BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në çeljen e Javës Globale të Parasë

Data e publikimit: 14.03.2016

 

E nderuar zj. Ministre e Arsimit dhe Sportit,
I nderuar z. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
I nderuar z. Zëvendëskryetar i Shoqatës së Shqiptare të Bankave,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur fëmijë,
Sot është një ditë e veçantë. Atmosfera festive e ditës së verës, këtë vit përkon edhe me fillimin e Javës Globale të Parasë për vitin 2016. Banka e Shqipërisë i është bashkangjitur kësaj lëvizjeje ndërkombëtare prej kohësh dhe aktivitetet edukative dhe ndërgjegjësuese në kuadrin e saj bëhen gjithmonë e më të larmishme . Këtë vit në Shqipëri, Java do të organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave.

foto guv 1 8091 0

Java Globale e Parasë është një nismë ndërkombëtare, e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht. Çdo vit, gjatë muajit mars, bankat qendrore, agjencitë shtetërore, institucionet financiare, dhe organizata të shoqërisë civile në mbarë botën organizojnë javën e parasë. Këtë vit, kjo javë do të organizohet në më shumë se 100 vende të botës dhe do të përfshijë rreth 7 milionë fëmijë dhe të rinj në aktivitete të ndryshme. Këto aktivitete me natyrë argëtuese dhe ndërvepruese, synojnë të përçojnë njohuritë e domosdoshme mbi paranë dhe botën e ndërlikuar të financave.
Në ditët e sotme, shumë banka qendrore në mbarë botën po i kushtojnë një vëmendje gjithnjë e më të madhe edukimit financiar të publikut në përgjithësi dhe të brezit të ri më në veçanti. Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut përputhet me mjaft interesa të bankës qendrore në fusha të ndryshme të veprimtarisë së saj si politika monetare, mbikëqyrja bankare, informimi i konsumatorit mbi produktet dhe shërbimet bankare, si dhe përfshirja financiare e publikut. Pjesëmarrja efektive e publikut në sistemin financiar kontribuon në rritjen e mirëqenies ekonomike të individëve dhe të bizneseve. Edukimi financiar ndihmon qytetarët të përfitojnë nga mundësitë që ofron sot sistemi financiar dhe teknologjitë që po e transformojnë atë. Ai i ndihmon konsumatorët të kuptojnë më mirë rreziqet që lidhen me administrimin e financave dhe lehtëson marrjen e vendimeve të duhura financiare.

foto guv 2 8092 0

Gjatë kësaj jave një numër i konsiderueshëm nxënësish dhe mësuesish në qytetin e Tiranës dhe rrethe të ndryshme të vendit do të mund të vizitojnë një bankë tregtare për të kuptuar si funksionon, të dëgjojnë leksione nga ekspertë të bankës qendrore dhe të bankave tregtare, si dhe të konkurrojnë me dijet e tyre ekonomike dhe financiare. Për më të vegjlit, gjatë kësaj jave do të ofrojmë materiale të shkruara të tilla si përrallëza, fletë pune si dhe emisione televizive argëtuese e didaktike. Përmes tyre synojmë të ngulitim tek fëmijët ndjenjën e kujdesit për paranë, dëshirën për të bërë llogaritje të thjeshta dhe idenë e kursimit si mjet për të përmbushur detyrimet dhe dëshirat e përditshme apo afatgjata.
Nga sa më sipër, del qartë që edukimi financiar i brezave duhet të nisë që në moshë e re. Kjo ambicie përbën themelin e programeve edukuese të hartuara nga Banka e Shqipërisë, të dedikuara për arsimin fillor dhe atë të mesëm. Synim kryesor mbetet shtjellimi i shumë prej koncepteve të vështira në një mënyrë sa më të thjeshtë dhe tërheqëse si për nxënësit ashtu dhe për mësuesit.
Dimensioni ynë edukativ është zgjeruar më tej me çeljen e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Të gjithë vizitorët, dhe veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, përveç ekspozimeve të monedhave, do të gjejnë një qendër të interaktive informimi për çështje që lidhen me financat dhe botën e parasë.
Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se jam i gëzuar që banka qendrore së bashku me institucione të rëndësishme të vendit ka mundësinë të kontribuojë në edukimin e brezit të ri mbi paranë dhe rolin e saj. Ndoshta hartimi dhe zbatimi i politikës monetare, ruajtja e stabilitetit financiar dhe planifikimi i financave personale mund të mos duken çështje aq tërheqëse për grupmoshat e reja, por ju siguroj se ato kanë një ndikim në jetën e secilit prej nesh. Kjo javë, shpresoj, që t’i bëj disi më interesante këto tema, dhe pse jo edhe disi më argëtuese.