BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Kryeministrit, z.Sali Berisha, në Konferencën e VI Vjetore të Bankës së Shqipërisë "Tregjet financiare rajonale dhe stabiliteti financiar – një koncept midis sovranitetit kombëtar dhe globalizimit", 30 tetor 2006

Data e publikimit: 30.10.2006

 

"Është një kënaqësi e veçantë të përshëndes punimet e kësaj konference dhe të shpreh interesin e ekipit që unë drejtoj në drejtim të sektorit financiar për një zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet afatgjatë të tij. Si kryeministër dua të them se rritja e qëndrueshme ekonomike dhe punësimi mbeten dy objektivat parësore të programit ekonomik të qeverisë shqiptare. Shqipëria është dhe vazhdon të karakterizohet nga norma të larta dhe të qëndrueshme rritjeje dhe për ne në vazhdim mbetet detyrë, jo vetëm ruajtja e këtyre normave, por shtytja me tej e këtij procesi.

Objektivi ynë më kryesor është ndezja e plotë e motorëve të rritjes së shpejtë ekonomike. Besimi im është i palëkundur se Shqipëria mund dhe do të jetë një vend me rritje të shpejtë ekonomike. Për ne është e qartë se një zhvillim i shpejtë dhe i qëndrueshëm ka si kontribues kryesor zhvillimin e sistemit financiar. Ne vlerësojmë si kusht themelor të këtij zhvillimi stabilitetin makroekonomik të vendit. Por ne konceptojmë se stabiliteti dhe veçanërisht stabiliteti financiar, si një proces dinamik dhe jo si një status-quo. Çdo status-quo në vendet që janë në zhvillim e sipër është vetëm gllabëruese dhe e dëmshme. Nga ana tjetër dëshiroj të shpreh simpatinë time për idenë e trajtimit të këtyre problemeve në kontekstin rajonal.

Ne kuadrin e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal është e domosdoshme dhe imperative jo vetëm trajtimi i përbashkët i bashkëpunimit ekonomik dhe institucional, por dhe zhvillimi i harmonizuar i sektorit financiar. Është shumë e rëndësishme që sistemi financiar në rajon të ecë në të njëjtën linjë me ndryshimet e vazhdueshme në arkitekturën financiare evropiane dhe më gjerë. Pa dyshim çdo hap i këtij procesi duhet hedhur me kujdes për vetë faktin se stabiliteti financiar është parakusht për të gjitha proceset integruese rajonale dhe evropiane. Veçanërisht në kushtet aktuale të sistemit financiar të vendeve të rajonit në përgjithësi duhet mbajtur parasysh se në tregun rajonal funksionojnë i njëjti grup bankash dhe si pasojë kjo rrit rrezikun e transmetimit të paqëndrueshmërisë të sistemit financiar nga një vend në vendin tjetër. Prandaj është shumë e rëndësishme që secili vend të përballet me dobësitë e sistemimeve financiare të tij si dhe të nevojës së domosdoshmërisë për fuqizimin e mbikëqyrjes së këtyre sistemeve, për shkak të rritjes së kërkesës në këto vende dhe ti korrigjojë ato përpara ose gjatë procesit te integrimit.

Cilësia dhe mënyra e zbatimit të reformave në sistemin bankar dhe në tregjet e tjera financiare duhet të jenë matësit kryesorë të këtij procesi tejet të rëndësishëm. Reformat, qëndrueshmëria dhe më tej integrimi financiar janë nevoja të tregjeve në zhvillim dhe nxiten nga vetë forcat e tregut, megjithatë vendimmarrësit duhet të lehtësojnë këtë integrim financiar duke shërbyer si katalizatorë të këtij procesi. Ne duhet të lehtësojmë pengesa të tilla, si ato ligjore, rregullatore, konkurrenciale, të politikës fiskale apo teknike që institucionet financiare të mund të përballen gjatë veprimtarisë së tyre ndërrajonale. Në planin rajonal kjo do të jetë një mbështetje për të ndërrmarë reforma për integrimin financiar sipas standardeve të unifikuara dhe praktikave bashkëkohore.

Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj procesi i bashkëpunimit dhe integrimit rajonal progreson. Ky proces e ka kusht vendimtar bashkëpunimin rajonal financiar dhe në këtë kontekst edhe njëherë dua të theksoj se kjo konferencë përbën një ngjarje të shënuar jo vetëm për vendin tonë , por unë mendoj për rajonin në tërësi. Qeveria shpreh angazhimin e plotë në këtë proces.

Ne jemi thellësisht të angazhuar për të krijuar në Shqipëri një klimë të besueshme me synimin thithjen dhe krijimin e një ambienti sa më atraktiv për investimet e huaja. Si ekzekutiv që në fillim të mandatit të qeverisë i kemi kushtuar një rëndësi shumë të veçantë konsolidimit fiskal, uljes së informalitetit, vazhdueshmërisë së konsolidimit të sistemit financiar. Me reformat që ka ndërmarrë qeveria prioritet i është dhënë luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, larjes së parave si dhe lancimit të ideve promovuese pa harruar dhe projektet e tona madhore në drejtim të infrastrukturës.

Ne kemi vendosur një dialog konstant në sistemin bankar në Shqipëri. Kemi dëgjuar me vëmendje të madhe kërkesat dhe shqetësimet e tij. Kemi proceduar me një seri aktesh ligjore dhe nënligjore me të cilat ne synojmë të rrisim, të zgjerojmë hapësirën e pjesëmarrjes së tij në zhvillimin ekonomik të vendit. Unë mendoj se ky dialog, ky partneritet, po jep frytet reale dhe se në tërësi, çdo ditë e më shumë, ky sistem bëhet një mbështetje e fuqishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Natyrisht potenciali i tij është shumë më i madh çka do të thotë se qeveria, Banka e Shqipërisë duhet të shqyrtojë seriozisht këtë potencial të madh në mënyrë që të lehtësohet gjithnjë e më shumë pjesëmarrja e këtij sektori në zhvillimin ekonomik të vendit.

Së shpejti, ne miratojmë ligjin e partneritetit publik privat,. Bankat do të kenë një hapësirë të re të madhe të financimit të sektorit publik, por kryesisht të sektorit privat në një vend që ka një rritje ekonomike që shkon drejt 6 %, por që është absolutisht e pamjaftueshme për nevojat e mëdha që ka ky vend dhe ky komb në zhvillimin e tij ekonomik.

Parlamenti shqiptar do të miratojë së shpejti projektligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e prezantuara në këtë ligj janë një dëshmi e qartë e reformave për të përmirësuar kuadrin ligjor, rregullator, mbikëqyrës për bankat që veprojnë në vendin tonë. Ato synojnë mbështetjen e procesit të integrimit dhe lidhjen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zbatimin e planit kombëtar të përafrimit me legjislacionin. Gjithashtu është përfunduar procesi i konsolidimit të institucioneve të tjera financiare dhe fillimit të funksionimit të autoritetit mbikëqyrës financiar me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes dhe ndërmarrjes së reformave të shëndosha.

Personalisht kam qenë i bindur se financat e vendit duhet të kenë një bord financiar duke patur parasysh traditën pozitive të bankës qëndrore të vendit, por le të konsolidojmë këtë institucion, autoritetin mbikëqyrës të tregjeve financiare jobankare, në mënyrë që të nxisim zhvillimin e tyre. Kjo është një domosdoshmëri e madhe për vendin mbasi ekziston një progres i pamohueshëm në disa aspekte ndërsa në aspekte të tjera duhet të pranojmë se këto tregje janë realisht rudimentare.

Prania ime këtu është një sinjal për mbështetjen e plotë për të gjitha reformat që do të sjellin rritjen ekonomike afatgjatë të Shqipërisë. Besimi im është i thellë se Shqipëria dhe jo vetëm Shqipëria, por rajoni i cili doli nga një fazë konfliktualitetesh, do të shndërrohet një nga rajonet më dinamike në rrafshin ekonomik të kontinentit evropian. Në këtë kontekst do mund të jetë i tillë vetëm në rast se sistemi i tij nervor, pra sistemi bankar i rajonit funksionon në mënyrë të përshtatshme dhe unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë.

Edhe njëherë i uroj sukses konferencës tuaj."