BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 13.12.2019

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në mjediset e Bankës së Shqipërisë për të kaluar pak kohë së bashku në këtë prag fundviti. Me keqardhje e them se ngjarja e rëndë e nëntorit e bën këtë një fundviti ndryshe nga të tjerët. Fatkeqësia natyrore që goditi vendin tonë, u shoqërua me dëme të shumta dhe, çka është më e dhimbshmja, solli ndarjen nga jeta, në mënyrë tragjike e të parakohshme, të 51 bashkëkombësve tanë. Kjo ishte padyshim një humbje e madhe për të gjithë ne! Megjithatë, përtej emergjencës materiale dhe tronditjes psikologjike, ngjarja e rëndë me të cilën u përballëm, nxori në pah edhe një dimension të fshehur të shoqërisë sonë: solidaritetin dhe mbështetjen pa kushte të njëri-tjetrit. Të gjithë u bëmë dëshmitarë të një vullnetarizmi mbresëlënës në mbështetje të vëllezërve të dëmtuar dhe të prekur nga tërmeti shkatërrimtar. Dhe natyrisht, element kyç i këtij solidariteti ishte dhe media, e cila pati rolin e saj të padiskutueshëm në përçimin dhe amortizimin e dhimbjes njerëzore që na përshkoi të gjithëve.

DSC 1458 498

Duke marrë shtysë nga kjo ngjarje dhe duke hedhur një vështrim retrospektiv mbi gjithë vitin 2019, më lejoni që, me sinqeritetin më të madh, të falënderoj përzemërsisht të gjithë përfaqësuesit e medias - ju që jeni këtu, por dhe ata që mungojnë - për punën e lëvdueshme që keni bërë në përcjelljen e lajmeve, në kohë dhe me vërtetësi.

Duke qëndruar po tek media, por duke u shpërngulur në një terren më konkret, vlerësoj se shkalla e profesionalizmit dhe e integritetit në mbulimin e lajmit mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, ka njohur një rritje të dukshme gjatë vitit që po mbyllim. Më lejoni të theksoj se ne konstatojmë një përmirësim të gjithanshëm të punës suaj. Gjuha që ju përdorni, gjerësia dhe thellësia e analizave me të cilat përcillni raportet tona, reflektojnë seriozitet dhe profesionalizëm. 

Falë jush, vendimet tona përcillen më shpejt, por jo vetëm kaq - ato janë të përkthyera dhe të përshtatura në një gjuhë më të thjeshtë, më të asimilueshme jo vetëm nga tregu, por dhe nga publiku i gjerë. Më lejoni të them se tek ju ne shohim një aleat të pazëvendësueshëm në rritjen e efikasitetit të vendimmarrjes sonë, ndaj për këtë arsye, më lejoni që t’ju falënderoj edhe njëherë për punën gjithë pasion dhe përkushtim që ju keni bërë gjatë këtij viti. Shpreh besimin tim se edhe vitin në vijim përkushtimi dhe pasqyrimi, me vërtetësi dhe objektivitet, i lajmit ekonomik dhe financiar, do të vazhdojë të karakterizojë punën tuaj.

Dua t’ju siguroj që Banka e Shqipërisë do të vijojë të jetë një institucion transparent, i gatshëm të japë opinionet dhe vlerësimet e rastit në të gjitha debatet publike që lidhen me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe tregjet financiare, edhe në vitin në vijim. Për Bankën e Shqipërisë, stabiliteti makroekonomik i vendit dhe soliditeti financiar i tij janë dy objektiva thelbësorë afatgjatë. Ne punojmë pa ndërprerje për të mundësuar këtë stabilitet vendimtar e jetësor për gjithë qytetarët e vendit. Ajo që dëshiroj të shpreh qartazi sot është se ju jeni pjesë e rëndësishme e përpjekjes sonë dhe së bashku do ta kemi më të lehtë të garantojmë mirëqenien e brezave në vitet që do të vijnë.   

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, edukimi financiar dhe puna kërkimore janë pjesë integrale dhe mjaft e rëndësishme e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë. Ato janë parakusht dhe burim i zhvillimit ekonomiko-social të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të tij. Në këtë drejtim, do të doja ta ktheja vëmendjen në atë që tashmë është shndërruar në një traditë tonën – tek ceremonia e shpërndarjes së Çmimit të Guvernatorit për diplomën më të mirë.

Ky është viti i 13-të, që Banka e Shqipërisë përzgjedh dhe vlerëson me çmime tre punime shkencore të përgatitura nga studentë. Në rrjedhën e viteve, kemi konstatuar se cilësia e punimeve shkencore ka ardhur në rritje, aq sa sot është e vështirë të dallosh nëse punimi është produkt i një studenti të sapodiplomuar apo i një punonjësi kërkimor të Bankës së Shqipërisë. Interes të madh paraqesin dhe temat e përzgjedhura, të cilat kanë në qendër të tyre probleme të mprehta nga realiteti ekonomiko-financiar i vendit dhe më gjerë. 

Njësoj si në vitet e kaluara, studentët shqiptarë nga universitetet e vendit dhe ato të huaja kanë shfaqur interes, duke u paraqitur në konkurrim me punët e tyre më të mira. Vërejmë me kënaqësi se pjesëmarrja dhe interesi nga ana e studentëve dhe universiteteve është rritur ndjeshëm këtë vit, duke dëshmuar vlerësimin, besueshmërinë dhe reputacionin që ka fituar ky aktivitet. Më konkretisht, këtë vit kanë mbërritur 39 punime, spektri i të cilave shtrihet nga çështje të politikës monetare e të zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit, deri në tematika që lidhen me aspekte të miradministrimit të aktiviteteve prodhuese e atyre financiare, çështjeve të integrimit evropian, si dhe diskutimin e risive teknologjike të aplikuara në para virtuale dhe financë. Punimet karakterizohen nga përdorimi i metodologjive bashkëkohore të studimit, si dhe nga shfrytëzimi i një informacioni të bollshëm statistikor, për të hulumtuar përmes argumentesh teorike dhe praktike lidhjet shkak-pasojë të fenomeneve dhe ligjësive të ndryshme ekonomike.

Përtej vështirësisë objektive lidhur me përzgjedhjen e punimeve më interesante, sa i takon "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë" për vitin 2019, tashmë kemi arritur të marrim një vendim.  

Thënë këtë, pavarësisht numrit të kufizuar prej vetëm tre fituesish, përfitoj nga rasti të përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në garë, së pari, për angazhimin dhe seriozitetin e treguar, dhe së dyti për idetë, për metodat e përdoruara dhe konkluzionet e nxjerra në punimet e tyre kërkimore tepër dinjitoze. Ju inkurajoj që këtë hap të parë në fushën e kërkimit shkencor, gjatë karrierës suaj, ta pasoni me të tjerë gjithnjë e më ambiciozë!

Vijojmë me prezantimin e studentëve fitues.

Ju faleminderit dhe gëzuar festat!