BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin e fundvitit me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 20.12.2021

 

Të nderuar analistë dhe gazetarë,

Të nderuar studentë,

Të nderuar kolegë e pjesëmarrës,

Pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë që na detyroi të ruajmë distancat nga njëri-tjetri, ritakimi në mjediset e Bankës së Shqipërisë për të kaluar pak kohë së bashku në këtë prag festash, merr një vlerë të veçantë. Përgjithësisht takimet e fundvitit që shoqërojnë periudhën festive, shërbejnë si një bilanc për të na kujtuar arritjet e një viti që përgatitemi të lëmë pas, si dhe sfidat që kemi përpara për vitin e ri.

1 (2) 498

Këto dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht sfidues për të gjithë globin dhe në mënyrë të veçantë për vendin tonë, i cili përveç pandemisë u përball edhe me sprovën e tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019. Takimi i sotëm na bën optimistë dhe na jep shpresë se në të ardhmen do të kemi mundësi të komunikojmë e të bashkëpunojmë në kushte normale dhe larg shqetësimeve e kufizimeve të pandemisë. Goditjet me të cilat u përballëm gjatë dy viteve të fundit ndikuan fort mënyrën tonë të jetesës, testuan ekuilibrat ekonomikë, monetarë dhe financiarë të vendit, si dhe qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes. Ato na tregojnë se qëndrueshmëria e stabilitetit ekonomik e financiar varen jo vetëm nga puna e institucioneve monetare por edhe nga aftësia dhe kapaciteti i shoqërisë për të vepruar me shpejtësi dhe efikasitet në luftën kundër pandemisë; së pari dhe mbi të gjitha në aspektin shëndetësor, ku vaksinimi dhe me shpresë kurat që do të zhvillohen, shndërrohen në instrumente të fuqishme për kufizimin e efekteve të pandemisë në ekonomi e në financë.  

1 (1) 498

Lajmi i mirë është se sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rimëkëmbja ekonomike, arritja e objektivit të çmimeve dhe ruajtja e stabilitetit financiar po materializohen sipas parashikimeve optimiste të Bankës së Shqipërisë. Vazhdimi i politikave stimuluese monetare dhe fiskale garantuan stabilitetin monetar edhe financiar të vendit, nxitën kreditimin me kosto të ulët të aktivitetit ekonomik, si dhe lehtësuan barrën që zgjatja e pandemisë vendosi mbi sektorin privat dhe familjet.

Politikëbërja e kujdesshme është mbështetur dhe ka përfituar nga roli i rëndësishëm që media dhe ju keni luajtur për zbërthimin dhe përçimin e saktë të mesazhit të politikës te publiku dhe ndërgjegjësimin e tij. Pandemia me kufizimet e saj jo vetëm që vendosi një barrierë në komunikimin me publikun duke rritur distancën me institucionet, por mbi të gjitha mori pjesën dërrmuese të hapësirës së informimit në media dhe të vëmendjes së publikut. Rrjedhimisht, më duhet të përgëzoj e të falënderoj të gjithë gazetarët (në veçanti ata të ekonomisë), të cilët falë angazhimit profesional dhe me integritet ndihmuan publikun e gjerë në përvetësimin e vendimmarrjes së autoriteteve monetare dhe fiskale gjatë kësaj situate të jashtëzakonshme.

1 (3) 498

Profesionalizmi në ndërtimin dhe transmetimin e lajmit dhe analizës ekonomike ka qenë një ndihmë e vyer dhe një domosdoshmëri për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve e atij financiar. Më lejoni që t’ju falënderoj edhe një herë për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij viti. Shpreh besimin tim se edhe vitin në vijim, puna juaj do të vazhdojë të karakterizohet nga pasqyrimi me vërtetësi dhe objektivitet i lajmit ekonomik dhe financiar!

1 (7) 498

Ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të jetë një institucion transparent, i gatshëm të japë opinionet dhe vlerësimet e saj në të gjitha debatet publike që lidhen me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe tregjet financiare. Dëshmi e këtij angazhimi dhe e suksesit të Bankës së Shqipërisë në komunikimin me publikun është edhe renditja në vendin e parë nga të gjitha bankat e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, për komunikimin mjaft aktiv me publikun, kryer së fundmi nga Banka Kombëtare e Austrisë në raportin e saj me titull “Fokus mbi Integrimin Ekonomik Evropian” për tremujorin e dytë 2021.

Të nderuar pjesëmarrës,

Edukimi financiar dhe puna kërkimore janë vazhdimisht në fokus të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, si parakushte të zhvillimit ekonomiko-social të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të tij. Në këtë drejtim, do të doja ta ktheja vëmendjen në atë që tashmë është kthyer në një traditë tonën, ceremonia e shpërndarjes së Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë.

Sivjet është viti i 15-të, që Banka e Shqipërisë përzgjedh dhe vlerëson tre punime shkencore të përgatitura nga studentë shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit. Nga viti në vit, me kënaqësi konstatojmë rritjen e cilësisë së punimeve shkencore të studentëve pjesëmarrës në konkurs, duke i bërë analizat dhe hulumtimet gjithmonë e më profesionale.

1 (6) 498

Edhe këtë vit, studentët shqiptarë nga universitetet e vendit dhe ato të huaja kanë shfaqur interes duke sjellë në këtë konkurs punët e tyre më të mira. Vërejmë me kënaqësi se pjesëmarrja dhe interesi nga ana e studentëve ka qenë e lartë, duke dëshmuar vlerësimin, besueshmërinë dhe reputacionin e këtij aktiviteti. Në konkursin e sivjetshëm janë paraqitur 25 punime, të cilat karakterizohen nga tema që trajtojnë realitetet e dy viteve të fundit. Ato fokusohen kryesisht në ndikimet ekonomike, financiare e sociale të pandemisë dhe në qëndrueshmërinë e tregut dhe institucioneve financiare ndaj kësaj goditjeje. Nga ana tjetër, nuk mungojnë as temat me vështrim nga e ardhmja e tregut financiar, me fokus te efektet e monedhave digjitale; shfrytëzimi i dabazave të mëdha me të dhëna të detajuara për vlerësimin e sjelljes të segmenteve të tregut financiar që kanë qenë jashtë vëmendjes së studimit por që janë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit; duke mos harruar edhe trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësishme për vendin si politika fiskale etj.

1 (4) 498

Temat dhe konkluzionet e tyre bazohen në aplikimin e metodologjive bashkëkohore të kërkimit shkencor, si dhe në shfrytëzimin e një informacioni statistikor granular, të mirë menduar e strukturuar.  Mbi të gjitha, ky informacion është shfrytëzuar me rigorozitet sipas standardeve dhe kërkesave akademike për të hulumtuar dhe argumentuar përmes diskutimesh teorike dhe empirike, hipotezat mbi fenomenet dhe ngjarjet ekonomike e financiare.

1 (5) 498

Për këtë arsye, komisioni e pati të vështirë përzgjedhjen pasi të gjitha temat ishin koherente, interesante e të mirëtrajtuara. Megjithatë arritëm të identifikojmë me sukses ato diferenca të vogla dhe nuanca të spikatura që dalluan temat fituese ndërmjet gjithë punimeve të tjera. Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2021, tashmë, i ka vendosur tre temat fituese. Pavarësisht kësaj, së bashku me tre fituesit, dëshiroj që të përfitoj nga ky rast për të përgëzuar e falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në garë për angazhimin e tyre, për idetë, metodat e përdorura dhe konkluzionet e bazuara në metodologjitë e sakta. Uroj që ky pasion e ky përkushtim t’ju ndjekë gjatë gjithë karrierës tuaj!

Vijojmë me prezantimin e studentëve fitues.

Ju faleminderit dhe gëzuar festat!

1 (8) 498

 

1 (9) 498