BANKA E SHQIPËRISË

Marrëdhëniet Biznes-Bankë - një kapitull i ri
Fjala e Guvernatorit, z.Ardian Fullani, në takimin e organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me komunitetin e biznesit në vend, Tiranë, 13 dhjetor 2004

Data e publikimit: 13.12.2004

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Takimin e sotëm e konsideroj si një rast të veçantë që na jepet të dy komuniteteve, atij bankar dhe të biznesit, për të hapur një kapitull të ri komunikimi dhe bashkëpunimi, një marrëdhënie të re, të bazuar në përfitim dhe besim reciprok.

Nga këndvështrim naiv, do të duket se qëllimi ynë final, stabilteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar i vendit, duket i ndryshëm nga synimi juaj për maksimalizimin e fitimeve nga aktiviteti që ushtroni. Megjithatë, duke u thelluar konstatohet se të dy komunitetet e përfaqësuar në këtë sallë me vendimet dhe arritjet e tyre, e bëjnë më të lehtë punën e njëri-tjetrit, drejt të pakundërshtueshmes se pa stabilitetet ekonomiko - financiar nuk mund të ketë rritje ekonomike.

Në një ambient të stabilizuar ekonomik, ku norma e inflacionit është e ulët, për ju është më e lehtë të merrni vendime të rëndësishme për rritjen e biznesit tuaj. Në të kundërt, do të ndjeheshit të pasigurtë veçanërisht në atë që quhet perspektivë e biznesit tuaj. Po kështu, në rast të një stabiliteti financiar të vendit dhe pranisë së një sektori bankar të konsoliduar, ju do të ndjeheni më komodë dhe natyrshëm rrjedhja e fondeve të lira financiare do të drejtohet për rritjen cilësore të bizneseve tuaja. Nga ana tjetër, një sektor financiar i brishtë, me segmente të pasigurta dhe të pa mbikëqyrura do të rriste potencialin për goditje të fuqishme që në një mënyrë ose në një tjetër do të preknin jo vetëm biznesin por edhe kursimet në përgjithësi.

Në vazhdim nuk do të trajtoj çështje të ndërlikuara teorike dhe njëkohësisht as do të dëshiroja të bëja apologji apo deklarata propagandistike. Përveç qëllimit që kam për t'ju njohur me disa nisma të fundit të Bankës së Shqipërisë në këndvështrimin e një vizioni të ri të saj, do të ndalem shkurtimisht dhe në sensibilizimin e komunitetit tuaj për të rritur bashkëpunimin me sistemin bankar, përfshirë dhe institucionin që unë drejtoj, Bankën e Shqipërisë.

Shpresoj t'ju ketë rënë rasti këto kohët e fundit të keni dëgjuar e debatuar më shpesh për reduktimin e cash-it në ekonomi, për nevojën akute që ka sistemi bankar për krijimin e disa regjistrave të rëndësishëm informativë, ashtu sikurse shpresoj që të ndani të njëjtin mendim me mua se sistemi bankar gjatë kohëve të fundit ka bërë progres të dukshëm.

Përfitoj nga rasti të deklaroj që në fillim, se nuk bëhet fjalë për fushata propagandistike, por për projekte konkrete, të cilat do ta bëjnë biznesin bankar më të dobishëm, sigurisht jo vetëm për ju, por edhe për shtresën e gjerë të popullatës në përgjithësi. Angazhimi ynë konstant do të jetë mbrojtja e vlerës së kursimeve tuaja.

Më lejoni që shkurtimisht të ndalem në disa nga çështjet që përmenda më sipër:

1 - Kreditimi i ekonomisë.

Javën e kaluar së bashku me drejtuesit e sistemit bankar diskutuam rreth zhvillimeve dhe perspektivave të kredisë për ekonominë. Nga të gjithë u ra dakord se ka hapësira të mëdha në këtë drejtim, ndërkohë që nga ana e bankave u kërkua më shumë informacion specifik në drejtim të sektorëve të ekonomisë, ku investohet dhe parashikohet të investohet. Sigurisht, ky informacion do t'i ndihmonte bankat në procesin e shqyrtimit të kërkesave dhe njëkohësisht do t'i ndihmonte ato edhe në programimin e të ardhmes së biznesit të tyre. Parë nga konteksti i mësipërm do t'ju inkurajoja fuqimisht t'i drejtoheni bankave gjithnjë e më shumë për të thithur fondet e tyre financiare. Por, në të njëjtën kohë, që të jeni të suksesshëm duhet më shumë transparencë dhe më shumë qartësi në marrëdhëniet që keni dhe do të vendosni me komunitetin bankar.

2 - Byroja e informacionit të kredive.

Krijimi i byrosë së informacionit të kredive është një program i iniciuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, por që për realizimin e të cilit duhet mjaft punë dhe koordinim institucional midis aktorëve të interesit, si biznesi, bankat, insititucionet publike dhe Banka e Shqipërisë. Byroja e informacionit të kredive pritet të lehtësojë problemet e informacionit që ekzistojnë jo vetëm midis bankave dhe bizneseve, por dhe të informacionit ndërbankar që është po aq i rëndësishëm nga pikëpamja e shfrytëzimit të ekonomive të shkallës. Banka e Shqipërisë do të lehtësojë kushtet për realizimin e këtij projekti.

3 - Sistemi i kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël.

Pas përfundimit të sistemit të pagesave në vlera të mëdha, Banka e Shqipërisë para pak kohësh inaguroi fillimin e projektit shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me kryqëzimin e pagesave në vlerë të vogël. Funksioni i këtij sistemi të ri do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e pagesave midis përdoruesve të bankave, një element mungesa e të cilit ka mbajtur larg bizneset prej bankave. Përfitoj nga rasti për të sensibilizuar bizneset për përparësitë që do të shoqërojnë funksionimin e këtij sistemi, pasi ndërmjet të tjerash të dy sistemet së bashku do të ndihmojnë arritjen e standardeve ndërkombëtare të ATM dhe POS për numër popullsie. Sfida për sistemin bankar dhe bizneset, por dhe për Bankën e Shqipërisë, mbetet nxitja e publikut në përdorimin e tyre.

4 - Reduktimi i cash-it në ekonomi.

Disa nga hapat e mësipërme lidhen dhe ndihmojnë direkt dhe indirekt në reduktimin e ekonomisë cash. Por Banka e Shqipërisë mendon të ndërmarrë dhe hapa të tjerë në këtë drejtim në bashkëpunim me institucione të tjera të rëndësishme si Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë. Hapi i parë në këtë drejtim ka qenë pagimi i rrogave të një pjese të insitucioneve publike nëpërmjet llogarive bankare. Shpresoj që ky proces të thellohet më shumë në vitin 2005, duke u shtrirë jo vetëm në institucionet qendrore por edhe më tej në ato lokale.

Por qëndrimi i sistemit bankar nuk do të jetë pasiv. Përkundrazi roli i tij do të jetë aktiv, gjë që nënkpton se bankat do të shkojnë drejt popullsisë dhe bizneseve me produkte të qarta dhe të gatshme, me shërbime të shpejta dhe efikase. Duke vlerësuar zhvillimet e fundit në sistemin bankar si në rritjen e numrit të degëve ashtu dhe në shtimin e shërbimeve bankare në sportel, mendoj se në vitin 2005 sistemi bankar do të jetë më atraktiv. Gjykoj se shenjat optimiste të vitit që po lëmë do të pasohen nga veprime energjike të sistemit bankar në biznesin e pagesave me karta elektronike, e në këtë frymë do të shprehesha që zgjidhjet e sistemit bankar të jenë në favor të një karte të unifikuar.

Sigurisht që hapat në këtë drëjtim do të jenë më komplekse dhe natyrshëm që disa prej tyre kërkojnë dhe bashkëveprim ndërinstitucional. Banka e Shqipërisë tashmë po shtron rrugën drejt përdorimit të gjerë kartave në Shqipëri. Shërbimi me karta krediti jo vetëm që do të kontribuojë në reduktimin e cash-it në ekonomi por qëllimi final i tij mbetet ulja e ekonomise informale.

5 - Nevoja për më shumë informacion.

Orientimi i drejtë për vendimmarrjen e duhur, për një institucion siç është Banka e Shqipërisë, kërkon një informacion të gjithanshëm, ndërmjet të tjerash edhe mbi ecurinë e prodhimit, gjendjen e punësimit, pritshmëritë dhe ndjesitë që biznesi ka për të ardhmen e për një sërë treguesish të tjerë që lidhen me aktivitetin ekonomik në rang vendi. Besoj se nuk përbën sekret për asnjërin nga ne fakti që ky informacion është i rrallë, duke bërë që shumë herë vendimmarrja jonë të jetë jo aq efektive sa duhet dhe jo në perputhje me mundësitë e Bankës së Shqipërisë.
Është kjo arsyeja pse ne gjykojmë se ju mund të jeni një dritare e vlefshme informimi që do të na ndihmonte shumë në arritjen e konkluzioneve më të sakta me zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme të vendit. Duke vlerësuar se potenciali i biznesit tuaj është i konsiderueshëm dhe gjithëpërfshirës do të na krijohej mundësia që të kemi një tabllo më të qartë në lidhje me ecurinë e gjithë aktivitetit ekonomik të vendit, jo vetëm në metropol, por të shtrirë në të gjithë vendin. Për këtë qëllim po hartojmë një strategji të re për degët e saj në rrethe. Këto degë, do të kthehen në një fytyrë të qartë të Bankës së Shqipërisë dhe do të shërbejnë jo vetëm për mbledhjen dhe depozitimin e cash-it, por dhe si stacione të grumbullimit të informacionit në lidhje me aktivitetin ekonomiko-financiar të rajonit, duke i paraprirë analizave dhe studimeve të cilat do t'i shërbejnë jo vetëm programimit të një politike të qartë makroekonomike por edhe modernizimit të elementeve të transmetimit të kësaj politike nga qendra në bazë dhe anasjelltas.

Mos harroni se nga ana tjetër, në këmbim do të keni mundësinë që të merrni analiza profesionale në lidhje më degën ku ushtroni aktivitetin, me parashikime të sakta në lidhje me tregjet, bizneset dhe kërkesën konsumatore. Po kështu, edhe siguruesi juaj me kredi, biznesi bankar do të ishte më i sigurtë në marrjen e vendimeve dhe gjetjen e klientëve potencialë.

Dua të theksoj se ftesa që po ju drejtoj sot është shumë e sinqertë, reale dhe larg klisheve propogandistike. Duke përfunduar dëshiroj të them se këto marrëdhënie komunikimi për krijimin e të cilave po apeloj sot do t'i rezistonin kohës vetëm nëse në themel do të kishin sinqeritet, besim dhe reciprocitet.

Unë e garantoj atë.