BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Z. Christian Canacaris, në takimin e diskutimit “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: perspektiva e kreditimit 2016”

Data e publikimit: 03.03.2016

 

I nderuar Guvernator Sejko,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit,

Të nderuar drejtorë dhe përfaqësues të bankave,

Zonja dhe zotërinj,

Në përgjithësi, viti 2015 ishte një vit kompleks, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për mbarë botën.
Në kontekstin evropian, edhe pse rimëkëmbja po vazhdon, ajo ishte me ritme të ngadalta përgjatë vitit 2015. Në fakt, PBB-ja në Eurozonë në fund të tremujorit të katër të vitit 2015 mbeti ende më e ulët se kulmi i saj në periudhën para krizës së fillimvitit 2008.

Në kontekstin e rritjes ekonomike për Shqipërinë, viti 2015 nuk i përmbushi plotësisht pritshmëritë tona optimiste, dhe kjo u reflektua nga një rritje e ulët e kreditimit të sektorit privat nga sektori bankar.

Rajonit dhe Evropës iu desh të përballeshin gjatë vitit me kërcënimet nga vonesat në shlyerjen e kredive të shtetit grek, të cilat patën dhe efektet e tyre psikologjike në Shqipëri. Megjithatë, sektori bankar në Shqipëri mbeti i qëndrueshëm dhe i pandikuar nga kjo krizë.

Nga ana tjetër, bankat me origjinë evropiane, u përballën me më tepër kërkesa rregullatore dhe politika shtrënguese në BE kundrejt bankave në Evropë dhe degëve të tyre në vende të tjera. Për më tepër, këtë vit u ndeshëm edhe me shumë ndryshime legjislative dhe rregullative në kontekstin lokal, veçanërisht në lidhje me sektorin fiskal.
Kreditë me probleme vazhduan të jenë problemi kryesor i bankave, duke pasur parasysh edhe të gjithë angazhimin tonë për të ndjekur dhe për të mbledhur huatë e dhëna prej parave të konsumatorëve.

Pavarësisht sfidave të lartpërmendura, sistemi bankar vazhdoi të zgjerojë aktivitetin e tij, gjatë vitit 2015, sikundër konfirmohet dhe nga rritja e totalit të aktiveve të tij prej 1.9%. Bankat vazhduan të jenë të mirëkapitalizuara, me likuiditet të bollshëm dhe shumë të sigurta. Dëshmia më e mirë është besimi i publikut që tregohet nga rritja e depozitave.

Portofoli i kredisë është rritur, edhe pse me një ritëm të ngadaltë, dhe vazhdimisht janë dhënë kredi të reja në shuma konsistente të qëndrueshme nga sistemi bankar. Kur analizohen statistikat e publikuara në lidhje me kredinë, ka disa elementë që duhet të mbahen parasysh për të vlerësuar si duhet rritjen reale të kreditimit.

Së pari, teprica e kredive në fund të vitit 2015 duhet të korrigjohet me totalin prej më shumë se 190 milionë euro të kredive të këqija të transferuara jashtë bilanceve të bankave gjatë vitit. Duke hequr efektin e tyre, portofoli i tepricës së kredisë do të rezultonte me një rritje prej më shumë se 2% gjatë vitit.

Së dyti, duhet theksuar se portofoli i kredisë karakterizohet nga maturitete të shkurtra, të tilla si overdraft-et. Ato kanë periudha të shkurtra shlyerjeje dhe jepen mbi baza rifinancimi, duke ndikuar në një shifër më të ulët të rritjes në totalin e portofolit, edhe pse këto linja kreditimi kanë injektuar likuiditet në sektorin privat.
Ndërkohë, bankat kanë ulur normat e interesit të kreditimit, në përgjigje edhe të politikës lehtësuese monetare të Bankës Qendrore.

Fillimi i vitit 2016 nuk ishte një ndër më të mirët për ekonominë botërore, duke pasur parasysh trazirat në tregjet financiare, ngadalësimin e ekonomisë kineze dhe rënien e ndjeshme të çmimeve të naftës dhe të mallrave.

Megjithatë, në lidhje me ekonominë shqiptare, pritshmëritë janë optimiste për vitin 2016. Si institucionet ndërkombëtare ashtu edhe ato vendase parashikojnë një rritje prej rreth 3% të ekonomisë, e cila jep shpresë për një perspektivë pozitive.

Bankat kanë pritshmëri optimiste dhe objektiva ambiciozë të  rritjes së kreditimit për vitin 2016, dhe mbeten të  angazhuara të japin më tepër hua, çka është edhe biznesi i tyre kryesor.

Për t'u arritur këta objektiva, një çështje shqetësuese mbetet ende ekzekutimi i kolateralit. Ekzekutimi efektiv do të sjellë performancë më të mirë bankare në lidhje me uljen e kredive me probleme. Pas një rritjeje të vazhdueshme gjatë një periudhe shtatëvjeçare, ulja e NPL-ve në nivelin 18.2% në dhjetor 2015, erdhi kryesisht për shkak të përpjekjeve të koordinuara të bankave dhe zbatimit të masave të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë dhe jo si rezultat i mbledhjes faktike të borxheve, siç duhet të kishte qenë.

Ne mbetemi optimistë për vitin 2016, duke pasur parasysh potencialin e rritjes së sektorit bankar në veçanti dhe të gjithë ekonomisë shqiptare, në përgjithësi.

Ju falënderoj për vëmendjen!