BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 3 gusht 2016

Data e publikimit: 03.08.2016

 

Në mbledhjen e datës 3 gusht 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë. Në përfundim të diskutimeve mbi analizën dhe parashikimet e paraqitura në të, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës la të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.25% dhe 2.25%.

 dsc3565 498 8654 0

Ecuria e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona. Kështu, aktiviteti ekonomik rezultoi në zgjerim gjatë gjysmës së parë të vitit, inflacioni pati tendenca rritjeje gjatë tremujorit të dytë, ndërsa kahu stimulues i politikës sonë monetare ka mundësuar krijimin e një ambienti financiar likuid dhe me norma të ulëta interesi.

Në këto rrethana, parashikimet tona afatmesme nuk kanë ndryshuar dhe qëndrimi aktual i politikës monetare vlerësohet të jetë i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme.

Inflacioni shënoi rritje progresive gjatë tremujorit të dytë. Në fund të muajit qershor, inflacioni vjetor arriti në nivelin 1.2%. Rritja e tij erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të qirave.

Në terma makroekonomikë, rikthimi i inflacionit në një trajektore rritëse u ndikua nga zbutja e presioneve të huaja dizinflacioniste dhe nga forcimi i presioneve të brendshme. Kjo tendencë konfirmon vlerësimet tona për natyrën kalimtare të goditjeve të ofertës që sollën rënien e këtij treguesi gjatë tremujorit të parë. Ajo reflekton gjithashtu përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë rezultoi në kahun e sipërm të pritjeve tona. Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare shënoi rritje vjetore prej 2.96% gjatë tremujorit të parë të vitit.. Kjo rritje pasqyron përmirësimin e aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori industrial dhe ai i bujqësisë vazhduan të shënojnë rënie. Treguesit e tërthortë të disponuar sugjerojnë për ritme të përafërta rritjeje edhe në tremujorin e dytë.

Rritja ekonomike e gjysmës së parë të vitit pasqyroi efektet e kombinuara të politikës monetare stimuluese dhe të politikës fiskale konsoliduese të ndjekur në Shqipëri. Kështu, zgjerimi i aktivitetit ekonomik erdhi si pasojë e rritjes së konsumit dhe investimeve të brendshme private. Rritja e tyre pasqyron përmirësimin e bilanceve financiare të biznesit dhe familjeve, zhvillimet pozitive në tregun e punës, zbutjen e pasigurisë dhe zhbllokimin e tregut të ndërtimit. Ajo është ndihmuar gjithashtu nga stimuli monetar dhe nga përmirësimi i kushteve të financimit të aktivitetit. Nga ana tjetër, shkëmbimet tregtare me jashtë dhe aktiviteti i sektorit publik nuk kanë favorizuar rritjen ekonomike. Eksportet tona vazhdojnë të vuajnë koniunkturën e pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mallrave, por ky faktor është kompensuar disi nga përmirësimi i turizmit. Nga ana tjetër, politika fiskale vazhdon të ruajë një natyrë konsoliduese, madje me një intensitet më të fortë se niveli i planifikuar.

Tendencat e faktuara gjatë gjysmës së parë të vitit dhe kushtet financiare të ekonomisë kanë sjellë një rishikim të lehtë në kahun e sipërm të rritjes ekonomike dhe të inflacionit të pritur gjatë vitit 2016.

Tregjet financiare shfaqen të qeta, me norma interesi në nivele të ulëta dhe likuiditet të bollshëm. Transmetimi i stimulit tonë monetar në këto tregje është reflektuar në uljen e kostove të financimit për ekonominë shqiptare. Normat e interesit kanë shënuar nivele të reja minimale historike, në të gjithë harkun e instrumenteve financiare, gjatë tremujorit të dytë. Politika monetare stimuluese ka ulur kostot e financimit të konsumit dhe investimeve, si dhe ka lehtësuar kostot e shërbimit të kredisë e të borxhit, pa gjeneruar pasoja negative në treguesit e shëndetit të sistemit financiar. Në veçanti, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit bankar mbeten në nivele të kënaqshme.

Ecuria e kredisë shfaqi tendenca përmirësimi në tremujorin e dytë. E pastruar nga efekti i fshirjes së kredive të humbura nga bilanci, portofoli i kredisë bankare shënoi rritje mesatare vjetore rreth nivelit 3%. Kjo ecuri i detyrohet në masën dërrmuese zgjerimit vjetor me 6.4% të kredisë në lekë, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë është pothuaj i pandryshuar nga një vit më parë.

Megjithatë, ritmet e rritjes vjetore të saj mbeten ende të zbehta. Rritja e ngadaltë e kredisë vazhdon të reflektojë si kërkesën e ulët, ashtu dhe ofertën e shtrënguar për këtë produkt. Banka e Shqipërisë gjykon se nxitja e kërkesës dhe përmirësimi i mëtejshëm i ofertës së kredisë mbetet një nga parakushtet e nevojshme për rritjen e qëndrueshme afatmesme dhe afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, zbatimi i plotë i planit të masave për trajtimin e kredive me probleme ka rëndësi parësore. Po për këtë arsye, ne përshëndesim reformën në drejtësi, pasi gjykojmë se – ndër të tjera – ajo do t’i hapë rrugë një ambienti juridik më transparent e të besueshëm për angazhimin e palëve në kontrata afatgjata.

Informacioni i ri i disponuar dhe përditësimi i analizave, nuk kanë prodhuar ndryshime të ndjeshme në parashikimet tona afatmesme. Në këtë horizont kohor, ne presim që aktiviteti ekonomik të vijë në përmirësim progresiv, në reflektim edhe të kushteve të favorshme të financimit. Ekonomia shqiptare pritet të kthehet në ekuilibër gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, çka do të krijojë më tej premisa për kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2018.

Këto parashikime janë të kushtëzuara nga ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare gjatë kësaj periudhe. Stimuli monetar parashikohet të mbetet i pandryshuar gjatë vitit 2016.

Balanca e rreziqeve vazhdon të mbetet në kahun e poshtëm. Ajo forcohet më tej nga pasojat e mundshme të Brexit, direkte apo indirekte, në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se trajektorja pozitive e zhvillimeve ekonomike e financiare do të ruhet edhe në të ardhmen. Në çdo rast, qëndrimi i politikës tonë monetare do të jetë në përputhje me objektivin tonë të inflacionit dhe me nevojën e konsolidimit të mëtejshëm të burimeve të rritjes ekonomike.