BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit, z. Gent Sejko, në workshop-in e 11-të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 04.12.2017

 

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi të jem sot këtu me ju. Në emër të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Workshop-in e 11të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore dhe t’ju falënderoj për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar.

Workshop-i ka evoluar ndër vite, duke ofruar një platformë për kërkuesit, akademikët dhe bankierët qendrorë, jo vetëm nga Rajoni por edhe më gjerë, për të:

  • paraqitur gjetje të reja kërkimore dhe forcuar shkëmbimin e pikëpamjeve;

  • diskutuar në lidhje me zhvillimet kryesore në tregjet e parasë, zbatimin e politikës monetare dhe aspektet operacionale të bankës qendrore, dhe

  • zhvilluar marrëdhënie afatgjata bashkëpunimi.

Nga një këndvështrim strategjik, qëllimi kryesor i kërkimit ekonomik është të ofrojë një bazë të fortë konceptuale dhe empirike për politikëbërjen. Kërkimet me cilësi të lartë rrisin besueshmërinë e bankës qendrore dhe përmirësojnë cilësinë e politikave të saj. Ne besojmë fuqimisht se kërkimi cilësor rrit kontributin potencial të bankës qendrore në tregjet financiare, në ekonomi dhe në shoqëri.

Ashtu si në bankat e tjera qendrore evropiane, kërkimi ekonomik në Bankën e Shqipërisë është një funksion i rëndësishëm në të gjithë veprimtarinë e saj, i cili ka provuar të jetë i suksesshëm në mbështetje të proceseve të formulimit dhe zbatimit të politikave. Metodologjitë e reja të ofruara nga kërkimi, bazuar në modele empirike, janë përvetësuar si instrumente standarde të analizës dhe parashikimeve të politikës nga departamentet e tjera të Bankës (për shembull, politika monetare, stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, etj.).

Kjo do të thotë se misioni, qëllimi dhe kontributi i kërkimit kanë një vend shumë të rëndësishëm në strategjinë e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë. Qëllimet e tij konsistojnë në:

  • rritjen e njohurive dhe të kuptuarit tonë për ekonominë e brendshme, rajonale dhe globale, përfshirë funksionimin e sistemit financiar;

  • zhvillimin e modeleve, instrumenteve dhe analizave me cilësi të lartë për të mbështetur më mirë politikën monetare dhe stabilitetin financiar;

  • pjesëmarrje në rrjetet ndërkombëtare të kërkimit (sistemin rajonal dhe atë evropian), për të mundësuar shkëmbimin e mendimeve dhe pikëpamjeve me banka të tjera qendrore; dhe

  • ofrimin e këshillave të besueshme për politikëbërësit dhe shkëmbimin e gjetjeve dhe përfundimeve me pjesëmarrësit e tregut, investitorët e huaj dhe publikun.

Për më shumë, gjatë këtij viti, kërkimi në Bankën e Shqipërisë e shtriu aktivitetin e tij duke përfshirë kërkimet historike. Rezultati ishte Konferenca me temë “Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga antikiteti në ditët tona”, në të cilën morën pjesë shumë studiues, numizmatë, arkeologë dhe hulumtues të historisë monetare dhe ekonomike.

Duke iu kthyer arsyes së mirëfilltë për të cilën jemi të gjithë sot këtu, së fundmi do të shtoja se kërkimi është përqendruar në çështje të ndryshme lidhur me:

  • infrastrukturën e tregut financiar dhe ndikimet e mundshme në stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen bankare;

  • zbatimin e standardeve të reja IFRS (Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar);

  • zhvillimin e shpejtë të tregut financiar dhe instrumenteve të tij, dhe

  • zhvillimet institucionale në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare.

Të gjitha këto janë sot çështje nga më të trajtuarat të kërkimit ekonomik dhe jam i lumtur të vë re se ato zënë një pjesë të rëndësishme të programit të këtij workshop-i. Për më tepër, jam shumë i lumtur të shoh se çështjet tradicionale të politikës monetare dhe zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë do të diskutohen gjithashtu gjatë dy ditëve të workshop-it.

Mendoj se një trajtim kaq i gjerë e bën programin mjaft interesant. Kemi besim se materialet e diskutimit që do të paraqiten gjatë ditëve të workshop-it do të ofrojnë udhëzime se si të trajtohen çështje të ndryshme që rrjedhin nga zhvillimet e fundit ekonomike, në rajon dhe më gjerë. Shumë prej tyre janë të ngjashme në vende të ndryshme; si rrjedhim, bashkëpunimi kolektiv është tejet i dobishëm.

Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’ju ftoj të merrni pjesë në mënyrë aktive dhe të zhvilloni një debat shumë të gjallë e frytdhënës. Sinqerisht, besoj se diskutimet dhe komentet konstruktive, të cilat sigurisht do të zhvillohen gjatë workshop-it, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndër hulumtuesit dhe midis institucioneve.

Për të gjitha këto arsye, ju falënderoj edhe një herë për kontributin tuaj të çmuar në këtë takim vjetor të kërkuesve dhe ju uroj workshop të suksesshëm dhe frytdhënës!