. Pjesëmarrja e shumë institucioneve të huaja me reputacion ndërkombëtar është një dëshmi në këtë drejtim. Kohët e fundit kemi patur shtim të eficiencës së tij, e cila reflektohet si në vëllimet e tregtuara ashtu edhe në uljen e luhatshmërisë së përqindjeve të interesit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë konstaton se tregu duhet të zhvillohet më shumë dhe jo vetëm kaq, por shumë shpejt. Aktualisht, gjykoj se nuk ka më arsye objektive që të zbehin eficiencën e tregut financiar e për rrjedhim, të transmetimit të vendimeve të politikës monetare në ekonomi.

Sistemi bankar i ka të gjitha mundësitë dhe duhet të interpretojë më drejt sinjalet e Bankës së Shqipërisë në mënyrën, në kohën dhe në intensitetin e duhur. Po për këtë sistemi bankar duhet të përgatitet seriozisht jo vetëm me strukturat përkatëse, por edhe me burime njerëzore profesioniste. Kjo është një kërkesë standarde, një apostulat i kohëve moderne do të thoja, për të cilën të gjithë ne duhet të jemi të angazhuar maksimalisht.

Ju bëj me dije se Banka e Shqipërisë ka përgatitur dhe shumë shpejt do të dalë me një paketë të veçantë, në qendër të së cilës është efikasiteti i tregut financiar, veçanërisht i atij bankar. Pjesë e kësaj pakete është ligji i ri për marrëveshjet e riblerjes, ndryshimet rregullative në mbajtjen dhe llogaritjen e rezervës së detyruar, rrallimi i ankandeve të bonove të thesarit nga këndvështrimi kohor si dhe prezantimi i përqindjes bazë referencë.

Të gjitha këto masa do të zbatohen si një paketë e vetme dhe do të revolucionarizojnë funksionimin e tregut ndërbankar, një hallkë vitale e tregut financiar për përçimin e vendimeve të politikës monetare në ekonomi. Nga ana tjetër ato do të bënin më efikase taktikat operacionale të Bankës së Shqipërisë. Unë ftoj sistemin bankar që të bëhet pjesë e këtij procesi, duke u bërë aktivë në konsultimet e rastit, që do t'i paraprijnë lançimit të kësaj pakete. Sugjerimet dhe komentet e tij janë të mirëpritura në çdo moment.

Si çështje të dytë do të trajtoja vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Duke mos e quajtur të tepërt, dëshiroj të përsëris edhe një herë se stabiliteti i çmimeve të konsumit është objektivi themelor i institucionit që unë drejtoj. Kohët e fundit, besoj se ju ka rënë rasti të dëgjoni nga deklaratat e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, se rreziku për një ambient inflacionist është i pranishëm. Po kështu, në këto deklarata janë listuar dhe faktorët e mundshëm, që sipas gjykimit tonë e bëjnë të besueshëm shqetësimin për presionet inflacioniste në ekonomi.

Të dhënat e publikuara prej INSTAT-it tregojnë se inflacioni vjetor në muajin gusht 2007 regjistroi vlerën 4.2 për qind, diçka mbi nivelin e sipërm të bandës objektiv 2 - 4 për qind. Muaji gusht shënoi një përqindje të lartë mujore, 2.1 për qind, një shifër krejt e pazakontë në raport me vitet e kaluara.

Besoj se kemi qenë të kuptueshëm kur në analizat tona kemi evidentuar se shkaqet janë të lidhura si me faktorë, të cilët nuk mund të parashikohen (goditjet e rastësishme) ashtu dhe me shkaqe të tjera, që kanë të bëjnë me kërkesën e ekonomisë për mallra dhe shërbime.

Duhet theksuar se këtë vit faktorët e natyrës së parë janë të shumtë dhe lidhen si me zhvillimet brenda vendit ashtu dhe me zhvillime "të importuara" nga ekonomia ndërkombëtare. Që të jem konçiz shkurtimisht do të theksoja:

1 - Kriza energjitike, e cila këtë është shfaqur më herët se zakonisht dhe sipas shumë vlerësimeve, do të zgjatet përtej asaj çka biznesi mund të parashikojë në planet e tij në fillim të çdo viti kalendarik. Sigurisht që efekti i mungesës së energjisë është shumë kompleks: ai prek drejtpërdrejt kapacitetet prodhuese, krijon kosto shtesë (burimi alternativ i energjisë) mbi produktet përfundimtare, rrit pasigurinë në përgjithësi. Besoj se këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar paqartësi në tregje, duke u bërë një fillesë për të gjeneruar premisa inflacioniste në ekonomi.

2 - Këtë vit, jemi përballur edhe me një problem tjetër, i cili ka të bëjë me një koniukturë ndërkombëtare çmimesh të rritur, që ushtron ndikimin e vet në tregun tonë të mallrave dhe të shërbimeve. Karburantet dhe drithërat janë dy mallrat më të prekur nga kjo koniukturë. Nevojat e ekonomisë sonë për këta dy artikuj janë në rritje, ndërkohë që burimet e brendshme janë të kufizuara duke e bërë Shqipërinë të varur nga importi e për rrjedhim, nga çmimi në tregjet ndërkombëtare.

3 - Në përgjithësi, kërkesa në ekonomi vlerësohet se ka qenë e lartë në fund të vitit 2006 dhe në pjesën e parë të vitit 2007. Ky fakt evidentohet në rritjen e madhe të kredisë për ekonominë, në zgjerimin e mëtejshëm të llogarisë korente, në shtimin e importeve të mallrave të tillë si automjete, pajisje elektroshtëpiake dhe makineri e pajisje. Përgjithësisht, rritja e kërkesës në një periudhë të caktuar do të thotë presione inflacioniste në ekonomi, prandaj kemi arsye që të shqetësohemi seriozisht për këtë problem.

4 - Në ditët e sotme, pritshmëritë e publikut për zhvillimet inflacioniste në të ardhmen janë vënë në qendër të përpjekjeve të çdo banke qendrore, për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm afatgjatë të çmimeve. Më konkretisht, bëhet fjalë për perceptimet që çdo agjent ekonomik krijon për inflacionin në të ardhmen. Në disa raste, këto pritshmëri bazohen shumë edhe në faktet e verifikuara në të kaluarën. Por, e suksesshme është ajo bankë qendrore, e cila arrin t'i ankorojë këto pritje të publikut me një objektiv numerik, të cilin ajo e gjykon si vlerë optimale të inflacionit. Për këtë arsye, ne jemi shumë të përqendruar në këtë drejtim dhe nga ky takim, dëshiroj të theksoj edhe një herë qëndrimin e Bankës së Shqipërisë, se mbetemi të vendosur në përpjekjen tonë për të mbajtur të ankoruara pritjet inflacioniste rreth nivelit 3 për qind, i cili është dhe objektivi ynë numerik.

Për këtë qëllim, ne do të vazhdojmë të orientojmë vendimmarrjen tonë politike dhe atë operacionale për t'i shërbyer këtij objektivi.

Si një çështje të fundit do të doja të konsideroja një tjetër objektiv madhor të Bankës së Shqipërisë, atë të lidhur me stabilitetin financiar. Siç mund ta dini, Banka e Shqipërisë është autoriteti licencues dhe mbikëqyrës i sistemit bankar dhe i disa segmenteve të tjera të sistemit financiar (institutet financiare jobanka dhe agjencitë e këmbimit valutor). Duke qenë njëkohësisht edhe autoritet i rëndësishëm vendimmarrës në fushën e politikave ekonomike dhe financiare, kuptohet që një sfidë delikate mbetet harmonizimi midis këtyre dy prioriteteve madhore: politikë monetare efektive pa dëmtuar stabilitetin financiar dhe stabilitet financiar pa dëmtuar efektivitetin e politikës monetare.

Aktualisht, kjo është një nga temat më trendy. Shumë ekspertë, vendimmarrës, akademikë po i vënë një theks në rritje këtij problemi dhe në recetat që ata servirin e rendisin stabilitetin financiar si një kryegjë, i cili po u trondit merr me vete të gjithë infrastrukturën nga ka lindur, nga është ushqyer dhe është rritur. Për këtë qëllim, e gjykoj të rëndësishme t'i kthehem dhe rikthehem përsëri kësaj çështjeje.

Për vetë historinë tonë jo shumë të largët, mendoj se prudenca në drejtim të stabilitetit financiar nuk është asnjëherë e tepërt. Aktualisht, dua t'ju siguroj se sistemi bankar shqiptar është në gjendje të shëndoshë financiare, i kapitalizuar dhe fitimprurës. Filozofia jonë në këtë drejtim, ka qenë konsolidimi i sistemit bankar nëpërmjet proceseve të blerjeve dhe bashkimit, me synim tërheqjen e investitorëve me reputacion të njohur ndërkombëtar, me eksperienca të pakontestueshme në biznesin bankar. Besoj se kemi qenë të suksesshëm në këtë drejtim. Gjatë kohëve të fundit ka patur hyrje të reja në sistem, ku veçohen bankat e njohura ndërkombëtare, Intesa - San Paolo, Credit Agricol dhe Banka Société Générale. Si konkluzion mund të thuhet se kompozimi i momentit i sistemit bankar në Shqipëri është ai i duhuri, që garanton mbështetjen perspektive të ekonomisë.

Hyrja e bankave të reja ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së biznesit bankar në Shqipëri, fenomen ky që pasqyrohet ndërmjet të tjerash në rritjen e konkurrencës dhe në një agresivitet më të madh të një pjese të sistemit bankar për të zënë përqindje tregu. Banka e Shqipërisë gjykon se pasqyrim i këtij fenomeni është edhe rritja e shpejtë e kredisë për ekonominë. Më konkretisht, teprica e kredisë për ekonominë këto 3 vitet e fundit është rritur me rreth 8 pikë përqindjeje të PBB-së. Në muajin korrik '07, rritja vjetore e saj ishte mbi nivelin 50 për qind duke na bërë të besojmë se në fund të këtij vitit kjo tepricë do të arrijë sa 28 për qind e prodhimit të përgjithshëm bruto.

Banka e Shqipërisë, në të gjitha prononcimet e saj ka argumentuar se fenomeni në fjalë është një proces i natyrshëm, që shoqëron veprimtarinë e biznesit bankar në çdo vend. Po kështu, Shqipëria si shumica e vendeve të tjera të rajonit, është në të ashtuquajturin proces të konvergimit të shpejtë me parametra të caktuar, të Bashkimit Evropian.

Për këto arsye, ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se ritmet e rritjes do të vazhdojnë të jenë të larta. Duke lënë mënjanë efektet e mundshme mbi kërkesën agregate në ekonomi, gjykoj se në kushtet e kësaj rritjeje të shpejtë sfida e vërtetë qëndron tek cilësia e portofolit të kredisë.

Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur në respektimin e të gjithë paketës mbikëqyrëse dhe rregullative që synon të garantojë një portofol kredie të sigurtë. Ne nuk mund të pajtohemi me disa koncepte të kristalizuara kohët e fundit, të cilat na lënë të kuptojmë se banka të caktuara po rendin pas zënies së tregut në kurriz të shqyrtimit profesional dhe rigoroz të aplikimeve për kredi.

Në kushtet kur ekzistojnë ende shumë pengesa objektive, gjykojmë se prudenca në akordimin e kredisë duhet të jetë maksimale. Më lejoni t'ju kujtoj, se ende trashëgojmë mangësi në drejtim të titullit të pronës, kolateralit dhe ekzekutimit të tij, identifikimit të adresave, regjistrit të pasurive dhe atij të kredisë. Mosnjohja dhe mosmarrja në konsideratë e mangësive të mësipërme rrit mundësitë që në mënyrë objektive apo subjektive, vendimmarrja për akordimin e një kredie të jetë e gabuar. Nuk më vjen mirë të konstatoj se në raste veçanta, për shuma të konsiderueshme vendimmarrja bëhet në një hapësirë kohore të shkurtër, e pamjaftueshme për verifikimet e rastit që shoqërojnë një praktikë kredie.

Përfitoj nga ky auditor që t'i kërkoj sistemit bankar të respektojë me fanatizëm rregulloret e mbikëqyrjes bankare dhe atë të administrimit të rrezikut. Nisur nga struktura aktuale e stokut të kredisë për ekonominë, e konsideroj veçanërisht të rëndësishme t'i këshilloj bankat, të vlerësojnë seriozisht ekspozimin e tyre ndaj rrezikut të këmbimit valutor dhe të kujdesen për miradministrimin e tij.

Në përfundim, do të tërheq shkurtimisht vëmendjen e sistemit bankar edhe me një problem tjetër, të cilin e kam ngritur kohë më parë. Konstatoj se ka një kujdes më të madh në drejtim të qeverisjes, në drejtim të kontrollit të brendshëm ndërkohë që ende gjykoj se ka probleme në raport me transparencën, me shërbimet në sportel, me politikat e komisionit dhe novacionet e fundit me transaksionet elektronike.

Nga ana jonë nuk do të mungojë mbështetja në këtë drejtim. Konsiderojeni Bankën e Shqipërisë si një mundësi konsultimi dhe asistence të përhershme. Unë dua t'ju siguroj se jemi totalisht të përqendruar dhe të gatshëm të mbështesim dhe të asistojmë çdo institucion bankar që aspiron të sjellë inovacionin, praktikat dhe standardet perëndimore në Shqipëri.

Në përfundim, më lejoni të them edhe disa fjalë për qytetin ku jemi mbledhur sot, për potencialin që ai ka dhe për mbështetjen që sistemi bankar mund t'i japë atij.

Saranda është sot një nga pikat më kulminante dhe ndoshta vitrina më e mirë e mundësive dhe e cilësisë së turizmit shqiptar, e këtij sektori të rëndësishëm që tashmë kontribuon me 9 për qind, në prodhimin e brendshëm bruto të vendit.

Tashmë shifra prej 1 milion turistësh në vit është bërë realitet këtë vit dhe perspektivat e saj shkojnë akoma më tej, në qoftë se ne do të vazhdojmë t'i kushtojmë sektorit të turizmit gjithë vëmendjen ekonomike, sociale e institucionale që ai kërkon. Por, përtej këtyre shifrave mbresëlënëse, zhvillimi i turizmit përkthehet dhe si përmirësim i vazhdueshëm i imazhit të Shqipërisë si vend në progres, i vlerave që ajo zotëron dhe ofron, i rritjes së nivelit të punësimit dhe të të ardhurave për shumë zona e shtresa të popullsisë, si valorizim i shumë potencialeve mjedisore, historike e kulturore, gjeografike e kurative, sociale dhe ekonomik etj..

Por, me gjithë këtë situatë optimiste, nuk duhet të harrojmë se gjendemi në Pellgun e Mesdheut, në një nga zonat më turistike të botës, në një nga zonat me larminë më të madhe të llojeve turizmit, pra për pasojë në një nga zonat ku konkurrenca në shërbimet turistike është në majat e saj, ku shumë nga vendet e rajonit, me një përvojë e traditë shumë të gjatë në këtë sektor, e kanë kthyer atë në një industri të vërtetë turistike.

Objektivave tanë për të përmirësuar shpejt dhe për të zgjidhur cilësisht problemet e infrastrukturës rrugore, furnizimin me ujë e energji elektrike, të kanalizimeve etj., duhet t'i bashkëngjisim në çdo hap edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zbatimin e standardeve, përfundimin e planeve rregulluese e urbanizuese për të gjitha zonat turistike, larminë e llojeve të turizmit e produkteve turistike të ofruara ku përveç atij bregdetar që dominon, të zhvillojmë akoma më shumë turizmin malor dhe atë rural, turizmin kulturor e atë historik, turizmin arkeologjik e natyror, turizmin kurativ dhe sportiv, turizmin masiv dhe atë elitar etj.. Të gjitha këto do të bëjnë që sektori dhe aktivitetet e lidhura direkt apo indirekt me turizmin të thithin më shumë investime e kredi, t'i bëjnë akoma më të interesuara dhe më të sigurta për suksesin bankat, biznesin vendas dhe atë të huaj, investitorët privatë e institucionalë etj..

Të jeni të bindur se biznesi bankar po ju vrojton me shumë vëmendje, duke pritur një sinjal, një shkëndijë që më së shumti është në dorën tuaj. Standardet janë të domosdoshme dhe duhen respektuar. Prandaj do të ftoja pushtetin lokal, komunitetin e biznesit, individët e Sarandës të orientohen nga e ardhmja, nga modele zhvillimi turistik dhe urbanistik të ngjashme me modele të përparuara.

Më lejoni ta mbyll fjalën time, duke ju falenderuar edhe një herë për mikpritjen tuaj.