BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në ceremoninë e çeljes të Javës së Parasë

Data e publikimit: 27.03.2017

 

E nderuar zj. Ministre,

I nderuar Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësi të veçantë t'ju uroj mirëseardhjen në godinën qendrore të Bankës së Shqipërisë, që përveç një shtëpie të dytë për ne punonjësit e saj, që prej hapjes së Muzeut të Bankës, është kthyer edhe në një vend takimi të rëndësishëm për përçimin e njohurive financiare tek nxënësit dhe studentët.

Kurorëzim i të gjitha aktiviteteve edukative të zhvilluara gjatë gjithë vitit, brenda ambienteve të Bankës, nuk ka se si të mos jetë Java Globale e Parasë, një ngjarje mbarëbotërore me përfshirjen e aktorëve lokalë të më shumë se 140 shteteve.

 dsc0992-2 -  498 copy

E them me krenari se vendi ynë, falë angazhimit të pashterur të Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar, është prej 5 vjetësh pjesë e hartës së vendeve të përfshira në organizimin e këtij aktiviteti. Është pikërisht kjo vijueshmëri që na siguron efektivitet të programeve tona edukative, si dhe mban gjallë fijet lidhëse mes institucioneve të angazhuara në edukimin financiar të publikut në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, siç janë Ministria e Arsimit dhe Sportit, Shoqata Shqiptare të Bankave, dhe institucionet e tjera të pranishme sot këtu, të cilat gjej rastin t'i falënderoj përzemërsisht për angazhimin dhe mbështetjen.

Ashtu si në vitet e mëparshëm edhe kjo Javë e Parasë, nën moton "Mëso, kurse, fito", i kushtohet tërësisht ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rëndësinë e parasë dhe përfshirjes sa më të gjerë të tyre në sistemin ekonomik e financiar të vendit, e pse jo, edhe të rajonit e të globit.

Aktivitetet që do të zhvillojmë bashkërisht gjatë kësaj jave, i japin vëmendje të veçantë frymëzimit të fëmijëve dhe të të rinjve për të mësuar më shumë rreth parasë, kursimit, krijimit të mirëqenies, shtimit të punësimit dhe sipërmarrjes.

Për ta ilustruar më mirë, më lejoni t'ju përmend vetëm një shifër mbi aktivitetet pjesë e axhendës tepër të ngjeshur të kësaj jave - institucionet arsimore, të tilla si: universitetet, shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare të përfshira e kalojnë numrin 45, duke bërë pjesë të aktiviteteve edukuese mbi 3500 nxënës dhe studentë. Këto shifra na bëjnë tepër krenarë, pasi i shërbejnë më së miri rritjes së ndërgjegjësimit për çështjet mbi të cilat ne nuk do të rreshtim kurrë së vëni theksin, siç janë informimi sa më i plotë i konsumatorit dhe përfshirja financiare e publikut. Dy çështje kyçe këto që e ndikojnë thuajse drejtpërdrejt mirëqenien ekonomike të individëve dhe të bizneseve.

Për të vënë në punë këtë zinxhir ndikues, mjeti më i mirë që gjen dakordësinë edhe nga institucione lider, si OECD, mbetet edukimi financiar, veçanërisht ai i të rinjve.

Banka e Shqipërisë është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen tërësisht e përkushtuar në këtë mision, gjithnjë falë mbështetjes së institucioneve si Ministria e Arsimit, pa bashkëpunimin e të cilës suksesi i aktiviteteve si ky i sotmi, apo si programi lëndor dedikuar shkollave të mesme "Financat personale në duart tuaja", i cili ka hyrë në vitin e 7 të zbatimit, nuk do të ishte i garantuar - ose gjithsesi - më i vështirë për t'u arritur.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave, e cila ka një rol tepër të rëndësishëm, duke mbështetur nëpërmjet bankave të nivelit të dytë shtimin e kanaleve dhe aktiviteteve të edukimit financiar të publikut.

Në mbyllje, më lejoni edhe njëherë të përfitoj nga rasti për të ftuar institucionet pjesëmarrëse në zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë për këtë çështje sa të bukur e sfiduese, aq edhe të rëndësishme për brezat që do të vijnë më pas.