BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 20.12.2022

 

Të nderuar analistë dhe gazetarë,

Të nderuar studentë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndjehem tepër i nderuar dhe i privilegjuar që sot, në hollin historik të Bankës së Shqipërisë, pres përfaqësuesit e medias dhe studentë të talentuar, të cilët guxuan të konkurronin për Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të Mirë.

Vitin e kaluar, në takimin që zhvilluam së bashku, u shpreha se pas një periudhe 3-vjeçare të pazakontë, shpresonim që viti 2022 – atëherë ende para nesh - të ishte ndryshe, më i gjallë dhe më optimist. Një vit më pas, në mbyllje të tij, mund të themi se ai rezultoi shumë sfidues, kryesisht si pasojë e goditjes së madhe që pësuan çmimet e lëndëve të para, e veçanërisht ato të energjisë, naftës dhe gazit. E nxitur kryesisht nga shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, rritja e çmimeve ka gjeneruar presione të forta inflacioniste në mbarë botën, duke vënë në vështirësi konsumin dhe rritjen ekonomike në rang global.   

498-3741

Me këto sfida përballet edhe Shqipëria. Në nëntor, inflacioni shënoi 7.9% - pak më i ulët se muaji paraardhës, por gjithsesi një vlerë e lartë që përbën kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik, si dhe ndaj rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të Shqipërisë. Dua të nënvizoj se sipas parashikimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024.

Ambienti me presione të shtuara inflacioniste, na detyroi të ndërmarrim një proces gradual normalizimi të politikës monetare, duke synuar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një periudhe kohore të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin ekonomik. 

498-3815

E megjithatë, rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, dhe do të vijojë të ushqehet nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, nga zgjerimi i mëtejshëm i eksporteve shqiptare, si dhe nga ulja e pasigurisë në përgjigje të reduktimit të pritur të inflacionit.

Një garanci më shumë në zgjerimin e aktivitetit ekonomik përbën edhe gjendja e shëndetshme e sektorit bankar. Bilancet financiare të shëndosha dhe likuide të këtij sektori japin garanci se ai do të vijojë të mbështesë me fonde, bizneset dhe familjet shqiptare, duke ndihmuar si zgjerimin e konsumit dhe të investimeve ashtu edhe mbulimin e nevojave të përkohshme për likuiditet.

498-4135

Siç e kam përmendur dhe më parë, një faktor i rëndësishëm në arritjen e objektivave tanë për një ambient të qëndrueshëm ekonomik e financiar, është dhe mbulimi e përcjellja me objektivitet dhe vërtetësi e lajmit tek publiku. Nga ky këndvështrim, me kënaqësi konstatoj se mbulimi mediatik i zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend dhe jashtë tij ka qenë në përputhje të plotë me pritshmërinë tonë. Për këtë arsye, dëshiroj t’ju falënderoj për profesionalizmin dhe integritetin që keni demonstruar përgjatë gjithë vitit 2022.

Dëshiroj të theksoj se jemi plotësisht të hapur për të dëgjuar opinionet dhe sugjerimet tuaja për ta thelluar më tej bashkëpunimin mes nesh në të ardhmen. Dinamika e zhvillimeve aktuale në ekonominë globale na detyron që të dy ne si palë, Banka e Shqipërisë nga njëra anë dhe media nga ana tjetër, të jemi më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar në informimin e publikut në kohë, me vërtetësi dhe në gjuhën e duhur.

498-4187

Shpresoj që bashkëpunimi ynë në të mirë të interesit publik të vazhdojë të ruajë të njëjtin model edhe gjatë vitit 2023. Njësoj si në të kaluarën, në institucionin tonë do të gjeni një partner luajal, transparent dhe të gatshëm për të dhënë informacion dhe sqarimet e nevojshme. Politikat dhe vendimet tona, efektet që ato mund të shkaktojnë, si dhe situata që karakterizon shëndetin financiar të sistemit bankar dhe sektorit financiar në tërësi do të jenë në qendër të komunikimit tonë të vazhdueshëm.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Edukimi financiar dhe puna kërkimore janë vazhdimisht në fokus të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë. Ato na ndihmojnë për hartimin, zbatimin dhe përçimin me sukses të politikave dhe vendimmarrjes, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar të vendit. Edukimi dhe kërkimi shkencor zhvillohen jo vetëm si nevojë për njohjen e fenomeneve ekonomike, por edhe si domosdoshmëri për rritjen e kredibilitetit të Bankës së Shqipërisë dhe zgjerimin e komunikimit me ekonominë, tregun financiar dhe me publikun. Në një kuptim më të gjerë, studimi, njohja dhe mirinterpretimi i fenomeneve ekonomike e financiare janë parakusht për sigurimin e prosperitetit ekonomiko-social të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

498-4193

Universitetet dhe akademia luajnë një rol të rëndësishëm në të dyja këto fusha. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ndjek me vëmendje dhe mbështet kërkimin shkencor dhe aktivitetin e studentëve shqiptarë që studiojnë pranë universiteteve dhe institucioneve të tjera akademike, brenda e jashtë vendit. Në këtë kuadër, dua që së bashku të vazhdojmë një traditë të çmuar të Bankës së Shqipërisë, ceremoninë e shpalljes së fituesve të Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë.

Prej 16 vitesh, Banka e Shqipërisë përzgjedh dhe çmon punimet shkencore të përgatitura nga studentë shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit. Konstatoj me kënaqësi se gjatë këtyre viteve, fokusi i tematikave të trajtuara nga studentët udhëhiqet nga problematikat reale të ekonomisë. Punimet ndjekin evoluimin e nevojave, fenomeneve ekonomike, financiare e atyre sociale që shqetësojnë autoritetet, biznesin dhe shoqërinë. Njëkohësisht, përcaktimi i hipotezave, përzgjedhja e zbatimi i metodologjive të aplikuara zhvillohet në përputhje me praktikat më të mira të kërkimit shkencor bashkëkohor. Kjo i bën analizat dhe hulumtimet e studimeve të vlefshme e profesionale.

Në konkursin e këtij viti janë paraqitur një sërë aplikimesh - kryesisht tema masteri - që trajtojnë tematika dhe fenomene bashkëkohore në fushën e ekonomisë dhe financës. Studimet lidhen drejtpërsëdrejti apo në mënyrë indirekte me aktivitetin e bankës qendrore. Disa nga temat interesante ku fokusohen këto studime janë:

  • efektet e politikave të bilancit të bankës qendrore në tregun e obligacioneve të korporatave,
  • efektet e kredisë dhe zgjerimi i produkteve bankare,
  • ndikimi i çmimit të pasurive të patundshme në ekonomi,
  • multiplikatorët e shpenzimeve qeveritare dhe konsumit, si dhe ndikimi i tyre në ekonomi.

Vërejmë me kënaqësi se temat e paraqitura përmbushin karakteristikat e një pune të mirëfilltë kërkimore shkencore, duke adresuar saktë hipotezat, si dhe vërtetimin e tyre bazuar në aplikimin e metodologjive bashkëkohore të kërkimit, si dhe duke shfrytëzuar në mënyrë të saktë dhe të strukturuar gjithë informacionin statistikor. Si rrjedhim, nxjerrja e konkluzioneve dhe implikimet për vendimmarrësit argumentohen dhe mbështeten mbi një punë rigoroze për investigimin e fenomeneve të ndryshme ekonomike e financiare.

Pas shqyrtimit të temave të paraqitura, Komisioni i Vlerësimit ka marrë një vendim unanim për fituesit e tre vendeve të para të "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë" për vitin 2022. Përpara se të vijojmë me shpalljen e tyre, dëshiroj të përgëzoj e të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në garë për angazhimin e tyre, idetë, metodat e përdorura dhe konkluzionet e bazuara në metodologjitë e sakta. Materialet e paraqitura ishin shumë të mira dhe Komisioni i Vlerësimit e pati të vështirë të përzgjedhë fituesit. Megjithatë, tre temat që do të prezantohen në vijim, dallojnë nga pjesa tjetër e studimeve, si për rëndësinë dhe koherencën e tematikës, ashtu edhe për trajtimin e plotë të metodologjisë, aplikimin e përshkrimin rigoroz të metodave të vlerësimit, si dhe gjetjet interesante. Uroj fituesit dhe i inkurajoj ata dhe të gjithë pjesëmarrësit në konkurs që ta ruajnë e ta zhvillojnë përgjatë gjithë karrierës së tyre profesionale, pasionin dhe përkushtimin e treguar në këto punime dinjitoze!