BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në tryezën e diskutimit: “Për një sistem bankar të shëndetshëm dhe eficient në Shqipëri. Veprimtaritë dhe rezultatet e arritura në kuadrin e Projektit të Binjakëzimit"

Data e publikimit: 04.07.2012

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Strategjia e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë përfshin përafrimin e shpejtë të kuadrit institucional, ligjor dhe operacional me standardet më të mira të modelit të Bankave Qendrore të BE-së, në kuadër të prioritetit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për të përmbushur këtë sfidë, Banka e Shqipërisë u bë palë në projektin e binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili synonte përforcimin e kapaciteteve tona institucionale, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave dhe implementimit të politikës monetare, duke përfituar nga përvoja dhe profesionalizmi i spikatur i Bankës së Italisë dhe Bankës së Francës.

Ky ishte një projekt  i vështirë i cili përmbante objektiva sfidues që duhej të realizoheshin brenda një periudhe kohe relativisht të shkurtër. Suksesi i tij do të varej nga angazhimi dhe profesionalizimi i personelit të institucioneve pjesëmarrëse, si edhe aftësia e tyre për të realizuar një bashkëpunim të vërtetë.

foto 4 korrik 2012 4948 0

Pas rreth 18 muajsh pune të përbashkët intensive, sot kam një kënaqësi të veçante të marr pjesë dhe të përshëndes në këtë aktivitet të rëndesishëm që kurorëzon përfundimin me sukses të projektit të binjakëzimit. Dëshiroj që me këtë rast të shpreh një falënderim të veçantë për të gjithë ekspertët dhe strukturat që u përfshinë në këtë projekt në Bankën e Italisë dhe në Bankën e Francës, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar. Gjithashtu, dua të falënderoj përfaqësuesit e zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë, për mbështetjen dhe kujdesin që treguan lidhur me monitorimin e projektit.

Projekti u bazua në 6 module kryesore të cilët janë:

  • Koordinimi i Procesit të Integrimit Evropian
  • Edukimi Financiar
  • Mbikëqyrja dhe Stabiliteti Financiar
  • Sistemet e Pagesave
  • Statistikat
  • Tregu Ndërbankar

Objektivi i modulit ‘Koordinimi i Procesit të Integrimit Evropian’, u zbatua tërësisht nga Banka e Francës dhe konsistoi në zhvillimin dhe zotërimin e instrumenteve të nevojshëm koordinues të procesit të integrimit evropian me qëllim përgatitjen e takimeve në nivel evropian, si dhe koordinimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Banka e Francës ofroi eksperiencën e saj në organizimin e takimeve në nivel evropian dhe të administrimit të procesit të përafrimit të legjislacionit bankar me acquis communauitare.

Objektivi i modulit ‘Edukimi Financiar’ konsistoi në zhvillimin e aktiviteteve të punës hulumtuese në këtë fushë, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përvojën evropiane. Në zbatim të këtij objektivi, u zhvilluan anketime me qëllim matjen e kulturës së përgjithshme financiare në Shqipëri si dhe matjen e efektivitetit të aktiviteteve edukuese të Bankës së Shqipërisë, për arsimin e mesëm. Duke marrë shkas nga  rëndësia në rritje e edukimit financiar në mbarë botën, pjesë e këtij moduli ishte organizimi i një konference të nivelit të lartë, për të sjellë në Shqipëri eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe iniciativat e ndryshme në këtë drejtim.

Statistikat dhe sistemi i pagesave janë dy fusha të tjera në të cilat Banka e Shqipërisë përfitoi nga ky projekt. Realizimi i këtij projekti mundësoi krijimin e një infrastrukture moderne për përpilimin e statistikave të ndryshme makroekonomike në Bankën e Shqipërisë, sidomos në fushën e bilancit të pagesave.

Përsa i përket sistemit të pagesave projekti realizoi rishikimin e kuadrit rregullativ, me qëllim zhvillimin dhe përmirësimin e tij në përshtatje të plotë me direktivat dhe praktikat aktuale të BE-së në këtë fushë. Zhvillimi i mëtejshëm i tregut ndërbankar përfaqësoi një nga komponentët e tjerë teë zhvillimit të projektit, duke konsideruar rendësinë e tij në përmirësimin e mekanizimit të transmetimit të  politikës monetare në ekonomi.

Projekti pati një shtirje të konsiderueshme në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe të stabilitetit financiar.

Ndryshimi i filozofisë mbikëqyrëse filloi në janar të vitit 2010, me krijimin e një strukture të re dinamike të orientuar drejt identifikimit dhe administrimit të rrezikut. Për këtë qëllim, përveç ndërtimit të kapaciteteve njerëzore që do të bënin të mundur aplikimin e saj në praktikë, lindi nevoja e njohjes dhe thithjes në imtësi të standardeve më të mira evropiane. Eksperienca e vyer e Bankës së Italisë si një nga institucionet më prestigjioze në Evropë, në kuadër të Projektit të Binjakëzimit, bëri të mundur përshtatjen e procesit mbikëqyrës shqiptar me modelet më të mira evropiane.

Pa dashur të detajoj projektet në fjalë, çka do të bëjnë prezantuesit në vijim, do të doja të ndalesha në disa prej momenteve kyçe:

Së pari, është realizuar migrimi nga sistemi aktual i vlerësimit CAMELS drejt një modeli vlerësimi të bazuar në një spektër më të gjerë rreziqesh të veçanta, siç parashikojnë standardet e Bazel II dhe III. Ky ishte procesi më intensiv i këtij projekti, që kërkoi edhe angazhimin maksimal të stafit të Bankës së Shqipërisë përgjatë këtyre 18 muajve. Në përfundim, është realizuar një manual  i ri mbikëqyrës me parime dhe metodologji evropiane, i ndarë sipas rreziqeve dhe me sisteme të veçanta vlerësimi. Pjesë e rëndësishme e këtij kuadri mbikëqyrës është përmirësimi i vlerësimit të bankave, përtej shifrave,  edhe me kritere cilësore.

Së dyti, u krye rishikimi i rregullores së mjaftueshmërisë së kapitalit, projekti i të cilit është hartuar në përputhje me BASEL II dhe Direktivën për Mjaftueshmërinë e Kapitalit. Rishikimi është shoqëruar me prezantimin e metodës standarde për rrezikun e kredisë dhe rreziqet e tregut dhe metodën e thjeshtë dhe standarde për rrezikun operacional.

Për vetë rëndësinë që ka kjo rregullore, aktualisht projekti i saj është duke u diskutuar me industrinë bankare.

Se treti, për të rritur kujdesin ndaj stabilitetit të sistemit financiar, u adoptuan disa teknika të reja që mundësuan vlerësimin më të plotë të rrezikut sistemik, u pasurua ushtrimi i provës së rezistencës me përqasjen “ bottom up” si edhe u punua për përmirësimin e modeleve të vlerësimit të rrezikut të tërthortë të kreditit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Projekti i binjakëzimit përqendroi pjesën me të rëndësishme të burimeve të tij në drejtim të mbikëqyrjes dhe të stabilitetit financiar. Vendosja e këtij prioriteti përveç motivimit konstant me përsosjen e kuadrit rregullativ, veprimtarinë mbikëqyrëse dhe administrimin e rreziqeve, aktualisht bëhet më i domosdoshëm nga sfidat e shtuara që lidhen me zhvillimet specifike të viteve të fundit.

Më lejoni që në vijim të ndaj me ju qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për përballimin dhe kapërcimin e këtyre sfidave.

Për të katërtin vit radhazi, ekonomia shqiptare është nën ndikimin e krizës ekonomike e financiare botërore. Faza e fundit e saj, kriza e borxhit sovran dhe ndërlidhja e saj me bilancet e sistemit financiar, na ka vënë ne në vijën e parë të frontit. Dy partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë dhe financiarë, Greqia e Italia, janë ndër shtetet më të prekura prej saj. Edhe në këtë kontekst të pafavorshëm, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje dhe ka ruajtur shëndetin e saj financiar e ekonomik.

Agjentët privatë gëzojnë përgjithësisht një pozicion financiar të shëndetshëm, duke ruajtur një nivel relativisht të ulët borxhi dhe norma pozitive kursimi gjatë kësaj periudhe. Sistemi financiar ka vazhduar të kreditojë ekonominë, ndryshe nga vendet e rajonit, ndonëse në ritme më të ngadalësuara dhe me kushte disi më të shtrënguara.

Ky reagim, i mbështetur nga një kuadër rregullator i përshtatshëm dhe fleksibël, ka qenë përcaktues në nxitjen e ristrukturimit të ekonomisë drejt sektorëve më fitimprurës. Duke parë nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziqet kryesore që kërcënojnë stabilitetin ekonomik të vendit lidhen me rritjen ekonomike.

Një sërë sinjalesh, që vijnë si nga sektori real ashtu dhe nga ai financiar, tregojnë se tkurrja e bilanceve të konsumatorit dhe ngadalësimi i investimeve, të përdorura deri tani nga agjentët ekonomikë privatë si masa mbrojtëse ndaj krizës, mund të kthehen në dëm të prospektit afatmesëm të rritjes ekonomike. Tendenca e kursimit dhe e shtyrjes së investimeve rrezikon të ndikojë avantazhet konkurruese të ekonomisë dhe potencialin e rritjes së saj. Nga ana tjetër, procesi i deleveraging, i nxitur më së shumti nga kërkesa rregullatore që nuk lidhen me gjendjen e ekonomisë vendase, mund të dëmtojë kanalet e instaluara të financimit për ekonominë, që deri tani kanë qenë një komponent i rëndësishëm i rritjes.

Banka e Shqipërisë gjykon se situata aktuale kërkon vëmendje dhe kurajë më të madhe nga të gjithë agjentët ekonomikë, në drejtim të marrjes së vendimeve të duhura të zhvillimit dhe në përgjigje të sfidave që vijnë nga mjedisi i jashtëm.

Në një nivel më të përgjithshëm, Banka e Shqipërisë beson se zbatimi i politikave të përshtatshme makroekonomike, duke harmonizuar politikat monetare dhe fiskale, është parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Ato duhet të kenë dy komponentë kryesorë: e para të mbështesin rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit, dhe e dyta, të orientojnë zhvillimin afatgjatë nëpërmjet nxitjes së reformave strukturore.


Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare është një ekonomi fleksibël, me një infrastrukturë të shërbimeve bazë, të shërbimeve financiare dhe të ambientit rregullator në rritje e përmirësim të vazhdueshëm, si dhe me një fuqi punëtore konkurues në terma të kostos dhe me kualifikim në rritje. Megjithatë, një sërë treguesish të shkallës së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare tregojnë se kemi ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, për të përballuar konkurrencën në nivel rajonal e global.

Nga ana e saj Banka e Shqipërisë është angazhuar në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të ekonomisë. Ne synojmë të realizojmë në menyrë tëvazhdueshme këtë objektiv nëpërmjet:

a) një politike të kujdesshme monetare, duke arritur ti sigurojmë ekonomisë shqiptare një nivel të qëndrueshëm çmimesh, duke respektuar objektivin tonë të inflacionit dhe duke ankoruar pritjet afatgjata të ekonomisë.

Kjo ka bërë tëmundur rritjen e hapësirës për të harmonizuar më mirë stimulimin afatshkurtër të aktivitetit ekonomik me qëndrueshmërinë afatgjatë të saj. Në përgjigje të goditjeve që pësuam, ne kemi ndjekur një politikë monetare progresivisht lehtësuese duke filluar nga viti 2009. Kjo politikë monetare i ka sjellë normat bazë të interesit në nivelin e tyre më të ulët historik, në nxitje të konsumit e të investimeve në vend. Gjithashtu, nënçmimi i kursit nominal e real të këmbimit ka ofruar një kanal tjetër stimulimi për ekonominë shqiptare, duke nxitur eksportet dhe duke dekurajuar importet. Ne kemi përshtatur në vazhdimësi kuadrin e operacioneve tona monetare, duke garantuar një furnizim në rritje të ekonomisë me likuiditet kundrejt një baze të zgjeruar kolaterali dhe me afate maturimi në rritje. Duke ndjekur gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare, ne besojmë se kahu i politikave makroekonomike duhet të jetë stimulues edhe në të ardhmen. Nevoja për politika ekonomike stimuluese kushtëzohet në radhë të parë nga fakti se ekonomia shqiptare është duke operuar nën potencialin e saj, si pasojë e pamundësisë së kërkesës për të garantuar shfrytëzim të plotë të kapaciteteve. Në radhë të dytë, ajo mundësohet nga rreziqet e kontrolluara afatshkurtra e afatmesme mbi stabilitetin ekonomik.

Në kuadër të harmonizimit mes politikes fiskale dhe monetare, Banka e Shqipërisë ka mbështetur orientimin në rritje të politikës fiskale drejt konsolidimit buxhetor. Në përgjigje të progresit në këtë drejtim, ne mbetemi të gatshëm të reagojmë në një kohë të shkurtër ndaj çdo nisme konsoliduese të sektorit publik. Masat tona lehtësuese do të mbeten brenda kuadrit ligjor të instrumenteve të Bankës së Shqipërisë dhe do të jenë në përputhje me filozofinë e konsoliduar të veprimit të bankave qendrore.

Politika monetare mund të ketë sukses, vetëm nëse mekanizmi i transmetimit të saj në ekonomi është funksional. Në këtë kontekst, sistemi bankar ka një rol mjaft të rëndësishëm, si hallka e parë e mekanizmit të transmetimit.

b) një politike të kujdesshme mbikëqyrëse e rregullatore, duke mundësuar ruajtjen e bilanceve të shëndosha të sistemit financiar dhe të sektorit privat të ekonomisë. Në sajë të marrjes në kohë të masave për kontrollin e rreziqeve të kredisë, të kapitalit dhe të likuiditetit, ekonomia shqiptare i ka rezistuar me sukses goditjes së ardhur nga tregjet financiare botërore dhe tashmë paraqitet me një stabilitet financiar të konsoliduar dhe me një sistem bankar të aftë për të bërë detyrën e tij të mbështetjes me kredi të ekonomisë shqiptare.

Ruajtja e qëndrueshmërisë së sektorit bankar, përbën një nga dy prioritetet bazë të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, përfitoj nga rasti t’i tërheq vëmendjen drejtuese të industrisë bankare, që të angazhoheni maksimalisht, për të vepruar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe rregullativ mbikëqyrës, duke respektuar njëkohësisht dhe standardet e drejtimit të shëndoshë të veprimtarisë bankare.
Objektivi ynë kryesor vazhdon të mbetet i pandryshuar  dhe të ruhet i pacënuar duke forcuar më tej besimin e publikut në sektorin bankar. Për këtë qëllim, sistemi bankar duhet të:  

  • Të verifikojë në mënyrë të vazhdueshme përshtatshmerinë dhe të synojë forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm;
  • Të fuqizojë në vazhdimësi kapacitetet për vlerësimin dhe administrimin e rrezikut;
  • Te ruajë me çdo kusht treguesit e kapitalit dhe të likuiditetit në nivele të përshtatshme. Për këtë qëllim sistemi duhet të monitorojë në bazë ditore, ecurinë e detyrimeve të bankës, me qëllim për të krijuar dhe ruajtur madhësinë e nevojshme të aseteve likuide për shlyerjen e tyre; 
  • Të faktorizojë në kërkesat për kapital, zhvillimet e pritshme në të ardhmen. Injektimi i kapitalit shtesë nga aksionerët duhet të marrë në konsideratë krijimin e një “zone” sigurie në vlerën e kapitalit, ndaj zhvillimeve të papritura në të ardhmen. Për këtë arsye, bankat duhet te interpretojnë në mënyrë të kujdesshme kërkesat për shpërndarje të fitimit në formën e dividentit.

Ecuria e cilësisë së kredisë përfaqëson problemin kryesor me të cilin ndeshet aktualisht sektori bankar. Rritja e kredive me probleme rrit nivelin e stresit në veprimtarinë bankare dhe ul kontributin e sektorit në ndërmjetësimin financiar dhe mbështetjen  e rritjes ekonomike në vend. Banka e Shqipërisë e ka ndjekur me shqetësim këtë situatë duke u fokusuar në drejtimet e mëposhtme:   

  • Evidentimin sa më të saktë të problemit, nëpërmjet kryerjes së inspektimeve dhe verifikimit të procedurave me të cilat bankat vlerësojnë cilësinë dhe kategorizojnë kredinë;  
  • Krijimin e fondeve përkatëse rezervë nëmadhësinë dhe në kohën e nevojshme; 
  • Nxitjen që bankat të trajtojnë problemin përmes nismave mëtë vendosura për ekzekutimin e kolateraleve të kredive tëhumbura.

Vlerësimi ynë ka qenë dhe mbetet se vetëm në këtë mënyrë krijohen kushtet për njohjen dhe trajtimin më të shpejtë të problemit, duke shmangur shtrirjen e tij në kohë dhe duke zvogëluar pasiguritë për të ardhmen.

Industria bankare ka shtuar reagimet për një rishikim të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, me qëllim zbutjen e tij në trajtimin e kredive me probleme. Banka e Shqipërisë është e hapur të konsiderojë çdo propozim të vlefshëm dhe realist të industrisë bankare në këtë drejtim, për sa kohë që ato nuk sjellin dobësim të aftesisë së sektorit bankar në një situatë me zhvillime të paqarta.

Duke u ndalur më konkretisht në disa opinione të kohëve të fundit, ne e vlerësojmë të papërshtatshme kërkesën e bërë për një provigjionim në vlera më të ulëta pasi kemi të bëjmë me një përmirësim jorealist të pozicionit të kapitalizimit të veprimtarisë.

Përfitoj nga rasti të sqaroj opinion publik se në këtë drejtim, normat e aplikuara prej nesh janë plotësisht të përputhura me eksperiencat e vendeve të tjera dhe në disa raste ato janë më të ulëta.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kuadri aktual rregullativ krijon hapësirat e nevojshme për sistemin bankar që të asistojë klientët e mirë, që përballen me vështirësi të përkohshme në situatën aktuale. Kjo asistencë mund të vijë në forma të ndryshme duke përfshirë edhe ato të ristrukturimit në menyrën më tëpërshtatshme për palët. Për këtë çështje, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë mundësitë dhe format që ky proces tëbëhet më stimulues edhe për bankën.

Për sa i takon marrjes në konsideratë të vlerës së kolateralit për uljen e vlerës së aktiveve me rrezik të bankave, Banka e Shqipërisë mbetet e opinionit që përqëndrimi i kolateralit në formën e pasurisë së paluajtshme si edhe vështirësitë që ende ndeshen në ekzekutimin e tij dhe rekuperimin e vlerës së kredisë së humbur, e zhvlerësojnë që në nisje një nismë të tillë.

Është e nevojshme që disa përmirësime të kuadrit ligjor dhe rregullativ, siç janë tashmë të identifikuara nga grupet e përbashkëta të punës me industrinë bankare, të implementohen dhe të zbatohen me korrektësi, në mënyrë që kolateralit të fitojë vlerën e tij optimale.

Në përfundim, industria bankare duhet të dëshmojë se është aktive në trajtimin e kredive me probleme dhe çlirimin e burimeve në bilanc për mbështetjen e mëtejshme të veprimtarisë. Kjo është edhe forma me e mirë për të testuar mundësitë reale që ekzistojnë, të cilat  më pas mund të mbështeten edhe nga ndryshimet e kujdesshme të kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Qëllimi ynë i përbashkët është që vlera e kredive me probleme të ndërpresë rritjen e saj si edhe të përmirësohet gradualisht. Në sektorin bankar ka banka që falë një pune të kujdesshme në 2-3 vitet e fundit në marrëdhënien me klientët e tyre kanë arritur të ulin ndjeshëm raportin e kredive me probleme, duke vijuar me ritme të kënaqshme kreditimin. Mënyra e organizimit dhe e drejtimit të punës së tyre, duhet të jetë një shembull për bankat e tjera ne sektorin bankar.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kuadri ligjor dhe ai rregullativ që kemi ndërtuar deri më tani është i plotë dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Sigurisht, që si në çdo fushë tjetër ai është subjekt i nevojës për përmirësim të vazhdueshëm. Megjithatë, opinioni ynë i konsoliduar është se të gjithë NE dhe faktorët e përfshirë duhet të ezaurojmë në maksimum të gjithë hapësirat që ekzistojnë para nesh dhe sigurisht dora dorës do të hedhim hapa të tjerë për të reformuar më tej kuadrin institucional dhe atë ligjor. Më konkretisht, industria bankare dhe komuniteti i biznesit duhet të punojnë më ngushtë me njeri tjetrin. Besoj që ka shumë hapësirë për një mirëkuptim dhe bashkëpunim më të frytshëm. Biznesi dhe sektori bankar të dalin nga transhetë dhe të kooperojnë konkretisht për sfidat e së ardhmes.

Aktualisht sistemi bankar është i gatshëm të rrisë mbështetjen e ekonomisë me kredi. Ky fakt m’u konfirmua edhe në takimin e para dy ditëve me drejtuesit e pesë bankave më të mëdha. Personalisht e kam nxitur sistemin bankar për një përqasje më aktive ndaj kreditimit.

Më besoni që bëhet fjalë për një sfidë të vërtetë, ku janë përfshirë shumë institucione dhe grupe interesi. Për këtë qëllim do t’i ftoja të gjithë aktorët e tjerë të jenë mendjehapur dhe shumë bashkëpunues në këtë drejtim me qëllim rilançimin e kredisë për ekonominë.

Së pari, do t’i sugjeroja komunitetit të biznesit të jetë më kreativ, më transparent dhe më formal në aktivitetin e tij. Ai duhet të respektojë me përpikmëri të gjithë detyrimet kontraktuale që lindin nga marrëdhënia me sistemin bankar. Kjo është e domosdoshme të kuptohet dhe të pranohet në masë të gjerë. Është i domosdoshëm një proces korrektimi në ekonomi i cili para së gjithash do të nënkuptonte një ribalancim të çmimeve. Nuk mund të ketë ulje të kredive me probleme, rritje të kredisë për ekonominë, shëndoshje të bilanceve të bizneseve dhe të bankave, për aq kohë sa nuk do të kemi ekzekutim të kolateraleve dhe për rrjedhojë korrektim të çmimeve të aseteve fikse. Ky proces do të çlironte burime financiare shumë të mëdha që do të ishin një serum jetik parash të freskëta për t’u injektuar  sërish në ekonomi. Me para të freskëta duhet të nxisim medoemos krijimin e iniciativave të reja, efektive dhe me kthim të shpejtë mbi investimin.
Një nga mësimet e nxjerra nga kriza është që çdo para e re e shëndetshme të shkojë në një iniciativë biznesi të shëndetshëm. Aktualisht, duhet të nxisim medoemos sektorët prodhues me produktivitet të lartë. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurojmë rivitalizimin e ekonomisë për ta bërë atë  partnere të denjë evropiane. 

Së dyti, do të kërkoja nga sistemi bankar që të jetë më dinamik dhe në kërkim të vazhdueshëm të oportuniteteve që meritojnë të mbështeten me financim. Ofroni paketa financimi të besueshme duke vendosur prioritet shëndoshjen ekonomike të vendit e cila në kthim do të garantonte dhe suksesin afatgjatë të biznesit tuaj. Bëni çmos që të rrisni autoritetin dhe aftësinë lobuese me ekzekutivin shqiptar me parlamentin dhe sistemin e drejtësisë. Shtoni kontaktet me shoqatat e biznesit dhe analizoni rast pas rasti çdo pretendim apo kërkesë që ngrihet qoftë dhe nga një biznes i vetëm. Mbani qëndrim publik për çdo rast në mënyrë që shkalla e spekulimit dhe abuzimit me të vërtetën të ulet në maksimum. Angazhoni të gjithë arsenalin tuaj financiar, njerëzor, mediatik për një ankorim më solid të pritshmërive tuaja me publikun. Bëjeni publikun ankorën tuaj më të fuqishme.
Së treti, do tëdëshiroja që ekzekutivi shqiptar të rrisë besimin dhe mbështetjen ndaj sistemit bankar, veçanërisht përsa i përket finalizimit të ndryshimeve ligjore që lidhen me ekzekutimin e kolateralit.

Bashkëpunimi mes organeve shtetërore dhe sistemit bankar mund të jetë i frytshëm edhe në nje drejtim të prezantimit më specifik të programeve zhvilluese dhe të mbështetjes me ndihmë financiare dhe koncensionare për sektorë, degë, operatorë të rëndësishëm përfshirë dhe investitorët e huaj.

Së katërti, do ta vlerësoja jetike një mirëkuptim dhe konsensus të gjerë të të gjithë spektrit politik në mbështetje të përpjekjeve dhe lëvizjeve të Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makrofinanciar të vendit. Ne mbetemi të hapur që të shpjegojmë në vazhdimësi me transparencë dhe në mënyrë të përgjegjshme vendimmarrjen tonë institucionale të kaluar si dhe atë që do të vijojë në të ardhmen. Ne mbetemi të pandryshuar në qëndrimin tonë se një bankë qendrore është e suksesshme dhe gëzon besimin e publikut kur vendimmarja e saj është e pavarur, largpamëse dhe plotësisht transparente. Në kohët që jetojmë,  parësore për Bankën e Shqipërisë është garancia e padiskutueshme që ajo i jep publikut për stabilitetin makro – financiar të vendit.

Së pesti, do të inkurajoja median vendase dhe atë huaj që të vazhdojnë si deri më sot të pasqyrojnë me vërtetësi dhe në kohë reale zhvillimet ekonomiko financiare të vendit, ku një pjesë të rëndësishme zë dhe aktiviteti i Bankës së Shqipërisë dhe sistemi financiar. 

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, do të doja që publiku i gjerë shqiptar të vazhdojë të tregohet i matur dhe besim plotë ndaj arkitekturës financiare që kemi ndërtuar. Është për t’u përshëndetur kujdesi i shtuar i tij i cili pasqyrohet në prirjen e tij për të rritur kursimet. Për rrjedhim, bilanci i individëve vazhdon të jetë pozitiv, një tregues ky që përçon sinjale të qarta për një konsum potencial në rritje në të ardhmen e afërt dhe atë më të largët. Përfitoj nga rasti të përsëris edhe njëherë që me qëndrimin tonë optimist t’i japim formë të tashmes dhe të ardhmes sonë. Ne vlerësojmë se ka ardhur momenti që sentimenti konsumator i popullatës të fillojë rritjen. Kjo do të krijonte atë reaksion zinxhir aq të dëshiruar të përshpejtimit të qarkullimit të parasë dhe mallrave në ekonomi duke mundësuar kështu gjallërimin e aktivitetit ekonomik të vendit në parametrat e parakrizës.

Në përfundim, le të shërbejë ky takim i sotëm si një forum i hapur për të gjithë aktorët institucionalë, në veçanti organet legjislative dhe gjyqësore për sa i përket ekzekutimit të kolateraleve. Bashkëpunimi i politikës, i institucioneve shtetërore dhe sistemit bankar, nga njëra anë dhe publikut të gjerë, nga ana tjetër, është i domosdoshëm dhe do ta konsideroja një sfidë kombëtare, garanci për qëndrueshmërinë e sistemit bankar në të ardhmen dhe nxitjen e rritjes afatgjatë ekonomike të vendit.

Më lejoni që edhe një herë të shpreh vlerësimin tim personal dhe të Bankës se Shqipërisë, për Bankën e Italisë dhe Bankën e Francës, për ndihmën dhe partneritetin që treguan gjatë projektit të binjakëzimit. Në fund të realizimit të këtij projekti, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar kuadrin organizativ dhe atë operacional të departamenteve të saj kryesore, duke iu afruar kështu simotrave të saj evropiane.