BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin teknik për nxitjen e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Iniciativës së Vjenës II, 3 tetor 2013

Data e publikimit: 03.10.2013

 

Të nderuar drejtues të autoriteteve mbikëqyrëse,

Më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen në këtë takim të parë rajonal mbi Iniciativën e Vjenës.

Zhvillimet e viteve të fundit në BE dhe në vendet e rajonit kanë demonstruar qartazi, se në tregjet e ndërlidhura të Evropës, tensionet financiare, pavarësisht origjinës së tyre, gjeografikisht janë më shumë se fenomene lokale apo rajonale. Kriza e borxhit sovran, e cila nisi si një episod i lokalizuar në periferinë e Eurozonës, gradualisht evoluoi duke përfshirë thuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE)  me ndikim të ndjeshëm edhe në vendet joanëtare,  në rajonin e Evropës Juglindore. Në qendër të mekanizmit të transmetimit të presioneve financiare nga vendet e BE-së drejt atyre joanëtare, qëndrojnë grupet e mëdha bankare të Eurozonës, që operojnë në gjithë kontinentin nëpërmjet degëve dhe filialeve. Brenda pak muajsh, rrethi vicioz në eurozonë mes bankave dhe sovranëve, u eksportua drejt vendeve pritëse joanëtare të BE-së. Kjo u realizua, së pari, nëpërmjet uljes së tolerancës ndaj rrezikut dhe, së dyti, nëpërmjet ndërprerjes së kreditimit për ekonomitë tona nga ana e bankave të Eurozonës që operojnë tek ne.

Në disa vende, reduktimi i mbështetjes me kreditim mori formën e fenomenit të ashtuquajtur “deleveraging”, ose reduktimit të aktivitetit kreditues të filialeve të bankave evropiane në vendet pritëse joanëtare nëpërmjet reduktimit të njëkohshëm të pasiveve të tyre të huaja. Në vende të tjera, si Shqipëria, ku filialet e bankave evropiane mbështeten në masë të madhe në financimin e brendshëm me pakicë (depozita vendase), rënia e kreditimit ndodhi pa një tkurrje korresponduese të pasiveve. Kjo solli një fluks dalës të burimeve të brendshme të financimit drejt ekonomive të BE-së. Në të dy rastet, fenomeni dëshmon një proces të tkurrjes së ekspozimit të bankave ndaj rrezikut, ose siç njihet ndryshe “derisking”, të nxitur nga presionet financiare në nivelin e bankave mëmë, të cilat u përpoqën t’i zbusin pjesërisht nëpërmjet strategjisë së tyre të biznesit në vendet joanëtare të BE-së. Ky fenomen u përshkallëzua në masë të madhe nga vendimet makroprudenciale dhe incentivat rregullatore të ndërmarra në BE. Kërkesat  për kapital shtesë të vendosura nga EBA (Autoriteti Bankar Evropian) për bankat e mëdha me aktivitet ndërkombëtar, i nxitën këto banka  të adoptojnë masa shtrënguese mbi aktivitetin e tyre në periferi, “për të kursyer” kapital rregullator në kushtet kur rritja e kapitalit do të ishte shumë e kushtueshme ose edhe e pamundur në treg. Për të ilustruar shkallën e lartë të uljes së ekspozimit, po sjell si shembull rastin e Shqipërisë. Vitin e kaluar, banka më e madhe me origjinë nga BE-ja që operon tek ne, vendosi të kontribuojë në arritjen e niveleve të kërkuara të kapitalit nga grupi duke reduktuar ekspozimin ndaj letrave me vlerë të qeverisë shqiptare në një masë prej thuajse 3% të PBB-së brenda një periudhe shumë të shkurtër. Është e qartë  se një qasje më e koordinuar ndaj plotësimit të këtyre kërkesave, duke nënkuptuar praninë e vendeve pritëse joanëtare në një fazë të hershme të vendimmarrjes makroprudenciale të BE-së, do të ndikonte në një absorbim më të lehtë të efekteve në sistemet financiare të vendeve tona.

Për të adresuar çështjet kritike që u shfaqën në kuadrin e marrëdhënieve midis vendeve të origjinës dhe atyre anëtare, u riaktivizua Iniciativa e Vjenës (Vienna Initiative), nën emërtimin ‘Iniciativa e Vjenës II’. Ajo përqendrohet në promovimin e koordinimit midis autoriteteve të vendeve të origjinës dhe atyre të vendeve pritëse, për të mbështetur një aktivitet bankar ndërkufitar të qëndrueshëm, si dhe për të mbrojtur ekonominë nga një proces deleveraging i çrregullt.

Si anëtar i Komitetit Drejtues të Iniciativës së Vjenës II kam theksuar qartë nevojën për koordinim më efikas midis vendeve të origjinës dhe vendeve anëtare, duke promovuar qëndrimin e Shqipërisë si vend pritës. Nisur nga afërsia gjeografike dhe ekspozimi i lartë ndaj zhvillimeve të fundit në tregjet financiare të BE-së, jam i bindur se vendet tona do të përfitonin ndjeshëm nga ndërtimi i një perspektive rajonale mbi  rreziqet dhe mundësitë që burojnë nga këto zhvillime dhe reformat madhore në kuadrin e mbikëqyrjes në nivel rajonal. Në këtë kuadër, pjesëmarrja e Shqipërisë në Komitetin Drejtues të Iniciativës së Vjenës dhe në Grupin e Punës mbi Unionin Bankar dhe Vendet e Evropës në Zhvillim, përbën një bazë të qëndrueshme mbi të cilën mund të mbështetemi për të sintetizuar shqetësimet e gjithë vendeve tona kundrejt autoriteteve të BE-së. 

Më lejoni të përmbledh qëndrimin e deritanishëm të Bankës së Shqipërisë, të artikuluar në kuadrin e Iniciativës së Vjenës II, dhe të propozoj një numër çështjesh për diskutim, të cilat jam i sigurt se do të çojnë në një shkëmbim të frytshëm pikëpamjesh sot.

Banka e Shqipërisë ka bërë apel për krijimin e mekanizmave efektive për të rimëkëmbur kreditimin e shëndetshëm për ekonomitë e vendeve joanëtare të BE-së, ku veprojnë filiale sistemike të bankave me origjinë nga BE-ja. Në këtë kuadër, autoritetet e BE-së dhe grupet bankare me origjinë nga BE-ja duhet të ofrojnë një kontribut aktiv. Ky nuk është thjesht një objektiv afatshkurtër, por një ankorë e rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike në rajon, me efekte të rëndësishme si për ekonomitë e vendeve tona ashtu edhe për vetë grupet bankare, të cilat kanë deklaruar angazhimin e tyre ndaj rajonit tonë.

Aktualisht, jemi dëshmitarë të një periudhe reformash masive në arkitekturën mbikëqyrëse të BE-së, me themelimin e Unionit Bankar. Këto reforma përkojnë me riaktivizimin e Iniciativës së Vjenës II, duke na dhënë kështu një mundësi të vlefshme për të përcjellë pranë autoriteteve të BE-së pikëpamjet tona si vende pritëse lidhur me to. Për të mbështetur Komitetin Drejtues të Iniciativës së Vjenës II, është ngritur edhe një Grup Pune i veçantë mbi vlerësimin e implikimeve të Unionit Bankar, sidomos për vendet joanëtare. Ne e konsiderojmë krijimin e Unionit Bankar një sfidë ambicioze dhe njëkohësisht një mundësi të rëndësishme për të hedhur themelet e një mbikëqyrjeje më efektive dhe të mirëkoordinuar, veçanërisht në këndvështrimin ndërkufitar. Siç e dini tashmë, Unioni Bankar do të përfshijë një Mekanizëm të Vetëm Mbikëqyrës (SSM) të udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane, i cili do të ngarkohet me mbikëqyrjen e bankave evropiane me rëndësi sistemike, me aktivitet ndërkufitar. Kjo masë pritet të sjellë ndryshime  në koordinimin midis mbikëqyrësve të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse. Kjo do të thotë se marrëdhënia e deritanishme e vendeve pritëse me disa autoritete mbikëqyrëse kombëtare do të përqendrohet në marrëdhënie dypalëshe me Mekanizmin e Vetëm Mbikëqyrës në rastin e degëve ose filialeve të bankave sistemike të BE-së. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka theksuar nevojën për të krijuar një marrëdhënie pune të qëndrueshme me Bankën Qendrore Evropiane dhe mundësisht krijimin e mekanizmave të posaçëm për ta arritur këtë. Eksperienca e deritanishme në përballimin e efekteve të aktivitetit të grupeve bankare të BE-së në përgjigje të kërkesave të EBA-s, ka shërbyer si një mësim i dobishëm për të ardhmen. Vazhdimisht është theksuar nga ana jonë, në takimet e zhvilluara mbi Iniciativën e Vjenës, se politikat makroprudenciale të ndërmarra në Eurozonë duhet të marrin në konsideratë efektet përkatëse në vendet pritëse joanëtare ku veprojnë filiale sistemike të bankave me origjinë nga BE-ja. Kuadri i bashkëpunimit midis vendeve të origjinës dhe atyre pritëse duhet të kontribuojë në arritjen e një harmonizimi më të mirë të politikave në të ardhmen ose të paktën të lejojë një shkëmbim të hershëm informacioni për t’i dhënë mundësi vendeve pritëse të përgatiten në përgjigje të goditjeve të mundshme . Nga ana tjetër, është kërkuar edhe që funksionimi i kolegjeve mbikëqyrëse të lejojë një shkëmbim efektiv të informacionit mbikëqyrës dhe që barrierat e mundshme ndaj pjesëmarrjes së vendeve joanëtare të eliminohen nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta.

Qëndrimi i institucioneve tuaja do të jetë shumë i vyer për të krijuar një panoramë të qartë të implikimeve të politikave të autoriteteve të BE-së dhe aktivitetit të grupeve bankare në rajon, si dhe për të vlerësuar implikimet e plota të reformave bankare në proces në BE. Më konkretisht, mendoj se do të ishte me vlerë të diskutohej në këto linja kryesore:

  • Çfarë mekanizmash mund të përdoren për të rigjallëruar kreditimin e ekonomive tona, dhe çfarë kontributi prisni nga autoritetet e BE-së dhe grupet bankare evropiane në këtë kuadër?
  • Si mund të ngremë një mekanizëm të përhershëm koordinimi me Bankën Qendrore Evropiane  në kuadrin e Unionit Bankar?  Çfarë tiparesh duhet të ketë ky mekanizëm në mënyrë që t’i shërbejë sa më mirë nevojave të vendeve tona?
  • Si janë përcjellë në vendet tona efektet e masave makroprudenciale të ndërmarra në Eurozonë? Si mund të arrijmë një koordinim më të mirë politikash me autoritetet e BE-së në këtë drejtim?
  • Çfarë eksperiencash kemi deri më sot me pjesëmarrjen në kolegjet mbikëqyrëse? Sa efektive i vlerësoni këto kolegje dhe çfarë shqetësimesh keni lidhur me funksionimin e tyre?

Kuptimi i qartë i këndvështrimit dhe eksperiencës së çdo vendi do të jetë shumë i dobishëm në këtë kuadër. Shpresoj që diskutimet të kenë vlerë praktike dhe të na lejojnë të konvergojmë në qëndrime më konkrete për t’u përcjellë në takimet e ardhshme të Iniciativës së Vjenës.

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se takimi i sotëm është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një qëndrimi rajonal për t’u përballur me sfidat tona të përbashkëta. Shkëmbimi i eksperiencave do të na ndihmojë  të kuptojmë më mirë sfidat tona kombëtare duke i vendosur ato në kontekstin e duhur. Në këtë kuadër, mund të arrijmë sinergji të konsiderueshme, të cilat mund të shfrytëzohen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të vazhdueshëm. Mbi të gjitha, bashkëpunimi rajonal është një kusht paraprak për të arritur koordinim më të mirë me autoritetet e BE-së, nëpërmjet një niveli më të lartë ekspertize, një eksperience gjithëpërfshirëse rajonale dhe me një fuqi negociuese më të madhe. Në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të Iniciativës së Vjenës II, më lejoni të rikonfirmoj angazhimin tim për të qenë një avokat i mirë i qëndrimeve tona të përbashkëta pranë këtij forumi të rëndësishëm.

Ju faleminderit!