BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani në ceremoninë e përurimit të sistemit të pagesave ndërbankare

Data e publikimit: 08.03.2004

 

Të nderuar pjesëmarrës !

Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen, kam kënaqësinë t'ju njoftoj zyrtarisht përfundimin dhe inagurimin e sistemit të pagesave ndërbankare në kohë reale. Them zyrtarisht, sepse sistemi i ashtuquajtur AIPS në fakt duke filluar që nga data 30 janar 2004, pasi ka kaluar me sukses të gjitha testimet e nevojshme është plotësisht operativ.

Nuk gjykoj se e ekzagjeroj, por Banka e Shqipërisë ka bërë një nga hapat më të rëndësishëm në procesin reformues për sistemin bankar drejt standarteve ndërkombëtare në këto vitet e fundit për zhvillimin dhe përsosjen e infrastrukturës së biznesit bankar në vend.

Në kohën kur lançuam projektin, nuk kisha bindjen e plotë për realizimin në afatin e caktuar të projektit, nisur edhe nga eksperiencat jopozitive në vendet që kanë zbatuar të njëjtin projekt.

Procesi hasi vështirësi, ndër të cilat më kryesoret mendoj të kenë qenë koordinimi i numrit të gjerë të aktorëve në projekt; infrastruktura e përgjithshme në vend, e cila duhet pranuar që ende mbetet e pafavoreshme për zbatime të shtrira të sistemeve të informacionit; dhe eksperienca e kufizuar në aplikimin e sistemeve të rëndësishme të pagesave, të cilat prezantohen komplekse dhe synojnë në një shkallë të lartë të çështjeve teknike edhe ligjore.

Gjithësesi, zbatimi i sistemit në një kohë të përgjithshme prej 8 muajsh, ishte një rezultat mjaft pozitiv nëse e krahasojmë me eksperiencat e njëjta të vendeve të ngjashme. Ky, mendoj se ishte frut i një pune të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe bankave përdoruese sistemit.

Sistemi i pagesave ndërbankare - AIPS, tashmë mund të konsiderohet si infrastruktura kryesore lidhëse e të gjithë sistemit bankar. Ai krijon kushte optimale, të barabarta si për realizimin e shkëmbimeve midis bankave ashtu për zhvillimin në mënyrë të sigurtë të tregut ndërbankar.

Ai është i instaluar në Bankën e Shqipërisë dhe nëpërmjet rrjeteve të sigurta të komunikimit shtrihet në të gjitha bankat e autorizuara që e përdorin atë. Sistemi mban llogaritë e bankave dhe mundëson finalizimin e menjëhershëm dhe në kohë reale të të gjithë instruksioneve të pagesave, që lëvizin nëpërmjet mesazheve elektronike. Shlyerja dhe finalizimi i këtyre instruksioneve kryhet nëpërmjet lëvizjes së menjëhershme të fondeve midis llogarive që bankat mbajnë në sistem. Sistemi, pas kësaj, kujdeset për njoftimin e menjëhershëm të përfituesit të fondeve, si dhe për lejimin e përdorimit të tyre.

Duke u zhvendosur tek disa nga përfitimet që do të sjellë ky sistem shkurtimisht do të theksoj se ai pritet:

  1. Të ulë shkallën e rrezikut operacional në sistemin bankar;
  2. Të forcojë stabilitetin e sistemit bankar në përgjithësi;
  3. Të rrisë eficiencen në administrimin e fondeve financiare dhe në shkëmbimin e vlerave midis sistemit bankar;
  4. Të nxisë më tej zhvillimet në fushën e pagesave si dhe zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi; dhe:
  5. Të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e besueshmërisë dhe reputacionit të sistemit bankar shqiptar, në sytë e publikut vendas dhe të huaj.

Përfitues të tij, do të jenë, gjithashtu:

  • Biznesi shqiptar, mund të realizojë pagesa apo transferime të fondeve brenda ditës dhe në çdo degë banke.
  • Publiku i gjerë, do të mundet që në çdo kohë të realizojë, brenda ditës "pagesa të shpejta - AIPS".

Nisur edhe nga eksperiencat e vendeve të ngjashme, përfitimet e sistemit të ri, shpreoj se shumë shpejt do të kuptohen dhe do të ndjehen nga të gjithë përdoruesit e tij.

Si po funksionon sistemi?

Ecuria e deritanishme e funksionimit dhe e sjelljes së tij, është pozitive. Që në ditën e parë të operimit u realizua përpunimi i 94 pagesave me një vlerë prej afro 40 milionë dollarësh. Ndërkohë që, gjatë muajit të parë të operimit sistemi ka finalizuar çdo ditë mesatarisht 100 pagesa me vlerë 48 milionë dollarë. Ngarkesa maksimale e regjistruar përkon me një numër prej rreth 130 pagesash në ditë, me një vlerë e cila ka kapërcyer shifrën 100 milionë dollarë. Koha e përpunimit të plotë të një instruksioni mesatarisht është më pak se 2 sekonda.

Gjykojmë, se vetë sistemi do të inkurajojë bankat nga njëra anë të tregohen më aktive në administrimin e fondeve të tyre dhe biznesin e publikun shqiptar nga ana tjetër, për të përdorur gjithnjë e më shumë shërbimin e pagesave të shpejta.

Përfitoj nga rasti të përshëndes bankat anëtare të sistemit, duke shprehur besimin tim dhe të institucionit që drejtoj, se ky bashkëpunim do të rritet në të ardhmen dhe veçanërisht në dy projektet madhore të Bankës së Shqipërisë: atë të kleringut të pagesave me vlerë të vogël dhe atë të reduktimit të parasë cash në ekonomi.

Pas përfundimit të këtij projekti Banka e Shqipërisë ka menduar të vazhdojë më tej përmirësimin e infrastrukturës financiare të vendit duke u angazhuar në një projekt tjetër me përmasa kombëtare, atë të kryqëzimit të pagesave me vlerë të vogël. Duke shprehur besimin se edhe në këtë rast bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërinsititucional do jetë në të njëjtin nivel, shpreh vlerësimin se një zbatim i suksesshëm i këtij projekti të ri do të shënonte një hap të rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së objektivave tanë madhorë.

Po kaq të rëndësishëm do ta vlerësoja projektin e ri edhe në funksion të iniciativës më të fundit që ne si Bankë e Shqipërisë kemi marrë para opinionit publik, atë të reduktimit të parasë cash në ekonomi. Pavarësisht kompleksitetit dhe të varësive ndërinstitucionale që ekzistojnë në përmbushjen me sukses të kësaj nisme, unë jam i bindur se sistemi i kryqëzimit të pagesave së bashku me sistemin modern që po inagurojmë sot, do të jenë dy hapa përcaktues në sigurimin e suksesit.

Sigurisht që deri në realizimin e projektit, morën pjesë një sërë aktorësh për të cilët dua të shpreh konsiderata të veçanta:

  • Falenderime të sinqerta i takojnë Bankës Botërore dhe stafit të saj të angazhuar në projekt, si iniciuesi, bashkëfinancuesi dhe mbështetësi kryesor i Bankës së Shqipërisë në këtë projekt. Njëkohësisht, përfitoj nga rasti të shpreh besimin në suksesin e bashkëpunimit edhe në projektin për krijimin e kleringut të automatizuar të pagesave në vlerë vogël.
  • Përgëzime të veçanta i takojnë firmës Montran, z.Charls Walch, Zëvendëspresident, dhe punonjësve të kompanisë, të cilët nëpërmjet një bashkëpunimi të vazhdueshëm me Bankën e Shqipërisë mundësuan realizimin në kohë dhe me cilësi të projektit.
  • Një falenderim të veçantë do të adresoja për Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe për Njësinë e Zbatimit të Projekteve pranë Ministrisë së Financave.
  • Në përfundim, falenderime të sinqerta do t'i dërgoja edhe vetë stafit të Bankës së Shqipërisë, i cili me profesionalizëm mundësoi përfundimin me sukses të këtij projekti.

Suksese të gjithë përdoruesve të sistemit dhe ju faleminderit!