BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Kryetares së Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, zj. Ines Muçostepa, në takimin me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë, perspektiva e kreditimit 2016”

Data e publikimit: 03.03.2016

 

I nderuar Guvernator i Bankës së Shqipërisë, zoti Gent Sejko,

I nderuar kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, zoti Christian Canacaris,

Të nderuar miq,

Më vjen mirë që jemi mbledhur në një tryezë të tillë diskutimi, duke shpresuar që do të mbërrijmë në rezultate konkrete. E them këtë, pasi marrëdhëniet sipërmarrje dhe sipërmarrje bankë në vitet e fundit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në një pozicion të vështirë. Kemi ndjekur me vëmendje masat që ka marrë dhe po merr Banka e Shqipërisë në rregullimin e marrëdhënieve dhe rishikimin e kredive me probleme, kredi të cilat në të vërtetë kanë krijuar një problem të madh për sistemin bankar, por dhe për vetë kompanitë që i kanë marrë ato, pasi kjo do të thotë që mungon likuiditeti në treg. Që nga viti 2008, kur kriza e Lehman Brothers u ndie në Evropë, sipërmarrja shqiptare ndjeu ngërçin që duhej të kalonte këto vitet e fundit. Në mënyrë të pandalshme filluan të rriten kreditë me probleme dhe bankat vijuan të jenë më të ngurta në kreditimin e ekonomisë. Shumë prej kompanive nuk mundën t’ia dalin, duke çuar në falimentimin e tyre.

Por, sot mendojmë se situata po merr një kthesë tjetër. Edhe pse kreditimi i ekonomisë, sipas vetë të dhënave të Bankës vijon të jetë i dobët, shohim një maturim dhe kujdes në marrjen e masave për të shpëtuar kompanitë që mund të shpëtohen dhe ristrukturimin e këtyre kredive. Kjo do të thotë një frymëmarrje dhe shpëtim për to, si dhe forcimin e sistemit bankar nga ana tjetër.

Nismat e fundit ligjore të marra nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Banka e Shqipërisë, shihen si një mundësi e mirë për sipërmarrjen në “shkrirjen” e marrëdhënieve sipërmarrje dhe sipërmarrje bankare. Në krye të 13 masave qëndron miratimi në Kuvend i projektligjit të ri të falimentit, me anë të të cilit më pas do të nisë trajtimi i korporatave. Ligji i ri po hartohet për t’i dhënë zgjidhje pikërisht korporatave të mëdha, të cilat tashmë kanë shpallur pazotësinë për të paguar kreditë bankare, të cilat kapin vlerën e 600 milionë eurove. Sipas asaj çfarë përcillet nga biznesi, kjo është një mundësi e mirë që të rishohin mundësitë e portofolit të tyre të investimeve.

Të nderuar pjesëmarrës,

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë ndeshet çdo ditë me problematikën që ka biznesi. Po kështu nga kontaktet e vazhdueshme dhe kërkesat që ofron tregu sot, duken më të matur në atë çfarë duan të investojnë. Kjo në mënyrë të pandalshme ka çuar në studimin e tregut, vlerësimin e mundësive afatgjata dhe jo thjesht në një sipërmarrje sporadike. Po kështu plani strategjik i qeverisë ka të përcaktuara dhe fushat ku tashmë mund të fokusohet ekonomia jonë.

E bëra këtë parantezë për të thënë që tashmë ekonomia jonë ka nevojë të kreditohet në ata sektorë që do të jenë të qëndrueshëm dhe që do të sjellin të ardhura dhe punësim për ekonominë. Këtu mendojmë që duhet të fokusohet dhe mundësia e kreditimit të bankave. Bujqësia, agropërpunimi, turizmi apo teknologjia janë ato fusha në të cilat është e fokusuar të investojë sipërmarrja shqiptare. Ndaj bankat e nivelit të dytë tashmë duhet ta orientojnë portofolin e tyre të kredive në këto fusha, duke qenë fleksibël në mundësitë që ofrojnë. Më lejoni të ftoj bankat që të tregohen të matura, vizionare dhe të durueshme në fazën e shlyerjes së kredive dhe të kredidhënies. Biznesi huamarrës duhet trajtuar si partner prej bankave dhe jo si një klient i rastësishëm. Shpresojmë që drejt kësaj rruge duhet dhe po shkohet.

Ju faleminderit!