BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Christian Canacaris në aktivitetin “Inovacioni në sektorin bankar”, 14 maj 2015

Data e publikimit: 14.05.2015

 

E nderuar Zëvendësguvernatore Gjoni,

E nderuar Ministre Harito,

Të nderuar përfaqësues të bankave dhe bizneseve,

Në të gjithë botën bankat po përballen me sfida të vështira përsa i përket inovacionit teknologjik, nëse konsiderojmë ritmin e shpejtë të ndryshimeve në sektorët jo bankarë të teknologjisë së informacionit. Megjithatë, ekzistojnë gjithashtu edhe mundësi të mëdha rritje për bankat në qoftë se ato mbajnë një mendje të hapur dhe janë të gatshme të bëhen po aq të digjitalizuara sa dhe klientët e tyre.

Bankat në Shqipëri, kanë qënë lider të zhvillimit teknologjik. Transformimi i skenës së inovacionit në shërbimet bankare gjatë viteve të fundit ka qenë i mahnitshëm.

Bankat kanë qenë dinamike në zgjerimin e përfshirjes financiare, duke qenë ndërkohë sa më të përditësuara me instrumentet e reja të pagesave elektronike të ofruara për klientët e tyre.

Më lejoni t'ju jap disa shifra:

Në aspektin e instrumenteve të pagesave elektronike, kartat - debiti dhe krediti – kanë qënë gjithmonë në rritje, që prej futjes së tyre në tregun shqiptar. Nga rreth 34 mijë karta në qarkullim në vitin 2004, në fund të vitit 2014 kishte në qarkullim rreth 863 mijë karta debiti dhe krediti.

14 prej 16 bankave në vend ofrojnë karta si lëshuese të tyre, ndërsa 8 banka janë aktive dhe në lëshimin dhe në pranimin e transaksioneve me karta (nëpërmjet pajisjeve POS të vendosura në njësitë tregtare).

Duke iu referuar pajisjet e POS-eve dhe ATM-ve, numri dhe shpërndarja e tyre në vend është rritur në mënyrë të përshpejtuar gjatë dhjetë viteve të fundit: Në vitin 2004 kishte gjithsej 155 POS-e dhe 93 ATM në të gjithë vendin - 10 vjet më vonë ne kemi më shumë se 6500 POS-edhe 820 ATM.

Por, edhe këto pajisje janë tashmë duke u bërë të vjetra dhe bankat janë duke investuar në teknologji të reja. Dy vjet më parë, për herë të parë në Shqipëri bankat prezantuan POSet virtuale dhe tani 3 banka ofrojnë e-commerce (mundësinë për të kryer transaksione nëpërmjet internetit apo telefonit, me kartat bankare me funksione online).

Duke shkuar edhe më tej, bankat tani janë duke planifikuar të ofrojnë kartat pa-kontakt (contactless), të cilat do të revolucionarizojnë edhe më tej instrumentet e pagesave.

Përsa i përket metodës së përdorimit të shërbimeve bankare, që nga viti 2005 bankat kanë filluar të ofrojnë shërbime bankare nëpërmjet internetit. Aktualisht, 12 nga 16 bankat në sistem ofrojnë banking-un nëpërmjet internetit (internet banking), 7 prej tyre kanë futur banking-un nëpërmjet celularit (mobile banking) , ndërkohë që ka edhe shërbime të tjera të ofruara si MultiCash, SMS banking, dhe bashkëpunime me institucione jo-bankare që ofrojnë pagesa nëpërmjet celularit, të tilla si M-Pay dhe EasyPay.

Për t'ju dhënë një pamje më të qartë, vetëm në vitin 2014 u kryen më shumë se 1.2 milion transaksione përmes internetit, me një vlerë totale prej më shumë se 164 miliardë lekë.

Së fundmi, në çdo sektor, inovacioni për të krijuar e udhëhequr tregun është një biznes i vështirë, me shumë dështime për çdo sukses. Ne mund të shohim se ndërsa disa banka mund të drejtojnë tregjet, disa të tjera nuk do ta kryejnë dot tranzicionin për në botën e zhvilluar dixhitale të orientuar drejt konsumatorit.

Një përcaktues kyç i suksesit do të jetë mënyra e të menduarit e menaxhimit të çdo banke dhe pranimi i faktit se pa përqafuar inovacionin i cili lëviz shpejt, ne nuk do të jemi në gjendje të të maksimizojmë vlerën e aksionarëve tanë.